Thursday, 6 January 2022

O Selinë, o Salinë!


Nga burime jo të konfirmuara është mësuar se ky ka qënë mesazhi për disa demokratë proSali, që janë munduar të negociojnë me ambasadën amerikane për një ndihmë të mundëshme për të hequr Bashën  nga kreu I PD-së. Pra kuptohet që ambasadës amerikane nuk i bëhet shumë vonë se cili do jetë kryetari i ardhshëm i partisë opozitare, mjaft që të mos jetë Saliu ose një kukull e tij.

Në gjithë sjelljet tragjiko-qesharake të politikës shqiptare ndodhet Saliu.

Në vitin 1997 me betimin e tij qesharak në kushtet e shtetrrethimit të Tiranës.

Në vitin 1998 në pëprjekjet për të thyer derën e Kryeministrisë me arkivolin e një militant të ndjerë.

Në vitin 2011, kur Komandantit të Gardës që nuk pranonte të vriste njerëz, një truprojë e Saliut i nxiu syrin.

Kjo përpjekja e fundit për të marrë Selinë, që ish-lakejtë e Saliut e kanë blinduar është më qesharakja, por më pak tragjikja.

Nga gjithë diskutimet e këtyre ditëve pro-Sali e kundër-Sali, pro-Seli e kundër Seli një gjë është mëse e qartë:

Fara e demokracisë nuk mbika dot në terrenin plot shkrepa shqiptar!

Me paturpësi, me idiotizëm, me fanatizëm, me pafytyrësi, me mendjengushtësi, me mllef, me hipokrizi, me dopiostandart deputetë dhe të tjerë funksionarë e ish-funksionarë të partisë të ashtuquajtur anti-komuniste klithin nëpër televizione për Selinë, statutet, ligjshmërinë, shumicën, pakicën, shkeljen e statutit, kuvendin 1, kuvendin 2, bravat, njerëz të armatosur etj.etj. Më keq se një familje e shkatërruar jevgjish në rrugën e Brrakës ose në Pazarin e Kor]ës.

Si mund t’ju besosh Shqipërinë këtyre monstrave?

Këta nuk e kanë për gjë, që dikë që zgjodhën në qershor si të parin e Fisit ta heqin 5 muaj më vonë se shkeli statutin!

Këta nuk e kanë për gjë të bëjnë dy “dasma” të ndara me të njëjtën nuse!

Këta nuk respektojnë as vullnetin e lirë, as rregulla që kanë vënë vetë dhe as gjykatat apo ndërmjetësit!

Dhe kjo vjen kryesisht se janë mbledhur vërtet me “vullnet të lirë“, por me një vullnet të lirë për të vjedhur!

Ndaj dhe të parën gjë që duan të shtien sa më parë në dorë është Selia, ndërtesa që i vodhën takspaguesve shqiptarë.

Zot shyqyr që janë amerikanët ndaj mbroji ata!

 

Një vit më parë


Rastësisht hapa televizorin dy vjet më parë në 11.00 të mëngjesit të 6 janarit, sepse është një orë e ditës ku nuk ke ç’të shohësh. Pashë diçka që më tronditi, se nuk e mendoja kurrë se mund të ndodhte në Uashington. Episodi më i shëmtuar që kam parë në televizion pas atij të rrëzimit të kullave binjake. Pas pesë minutash i dërgova mesazh një mikut tim në Amerikë, mbështetës i Trump, ku i shkruaja të shkonte e të bashkohej me turmën e “lapangjozëve të sëmurë“ për të mos njohur zgjedhjet presidenciale. Dy orë më vonë i nervozuar shkrojta disa rrjeshta nën titullin “Qenit, kur i vjen ngordhja, shkon e përmjer në derën e xhamisë“ dhe e postova në blog.

https://kuendemi.blogspot.com/2021/01/qenit-kur-i-vjen-ngordhja-shkon-e.html

I rilexova sot ato rrjeshta dhe kuptova që Trumpizmit dhe gjithë lëvizjes së ekstremit të djathtë nuk i ka erdhur fundi, por edhe është përhapur e ndoshta fuqizuar më shumë në Amerikë, Kanada dhe në Europë. As miku im i Amerikës nuk është kthyer kundër Trump dhe shumë të njohur të tjerë, të cilët nuk i kam ditur më parë, shprehin hapur përbuzjen ndaj politikanëve dhe qeverive liberale dhe janë gati të besojnë ]do lloj teorie konspirative, që gatuhet në “kuzhinat e dyshimta të vetquajtura konservatore”.

