C’fshihet pas një veprimi? Cilat janë motivet? C’farë e
shtyn të shkruajë posaçërisht për këtë?
Për fat të keq, formimi ynë materialist dhe këmbëngulja në
marëdhënia shkak-pasojë, na ka bërë, që të jemi të apasionuar ndaj “teorive komplotiste”.
Mbase ka të bëjë edhe bindjen tonë të patundur, se çdo gjë në shoqërinë njerëzore
mund të spjegohet. Të frymëzuar nga tregimet e revistës “Në shërbim të
popullit”, romanet e Simenonit dhe filmat majtistë francezë të viteve ’70, ne
shtrydhim e stërshtrydhim mendjen tonë, se ç’fshihet pas këtij veprimi apo
deklarate politikani, atij shkrimi të një analisti të njohur ose jo dhe sidomos
ndaj ngjarjeve me rëndësi ndërkombëtare. Më “kompetentët” prej nesh i kanë të
gatshme zgjidhjet me “US ex machina”, lobin çifut, masonët, Klubin e
Bilderbergut, Vatikanin, lobin grek në
Amerikë e deri në Illuminatit. Të gjitha spjegohen thjesht pastër dhe pa asnjë
ngecje.
Për ngjarjet në botën shqiptare e kemi më të lehtë, se mund
të përdorim spjegimet me kunetër, dashnore, baxhanakër e kushërinj të parë. Përshembull,
dikush më bënte be e rrufe, që një shkrim i një analisti kundër një një njeriu
të njohur ishte bërë me porosinë e të vëllait të analistit, për të përmirësuar
marëdhëniet e prishura dikur midis zv.kryeministrit dhe analistvëllait!
Këto më kujtojnë një tregim të paharruar në tren në vitin
1984. Një grua durrsake afër të 50-ve, tregonte për bëmat famëkëqia të
Mihahallaq Ziçishtit , kur ishte Sekretar i Parë në Durrës, mes të cilave “më e
rrezikshmja” kishte qënë tentativa për t’i vënë zjarrin shokut Rita Marko. Armiku
i Partisë Ziçishti kishte përfituar nga që shoku Rita kishte veshur një këmishë
sintetike dhe me shkrepse gati i kishte vënë zjarrin, po të mos kishte qënë
vigjilenti Hekuran Isai!
Nuk është e panatyrshme, që një pjesë e mirë e ngjarjeve të
rëndësishme shoqërore apo politike, si dhe shkrimet rreth tyre apo që ju
paraprijnë, të kenë prapaskena ose të jenë edhe të ndërtuara me njëfarë
skenari. Por prirja e një pjese të mirë njerëzish, që të zbulojnë “komplotin”
pas çdo ngjarjeje sado të thjeshtë, në rastin më të mië mund të quhet “nxjerrje
e nxituar e një konluzioni”(jump in conclusion) se në përgjithësi fsheh
injorancë dhe deri në paranojë.
Nuk do merrem me ngjarjet më të bujshme, që kanë dhjetra
variante teorish komplotiste, si 11 shtatori, vrasja e Kenedit apo Protokolli i
Pleqve të Sionit, por me ngjarjet më të thjeshta, që lidhen me vendin tim apo
edhe me jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare.
(vijon)
No comments:
Post a Comment