Thursday, 9 February 2017

Antiamerikanizmi i Lubonjës


“Antiamerikanizmi” nuk është një “sëmundje” ideologjike apo politike, si të themi “antisemitizmi”, “populizmi”, “radikalizmi”, apo më keq akoma, “shovinizmi”, “fashizmi”, “komunizmi” etj.
Eshtë një qëndrim, që varion nga kundërshtimi i politikave dominuese amerikane në botë, e deri në mohimin e çdo vlere të shoqërisë amerikane. Eshtë i njohur në rrethet intelektuale europiane dhe sidomos në Francë, sikundër përmendet jo rrallë nga filozofi francez Bernar Henri Levi. Rrënjët janë të vjetra dhe dukuria është shumë komplekse dhe jo krejtësisht negative, por ekziston. Dhe gjithkush, edhe në Shqipëri ka të drejtë të jetë edhe antiamerikan.
Konstatimi im për Fatos Lubonjën vjen nga disa qëndrime të përsëritura të tij, por sidomos nga sulmet e 10 muajve të fundit ndaj ambasadorit Lu dhe rolit të tij në vënien në lëvizje të mekanizmit të ndryshkur shtetëror shqiptar për të miratuar Reformën në Drejtësi. Zoti më ruajt, nuk dua të tingëllojë sikur po e ve analistin Lubonja të dëshmojë para komisionit për veprimtari antiamerikane të kohës së MeKarthit, por mendoj se antiamerikanizmi i tij, qoftë edhe beninj, i turbullon gjykimin për çështjen e Reformës. Në fund të fundit është më mirë për ta quajtur pak antiamerikan se sa t’a akuzoj se është në një front dhe ka të njëjtat qëllime si “krokodilët”, që nuk e duan reformën në fjalë. 
Ka kohë, që Lubonja jo vetëm shpreh hapur dyshimin e tij për motivet e ambasadorëve për Reformën, për qëllimet që do të arrijë dhe vënien në jetë të saj, por e ka paraqitur, sikur Rama “i ka futur në thes ambasadorët” dhe po mundohet “të kapë“ pushtetin ligjor, i cili deri tani është “i kapur” nga Berisha.
E vetmja e vërtetë në supozim-dyshimet e Lubonjës, është që motivi I Ramës nuk është Ndërtimi I një Pushtetit Gjyqësor të pavarur, por shkëputjen e tij nga kthetrat e Berishës, për të mos qënë as në duart e kundërshtarëve të tij. Por edhe s’kemi të bëjmë me idealizëm, ky motiv i Ramës është për tu përshëndetur, sepse është në interesin e publikut.
Argumenti tjetër i Lubonjës i para disa muajve, ishte vënia në dyshim e sinqeritetit të Lu-së për Reformën në Drejtësi, pasi ai ka heshtur rreth kanabizimit të Shqipërisë, që për Lubonjën është një problem edhe më I madh se Reforma në Drejtësi. Meqënëse për këtë janë përgjegjës Rama dhe Tahiri, sipas Lubonjës, heshtja e ambasadorit e bën edhe këtë të fundit në mos bashkëfajtor, “të kapur”.