Duke ju referuar prof. Barbara Uolter e Universitetit të Kalifornisë, studiuese e luftrave civile, Shtetet e Bashkuara janë tashmë në një gjendje shoqërore dhe politike jo larg rrezikut të një lufte civile. Uolter duke paraqitur të dhëna krahasuese me shumë vende të botës konkludon se në pesë vjetët e fundit në Amerikë kanë ndodhur shumë ndryshime ligjore, institucionale dhe shoqërore, që kanë dëmtuar demokracinë amerikane dhe e kanë futur atë në rrugën e autokracisë.

Të dhëna të tjera janë gjithashtu të frikshme. Nga sondazhe të besueshme del se një e treta e amerikanëve që votojnë për republikanët kanë bindjen se duhet të përdoren armët kundër qeverisë. Pandemia dhe masat kundër saj e kanë shtuar pakënaqësinë e njerëzve ndaj administratës amerikane.

Nëse institucionet nuk reagojnë fort ndaj organizatorëve dhe frymëzuesve të 6 janarit, ka shumë të ngjarë që përkrahësit e hapur të ish-presidentit të fitojnë garat elektorale të këtij viti dhe Partia Republikane jo vetëm që do ketë shumicën në Kongres dhe në Senat, por do jetë edhe më Trumpiste se kurrë. Kjo do përbëjë rrezikun që Trumpizmi, si një mënyrë populiste-autokrate e qeverisjes të dominojë edhe sikur Trump të mos hyjë dot në zgjedhjet për President të vitit 2024.

Ndaj pas një viti duket se “qeni përmori në derën e xhamisë“, por “shoqatat animaliste nuk e lanë të ngordhte”.

 

Wednesday, 5 January 2022

Përpjekjet për të ulur figurën e Nolit


Hirësia e tij lindi 140 vjet më parë, në Ibrik-Tepe, një fshat i formuar nga kolonjarë prej Qyteze, ndoshta më parë se pushtimi osman. Dukuria e çvendosjes të ballkanasve gjatë Mesjetës dhe më vonë është shumë e njohur. Fshatra shqiptarë ka në Ukrainë, Moldavi, Rumani ndaj Edreneja(Adrianopoja), kryeqyteti i parë i otomanëve në Ballkan, pranë të cilës ndodhet vendlindja e Nolit, nuk është larg nga krahina e Korçës nëse krahasohet me vendngulimet e sipërpërmendura.

Rreth Nolit është shkruar shumë nga autorë të besueshëm dhe jo të besueshëm, në kohën e mungesës së lirisë dhe pas rënies së Diktaturës. Eshtë shkruar shumë se figura e tij është e shumëanshme, e pakrahasueshme me të tjerë në realitetin shqiptar të dyqind vjetëve të fundit dhe me një “gjeografi” të pazakontë. Politikan, klerik, përkthyes, diplomat, poet, studiues muzike, poliglot, gazetar, orator dhe mbi të gjitha një atdhetar i një kalibri jo të zakonshëm. Edhe një njeri me humor të mrekullueshëm.

Sigurisht nuk i duhet besuar shumë historiografisë komuniste ose veprave të Nasho Jorgaqit, sepse i përmbahen një shikimi shumë bardhezi të figurës së Nolit, kryesisht për ta përdorur si antitezë të Ahmet Zogut, me regjimin e të cilit donin të krahasoheshin komunistët për të justifikuar mbajtjen e pushtetit të tyre me dhunë. Noli në to përshkruhet thuajse si një përfaqësues i revolucionit francez dhe si pararendës i vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Nënvizohej shumë rëndësia e Revolucionit të Qershorit, i cili quhej prej tyre i pari revolucion borgjez në Ballkan, si dhe vendosja e mar[dh[nieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Në të vërtetë, pjesa e Revolucionit të Qershorit (më mirë e grushtit të shtetit të qershorit) është në pjesët më me dritëhije të veprimtarisë të Fan Nolit, sepse nuk përputhet as me parimet e tij të politikës anglo-saksone apo dhe me parimet e tij fetare për të mos marrë pushtetin me puç.

