Wednesday, 11 June 2014

"Taksa" e shkrimtareve (2)

(vijim)
Le të mundohemi të jemi sa më të drejtë me shkrimtarët e Realizmit Socialist dhe të mos ju ngarkojmë mëkate, të cilat nuk i kanë. Duhet thënë. që më të vjetrit prej tyre nuk vinin nga një formim “realsoc”, sepse letërsia sovjetike nuk kishte jehonë të madhe në Europë para Luftës së Dytë. Ndikime për ata që lexonin gjuhë të huaja dhe ishin më të shumtët, vinin nga letërsia më e mirë europiane e shekullit tëXIX dhe e shekullit të XX-të, kuptohet edhe nga vetë prirjet e çdo individi. Letërsia Shqipe ishte në fillimet e saj, por ato vepra të pakta të botuara deri në atë kohë i kishin lexuar të gjitha dhe edhe pa patur ndonjë ‘impakt” në mënyrën e të shkruarit apo në prirjen ndaj një rryme të caktuar letrare. Ndikimet ishin vetëm të karakterit gjuhësor dhe në ata që shkruanin poezi, sigurisht që kishte ndikime të Naimit, Fishtës dhe Poradecit(më pak të Migjenit).
Duhet thënë, që deri në vitin 1957, kur u bë Kongresi i Parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, numuri i shkrimtarëve ishte i pakët edhe më të pakëta ishin botimet. Sektori i Agjit-Propit i Komitetit Qendror kishte filluar të ushtronte Censurën në botime, por akoma nuk ishte zyrtarizuar linja e Realizmit Socialist si e vetmja rrymë në krijimtarinë letrare. Për më tepër nuk kishte nisur ende çensurimi i vetes, që është gjëja më e dëmshme për një krijues. ”Shkretëtira” në Letërsinë e viteve ’50, të cilën përmend disa herë Kadareja është pikërisht “boshllëku”, që u krijua nga çensura e botimeve si dhe nga mosdërgimi për botim i veprave , të cilat mund të ndëshkoheshin nga autorët e ashtuquajtur të viteve ’30, por edhe nga më të rinjtë. Periodikët letrarë ishin të mbushur me letërsi sovjetike, e cila paraqitej si forma më e lartë e letërsisë bashkëkohore. Dritën e botimeve në shqip e shihnin vetëm vepra skematike për Luftën nac-çlirimtare dhe jetën e re. Në këtë dekadë fillon heshtja e Paskos, Poradecit, Bulkës, por edhe e Trebeshinës dhe të tjerëve shkrimtarë të kulturuar e të talentuar, të cilët zgjodhën “mospagimin e taksës” për të qënë shkrimtar.

Nënshtrimi i plotë i letrarëve ndaj Realizmit Socialist fillon me Kongresin e Parë të Lidhjes dhe me arritjen e të studiuarve në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera të Lindjes. Ishte pikërisht letërsia e krijuar nga Siliqi, Kadareja, Agolli, Gjata, Harapi, Qyrku, Ziko e të tjerë, letërsia e mirëfilltë e Realizmit Socialist siëpas parimeve famëkeqe të Zhdanovit. Në këtë rrugë vijuan edhe shumë krijues të tjerë, të cilët nuk kishin studiuar në Lindje, por krijonin sipas modeleve sovjetike si Prifti, Laço, Xhuvani apo edhe më të mëvonshmit si Lera, Blushi apo Kosta. E megjithëse nuk mund të futim në një thes poemat apo prozat e Kadaresë me poemat e Siliqit apo prozën e Laços duhet të pranojmë, që ishin të gjitha “pjella” të realizmit Socialist, me ndryshimin e vetëm, që veprat e Kadaresë ishin më pak skematike. Një rol negative luante edhe kritika e të studiuarve në Lindje duke filluar me Uçin, Caushin e Velçën e deri tek më të rinjtë. Kritika letrare e periudhës së Diktaturës ishte në gjendje të “varroste” vepra dhe shkrimtarë.
(vijon)

No comments:

Post a Comment