Ka një logjikë, në përpjekjet e ambasadorit amerikan(do i quaja titanike) për miratimin e Reformës në Drejtësi. Ka qënë objektivi kryesor I punës së tij dhe jo pak “I kanë bërë zbor” politikanët shqiptarë të të gjithë krahëve. As “zbori”, që ju bë austriakut Vranicki më 1997 nu ka të krahasuar me atë, që ju bë Donald Lu-së kryesisht nga Berisha, Basha, Meta dhe Llalla gjatë verës së kaluar. Thënie dhe kundërthënie, drafte mbi drafte, përpjekje për konsensus dhe mosdhënie të votave, premtime për kompromis dhe kërcënime me rrëzim qeverie etj etj, që Lubonja i di fort mirë. Sigurisht që ambasadorit nuk i pëlqen kanabizimi, por energjitë jo vetëm kanë një kufi por ka edhe një taktikë për realizmin e qëllimit kryesor. Dhe duke përdorur metaforën e “peshqve dhe peshkaqenëve” të Lubonjës, me reformën në Drejtësi, Luja po krijon edhe një rrjetë të saktë për të kapur edhe ‘kanabistat”. Me rrjetën e kalbur të Drejtësisë së sotme, nga e cila kanë shpëtuar “peshq dhe peshkaqenë“ duke nisur me Lul Berishën e duke përfunduar në Fullani dhe Meta, nuk mund të kapen as ata që kanabizuan Shqipërinë në këto 20 vjet.
Analisti Lubonja, akuzon Donald Lu-në jo vetëm për “futje të hundëve” me të tepërt në punët e shtetit shqiptar, por edhe për arrogancë në revokimin e vizave duke krahasuar me arrogancën e Tramp-it. Krahasimi jo vetëm që çalon, sepse nuk po i ndalohen vizat një kategorie njerëzish, por Donald Lu as nuk po tejkalon kompetencat e tij. Në rregullat e Departamentit të Shtetit, jo vetëm ambasadori dhe konsulli kanë të drejtë të mosjapin apo të refokojnë vizat, por edhe oficerët e thjeshtë të kufirit, kur konstatojnë se njeriu, i cili kërkon ose ka marrë vizë mund të përbëjë rrezik për SHBA, ose thjesht mund të zhvillojë veprimtar të paligjshme ose edhe vetëm të qëndrojë në Amerikë për të punuar ose duke kërkuar azil politik.
Në një kohë, kur për shkak të Vetingut, shumë prokurorë dhe gjykatës mund të mbeten pa punë, nuk është e çuditshme, që të përdorin vizat amerikane për të ndenjur në Amerikë si të përndjekur, ose për të shijuar lekët e fituara me mund dhe pa mund. Kjo “arrogancë“ e shërbimit konsullor amerikan duhet duartrokitur.
I fundit dhe më i rrezikshmi është konkluzion-parashikimi I Lubonjës se Reforma në Drejtësi do shkaktojë padrejtësi më të mëdha.
Pyetja e parë që më shkon në mend është: Mund të ketë një drejtësi më keq se kaq?!
Le të themi se Reforma nuk mund të bëjë mrekullira, se çdo lloj reforme do jo vetëm kohë të zbatohet, por edhe ndryshime në kulturën e të gjithë popullit, që është detyruar dhe mësuar ta blejë Të drejtën.
Porn jë mrekulli e ka bërë që tani dhe që syzet e antiamerikanizmit nuk e lenë Lubonjën ta shohë.
Ju ka hyrë lepuri në bark jo vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve por edhe politikanëve të të gjitha ngjyrave.
I dashur Lu-bonja, bon’ mir t’i kërkosh të falur dhe t’i heqësh kapelen Lu-së!