Shkas për këtë shkrim u bë një artikull I historianit shqiptar Isa Blumi  në Universitetin e Stokholmit, që analizonte veprimtarinë e Nolit deri në fundin e Luftës së Parë Botërore, pra para dhe gjatë shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Otomane. Linku i artikullit është : https://dergipark.org.tr/en/pub/balkar/issue/58241/795706

Ndonëse i kujdeshëm, historiani shqiptar, pedagog i studimeve rreth Turqisë dhe Lindjes së Mesme në Suedi, mundohet të paraqesë Nolin si ishte në të vërtetë, larg idealizimeve të bëra sipas tij nga historiografia e komunizmit. Studimi i tij është i bazuar në shumë dokumenta të kohës, në të cilat hyjnë edhe letërkëmbimet e Nolit. Duke u futur edhe në psikologjinë e Theofanos Mavromatis (emri i lindjes i Nolit), Blumi paraqet një shqiptar që lëkundet mes identitetit të shqiptarit të krishterë dhe atij grek në përpjekje për të gjetur një të ardhme të suksesshme për veten e tij në kuadrin e Perandorisë Otomane. Dhe këtë e gjen kur vendoset në Aleksandri me mbështetjen që i japin korçarët e pasur Milo Duçi dhe Thanas Tashko. Këta duan të shfrytëzojnë oratorinë dhe njohjen e gjuhëve të huaja të Nolit, për të propaganduar çështjen shqiptare, por përsëri në raport me shovinizmin e fqinj[ve dhe brenda kuadrit të Perandorisë.

Autori anashkalon faktin se Noli më 1903 ishte vetëm 21 vjeçar në atë kohë dhe jo vetëm që dinte shkëlqyeshëm shumë gjuhë të huaja, por kishte edhe shumë aftësi të tjera për të qënë i suksesshëm në një botë pa kufij, e cila ofronte shumë mundësi jo vetëm në Europë, por edhe në kontinentet e tjera. Ai zgjodhi çështjen shqiptare si vokacion të tij dhe jo si një oportunist, që gjen mundësi të sigurojë një jetë të mirë pa u munduar shumë. Autori vazhdon t’i mëshojë kësaj ideje ndërsa shkruan se dy bamirësit e Nolit e dërguan atë në Amerikë më 1906 për të propaganduar çështjen shqiptare dhe Tashkoja vazhdoi t’i dërgonte gjithnjë të holla. Në Amerikë Noli vazhdoi të kishte lëkundje nëse Shqipëria duhet të bëhej shtet i pavarur, apo mbrojtja e saj duhej bërë krahas mbrojtjes të Perandorisë.

Nuk ka asgjë “jopatriotike” në qëndrimin për të mbrojtur trojet shqiptare brenda Perandorisë në dhjetvjeçarin e parë të shekullit të XX.

Ende nuk ishte konsoliduar alfabeti shqip dhe shkollat shqip ishin shumë të pakëta. Rreziku më i madh vinte nga fqinjët, që prej Kongresit të Berlinit po merrnin pjesë të trojeve shqiptare. Në zyrat e Fuqive të Mëdha ende nuk ishte krijuar bindja se shqiptarët ishin në gjendje të vetëqeveriseshin. Ishin të shumtë atdhetarët shqiptarë që shihnin këtë strategji të përkohshme jo se ishin proturq apo oportunistë, por se ky ishte realiteti politiko-diplomatik i fillimit të shekullit.

Më tej Blumi mundohet të paraqesë edhe shugurimin e Nolit si prift si një veprim oportunist dhe të nënvizojë se deri në fund të Luftës së Parë, Hirësia nuk kishte shumë ndikim në bashkësinë shqiptare në Amerikë krahasuar me Sotir Pecin. Të gjitha këto në përpjekjen për të hequr breroren e atdhetarit idealist nga figura e Fan Nolit.

Fan Noli nuk e ka paraqitur kurrë veten si “shënjtor”. Eshtë e kuptueshme që në një jetë të gjatë, të tejmbushur me veprimtari intelektuale dhe politike të ketë pasur edhe gabime.

Por ai mbetet me i mënçuri mes të mënçurve, më idealisti mes idealistëve, më I përkushtuari mes të përkushtuarve për Shqipërinë.

Nesër duhet të gjithë të ndezim nga një qiri për të nderuar Hirësinë në 140 vjetorin e lindjes!

