Do t’i dalë po kujt do t’i dalë se?
Rëndësi ka që tymi të dalë. Dhe kur del tymi në sasi stërmëdha
nuk e quajnë më tym por tymnajë. Tymnaja duhet të jetë diçka jetëgjatë, që nderet
mbi stepa apo pullaze të paktën nja 5-6 muaj. Dhe me siguri duhet të jetë si
tym i trashë dhe ngjitës, si ai , që ngrihet horizontit kur digjen puset e naftës.
Po t’i referohemi shprehjes “ku ka tym , ka zjarr”, atëhere del se “në fillim nuk ishte zjarri”. (Më mirë duhet thënë ‘në fillim u pa tymi”). Nuk dua të hyj në
filozofinë banale të “shkak-pasojës”, sepse po t’i drejtohemi një koncepti më “rrethor”
të dukurive, atëhere edhe zinxhiri “shkak-pasojë“ merr trajtën e një gjerdhani
dhe nuk vlen për gjë tjetër veç t’ja u varësh mackave.
Të kthehemi në titulli. “Kur t’i dalë tymi!” Shprehje e
vendosur, parashikuese, gati Nostradamusore. Dikush, diku, dikur, ka ndjerë, se
një zjarr është duke gjalluar fshehtasi, krejt i padukshëm, i pakapshëm edhe për
shqisën e gjashtë, por ekzistent. Lajmëron fqinjët, të afërmit, të ardhurit
rrishmë në vendbanim, se diçka e rëndë do ndodhë, do përfshihen nga flakadanët,
por të gjithë e marrin për të çmendur. Tamam si i merrnin dikur për të çmendur,
europianët e bardhë, prijsat Indianë, që paralajmëronin se një vullkan, që do
sjellë fundin e botës, do shpërthejë një ditë në Guri i Verdhë.
E megjithatë dikushi këmbëngul, se zjarri është po aq i vërtetë,
sa është i vërtetë edhe tymi , që nuk ka dalë akoma. Njerëzit e lodhur prej tij
i kthejnë kurrizin dhe e mëshirojnë dhe ai ndjehet i qetë se i ka paralajmëruar.
Nuk mund të bënte asgjë më tepër.
Zjarri vazhdon të digjet ngadalë dhe i sigurt, por për çudi
tym nuk del kurrë.
Mbase se gjithshka është e zjarrtë.
No comments:
Post a Comment