Para një jave, lexova shkarazi një debat të zjarrtë, rreth
Virgjërisë së femrës dhe ndëshkimit të saj në Dhjatën e Vjetër. Si gjithë
debatet rreth Fesë, ai niste në gurëzimi i vajzës “që kishte humbur nderin” dhe
përfundonte në hollësi filozofike apo sharje për mosdije, që kishin pak të bënin
me pasazhin e Biblës, të shkruar mbase 3000 vjet më parë.
Fëmijëve tanë, një debat i tillë do ju dukej krejt absurd,
por brezi i jonë nuk është dhe aq larg nga “gurëzimi me fjalë“ i vajzave, që
kishin patur marëdhënie seksuale para martesës.
Në një shënim të djeshëm, kam përmendur, se shoqëria jonë është
ende një shoqëri “maçiste injorante” edhe pse sot ka rënë tabuja e marëdhënieve
seksuale para “fejesës”.
Mud të vemë plotësisht fajin për të mentalitetit të prapambetur,
si dhe tre feve kryesore të vendit tonë, të cilat kishin formuar moralin e shoqërisë
shqiptare. Megjithatë, ka patur disa zakone shumë të çuditshme në vendin tonë,
të cilat varionin nga mbajtja e dylberëve dhe deri në fejesat në djep, të cilat
i përkasin më shumë botëve pagane se atyre të feve monoteiste.
Por të kthehemi në tema e “virgjërisë së vajzave” dhe bota
jonë shqiptare. Edhe pse një shoqëri e izoluar dhe shumë e fragmentuar, qytetet
shqiptare nuk ishin të shkëputur plotësisht nga qytetet e tjera të Ballkanit. E
megjithatë edhe në periudhën e e para Luftës së Dytë Botërore, ne ishim në këtë
drejtim shumë më pas Rumanisë, Bullgarisë apo Sllavëve të Jugut. Dy tre rumunë,
që kam njohur këtej, më kanë përmendur “namin” , që gëzonim ne shqiptarët “si
njerëz, që i shtronim në dru gratë“. Bota jonë edhe pse gjeografikisht më pranë
Vienës dhe Romës ishte shumë larg po të krahasohej me vendet e ballkanit
lindor. Dhe jo vetëm në zonat e banuara nga popullsia myslymane, por edhe në
ato të banuara nga të krishterët. Edhe në Korçë, i konsideruar si qytet shumë më
i përparuar nga qytetet e tjera shqiptare “miti i virgjërisë“ mbeti shumë i rëndësishëm
deri në vitet ’70, ndërkohë që në pjesët e tjera të botës ishte në kulm “revolucioni
seksual”.
Sikundër dihet nga të gjithë, breza të tëra vajzash, ishin të
detyruara të ndrydhnin ndienjat e tyre, për t’I shpëtuar damkosjes si ‘vajzë jo
e mirë“. Edhe pse një nga popujt më të vjetër në Europë ne ishim shumë prapa në
raportet natyrore të “homo sapiens”. Arrihej deri sa pjesëmarrja e vajzave në
luftë sulmohej nga kundërshtarët politikë si “shthurrje morale”. Por edhe
marrja e pushtetit nga e Majta ekstreme nuk solli të njëjtin “clirim seksual”,
që kishte sjellë 30 vite më parë në Rusi ose më vonë nëvendet e tjera. Në vitet
’50 vajzat e qytetit ende pengoheshin nga familjet të kryenin studime
universitare, në vitet ’60 dhe ’70 nuk lejoheshin të punonin si kamariere a në
të tjera punë, ku ju rrezikohej emri i mirë dhe si përmenda më lart deri në ato
vite “virgjëria” konsiderohej “virtyt” dhe si rrjedhojë kishte qindra histori
nga më të dhimbshmet e deri në qesharake. Kjo ishte shoqëria shqiptare edhe pas
ndalimit me ligj të feve.
I shkrojta këto rrjeshta për të nderuar shoqet e brezit tim
dhe sidomos ato vajza, që e kanë vuajtur më shumë absurditetin e një
mentaliteti të stërprapambetur e denigrues, që edhe pse i pamoralshëm shitej si
mbrojtës I Moralit.
No comments:
Post a Comment