Tuesday, 4 January 2022

“Waterfront” i Durrësit dhe pikpyetjet rreth tij (fund)

 (vijim)

Në të dyja rastet, investimi i Alabar është i dëmshëm për Shqipërinë. Me përfitimet nga buxheti i shtetit shqiptar do dëmtohen sektorë të tjerë jetikë si shëndetsia, arsimi dhe pensionet, ndërsa në rastin e trafikut të drogës, ai vërtet mund të sjellë përfitime afatshkurtra për ekonominë shqiptare, por nuk lejon të afrohen investimet serioze dhe të pastra. Janë këto investime që krijojnë më shumë vende pune se ndërtimi apo kafenetë e panumurta që mbahen me paratë e drogës.

Por për sa kohë Rama ka në dorë Parlamentin shqiptar ai mund të miratojë ligje që i japin “kartabianka” miliarderit arab për të përfituar nga pronat shtetërore, buxheti i shtetit dhe shpronësimet që bën qeveria shqiptare. Rreziku tjetër i kësaj grykësie të Ramës është që nëse për një arsye ose tjetër, Alabar do ndjejë se fitimet nuk janë atje ku priteshin (nëse prenotimet për banesa nuk shkojnë mirë), atëhere të tërhiqet ose të shtyjë pafundësisht realizimin e projektit.

Qeveria shqiptare nuk ka as kompetencën dhe as vullnetin të hartojë kontrata të favorshme për Shqipërinë.

Ka një të vërtetë të padiskutueshme në bizneset me shtetin, që nëse firmonjësi (në këtë rast kryeministri) ka interesa vetiake, atëhere kontrata do jetë në mënyrë absolute në favorin e investitorit privat. Përvoja e këtyre të fundit me shumë politikanë të korruptuar në botë, i ka mësuar që kontratat t’i bëjnë duke qënë të bindur që asnjëherë nuk do humbin. Por edhe nëse kryeministri jonë “mëkatar” këtë rradhë nuk do fusë ndonjë “të shkoqur” në xhep, ne nuk kemi firma avokatie kompetente për tu vënë përballë avokatëve të huaj me njohuri të thella në ligjet e korporatave. Rasti i humbjes të arbitrazhit me Beket për 150 milion dollarë është një nga shembujt e shumtë të gabimeve të rënda në kontraktim ose në “thyerje” të kontratave. Qeveria shqiptare është ende në gjyq me firmën turke “Kurum”, të cilës i ishte dhënë me koncension për 35 vjet një pjesë e portit të Durrësit dhe ju anullua kontrata para dy vjetësh. Përsëri buxheti i shtetit rrezikohet për shumën 100 milion euro.


Ministrja Balluku si papagall përsërit në një intervistë frazat e përgjithshme “se pjesa e negociatave me firmën arabe është pjesa më e vështira“ pa përmendur as se cilët janë “kompetentët” që po negociojnë dhe se sa “kompetentë“ janë në të vërtetë.

Projekti “Waterfront” i Durrësit, më shumë se një projekt “delirant” për një vend të vogël dhe të varfër, është një projekt i pastër vjedhjeje nga buxheti i shtetit dhe përfitimi nga paratë që hidhen në ndërtim nga trafiqet e drogës. Nuk ve ndonjë përgjegjësi mbi Alabar, se ndonëse të kujton disi reklamën që bënte Hajdin Sejdia në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, arabi nuk është Sejdija. Edhe pse ka manovruar në terrenet e korruptuara të Gadishullit Arabik, ai nuk është një biznesmen sharlatan.

Sharlatan dhe hajdut është kryeministri jonë, i cili mban përreth edhe një kor me hajna dhe papagaj, që po tjetërsojnë pronat e përbashkëta të shqiptarëve dhe po mbushin xhepat me paratë e takspaguesve si asnjëherë në këto 30 vitet e fundit.

Në Durrës nuk kanë për t’u ankoruar jahte të mëdhenj dhe “kroçera” si pretendon Ballukja, as për tridhjet vjetë të tjerë. Një investim me një korrupsion kaq stërmadh është i destinuar të mbetet në mes. Edhe Alabar nuk ka për të ndenjur në Përmetin që i kujton Kaliforninë. Ka disa krahasime, të cilat nuk i hamë më se boll na kanë gënjyer në kohën kur ishim “fanar në brigjet e Adriatikut”.

