Ajo i hipi kalit të ikjes
Dhe cipën e errët të natës
Plot zjarr e çorri.
I artë ishte çili
Si flokët e saj dhe jelet e tij,
Të mëdha flegrat,
Thundrat e praruara
I hedhur e gjithë muskuj
Kraharori.
E ndërsa i pambathur
Cirrej në të zezat shkrepa të territ,
Ajo valëviste të bardhën dorë të saj
Ishte fundvera e ndarjeve.
Koncerti i Lamtumirës,
Në të Përzjerin Pyll
Nuk ishin më në maj.
Trokthi i çilit të çmendur,
I mbyste ngashërimat.
Nuk kishte rrugë,
Vetëm një hon i zi,
I thellë dhe i patrajtë,
Grisur nga shkrepëtimat.
I lënë krejt i lirë
Në të tijin fluturim,
I grahur në errësirë
Nga i dhimbshmi ngashërim.
Hamshori i artë të ngushtit shteg ju turr
Atje ku veç të zonjën merrtë
Ku s’mund të shkonte flur,
Por ku thirrja e shpresës e ftonte
Ku nata dukej më pak e errët,
Ku mbase dhe drita mund të çelej,
Kur e dendura errësirë të shkonte.
Lehtas vithet i ngriti
Flokverdhën butë dërgoi mes shtegut,
Të trembur edhe njëherë prej braktisjes,
Ndërsa vetë i gjymtuar tek gryka mbeti,
I miri, i arti kali i ikjes.
No comments:
Post a Comment