Thuajse gjithshka paralizohet në Europë, Amerikën Latine,
Afrikë dhe në një pjesë të Azisë gjatë ditëve të Botërorit. Sa më varfër të jenë
vendet, aq më shumë i kap “ngërçi” i futbollit. Futbolli është gati si një fe që
i bën njerëzit të ndjehen të kënaqur e thuajse të barabartë. Nu dua t’i bëj
reklamë as sportit më të dashur të fëmijërisë dhe as Kampionatit Botëror në
Brazil, që duket se do ketë problem të mëdha midis klasave në Brazil. Dua vetëm
të mendoj pak më shumë se zakonisht, se pse 4 javë futbolli na bëjnë si me
magji të shtyjmë për më vonë çdo gjë.
Ditët e Botërorit janë ditët më të mira për “kriminelët” e çdo
lloji. Duke filluar me xhepistat, vjedhësit e vilave e deri në manipuluesit e
bursave. Vendime qeverie të diskutueshme mund të kalohen me më pak bujë ditët e
Botërorit. Mafiet punojnë më me qetësi dhe nëpunësit e korruptuar kërkojnë më
shumë rryshfete, për të mbuluar një pjesë të humbjeve në bastet e futbollit. Të
gjithë njerëzit e thjeshtë dhe të panjollosur i kap një “zdërhallje” e çuditshme
jo vetëm gjatë orëve të ndeshjeve, por edhe në orët e pritjes së ndeshjes tjetër.
Në vitet monotone të adoleshencës dhe rinisë, sipas një
skulptori, që sot është bërë prift, kohën e ndanim në 4-vjeçarë. Prisnim me
endje një vit të tërë sa të fillonte Botërori dhe kur mbaronte kuptonim se
duhej të prisnim edhe tre vjet pa bërë gjë prej gjëje. Sigurisht, që 5-6 muaj
pas përfundimit, vazhdonim të grindeshim se nëse i takonte fituesit dhe se s’i kishin vendosur
fatet e Kupës gjyqtarët. Dhe kështu shtyheshin vitet kur nuk mund të grindeshim
për politikë apo për ide të reja. Edhe ata , që hynë në ambasada, zgjodhën ditën
e pushimit midis ndeshjeve të fundit, për të bërë ndryshimin më të madh të jetës
së tyre.
Prej Kampionatit Botëror të Meksikës ’70, kur pashë të parën
ndeshje “live” në tv, kanë kaluar 44 vjet dhe 11 kampionate. Futbolli ka
ndryshuar shumë dhe jeta jonë akoma më shumë.
E megjithatë nuk ka ndryshuar “magjepsja” e meshkujve në botë
ndaj futbollit, kur të thjeshtët e të mirët jepen me mish e shpirt pas
ndeshjeve, ndërsa “edepsëzët” jepen pas ndeshjeve, por nuk harrojnë të vazhdojnë
me ligësitë e tyre.
Nesër fillon. Le të bëjmë një pushim!
No comments:
Post a Comment