Wednesday, 8 February 2017

Ik o pirdhu!


Ti vjen më thua se si të hapen dyert dhe se po të bësh një telefonatë mund të zgjidhësh çdo hall dhe unë të përgjigjem- Ik o pirdhu!
Ti pasi më ke bërë pas krahëve një marifet më thua: “Po jemi shokë o burr’ i dheut!” dhe unë të them me plot gojë - Ik o pirdhu!
Ti më kujton se dikur të kisha thënë, që “kisha nisur të ndjeja për ty”  dhe unë të them- Ik me pirdhu, se doja vetëm të flija një natë!
Ti më tregon gjërë e gjatë se si një politikan që ke mik, kishte biseduar tre orë me zëvëndës Presidentin e Bashkimit Europian dhe unë të them – Ik o pirdhu me gjithë Bashkimin Europian!
Ti më sjell ndërmend kohën kur ishim “disidentë” se luanim poker në Universitet, kur Sigurimi na ndiqte dhe unë të them – Ik o pirdhu me gjithë disidencën tënde dhe timen!
Ti më rrëfen se si e gjen frymëzimin për të shkruajtur poezi të ndjera për ata që lenë gjurmë në histori dhe unë nëpër dhëmbë them – Ik me pirdhu!
Ti vjen gjithë optimizëm e më thua se është e sigurt, që këtë rradhë do e rrëzojmë Qeverin dhe unë pa mbaruar fjalën të them- Ik o pirdhu!
Ti vjen e më mburresh se dikur i hodhe në qafë një kavo shtatores dhe e rrëzove dhe unë të them – Ik o pirdhu se kavon tani ja ke vënë si kravatë qafës tënde!
Ti më këshillon të mos shkruaj kundër zv.kryeministrit se edhe mund të më duhet ndonjë ndihmë ndonjë ditë prej ditësh dhe unë të gjegjem – Ik o pirdhu!
Ti vjen me gjithë të dashurën tënde dhe më thoni se kini gjetur shumë njerëz të ndershëm me të cilët mund të ngremë menjëherë Partinë e së Vërtetës dhe unë ju bërtas – Ikni o pirdhuni!
Ti më shkruan se këtë rradhë nuk ma boton dot shkrimin për shkak të disa komplikimeve ndërkombëtare, që kanë efekt në gjithë Ballkanin perëndimor dhe unë them me mendje – Ik o pirdhu!
Pastaj më vjen përballë një fytyrë gati identike me timen, që më pyet nëse ka dështuar apo jo dhe unë i klith me gjithë frymën time – Ik o pirdhu, akoma nuk e ke kuptuar?


Tuesday, 7 February 2017

Dija, injoranca dhe interesat

 Ka një konsensus të shqiptarëve në debatin Lu-Llalla në përkrahje të ambasadorit amerikan, po të përjashtojmë këtu Shoqatën e Gjyqtarëve, Ilir Metën, Rovena Gashin, Frrok Cupin, Fatos Lubonjën e ndonjë tjetër, që nuk ka guxuar të flasë hapur.
Po le ta shikojmë një këndvështrim më të ngushtë, duke patur parasysh më shumë dy individët dhe interesat e tyre dhe jo të shteteve apo institucioneve, që përfaqësojnë.
Donald Lu - ka studiuar gjithë kohën në Universitetin e Prinstën(Princeton University), që jo vetëm është në Ajvi Lig(Ivy League)por nga të gjithë vlerësuesit e njohur të universiteteve, futet në 7 universitetet më të mirë në botë dhe në 3 më të mirët në Amerikë. Studentët shqiptarë, që studiojnë në Amerikë e dinë se çfarë “kalibri” dijesh duhet të kesh për tu pranuar në atë Universitet. Mes të shquarve, që kanë studiuar në në prinstën është edhe I madhi Udrou Uillsën, Presidenti amerikan, të cilit Shqipëria i detyrohet aq shumë. Në këtë vatër të dijes është kalitur për 8 vjet Donald Lu dhe më pas i ka hyrë karrierës si diplomat. Si I tillë ka punuar në Azi dhe Kaukaz, ku ka patur të bëjë me të gjithë “mjeshtrat” e mashtrimit në politikë, në Indi, Pakistan, Gjeorgji, Azerbaxhijan etj.
(Duhet të pranojmë se djallushët e politikës së këtyre vendeve janë më marifet]inj se këta tanët.)
Sigurisht, që interesi I parë I tij është të ketë një karrierë sa më të sukseshme si diplomat karriere. Këto janë ambiciet personale të një diplomati amerikan, që do t’i shërbejë vendit të tij. Për fatin tonë të mirë, interesi I SHBA-së, është që të jemi një vend aleat i tyre me një demokraci të stabilizuar. Për interesat “e fshehta” të tij nuk kemi si të dimë, ose dhe ata, që e akuzojnë se ka të tilla nuk kanë sjellë ndonjë provë.
Adriatik Llalla - është diplomuar dhe ka marrë titullin Master në Universitetin e Tiranës. Para studimeve universitare ka mbaruar shkollën e mesme të natës në Gramsh. Edhe pse të gjithë studentët tanë nuk ja kanë idenë se sa e vështirë është të mbarosh të mesmen natën në Gramsh, ndoshta po ta venë në lëvizje fantazinë mund ta marrin me mend. Ka punuar në Lushnjë, Fier dhe Tiranë. 
Eshtë një jurist karriere dhe interesi kryesor i tij, është të jetë sa më i suksesshëm dhe t’i shërbejë me devotshmëri Atdheut.
Për interesa “të fshehta” nuk mund ta akuzojmë sepse edhe në thëniet e ambasadorit amerikan, veç përmendjes se është bërë pengesë e reformës, nuk zihet në gojë se për çfarë interesa.
Në këtë përballje individuale, Llalla i jonë nuk del dhe aq mirë, e megjithatë vetëm dijet edhe përvoja nuk mund të jenë kusht “sine qua non”, për të pasur të drejtë në një debat “të nxehtë“, ku mund të ketë ndikime të interesave të fshehta, mund të ketë njolla në ndërgjegje, komplote ndërkombëtare, ose sikundër aludoi Ilir Meta, “një i çmendur po e çmend këtë vend”.
Më e mundshmja është, ajo që Kryeakuzatori jonë , jurist i karrierës, e formuloi si qënie “sorosian” e ambasadorit Donald Lu. Por nëse juristi jonë i karrierës arrin të provojë, që Donald Lu është anëtar i këtij “sekti”, duhet të fusë një herë në burg gjithë “sorosianët”vendas (Meta me përkëdheli i quan “sorrat”) dhe pastaj të shpallë “non grata” ambasadorin amerikan. Ose të provojë, që Lu ka marrë “ryshfet” nga Banker Petrolum, ndaj ndërhyn për të mbyllur dosjen. Në të kundërt tregon që vetëm jurist nuk është.
Unë dua kaq shumë të ketë të drejtë Kryepokurori Llalla në këtë debat. Fshati ku ësht lindur im gjysh është më pak se 15 km në vijë ajrore nga vendlindja e Adriatikut.
Vendlindja e Lu-së është aq e largët dhe për më tepër është edhe gjysëm korean.
Por nuk arrij dot ta bëj ambasadorin amerikan as të paditur, as të korruptuar dhe as të çmendur.
Sa për Tikun…nuk e ve dot dorën në zjarr!

Monday, 6 February 2017

Kur je në politikë…ke ca info më shumë!


