Sunday, 12 October 2014

A duhet të pranojmë të pashmangshmen?

Eshtë një pyetje, që nuk ka të bëjë me të pashmangshmen si kategori filozofike, por me të pashmangshmen ne politikën shqiptare.
Kemi pas 24 vitesh pluralizëm dy kampe politikë. Të dy shtiren se i përkasin njëri modelit të partive Popullore Europiane ndërsa tjetri atij të Social- Demokracisë. Edhe pse mund të kenë ndryshime në program, të dy kampet nuk ndryshojnë as nga mënyra si udhëheqin, as nga politikat e caktuara. Ndodh jo rrallë, që ligje me prirje të Djathtë sillen nga Qeveritë e Majta dhe kundërshtohen nga Opozita e Djathtë dhe anasjelltas. Synimi i vetëm është qëndrimi sa më gjatë në pushtet dhe ka pak politikë të jashtëzakonshme, aspak politikë të ndershme dhe shumë pak edhe nga ajo, që në Perëndim e quajnë Realpolitika. Ka një lloj tjetër Realpolitik alla Lindje, që ka vetëm pjesën e ushtrimit të pushtetit nga ai, që e fiton me vota.
Problemi, që dua të trajtoj është se si mund të merren shtresat e popullsisë, të cilat janë të painteresuara të ushtrojnë pushtet(lexo-sundojnë allashqiptarçe)me forcat politike, që ndeshen në fushën politike. Për të mos e mbajtur fare të papërcaktuar shtresën, po themi shtresa e mesme e popullsisë së vendit, e papërfshirë në grupime politike.
Nëse vitet nga ’99 deri në ’07 mund t’i quajmë vite të një rritjeje ekonomike dhe ngjallje të shpresës për shqiptarët, me fillimin e krizës ekonomike europiane, optimizmi u bjerr dhe duket , që kjo shtresë është e shtrënguar vetëm midis dy alternativave: të emigrojë ose të pajtohet me fatin që sjell  pushteti i alternuar i dy partive-banda.
Alternative e parë është kufizuar në maksimum. Vetëm gjatë 4 viteve të fundit, në Shqipëri janë kthyer 140 mijë shqiptarë nga Greqia dhe Italia, gjë që e bën absurd të mendosh se mund të gjesh punë në këto dy vende europiane thellësisht në krizë. Mbeten vetëm Europa Veriore, Amerika e Veriut dhe Australia, vende të cilat marrin një numur të kufizuar emigrantësh. Le të shohim alternativeën e dytë. T’i nënshtrohesh fatit përderi sa nuk do të përfshihesh në luftën politike. Të mundohesh të përfitosh sa më tepër të jetë e mundur nga koniukturat, lidhjet fisnore dhe shoqërore për të pasur një punë të mirë ose një biznes të vogël të stabilizuar.
Po a ka stabilitet kjo lloj jete?
Sigurisht që jo. Qytetarët apo edhe fshatarët, që nuk duan të merren me politikë dhe të përfitojnë prej saj, kanë nevojë për një vend  me ligje të qarta, ku vijat politike të grupit në fuqi janë të përcaktuar dhe ata vetë mundohen të ndërtojnë jetën e tyre mbi bazën e politikave ekonomike dhe sociale të ndjekura nga qeveria.
Një gjë e tillë nuk ndodh tek ne.
Le të marrim një vendim të vetëm të qeverisë, për të bllokuar deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale të gjitha lejet e ndërtimit, që jepen nga bashkitë apo komunat.

Eshtë një veprim jo vetëm arbitrar dhe absurd por edhe me pasojë ekonomike mbi të gjithë vendin. Sidomos rëndon mbi shtresën e mesme. Janë mijra projektues, firma të vogla ndërtimi, kompani të prodhimit të materialeve të ndërtimit etj., që bllokohen për një vit në veprimtarinë e tyre. E çuditshme është, se edhe opozita, që bën zhurrmë për dasmat e kundërshtarëve politikë apo për cic-mice të tjera, nuk kundërshton me forcë këtë vendim. Sigurisht, vendimi nuk është thjesht për të përqëndruar kompetencat në duart e Kryeministrit, por edhe në interes të firmave të mëdha ndërtuese për të stabilizuar tregun e banesave pa ulur çmimet, se në të kundërt nuk ka se si spjegohet ky vendim kaq anti-produktiv.
(vijon)

No comments:

Post a Comment