Në një ngjarje të rëndë të ndodhur pardje, ndër dëshmitarët
kryesorë duket se është polic Ylli(në gazeta jepej sot vetëm emri i tij). Më
kujtoi një ngjarje të rëndomtë të fundit të viteve ’80, kur dëshmitar për
ardhjen e një inxhinieri në punë në orar ishte punëtor Ylli.
Drejtori i ndërmarjes Th.R., një ekonomist i njohur edhe për
ndershmërinë e tij, për t’i dalë të vërtetës deri në fund, rreth respektimit të
orarit, pyeste punëtor Yllin.
“Po hajde mo punëtor Ylli hajde. C’farë pe ti punëtor Ylli më
7 të mëngjesit në kaldaja?”
“Po pashë një hije drejtor…”- përgjigjej si në faj punëtor Ylli,
se inxhinieri i kishte kërkuar të dëshmonte në favor të tij.
“Pe një hije ti punëtor Ylli? Më 7 të mëngjesit në mes të
korrikut pe një hije ti punëtor Ylli.”
Ngjarja për të cilën do duhet të dëshmojë jo punëtor Ylli,
por polic Ylli është shumë e rëndë dhe nuk ka vend as për humor të zi. Nuk dua
të flas rreth saj, por rreth punëtorëve, policëve dhe gjithë dëshmitarëve me
emrin Ylli.
Ne kemi një raport shumë të çuditshëm me të Vërtetën. Nuk e
kemi për gjë të gënjejmë kur thirremi për të dëshmuar. Dhe kjo për një gjë të
thjeshtë e deri në një vrasje. Nuk mund të them se kemi një prirje patologjike
për të gënjyer apo për të dhënë dëshim të rreme. Mbase shekujt e gjyqeve jo të
besueshme apo e ‘kadive” të anshëm, kanë krijuar ndienjën tonë të mosbesimit në
Drejtësia dhe proceset gjyqësore ndaj nuk kemi pikën e respektit pët to dhe të
Vërtetën, që duhet të dalë aty. (Në gjithë historinë e 600 viteve të fundit të
Shqipërisë nuk kujtoj asnjë prijës apo gjykatës, që të ketë bërë emër për paanësinë
e tij.)
Polic Ylli, që qëndroi brenda kabinës së tij pa bërë asnjë lëvizje(kallashnikovin
e kishte në kasafortë!) një ditë do thirret të dëshmojë në gjyqin ndaj vrasësve
të Santos (nëse ata kapen). Edhe pse dëshmia e tij nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë
se vrasja është bërë në sy të dhjetra kamarierëve Ylli, klientëve Ylli,
kalimtarëve Ylli, përsëri do jetë një dëshmi e përpunuar në mendjen e tij për
ta bërë sa më pak të rrezikshme për aggressorët dhe natyrisht edhe për veten.
Ndoshta nuk ka faj. E Vërteta ka nevojë për punën e shumë
brezave deri sa të arrijë të jetë pjesë e ndërgjegjes të polic Yllit.
No comments:
Post a Comment