Në fund të kësaj fjalie ka edhe një shkelje syri, por duke mos qënë shumë i mësuar me këto “emoxhis” po e le pa një të tillë, por vetëm me pikëçuditëse (shenjë pikësimi kjo që është shumë në modë në Atdhe).
Unë mbetem i pashpresë se nuk kam për të hyrë kurrë në politikë dhe e gjithë shpresa për ca “info më shumë“ ose për “info bio”(edhe kjo pjesëza e fundit ka zëvëndësuar tani “normal” dhe “e papame”), e kam në miqtë e miqve të mij që merren me politikë. Dhe meqë politikat kombëtare janë të ndërthurura edhe me ato ndërkombëtaret, kam shpresë të mësoj më shumë rreth Trampit, Merkelit, Putinit, Erdoganit, Berishës, Ramës, Bashës, Bodes, Blushit, Braçes, Rucit, Dades, Dudit, Didit dhe Xhaçkës.
Për shembull, krejt rastësisht, nga një shofer vlonjat i autobuzit të linjës Nju Jork-Baffalo mësova se luftën në Irak e kishin filluar Bushi, Dik Ceni dhe Ramsfeld për të fituar 6 miliard dollarë, të cilat i ndanë mes tyre. Kur e pyeta, nëse i ndanë në mënyrë të barabartë, më tha që i “mbrendshmi” deri më kaq i kishte thënë.
Nga politika shqiptare mund të mësosh edhe më shumë, se jemi vend i vogël dhe kemi shumë shokë e kushërinj, që kanë shumë shokë e kushërinj të tyre, në vende pune që lidhen me shokë e kushërinj të atyre që janë në politikë e që kanë, “goxha info më shumë“.
Po të kisha ndonjë shok ose kushëri të tillë, unë do hiqja dorë përfundimisht nga leximi i gazetave dhe portaleve, se ato jo vetëm, që dizinformojnë sipas interesave, por zakonisht të nesërmen përgënjeshtrojnë atë , që do thonë të pasnesërmen. Nuk ju ze dot besë!
Unë ju zura besë për sondazhet e zgjedhjeve në Amerikë dhe rrashë brenda kokë e këmbë!
Po të kisha dëgjuar një shokun tim, të cilit i kishte thënë i kushëriri, se një shoqe e tij në Tiranë, e cila megjithëse ka një surrat prej shitëseje metrazhi, është në politikë dhe kishte “ca info nga brenda që fitonte Trampi”, jo vetëm që do kisha shkruar javë më parë në blog për fitoren e tij, por mund të konsiderohesha edhe si Naumdamus.
Kur je në politikë ose ke ndonjë “të brendshëm fare”, merr edhe nga ato “infot pikante”, se kush shkon me këtë e atë, cili politikan është “gej i mçeft” dhe cili hiqet si homoseksual edhe pse nuk është, kë ka lënë shtatzënë kryetari i partisë “Lumi” ose pse nuk mban tanga kryetarja e partisë “Lugina”, pse nuk pjell e shoqja e sekretarit të partisë “Mullari” ose në ka vënë cazë silikon në kraharor deputetja e partisë liberale “Brazda”. Dikujt këto mund t’i duken si të parëndësishme para programeve të partive, por nëse politikanëve ju njeh jo vetëm dhëmbë e dhëmballë, por ju di edhe “bojën e brekëve” atëhere je Mbret I Informacionit. Dhe informacioni në këtë shekull është pushtet më tepër se kurrë. 
Tërë kjo javë më iku pa asnjë “info” të re.
Mësova vetëm që Tik Llalla e ka mbaruar të mesmen natën.
Po se mos e ndritëm ne që e mbaruam ditën!


