Eshtë shumë interesante, pas më se tre vjetësh të ekzistencës
të blogut, që “google”(ajo që bën të mundur ekzistencën falas të këtij blogu),
jep (kur ke nge të kërkosh) edhe disa të dhëna statistikore rreth mënyrës se si
lexohet(ose thjesht hapet) “Kuendemi”. Mes të dhënave më ra në sy se në “fjalët
çelës”, të cilat sjellin në “google” faqet e blogut, janë tre emra të përveçëm,
që kanë një numur më të lartë edhe se emri im, (që pa dëshirën time është në
fund të çdo postimi). Emrat më bënë shumë përshtypje, se nuk janë mes emrave që
kam përdorur më shumë si Sharl Bodler, Enver Hoxha, Fan Noli, Ismail Kadare,
Andon Mara, Poe etj. Janë tre emra shqiptarësh, të cilët nuk besoj se kanë
lidhje me njëri tjetrin dh e njëkohësisht i përkasin fushave të ndryshme të
veprimtarisë.
Vendin e tretë, e ze Eduard
Zaloshnja, i cili me sa di është një lloj analisti dhe organizator
sondazhesh rreth politikës shqiptare. Zaloshnjën nuk e kam njohur dhe me nxitim
kam shkruar një shënim të titulluar “Cili është Eduard Zaloshnja?”, që ndoshta “kërcen”
i pari sa herë dikush do të mësojë rreth tij. Shkrimi vërtet nuk tregon asgjë
rreth Zaloshnjës, por është një lloj shënimi anekdotik, rreth mënyrës se si ndërhyjnë
njerëzit që merren me politikë ndaj sondazhistëve të pavarur dhe në qendër të
tij ishte pikërisht Eduard Zaloshnja, se ndëryrjet i bëheshin atij.
Në vend të dytë është KoçI
Xoxe, një nga figurat më jetëshkurtra të politkës shqiptare dhe më e
panjohura për mua. U rreka të bëj një shkrim(të lënë në mes), më tepër për të
kuptuar edhe vetë se cili ishte “I tmerrshmi” KoçI, që na ishte paraqitur si
terroristi më i madh mes komunistëve shqiptarë, jo vetëm nga Historia e Partisë,
por edhe nga letërsia e Realizmit Socialist. Mbse është koha për të vazhduar
ndonjë kërkim më tepër rreth figurës së “zanatçiut komunist” të Pazarit të Korçës,
i cili jo vetëm u pushkatua, por dhe morri në kurriz gjithë krimet e komunistëve
në fund të Luftës dhe në vitet e para të pasçlirimit.
Vendin e parë e mban një njeri, i cili është i vetmi mes të
treve, që e njoh personalisht. Quhet Rahim
Ombashi dhe ka qënë(e ndoshta është) pedagog letërsie ose gjuhe në
Universitetin “Fan Noli” të Korçës. Rahimin e kam përmendur shkarrazi, në një
ose dy nga shkrimet e mija rreth Universitetit, por duket, që është
personalitet i spikatur në Shqipëri edhe më gjerë, sepse i le pas gjithë emrat
e tjerë. Nuk di shumë rreth shkrimeve dhe botimeve të tij(ma merr mendja se
pedagogët e Universiteteve e kanë të detyruar këtë gjë), por duket që do ketë
pasur shumë të tilla në këto 17 vitet , që unë jetoj jashtë Shqipërisë.
Gjithsesi, interneti dhe masa e njerëzve, që rri pas kompjuterave
dhe kërkon të mësojë, janë të padeshifrueshme për logjikën time prej 55 vjeçari.
Në të kundërt do dija t’i jepja përgjigje “dukurisë“ të
treshes Ombashi-Xoxe-Zaloshnja.
No comments:
Post a Comment