Friday, 3 February 2017

MAM


Dje mora një mesazh nga një mik i imi me këto fjalë: “Dr. Glozheni po thotë në tv, që Mam ka hyrë në veprat më të mira për 2017”.
Menjëherë më shkoi ndërmend doktori gjinekolog, që bën bebe në epruvetë në Tiranë, por nuk arrija të kuptoja se ç’ne, që një nga mamit e bebeve duhet të hynte në veprat më të mira? E pyeta, se kush ishte Dr. Glozheni dhe mu përgjigj shkurtimisht “Lenci”.
E kuptova, që nuk bëhej fjalë për ndonjë bebe apo Mami të jashtëzakonshme , por për Muzeun e Artit Mesjetar. Diku në shtyp më kishte zënë syri, për një nominim të Muzeut, por nuk e kisha lexuar në hollësi se e di që në shtyp, ja futin shpesh kot.
Lencin, edhe pse më i madh se unë, e kujtoj mirë, që në adoleshencën e tij, kur megjithëse rondokop ishte një atlet i mirë në 200 metra. U gëzova edhe , që në finishin e karrierës së tij ka marrë edhe titullin Doktor, me siguri i Shkencave Filologjike. Duke besuar në fjala e Lencit, i hodha një sy uebsajtit të “Bolles+Wilson”, për të mësuar më shumë rreth nominimit, se ndienja ishte e dyfishtë: Gëzim për këtë vlerësim ndaj Muzeut, por edhe dyshim për shkak se e dija mbi ç’projekt ishte filluar Muzeu që edhe Mikelanxheloja sikur të fuste duart, do e kishte shumë të vështirë ta kthente në një vepër dinjitoze, të denjë për një çmim botëror.
Pashë që nominimi nuk ishte nominim, por një “hyrje” e projektit në konkursin e një webi të arkitekturës të quajtur ArchDaily. Nuk kisha dëgjuar për të, e megjithatë padija ime nuk ja ul vlerën Uebit. Eshtë relativisht I ri(hapur më 2008) dhe njihet kryesisht në Europë dhe Kinë. Praktika e konkursit është e tillë: Firmat e projektimit ose arkitektë të veçantë, paraqesin foto të projekteve të realizuara dhe pas një përzgjedhje të parë (që zakonisht skualifikon vetëm “plehrat”) projektet hyjnë në listën e konkuruesve. Me një fjalë, edhe ark. Lyti nga Kukësi,(Lyti është një i njouri im, që nuk më mërzitet) mund të dërgojë një foto të një vepre të realizuar dhe shanset janë të mëdha për të qënë në listë.
Shembulli më I qartë, është një vepër tjetër që Bolles+Willson ka future këtë vit dhe po ashtu është në listë- Një banesë shumëkatëshe që quhet Kulla Kanellë (Cinnamon Tower) në Hamburg, që kur e sheh, të bën mos vesh kanellë në gojë edhe për 20 vite të tjera.
MAM është vërtet një dhuratë e madhe për Korçën. Edhe pse ka një histori me shumë ulje- ngritje, përplasje dhe prapaskena, premtime dhe dallavera, unë the që korçarët duhet t’I jenë mirënjohës Niko Peleshit, që nuk e lejoji koleksionin të rrëmbehej nga Tirana dhe i siguroi një strehë sado modeste. Ai është një thesar përrallor, që meritonte një Muze të projektuar nga Renzo Piano apo Frank Gehry, por të tilla janë mundësitë tona dhe le të themi që pas 25 vitesh më në fund ikonat shpëtuan nga prishja.
Këto përrallat me “nominime”, të sajuara nëpër zyra, ku duan të justifikojnë angazhimin e tepruar të Pit Uillsën në Korçë, sa shpojnë më shumë historitë, “që mbajnë erë“ në ndërtimet e Qendrës, që prej vitit 2010.
Sa për Dr. Lencin dua të shtoj, që gjithmonë ka rendur dhe është përpjekur për më të mirën në vendet ku ka drejtuar, qoftë shkollë fshati apo një muze si MAM.
Atletët rendin tërë jetën!


No comments:

Post a Comment