Sunday, 5 February 2017

Reflektim në largimin e Dritëroit

Ditëroi u largua si zotni. Ishte i tillë edhe kur pinte, tregonin ata, që shtroheshin me të dhe bisedonin gjatë. Nuk mërzitej. I donte njerëzit dhe e donin.
Nuk e kam takuar kurrë. Dy herë që kishte ardhur në shtëpi, një herë për 60 vjetorin e babait dhe një herë tjetër për të ngushëlluar për ikjen e tij, nuk kam qënë në shtëpi. 
Kam lexuar pothuajse të gjitha vargjet e tij, të krijuara para vitit ’90, por në prozë, vetëm Zylon dhe ndonjë tregim. Gjithmonë e kam konsideruar poet edhe pse si të tillë, kam pëlqyer më shumë Kadarenë.
Një herë, kur bënte në teatrin“Cajupi” një takim me zgjedhësit(ishte deputet i zonës ku jetonim ne), kam recituar “Krevatin e Perandorit”sepse më kishin vënë ta recitoja dhe jo se kisha shumë dëshirë. Isha në prag të adoleshencës dhe kishte filluar të më vinte turp të dilja në skenë.
Më pëlqenin disa nga poezitë e tij, ndonëse, në atë kohë pëlqeja shumë Majakovskin, që kishte forcë të ndryshme dhe varg shumë të ndryshëm nga Dritëroi. “Nënë Shqipëri”, më dukej në më të shumtën e saj, si një histori e PPSH-së e vargëzuar.
Dritëroin e kanë dashur thuajse të gjithë. Ka qënë vërtet njeri i populllit dhe që jepte dashuri. Ndryshe, vetëm me propagandaën e Partisë së Punës, nuk ka se si të spjegohet popullariteti i tij i pazaknshëm. Ishte shqiptar në palcë dhe një lloj shqiptari nga ata të mirët e Rilindjes Kombëtare. I mençur dhe i butë. Dëgjues i shkëlqyer i rrëfimeve të të tjerëve. Të ishin akademikë të letrave apo devollinj kokëtrashë. Cilësi e rrallë kjo për njerëzit e shquar.
Pesë, vjet më parë, ndoshta në 80-vjetorin e tij, mora shkas për një shkrim të gjatë rrith dritë-hijeve të Dritëroit, kryesisht filozofisë së tij për “të bërë mirë“. E bëra për rrethin e ngushtë të miqve tim dhe e vura në blog të titulluar “Sa burrë i mirë, ky Drejtor Agolli!” (Drejtor Agolli, ishte një “shpikje” e PeçI Bajamkës, i cili i kishte miq të gjithë njerëzit e rëndësishëm dhe shumicës ja u thoshte emrat sipas mendjes së tij të turbullt.)
Më vjen shumë keq që iku dhe akoma më keq, që nuk do kem kurrë rastin ta dëgjoj në një bisedë.
Ta gjej në rrjeshtat e librave të tij?
Kjo është poezi për Sadijen dhe jo për lexuesit.
Ndonjëherë, mund të më marrë malli të rilexoj Zylon.
Tani, që jam duke shkruar këto rrjeshta mbase janë nisur për ta mbuluar.
Dheu të qoftë i lehtë Dritëro!


Friday, 3 February 2017

MAM


Dje mora një mesazh nga një mik i imi me këto fjalë: “Dr. Glozheni po thotë në tv, që Mam ka hyrë në veprat më të mira për 2017”.
Menjëherë më shkoi ndërmend doktori gjinekolog, që bën bebe në epruvetë në Tiranë, por nuk arrija të kuptoja se ç’ne, që një nga mamit e bebeve duhet të hynte në veprat më të mira? E pyeta, se kush ishte Dr. Glozheni dhe mu përgjigj shkurtimisht “Lenci”.