“Waterfront” i Durrësit dhe pikpyetjet rreth tij


Në një bisedë të ngushtë me “krerët” e fushatës elektorale për Durrësin më 2017, kryeministri Rama ju tha hapur se nëse siguronin një mandat të 8-të deputeti, Durrësit do i jepej një projekt shumë i madh për një port të ri dhe një pjesë e mirë e investimit do ju kalonte në xhepat e Vangjush Dakos, Damian Gjiknurit dhe ndonjë tjetri. Me një fjalë Rama po ju bënte të qartë lakejve të harxhonin lekë për të blerë vota, se do ishte një investim që do ju kthehej i shumëfishuar.

Pra më se 4 vjet më parë, “vizionari” Rama kishte planifikuar dhe bërë marëveshje për investimin e madh në zonën e Porto Romanos, projekt i cili ka qënë në qendër të vëmendjes këto ditë në mediat shqiptare. Deri këtu , veç problemit të paligjshëm të blerjes së votave nuk ka ndonjë çudi shumë të madhe. Eshtë detyrë e çdo kryemistri të mendojë për zhvillimin e vendit nëpërmjet investimeve shtetërore dhe kryesisht nëpërmjet tërheqjes së investitorëve të huaj.

Duke njohur të kaluarën e kryeministrit Rama si kryetar i bashkisë së Tiranës dhe aferat e 15-20% në lejet e ndërtimit, nuk është aspak e pallogjikshme, që Rama të vazhdojë të punjië me të njëjtën skemë edhe me investimet në “Waterfront” të Durrësit. Pyetjet që dalin menjëherë janë të shumta:

·         Përse zgjidhet si partner strategjik i qeverisë në këtë investim një investitor nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe jo një nga Europa e Bashkuar (jo arabe)?

·         A është i mësuar me praktikën e rryshfeteve Mohamed Alabar, që ka ndërtuar vetëm në Gadishullin Arabik, Egjiptin Al-Sisi e dhe Sërbinë e Vuçiç?

·         A është në gjendje qeveria shqiptare të negociojë në të mirë të interesave të Shqipërisë një projekt kaq të madh?

·         Sa do të jetë pjesa e investimit që do dalë nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë?

Këto janë disa nga pyetjet bazë të cilat bëhen nga opozita, mediat dhe çdo qytetar i thjeshtë shqiptar, që paguan taksa. Ndoshta televizionet që i shërbejnë qeverisë dhe që presin edhe ndonjë “koskë“ nga Alabar nuk bëjnë pyetje të tilla, por vetëm intervistojnë miliarderin arab në mënyrë, që ai të tregojë se sa është mrekulluar nga Shqipëria, sa ka rënë në “sevda” me popullin shqiptar dhe se sa mirë e ka përballuar vendi pandeminë nën udhëheqjen e ndritur të kryeministrit.

Alabar thuajse e tha hapur, që partneri im në këtë investim është Edi Rama.

Po le të flasim me të njëjtën gjuhë të qeverisë shqiptare, e cila po e paraqet investimin si një mrekulli, që do zilepsë jo vetëm Princin e Monakos, por do jetë porti më i madh i jahteve në të gjithë Mesdheun. Dihet që asnjë biznesmen në botë nuk bën investime në miliarda euro pa patur besim se investimi do jetë shumë fitimprurës. Që investimi të jetë fitimprurës në një vend të vogël e të varfër si Shqipëria, arabi ose ka sigurinë e një kontrate shumë të favorshme (që do punojë me paratë e qeverisë shqiptare), ose bindjen se tregëtia e drogës do vazhdojë edhe për shumë vjet dhe çmimet e apartamenteve dhe hoteleve në Shqipëri do jenë shumë të larta.

(vijon)

 

Monday, 3 January 2022

A duhet të “sundojë“ arkitektura me elementë neoklasikë në Korçë?



Po bëhen thuajse dy dhjetvjeçarë që në Korçë ka një prirje për të udhëzuar arkitekturën e “dimensioneve të vogla” drejt arkitekturës së Korçës së gjysmës së parë të shekullit të XX-të. Për ata që e njohin pak arkitekturën e qytetit po e përvijëzoj trashë atë lloj arkitekture, që jo me të drejtë e quajnë neoklasike, por që duhet pranuar se ka të pranishme shumë elementë të neoklasiçizmit europian të shekullit të XIX-të.

Simetrike në planimetri dhe në pamje; theksim të vertikalitetit në elementët e saj; përdorimi i kolonave të gurta por jo të ordereve greke; çati me pjerrësi të ulët; katet përdhe me gurë të gdhendur dhe katet e sipërme të suvatuara; rrethim me mure guri të gdhendur dhe kangjella.

