Tuesday, 24 June 2014

Perse nuk me shqeteson Labinotja. (2)

(vijim)
Mendoj se në Kosovë, edhe pse shoqëria është disi e ndryshme, vërehet e njëjta dukuri. Korrupsioni është galopant dhe çdo gjë kontrollohet nga 40-70 vjeçarët e formuar në kohën e “komunizmit të butë“ të Titos. Eshtë më e lartë përqindja e popullsisë fshatare, si dhe një lloj patriarkalizmi, por kjo shton mundësitë e krimit të organizuar. Ndikimi i “islamizmit të butë“ është më i madh se në Shqipëri dhe ka urrejtje ndaj serbëve, sllavëve dhe ortodoksisë, por gjithashtu ka shumë mirënjohje ndaj Perëndimit dhe sidomos Amerikës. Në ndryshim nga Shqipëria ka edhe një tog me intelektualë të panjollosur, të pavarur nga Partitë dhe që kanë ndikim në vend.
Në shoqëri të tilla, kur “flamujt ideologjikë“(përmbysja e komunizmit në Shqipëri dhe Mëvetësia në Kosovë) kanë arritur qëllimin e tyre dhe janë zëvendësuar me “ideologjinë joideologjike” të parasë, automatikisht lindin forma të tjera ideologjish, të cilat i kundërvihen gjendjes “jo normale” të shoqërisë. E vura në thonjza gjendjen jo normale, sepse askush nuk është në gjendje të thotë se cila është shoqëria normale. Po le të pranojmë, që një shoqëri normale është ajo që vepron sa më afër kontratës së përbashkët shoqërore, që është Kushtetuta dhe ligjet, të cilat rrjedhin prej saj. Le të themi, që akoma janë në fuqi edhe disa ligje të pashkruara të moralit, kulturës e traditës. Një shoqëri, e cila ka dalë nga këto binarë, ose është duke dalë nuk mund të shkojë vazhdimisht drejt vetëshkatërrimit. Dhe janë jo vetëm faktorët ekonomikë apo varfëria e një pjese të mirë të popullsisë, që e kërkon këtë. shpesh ndodh, që edhe vetë mbartësit e veseve më të këqija kërkojnë që të dalin nga ajo gjendja, ose të paktën të shpëtojnë fëmijët e tyre nga sjelljet antiligjore apo nga kriminaliteti. Duket si paradoksale, por shpesh njerëzit e përfshirë në veprimtari kriminale kanë një nderim të veçantë për njerëzit e ndershëm dhe ata që veprojnë në përputhje me ligjet.
Por le të hidhemi në Labinotja dhe në rritjen e prirjeve fetare(kryesisht islamike) në dy shoqëritë shqiptare. Një pjesë e politikanëve dhe gazetarëve pro-Europës apo edhe të tjerë për motive të tjera si pro-kristianizmit apo edhe pro-ateizmit, e quajnë si shenjë negative apo e kthimit prapa të shoqërisë shqiptare. Një pjesë e mirë e tyre nuk e bëjnë thjesht nga padija, por për të mbuluar problemet e mëdha të tyre, që janë të njëjta me problemet e shoqërisë sonë. Ju duhen njerëz dhe dukuri që t’i bëjnë me faj dhe e gjejnë të lehtë të sulmojnë rigjallërimin e islamizmit, për të thënë se ky është rreziku më I madh për ne sot.

Kalimthi përmendej në një shkrim nga ata qindra rreth Lazaratit, që vetëm 40 familje shumë fetare nuk ishin marrë me mbjelljen e kanabisit në “qytezën e drogës”. A është më mirë, që në shoqërinë tonë të ketë familje, që nuk merren me veprimtari të paligjshme për shkak të bindjeve të tyre të thella fetare, apo të kemi familje “pa din e pa iman”, të cilat bëjnë çdo gjë për të cilën ka treg? E di që kundërshtarët e “kthimit prapa” do thonë “familje që nuk merren me veprimtari të paligjshme, jo për motive fetare”, por fakti është, që po bëhet për ditë dhe më e vështirë, të gjesh me shumicë familje të tilla në Shqipëri. Nuk dua të jem plotësisht nihilist dhe nuk e mohoj, që ka familje të nderuara jo besimtare, të cilat nuk i lejojnë vetes jo vetëm mbjelljen e drogës, por edhe shkelje më të lehta të ligjit, por kjo nuk është prirja apo shumica e familjeve shqiptare. Përkundrazi është një pakicë, e cila po tkurret dita ditës.
(vijon)

No comments:

Post a Comment