Nuk mund të them me siguri, se pse “taksa’ e shkrimtarëve “u
pagua” në fillim në poema. Ndoshta për natyrën më ‘fluturake” të poezisë, që
mund të thurrë më lehtë ditirambe për diktatorët apo atdheun, mbase se deri në
fund të viteve ’60, poetëtë vlerësoheshin shumë në hapësirën letrare të
Lindjes, ose edhe pse tradita jonë letrare ishte më lart në poezi se në prozë.
Proza kishte më shumë vështirësi dhe sidomos proza e gjatë. Ishte edhe më lehtë
për “kritikën” dhe çensurën të “skuqte” me shënime një vepër në prozë, për mospërputhje
me parimet e Realizmit Socialist. Gjithashtu, prozatorët më të talentuar, që
provonin në gjininë e romanit ose prireshin drejt një natyralizmi të thjeshtë(J.Xoxa,
Spasse), të tejkaluar tashmë për Letërsinë botërore, ose krijonin sipas
modeleve sovjetike(F.Gjata, Shuteriqi, A.Abdihoxha). Padyshim, që romani më i mirë
i periudhës 20 vjeçare ’45-’65 është “Gjenerali I Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë.
E megjithatë ai është një roman i Realizmit socialist edhe pse heronjtë e tij
nuk janë Komisarët apo të rinjtë komunistë. Nuk dua të ndalem në analizën e
romanit, cili dëshmoi për forcën e
Kadaresë në prozë, pasi deri në atë kohë njihej si poeti jonë më i talentuar
dhe me më shumë të ardhme. Më duhet të jem brenda temës së “taksës“ së
shkrimtarëve.
E përmenda më lart, se poemat ishin sprova më e mirë për të
dëshmuar përkushtimin ndaj Partisë dhe Komunizmit. Kështu gjysma e dytë e
viteve ’50 dhe vitet ’60 ishin të dominuara nga poemat dhe poetët. “Prishtina”
dhe “Pranvera e madhe” të Siliqit, “Endërr Industriale”, “Përse mendohen këto
male” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart” të Kadaresë, “Devoll, Devoll” e Agollit,
“Vazhdimi i një bisede” e Vehbi Skënderit, “I përkasim Komunizmit” e Fatos
Arapit, “Poema e Ushtarit” e Dhori Qiriazit dhe shumë të tjera të një niveli më
të ulët ishin “refreni” letrar i jetës shqiptare. Ato mbushnin faqet e periodikëve
dhe recitoheshin nga fëmijët e të rinjtë në mbrëmjet dhe veprimtaritë e tjera të
ashtuquajtura tematike. Ishin mjeti kryesor i “edukimit revolucionar”(lexo-
trushpëlarja) të brezit të ri sipas idealeve të Partisë.
Po le të mundohemi t’i kuptojmë poetët e asaj kohe dhe të
sqarojmë nëse veprimtaria e tyre ishte vërtet “pagim takse” apo një frymëzim i vërtetë
edhe pse mbase i “autosugjestionuar”.
(vijon)
No comments:
Post a Comment