Nuk dua të zgjatem pse u ndërtua aq shumë në atë mënyrë në ato vite, ndryshe nga arkitektura tradicionale e shekullit të XIX-të, por fakti është që në pjesët më të dukshme të qytetit dhe në gjitha rindërtimet më luksoze, ishte kjo arkitekturë e cila mbizotëroi dhe i dha Korçës një fizionomi të caktuar.

Po a duhet të detyrohen njerëzit për të ndërtuar me të njëjtat koncepte arkitekturore në exterior edhe 100 vjet më pas, qoftë kjo edhe në zonat e mbrojtura me ligj?

Rreziku i parë është, që edhe nëse realizohen shumë mirë, teprimi sjell një uniformitet (jo harmoni), që bën që pjesë të caktuara të qytetit dhe ndoshta më vonë i gjithë qyteti, të kthehet në një hapësirë të mërzitshme. Eshtë në prirjen e njeriut, që të kërkojë larmi dhe variacion në të gjithë hapësirat që shkel. Ndodhi në disa qytete të botës me atë që u quajt si triumf në arkitekturë dhe që ishte i quajturi “stili modern” i Korbyzjesë. Në periudhën e fundit të karrierës edhe vetë ideatori i stilit u kthye kundër tij.

Rreziku i dytë është ai i frenimit të materialeve të reja arkitekturore, të cilat nuk ishin në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Madje edhe betonarmeje nuk ishte pjesë e arkitekturës së Korçës të atyre viteve. Kishte vetëm disa raste të shkëputura të përdorimit të një betoni të varfër në disa ballkone. Ne nuk mund të mbetemi vetëm në muraturat, skeletet e betonit , suvatë, tjegullat dhe veshjet me gurë për të ndërtuar gjatë shekullit XXI. Prirjet më të fundit të arkitekturës janë drejt materialeve më të lehta, ricikluese dhe të pranueshme për ruajtjen e mjedisit. Nxitja e përdorimit të tyre duhet të jetë përparësia e autoriteteve dhe e projektuesve edhe në Korçë.

Arkitektura, si çdo lloj arti “urren” rregullat e ngurta dhe kufizimet. Imponimi i tyre nga Bashkia, pavarësisht nga rregulloret e miratuara është i gabuar dhe anakronik. Eshtë në kundërshtim me vetë frymën e përparuar të një shekulli më parë, ku banorët u larguan nga skemat e banesave me çardhak të hapur dhe përdorim në stil të gjërë të drurit, në skema që i përshtateshin më mirë klimës së qytetit, ndryshimeve shoqërore në jetën e familjeve dhe materialeve të ndërtimit.

A mundet të ndërtohet në harmoni me ndërtimet ekzistuese edhe pa ndjekur rregullat fikse të të ashtuquajturit “neoklasiçizëm” dhe duke përdorur në masë material të tjera.

Eshtë plotësisht e mundur dhe shembujt në botë janë të panumurt.

Harmonia nuk qëndron as në dimensionet e dritareve, as në frizat dhe kornizat dhe as në rrethimet me gur dhe hekur. Harmonia në rradhë të parë ka të bëjë në raportet që ka ndërtimi me dritën, me qasjen nga rrugët, me vëllimet, me ritmin brenda vetes dhe në raport me ndërtimet e tjera, me ngjyrat. Më pas vjen harmonia e materialeve të përdorura nëse do jenë plotësisht tradicionale apo do ketë në to edhe të huazuara nga kulturat e tjera apo nga teknologjia bashkëkohore. Harmonia e detajeve është e fundit dhe ajo shpesh kërkon edhe “disonancë“ pikërisht për të nxjerrë më në pah detajet.

Ndaj nuk ka pse t’ju trembemi dhe aq më pak t’i ndalojmë projektet që i përkasin rrymave bashkëkohore nga postmodernizmi, në high-tech dhe në arkitekturën ekologjike. Madje nuk duhen frenuar as edhe ndonjë shembull I arkitekturës moderne (të shekulllit të kaluar), sepse në artin e ndërtimeve nuk ka stinë dhe modë.

Bashkia nuk duhet të jetë qeni-roje i arkitekturës së qytetit. Në zhvillimin e saj marrin pjesë të gjithë, nga njerëzit që ndërtojnë shtëpitë dhe shitoret e tyre dhe deri tek arkitektët, urbanistët, piktorët, historianët, restauruesit e të tjerë. Në këtë mënyrë janë ndërtuar vendbanimet më tërheqëse në botë.