E kuptova, që nuk bëhej fjalë për ndonjë bebe apo Mami të jashtëzakonshme , por për Muzeun e Artit Mesjetar. Diku në shtyp më kishte zënë syri, për një nominim të Muzeut, por nuk e kisha lexuar në hollësi se e di që në shtyp, ja futin shpesh kot.
Lencin, edhe pse më i madh se unë, e kujtoj mirë, që në adoleshencën e tij, kur megjithëse rondokop ishte një atlet i mirë në 200 metra. U gëzova edhe , që në finishin e karrierës së tij ka marrë edhe titullin Doktor, me siguri i Shkencave Filologjike. Duke besuar në fjala e Lencit, i hodha një sy uebsajtit të “Bolles+Wilson”, për të mësuar më shumë rreth nominimit, se ndienja ishte e dyfishtë: Gëzim për këtë vlerësim ndaj Muzeut, por edhe dyshim për shkak se e dija mbi ç’projekt ishte filluar Muzeu që edhe Mikelanxheloja sikur të fuste duart, do e kishte shumë të vështirë ta kthente në një vepër dinjitoze, të denjë për një çmim botëror.
Pashë që nominimi nuk ishte nominim, por një “hyrje” e projektit në konkursin e një webi të arkitekturës të quajtur ArchDaily. Nuk kisha dëgjuar për të, e megjithatë padija ime nuk ja ul vlerën Uebit. Eshtë relativisht I ri(hapur më 2008) dhe njihet kryesisht në Europë dhe Kinë. Praktika e konkursit është e tillë: Firmat e projektimit ose arkitektë të veçantë, paraqesin foto të projekteve të realizuara dhe pas një përzgjedhje të parë (që zakonisht skualifikon vetëm “plehrat”) projektet hyjnë në listën e konkuruesve. Me një fjalë, edhe ark. Lyti nga Kukësi,(Lyti është një i njouri im, që nuk më mërzitet) mund të dërgojë një foto të një vepre të realizuar dhe shanset janë të mëdha për të qënë në listë.
Shembulli më I qartë, është një vepër tjetër që Bolles+Willson ka future këtë vit dhe po ashtu është në listë- Një banesë shumëkatëshe që quhet Kulla Kanellë (Cinnamon Tower) në Hamburg, që kur e sheh, të bën mos vesh kanellë në gojë edhe për 20 vite të tjera.
MAM është vërtet një dhuratë e madhe për Korçën. Edhe pse ka një histori me shumë ulje- ngritje, përplasje dhe prapaskena, premtime dhe dallavera, unë the që korçarët duhet t’I jenë mirënjohës Niko Peleshit, që nuk e lejoji koleksionin të rrëmbehej nga Tirana dhe i siguroi një strehë sado modeste. Ai është një thesar përrallor, që meritonte një Muze të projektuar nga Renzo Piano apo Frank Gehry, por të tilla janë mundësitë tona dhe le të themi që pas 25 vitesh më në fund ikonat shpëtuan nga prishja.
Këto përrallat me “nominime”, të sajuara nëpër zyra, ku duan të justifikojnë angazhimin e tepruar të Pit Uillsën në Korçë, sa shpojnë më shumë historitë, “që mbajnë erë“ në ndërtimet e Qendrës, që prej vitit 2010.
Sa për Dr. Lencin dua të shtoj, që gjithmonë ka rendur dhe është përpjekur për më të mirën në vendet ku ka drejtuar, qoftë shkollë fshati apo një muze si MAM.
Atletët rendin tërë jetën!


