Tuesday, 10 June 2014

Lufta e Dyte Boterore ne Shqiperi (2)

(vijim)
E gjithë Shqipëria ndjeu një përmirësim të gjendjes ekonomike me hapjen e rrugëve, ndërtimet për qëllime ushtarake, si dhe vetëm nga ardhja e 500 mijë ushtarëve të huaj, që do ushqeheshin dhe do argëtoheshin në një vend me më pak se dy million banorë. Sigurisht më të fituarit ishin tregëtarët dhe ata, që ishin më të lidhur me Italianët, por edhe shtresat e thjeshta patën përfitimet e tyre. Në Korçë psh dhjetra familje, që kishin banesat e tyre në bulevard ose në kryqëzime me rëndësi, i kthyen katet e para në kafene për ushtarët Italianë. Në vend jo vetëm nuk ndjehej atmosferë lufte, por deri sa shpërtheu lufta italo-greke në tetor të vitit 1940, të gjithë po shijonin prej një viti e gjysëm ‘begatinë“ e jetës nën Italinë. As bëhej fjalë për rezistencë të armatosur, akte sabotazhi apo demonstrimeve anti-italiane me numur të madh pjesëmarësish. Ndërkohë thuajse e gjithë Europa ishte e pushtuar nga Gjermania Naziste.  Në Shqipëri Italianët po përgatisnin ofensivën e tyre kundër Greqisë duke u përpjekur të përdorin edhe forca të mobilizuara shqiptare apo edhe banda civilësh të përbëra nga popullsi çame. Dështimi i Italianëve në luftën Italo-Greke, bëri që në dhjetor 1940 ushtria greke të hyjë në gjithë jugun e Shqipërisë, tashmë e mbështetur financiarisht ehe ushtarakisht edhe nga aleatët. Politika ekspansioniste e Italisë dhe nënshtrimi i qeverisë kukull shqiptare, solli për muaj me rradhë një situatë jo të mirë për trojet, që Greqia i quante Vorio-Epir e për të cilat kishte patur gjithmonë pretendime territoriale. Edhe pse shqiptarët ishin të paanshëm në konfliktin italo=grek dhe batalionet shqiptare të inkuadruara në ushtrinë italiane thuajse dezertuan plotësisht, hija e “shpalljes së luftës kundër Greqisë“ do rëndonte gjatë në raportet tona me Fuqitë e Mëdha pas Luftës, si dhe më shumë me marëdhëniet me vetë Greqinë. Përgjithësisht, gjatë muajve të kontrollit grek shqiptarët ishin më pak të kënaqur, sepse kishin ndryshuar shumë gjëra në jetën e tyre dhe jo për mirë. Grekët ishin edhe më të varfër edhe më të ashpër se pushtuesit Italianë. Largimi i tyre në prillin e  vitit 1941 në sajë të hyrjes së ushtrisë gjermane nëpërmjet Bullgarisë, rinormalizoi jetën e përditshme nën kontrollin e ushtrisë italiane. Asnjë akt ushtarak nuk ishte kryer kundër Italisë dhe në favor të Greqisë nga popullsia shqiptare. Dukej që po përsëritej e njëjta tablo e Luftës së Parë, kur ushtritë e huaja hynin, dilnin e përplaseshin në trojet shqiptare pa patur një përfshirje të plotë të shqiptarëve në këto konflikte. Pikërisht në prill të 1941-shit, ushtria gjermane hyri në Jugosllavi, gjë që solli një ndryshim të ri në “gjeopolitikën” e shqiptarëve, si të atyre që bashkëpunonin hapur me Italianët, por edhe të tjerëve , të atyre që nuk ishin përzjerë.

Kufijtë e shqipërisë ndryshuan dhe u hapën në territoret e asaj që quajmë “Shqipëri e Madhe”. Një numur i madh i shqiptarëve të shkolluar u nisën të punojnë si nëpunës dhe mësues në trojet e reja shqiptare, që deri atë kohë kishin qënë në Jugosllavinë. As anti-italianët apo anti-gjermanët më fanatikë nuk mund të shihnin pa kënaqësi këto zhvillime. Në pranverën dh e verën e vitit 1941 jo vetëm , që nuk dihej fati i Luftës së Dytë  Botërore, se gjermanët ishin në apogje, por asnjë “analist” nuk mund të vinte bast, se kufijtë europiane të Traktatit të Versajës nuk do ndryshoheshin pas një armëpushimi apo Traktati Paqeje të mundshëm. Në këto kushte, në Shqipëri nuk mund të kishte rezistencë antiitaliane.
(vijon)

No comments:

Post a Comment