Korça nuk ka pse të bëjë përjashtim.

  

Sunday, 2 January 2022

2 janar 1990


Në këtë datë u largua nga jeta babai im Andon Mara. Së shpejti do dalë nga shtypi një libër me biseda, të cilat pasqyrojnë pjesë të jetës së tij. Kanë qënë disa njerëz shumë të afërt, të cilët më kanë nxitur dhe ndihmuar për ta përfunduar librin në prag të 100 vjetorit të lindjes. Eshtë shumë pak t’ju them vetëm faleminderit.

Disa pjesë të librit, në formë “bruto”, i kam postuar herë herë në blog. Disa janë korrigjuar dhe disa të tjera nuk janë përfshirë në variantin përfundimtar. Më poshtë po ve një pjesëz të shkëputur prej kapitullit “Kor]a”.

Unë: Si tu duk Korça në vitin 1937, kur erdhe për herë të parë?

Ai: Në prill të vitit 1937 unë isha 15 vjeç dhe kisha jetuar vetëm në Stamboll, në një lagje të mirë të tij. Edhe pse kisha dëgjuar fjalë të mira për qytetin nga të afërmit, që kishin ardhur në Stamboll më vonë se ne, por dhe nga im vëlla, Korça nuk kishte se si të më dukej ndryshe veç si një fshat i madh i sistemuar mirë. Deri në Selanik patëm udhëtuar me tren bashkë me mamanë, se babai kishte ardhur dy muaj më parë. Në stacionin e trenit na priti Nesti dhe në një makinë ngarkuam gjithë baullet që kishim marë me vete. Kishim edhe disa arka me qelqurina dhe pjata porcelani, që i kishim mbështjellë me gazeta për të mos u thyer, së bashku me tim kushëri Spiro Topuzin. Kur i hapëm në Korçë shumica ishin të thyera.

Hymë në qytet nga rruga e Follorinës dhe deri në Fusha e Sportit, atje ku fillonte bulevardi “Zogu i Parë” kishte vetëm fusha të mbjella. Përgjatë bulevardit kishte tek-tuk shtëpi të ndërtuara mirë dhe të rrethuara me kangjella hekuri, si dhe me kollona guri, që ishin të ndryshme nga shumica e shtëpive dy-tre katëshe të Stambollit. Ndërtimi i parë i lartë që më zuri syri ishte Kisha e Shën Sotirit, gjysëm e shkatëruar nga tërmeti dhe kinema “Majestik”. Kjo ishte përshtypja e pasdites së parë, në qytetin ku do kaloja më të shumtën e jetës.

Unë: Duhet të ishe i gëzuar, se u bashkuat si familje dhe takove babanë, nga i cili nuk ishe ndarë kurrë?

Ai: Ashtu është. Takova edhe gjyshen nga mamaja dhe dajllarët, të cilët i kisha parë vetëm në fotografi, por për ta më fliste shpesh mamaja. U mblodhëm shumë vetë për të jetuar përkohësisht në një shtëpi jo të madhe. Më bënte përshtypje, që dhomat nuk kishin ngrohje dhe për më tepër banjoja ishte jashtë, në fund të oborrit. Nuk kishte ujë brenda shtëpisë, por duhet të mbushje në oborr, me një mekanizëm metalik, që quhej tullumb*, gjë që e shihja për herë të parë. Ishte mënyra më e përparuar për të nxjerrë ujë nga pusi i shtëpisë. Kështu ishte thuajse në të gjitha shtëpitë e Korçës të atyre viteve. Dalëngadalë fillova të mësohesha me kushte të tjera dhe të lahesha jo në vaskë, po në një govatë të madhe ku ujin e ngrohtë e hidhnim në trup me një sapllak.

Në Korçë bënte pak më ftohtë se në Stamboll, por ajri ishte shumë i pastër dhe dëgjoheshin që në mëngjes cicërimat e zogjve. Ishim shumë pranë kodrës të Shën Thanasit, në kishën e të cilës nisa të vija shpesh. Në shtëpi isha më i vogli, se përveç babait dhe gjyshes, që i kishin kaluar të gjashtëdhjetat edhe vëllezërit e mamasë ishin mesoburra dhe gratë e tyre mbi të tridhjetat.