Po mundohem të kujtoj, se ç’gjëra “pa shpirt” kishim të
‘shenjta” në fëmijëri, kohë kur në trurin e njeriut vendoset një raport
fetishizues ndaj simboleve. E kam të vështirë. Ndryshe nga shumë shtëpi ku
kisha hyrë, ne nuk kishim “korë“, pranë të cilës të digjej kandili dhe t’i
drejtoheshim me lutje gjatë ditës. Dy sende ishin më të rëndësishmet.
Biblioteka “e vjetër”(kështu e quanim pas vitit 1971, kur blemë të renë) dhe një
fotografi shumë e madhe e gjyshit dhe gjyshes, që ishte në dhomën ku flinin
prindërit. Në mure kishte të varura edhe foto të tjera, por asnjër syresh nuk
kishte madhësinë, që mund të krahasohej me foton e Stambolit të prindërve të
babajt.
Biblioteka e vjetër, në dhomën ku flija me motrën, ishte një
raft i madh librash, në të cilin librat ishin të vendosurnë dy “sërë“ njëri pas
tjetrit dhe kishin bërë të përkuleshin dërrasat e rafteve, që i mbanin. Nuk
mbyllej me çelës, por librat nuk I preknim pa pyetur babanë. Librat tona si dhe
periodikët e fëmijëve ishin në një pjesë të “garderobit” ku mbanim edhe veshjet
tona si dhe shumë gjëra të tjera, nga ato, që ka çdo shtëpi. Në një sirtar poshtë
ishin disa dekorata dhe medalje të babajt, që më ngjallnin kuriozitet, po që
nuk më dukej se atij i bënin përshtypje, se nuk kisha parë të vinte kurrë të
tilla, si kisha parë të mbanin burra të tjerë në rast festash. Pranë bibliotekës
rrinte në kuti makina e shkrimit Everest, për të cilën ai kujdesej veçanërisht
dhe që shpesh gjatë natës kur punonte, bezdiste me çak-çukun e saj ata , që
rrinin poshtë nesh.
Në shtëpi nuk kisha dëgjuar kurrë përbetime apo ngritje
dollish. Kur i mendoj tani, them që jeta në shtëpinë tonë duhet të ketë qënë pa
synime dhe objektiva të qarta. Ne nuk kishim ndonjë nderim të veçantë për asnjë
lloj gjëje pa shpirt, si dhe për asnjë figureë patriotike apo politike, që kishte
vdekur. Deri sa u bëra 10 vjet nuk kishim as fotografi dhe as vepra të Enver
Hoxhës. Kishim disa vepra të Marksit dhe Leninit në frëngjisht, të cilata babai
duhet t’i kishte blerë në vitet e para të luftës ose në ndonjë nga dy vizitat ,
që kishte bërë në Jugosllavi. Edhe në kutinë me fotografi, të cilën e hapja
shpesh në dimër, kishte vetëm foto të familjes, të të afërmëve dhe një foto e
Alqi Kondit, me të cilin babaj kishte punuar disa muaj në Tiranë para se të ndodhte aksidenti me motoçikletë në të
cilin djali i vogël i Kondëve humbi jetën.
Pra ne nuk kishim idhuj as simbole të cilave t’ju
drejtoheshim me adhurim ose të betoheshim mbi to.
Por prej vitit 1962 e deri më 1966, unë kaloja një pjesë të
mirë të ditës në kopësht ndaj më duhet të them, që ‘propaganda” me simbole nuk
ishte shumë e fuqishme edhe atje. Më tepër se këngë për Partinë dhe Enverin,
atje na mësonin këngë partizane dhe edhe pse kishte thuajse 20 vjet, që kishte
mbaruar lufta, dashuri-urrejtja jonë ishte akoma në “kudhrën” partizanët kundër
gjermanëve dhe fashistëve Italianë. Nuk përmendeshin kërkund grekët apo sërbët,
si dhe Kosova apo Shqipëria Etnike ishin nocione joekzistente. Diçka përmëndeshin
fqinjët në një këngë patriotike të quajtur “Kënga e alfabetit”, ku betoheshim ,
që “shkronjat turçe dhe greqishte nuk i duamë…kemi tonatë“.
(vijon)
No comments:
Post a Comment