Në fund të kësaj fjalie ka edhe një shkelje syri, por duke mos qënë shumë i mësuar me këto “emoxhis” po e le pa një të tillë, por vetëm me pikëçuditëse (shenjë pikësimi kjo që është shumë në modë në Atdhe).
Unë mbetem i pashpresë se nuk kam për të hyrë kurrë në politikë dhe e gjithë shpresa për ca “info më shumë“ ose për “info bio”(edhe kjo pjesëza e fundit ka zëvëndësuar tani “normal” dhe “e papame”), e kam në miqtë e miqve të mij që merren me politikë. Dhe meqë politikat kombëtare janë të ndërthurura edhe me ato ndërkombëtaret, kam shpresë të mësoj më shumë rreth Trampit, Merkelit, Putinit, Erdoganit, Berishës, Ramës, Bashës, Bodes, Blushit, Braçes, Rucit, Dades, Dudit, Didit dhe Xhaçkës.
Për shembull, krejt rastësisht, nga një shofer vlonjat i autobuzit të linjës Nju Jork-Baffalo mësova se luftën në Irak e kishin filluar Bushi, Dik Ceni dhe Ramsfeld për të fituar 6 miliard dollarë, të cilat i ndanë mes tyre. Kur e pyeta, nëse i ndanë në mënyrë të barabartë, më tha që i “mbrendshmi” deri më kaq i kishte thënë.
Nga politika shqiptare mund të mësosh edhe më shumë, se jemi vend i vogël dhe kemi shumë shokë e kushërinj, që kanë shumë shokë e kushërinj të tyre, në vende pune që lidhen me shokë e kushërinj të atyre që janë në politikë e që kanë, “goxha info më shumë“.
Po të kisha ndonjë shok ose kushëri të tillë, unë do hiqja dorë përfundimisht nga leximi i gazetave dhe portaleve, se ato jo vetëm, që dizinformojnë sipas interesave, por zakonisht të nesërmen përgënjeshtrojnë atë , që do thonë të pasnesërmen. Nuk ju ze dot besë!
Unë ju zura besë për sondazhet e zgjedhjeve në Amerikë dhe rrashë brenda kokë e këmbë!
Po të kisha dëgjuar një shokun tim, të cilit i kishte thënë i kushëriri, se një shoqe e tij në Tiranë, e cila megjithëse ka një surrat prej shitëseje metrazhi, është në politikë dhe kishte “ca info nga brenda që fitonte Trampi”, jo vetëm që do kisha shkruar javë më parë në blog për fitoren e tij, por mund të konsiderohesha edhe si Naumdamus.
Kur je në politikë ose ke ndonjë “të brendshëm fare”, merr edhe nga ato “infot pikante”, se kush shkon me këtë e atë, cili politikan është “gej i mçeft” dhe cili hiqet si homoseksual edhe pse nuk është, kë ka lënë shtatzënë kryetari i partisë “Lumi” ose pse nuk mban tanga kryetarja e partisë “Lugina”, pse nuk pjell e shoqja e sekretarit të partisë “Mullari” ose në ka vënë cazë silikon në kraharor deputetja e partisë liberale “Brazda”. Dikujt këto mund t’i duken si të parëndësishme para programeve të partive, por nëse politikanëve ju njeh jo vetëm dhëmbë e dhëmballë, por ju di edhe “bojën e brekëve” atëhere je Mbret I Informacionit. Dhe informacioni në këtë shekull është pushtet më tepër se kurrë.
Tërë kjo javë më iku pa asnjë “info” të re.
Mësova vetëm që Tik Llalla e ka mbaruar të mesmen natën.
Po se mos e ndritëm ne që e mbaruam ditën!
No comments:
Post a Comment