Mes zërave të atyre që mbrojnë Lazaratin dhe kanabisin, në
një gazetë shqiptare, kishte një artikull të dikujt, që kërkonte legalizimin e
mbjelljes së tij dhe që shprehte keqardhjen për milionat e dollarëve të djegur
në Lazarat. Llogjika e gazetarit(apo analistit) Ruben Avxhiu, sintetizohej në
fjalët “Për derisa ekziston një treg në Europë për marihuanën dhe hashashin, përse
mos e legalizojmë ne dhe ekonomia kombëtare të fitojë edhe nëpërmjet taksimit.”
Autori sillte shembullin e shtetit të Kolorados dhe disa shteteve të tjera në
SHBA.
Për derisa eziston një
treg!
Fjalia magjike e cila përmbledh moralin dhe injorancën më të
ulët të Shoqërisë së sotme Shqiptare. Për më tepër, Avxhiu mundohet të na mbushë
mendjen edhe me disa tregues ekonomikë, sipas një artikulli të “Bloomberg
View”.
Do merrem më shumë me anën morale të problemit, se sa me
pamundësinë qoftë ligjore apo, ekonomike të një ideje të tillë absurde. Dihet
se sa mund të vilen taksat në bizneset shqiptare, pa shtuar pamundësinë të
rregullimit ligjor për mbjelljen e tij vetëm në Lazarat, dhe jo në gjithë
Ballkanin.
Ana morale e problemit të legalizimit të mbjelljes së
drogave të lehta në Shqipëri, nuk ka të bëjë thjesht me “mospërputhjen morale”
të kanabisit me jetën tonë të përditshme. Ka të bëjë me orientimin tonë moral
ndaj jetës. Jeta e një shoqërie, nëse bazohet vetëm në parimet e
tregut(lexo-parasë) është e detyruar të shkojë teposhtë. Dhe kjo është ç’ka
ndodhur në këto 23 vitet e fundit duke përjashtuar 3-4 vitet e para të një
entusiazmi të ndryshimit të sistemit. Vrapim drejt parasë dhe pronave duke
shkelur çdo parim moral.
Popujt kanë ngritur një moral të tyre, bazuar nga përvoja e
mijëvjeçarëve, për mos lënë shkatërrimin(degjenerimin) e shoqërisë dhe bashkë
me të ndoshta edhe të qënies njerëzore. Nuk është vendi të zgjatem se sa
ndikonin krahasimet me shoqëritë e tjera, sa ka ndikuar feja, kushtet
gjeografike, pushtimet etj etj., por fakti është që sot, një individ, i cili
lind në çdo pikë të globit do fillojë të mësojë e t’i nënshtrohet rregullave të
moralit të shoqërisë që i përket.
Mes rregullave morale të shoqërisë sonë është edhe mospërdorimi
i drogës. Pa dashur të hyj në pse-të apo të mundohem të gjej në është shumë
konservatore po nënvizoj vetëm faktin, që edhe drograt më të lehta kanë pasur
shumë pak përdorues gjatë dy shekujve të fundit. E njëjta gjë vjen për
prostitucionin, kallzimin e rremë, moskthimin e borxheve e për të vazhduar më
tej me bixhozin, vjedhjen e pronës së tjetrit apo të bashkësisë, falsifikimin,
dhunimin e vendeve të shenjta e deri në prerjet e pemëve. Jo të gjitha këto kanë
qënë të dënueshme me ligj, por ishin pjesë e moralit të shoqërisë shqiptare. Tregu dhe
paraja kanë ekzistuar gjithmonë, por numuri i “hajdutëve’, “delenxhinjve”, “veresëzëve”,
“kumarxhinjve”, “kodoshëve”, “gjyvendeve”
e të tjerë “dinsëzëve” dhe “sojsëzëve” ishte i kufizuar. Nuk përpiqej
njeri, që t’ju gjente cilësorë të tjerë, sikundër bëhet sot kur i quajmë “ të
shkathët”, “performues”, “punëmbaruar”, “manaxherialë“, “të futur”, “të kohës”
e sa e sa të tjera(për të mos përdorur të famshmet “normal” dhe “i papam”).
Në botë sot ekzistojnë shumë tregje legale dhe ilegale. Nga
ato të armëve, drogave, prostitucionit, dhëmbëve të elefandëve, veprave të
artit, organeve njerëzore e sa e sa të tjera. Në disa shoqëri janë të gjitha të
rregulluara me ligj e në disa jo. Fjala vjen në Azinë Juglindore është normale
të shesësh vajzën 12 vjeçare për prostitucion edhe pse ta ndalon ligji. Por a
mund ta bëjmë ne meqë të themi tregu i Gjermanisë apo i Hollandës ka nevojë për
prostituta me liçencë e të mësojmë vajzat tona, që është ‘normal’ të bësh një
punë të tillë?
Ku fillon e ku mbaron
ajo që më parë nuk quhej e moralshme nga të gjithë dhe kryhej vetëm nga një
pakicë?
A mund t’ju themi adoloshentëve sot, të përpiqen të mësojnë “artin’
e dhënies e marrjes të rryshfetit, sepse ka një treg për të dhe kështu bëjnë të
gjithë?
Po bëhem “bozë“ vallë duke shitur moral?
Me siguri, që po, sepse për Moralin nuk ekziston një treg!
No comments:
Post a Comment