Ka një përmendje të shpeshtë, sidomos nga Kadareja, për
“taksën”, që duhet të paguajë ndaj shtetit shkrimtari për të qënë pjesë e Letërsisë.
Tingëllon si e vërtetë, e ujdisur bukur me gjysëm të vërteta dhe çerek të vërteta,
nga një njeri i letrave dhe kuptohet nga një njeri mbi mesatarët e tyre.
Unë e kujtoj mirë kohën kur Shqipëria gëlonte nga shkrimtarët(ndoshta
jo sa sot, kur të tillë has në çdo qoshe), sepse që i vogël e quaja veten “djalë
shkrimtari”. Nuk e thoja, se më vinte turp të mburresha, por në vetvete të tillë
e dija.
Duhet thënë, që të qënit “zyrtarisht” shkrimtar, në Shqipërinë
nën Diktaturë nuk ishte vuajtje. Përkundrazi, shkrimtarët dhe artistët gëzonin
privilegje. Ndaj është e mira të pranojmë, që taksën ndaj Diktaturës nuk ishte
thjesht taksë për të gëzuar të drejtën e botimit, pra marëdhënien tënde me
lexuesin. Ishte një taksë, që paguhej për të gëzuar një status të veçantë si dhe
për të përfituar honorare, dhoma shtesë, leje krijuese dhe deri në qënien në
profesion të lirë. Në një vend ku sundonte barazitizmi, shkrimtarët(edhe artistët)
kishin përparësi ndaj intelektualëve të tjerë. Sigurisht, modeli i huajtur nga
sovjetikët, ishte krijuar, që shkrimtarët të krijonin vepra në shërbim të Diktaturës
dhe për të të kishin përfitime të vogla, por që ja u bënin jetën e përditshme më
të lehtë. Për njerëzit e letrave dhe arteve të tjera, kjo ishte përnjimend
shprehje e kujdesit të shoqërisë për kulturën dhe artin dhe një lloj përmbushje
e idealeve të Iluministëve. E keqja qëndronte në krijimin e një letërsie dhe
arti jo vetëm në shërbim të kastës(apo si parapëlqehej të thuhej- idealeve), në
ndihmën që i jepnin sistemit për ‘trushpëlarjen” e fëmijëve dhe brezit të ri.
Gjithashtu edhe vetë shkrimtarët apo artistët më të talentuar të vuanin mëdyshjen
midis krijimit të artit të lirë dhe të vërtetë apo “surrugatove”. E megjithatë,
shumica zgjodhën të dytën, sepse ishte rruga më me pak rrezik për të shijuar
jetën. Duhet përmendur, që shkrimtarë shumë më të talentuar se ata të Lindjes
apo Shqipërisë, ishin të detyruar edhe të vuanin për bukën e gojës deri sa të
arrinin suksesin në vendet e Europës Perëndimore ose edhe duke refuzuar
privilegjet që të sjell suksesi. Dhe fjala është për Sartrin, Simonë Dë Bovuar,
Alberto Moravia, Pol Eluar, Andre Breton e plot të tjerë shkrimtarë të jashtëzakonshëm.
Debati, që bëhet sot, dhe për të cilin përdoret edhe argument
i Kadaresë për “taksën” kap dy aspekte, që lidhen me Letërsinë shqipe. I pari është
nëse ka vlera mes veprave të Realizmit Socialist dhe i dyti, nëse Letërsia e
jonë është në nivelet e Letërsisë Europiane.
Përgjigja nuk është e lehtë edhe për njohësit më të mirë të
Letërsisë Shqipe. E megjithatë ka një tregues për të. Eshtë interesi i lexuesit
të sotëm, i cili ka patur mundësinë të njihet me kryeveprat e Letërsisë Botërore
të shekullit të kaluar. A mund të ketë interes lexuesi shqiptar të lexojë sot
vepra të Shuteriqit, Spasses, Agollit, Koreshit apo Laços? Eshtë thuajse e
pamundur të ketë interes për ribotimin e veprave të tyre. Të vetmet vepra , të
cilat janë ribotuar dhe mund të jenë shitur në Shqipëri janë veprat e Kadaresë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment