Kam qënë shumë pesimist për mundësinë e reformimit të
Sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për të paktën një ose dy dekada. Këtë
bindje e kam pasur duke konsideruara vetëm dy gjëra: Nivelin e ulët intelektual
dhe arsinor të juristëve tanë dhe korrupsionin stërmadh brenda sistemit. Pa përmirësime
të ndjeshme në sistemin e përzgjedhjes të studentëve , arsimimin e tyre si dhe
një kontrolli sistematik të sistemit nga Institucione Juridike Europiane nuk
mund të ketë shpresë. As mund të bëhet
fjalë , që politka e pareformuar shqiptare të jetë në gjendje të
reformojë Drejtësinë.
Ky shënim, që nuk thotë asgjë të re në këtë drejtim, mori
shkas nga një CV, e botuar në shtypin tonë dje. Eshtë CV-ja e një kandidateje të
PS-së për të zëvendësuar njerëzit e PD-së të hequr nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
Kandidateja është juristja Albana Shtylla, e cila sot mban detyrën e Sekretares
së Përgjithshme të Kuvendit Popullor.
Sigurisht, që nuk ka njeri të lexojë CV-në e saj, e cila është
plot 8 faqe dhe me “spacio” të ngushtë. Duket mbresëlënëse nga gjithë ato gjëra,
që ka mundur të bëjë një juriste shqiptare në moshën 44 vjeç. Dhe një juriste,
e cila ka kryer shkollën nga shtatori I vitit 1988 e deri në qershorin e vitit
1992, kohë kur në Tiranë nuk “merrte vesh qeni të zotin” e jo më pak të mësohej
në universitete apo të ndryshoheshin programet nga ato të sistemit juridik
revolucionar socialist në një system juridik normal.
“Normal” do thotë këshilltari juridik i avokatit tim edhe
pse nuk e përdor këtë fjalë të stërpërdorur në atdhe. “Vetëm një jurist, që i njeh
bazat e sistemit si dhe të sistemit pa sistem mund të jetë e aftë t’I japë
drejtim punëve në Drejtësi.”- do shtojë. Por le ta “gjykojmë“ juristen Shtylla
sipas parimit të njohur juridik “ konsiderohet e pafajshme”, sepse nuk mund të
hedhim në një kosh gjithë juristët, të cilët morën diplomat në ato vite rrëmujë.
Për më tepër, Shtylla ka bërë Master dhe është(sipas CV) edhe kandidate për
PhD! Ky është një nocion krejt i panjohur për mua, por pyeta edhe njerëz të
studiuar në Amerikë dhe Kanada, të cilët mohuan se ka një ‘status’ të tillë. O
ke PhD ose nuk ke. E megjithatë po të shohësh numurin e diplomave dhe të çertifikatave
të marra nga juristja Shtylla më e pakta, që mund të thuash është “i papam”. Diploma
të Harvardit, universiteteve të Greqisë, Cekisë, Hungarisë, Italisë e plot të
tjera. Duket, që juristja në 20 vjet pas diplomimit ka mbetur me valixhe në dorë
universiteteve dhe aeroporteve të botës. Ndaj edhe pse nuk ka akoma PhD, me ato
çka ka studiuar s’ka pse mos i jepet automatikisht. Dhe akoma nuk kam përmendur
botimet e saj shkencore, ku nuk është përfshire edhe Cv-ja prej 8 faqesh.
-Po kujt i vlejnë këto paragraphë?- do më pyesë një miku im,
që ka thuajse të njëjtën linjë me këshilltarin juridik të avokatit tim.
Mbase edhe kanë.
Ndoshta këto fjalë të hedhura në erë, lexohen nga disa të
rinj shqiptarë, që kanë hyrë në rrugën e bukur e të vështirë, që një ditë të bëhen
gjykatësa. Mbase mësojnë nga këto fjalë se ç’farë nuk duhet të bëjnë gjatë kësaj
rruge.
Të paktën të mos mbushin 8 faqe me ‘spacio” të ngushtë për të
rrëfyer bëmat e tyre.
No comments:
Post a Comment