Wednesday, 1 February 2017

Korça ime ( e Nikos dhe Pitit)

(Vijim)
Prej vitit 2013, Korça po kalon një periudhë “gjallërimi”, kryesisht në sajë të fondeve të dhëna nga qeveria socialiste, zv.kryeministër I të cilës është korçari Niko Peleshi. E vura në thonjza Gjallërimin, sepse personalisht mendoj, që rritja e investimeve në një qytet, duhet të vijë nga rritja e përgjithshme e ekonomisë së tij dhe si në planin privat*që duhet të përbëjë shumicën) dhe gjithashtu edhe në atë publik. Kur investimet publike bëhe nga dhurime, apo më keq nga marrje kredish, ato kthehen në “barrë“ në kurriz të qytetarëve dhe të ekonomisë, se pikërisht nga taksat do dalë kthimi I tyre.
Po le të themi, se meqë Nikon e kemi në Qeveri, ai i akordon Korçës fonde të mëdha duke “ju hyrë në hakë“, qyteteve të tjera. Ndaj dhe vjen kjo rritje në investimet publike, ku mund të përmenden ndërhyrjet në Qendër, hapja e rrugës të planifikuar si vazhdim i bulevard Republikës, rifreskimi i Parkut Rinia,e të tjera ndërhyrje, të cilat janë më të vogla dhe unë nuk kam mundur t’i mësoj nëpërmjet shtypit.
Përsëri, si në 50 vitet e Diktaturës, investimet shtetërore mbeten në një zonë shumë të ngushtë, duke mos I dhënë asnjë hapësirë Korçës, por duke e përqëndruar akoma më shumë në një trekëndësh, I cili nuk I kalon dimensioned e brinjëve më shumë se 800 metra. 
Lagjet e “përtej Lumit”, vazhdojnë të mbeten si geto, se në to thuajse mungojnë tërësisht investimet, prej “fitores së çlirimtarëve” më 1944.
Ndërtimet në Qendër arritën absurditetin e tyre, me ndërtimin e Kullës Vrojtuese, që është “mëkati” më I madh urbanistiko- arkitekturor, që në krijimin e Korçës dhe që  mund të barazohet vetëm me prishjen e Kishës së Shën Gjergjit më 1968. Për ironi të fatit, të dy objektet në fjaë, janë 50 metra larg (kuptohet me themelet e Shën Gjergjit, sepse asgjë nuk ka mbetur më nga ndërtimi më i mirë i Korçës në shekullin e XX-të).
Edhe disa paragrafe, për Planin e fundit rregullues, të cilin nuk duhet ta paragjykoj se kam pare shkarazi vetëm disa materiale, të cilat lidhen me të.
Pas planit të firmave greke dhe izraelite duket i dyshimtë, hartimi i një Plani të Ri Rregullues, ndonëse besoj se ideatorët janë kujdesur ta justifikojnë ligjërisht me Reformën Territoriale dhe krijimin e e një Bashkie të madhe, e cila ka tani brenda shumë ish-komuna.
Dyshimi shtohet me dhënien e Planit të ri, në duart e një profesionisti arrogant dhe të papërgjegjshëm, arkitetktit australian Pitë Uillsën, bashkëpronari I firmës gjermane të përmendur më lart.
Përshtypja, që kam pasur nga projekti I tij I vitit 2009(projekt fitues I konkursit për Qendrën e Korçës), ka qënë tronditëse. Nuk di se mbi ç’parime urbanistike, ai kishte parashikuar ndërtimin e një “Piramide” tregëtare në vendin ku sot është ngritur Kulla, rafshimin e shkollës  “Themistokli Gërmenji”, ngritjen e disa vëllimeve të mëdha në zonën e qendrës në fqinjësi të Pazarit e gafa të tjera më të vogla, por që flisnin jo vetëm për mosnjohje të Korçës, por edhe për keqformim profesional të tij. Vërejtjet, që shpreha zyrtarisht por edhe privatisht në autoritetet, por edhe në kolegët e mij, morën si përgjigje “po ky ishte projekti më I mirë!”.
E keqja më e madhe ishte se jo vetëm që ai u shpall fitues për atë projekt, por prej 2009-ës e deri më sot I janë dhënë të gjitha projektet e rëndësishme në Korçë, përfshrë këtu edhe Plani i Ri rregullues. Ky arkitekt ose ka gjetur “shesh dhe po bën përshesh” në Shqipëri duke qënë i favorizuar nga Nikoja ose shefi i tij, ose ka diçka më të thellë dhe më të dyshimtë. “Sahati” i tji profesional, nga ato që i kam parë të projektuara(përfshi edhe skicat e dorës) ka mbetur në vitet ‘50-’60 të shekullit të kaluar.
Ndaj, vërejtjet, që kam dëgjuar për ndërtimet e larta në Qendër të parashikuara në Planin e Ri, po I marr të mirëqëna se e di, që ark Uillsën nuk ka as aftësi profesionale mbi mesataren dhe aq më pak ndërgjegje profesionale, për një vend, që me siguri e konsideron të Botës së tretë.
Dhe këtu I rikthehem të gjithë kolegëve, dhe jo vetëm atyre, të lindur e të rritur në Korçë, të cilët heshtin dhe vazhdojnë të heshtin ndaj “masakrimit” të Qytetit tonë, nga lapsi i një profesionisti të dyshimtë.
Dhe kam parasysh edhe autoritete në fushën e projektimit, duke nisur me Piro Thomon, Gjergji Kotmilon, Vladimir Bregun, Andrea Maliqarin, Aleko Papakozmanë, Koço Kaskaviqin e plot të tjerë.
Nëse Korça nuk është më “Qyteti im”, por “i Nikos dhe Pitë Uillsën”, një barrë e rëndë faji është mbi të gjithë ne. 
Korça është nëna, bashkëshortja, motra jonë.
Mos e lini “ta përdhunojnë”!