Sunday, 5 February 2017

Reflektim në largimin e Dritëroit

Ditëroi u largua si zotni. Ishte i tillë edhe kur pinte, tregonin ata, që shtroheshin me të dhe bisedonin gjatë. Nuk mërzitej. I donte njerëzit dhe e donin.
Nuk e kam takuar kurrë. Dy herë që kishte ardhur në shtëpi, një herë për 60 vjetorin e babait dhe një herë tjetër për të ngushëlluar për ikjen e tij, nuk kam qënë në shtëpi. 
Kam lexuar pothuajse të gjitha vargjet e tij, të krijuara para vitit ’90, por në prozë, vetëm Zylon dhe ndonjë tregim. Gjithmonë e kam konsideruar poet edhe pse si të tillë, kam pëlqyer më shumë Kadarenë.
Një herë, kur bënte në teatrin“Cajupi” një takim me zgjedhësit(ishte deputet i zonës ku jetonim ne), kam recituar “Krevatin e Perandorit”sepse më kishin vënë ta recitoja dhe jo se kisha shumë dëshirë. Isha në prag të adoleshencës dhe kishte filluar të më vinte turp të dilja në skenë.
Më pëlqenin disa nga poezitë e tij, ndonëse, në atë kohë pëlqeja shumë Majakovskin, që kishte forcë të ndryshme dhe varg shumë të ndryshëm nga Dritëroi. “Nënë Shqipëri”, më dukej në më të shumtën e saj, si një histori e PPSH-së e vargëzuar.
Dritëroin e kanë dashur thuajse të gjithë. Ka qënë vërtet njeri i populllit dhe që jepte dashuri. Ndryshe, vetëm me propagandaën e Partisë së Punës, nuk ka se si të spjegohet popullariteti i tij i pazaknshëm. Ishte shqiptar në palcë dhe një lloj shqiptari nga ata të mirët e Rilindjes Kombëtare. I mençur dhe i butë. Dëgjues i shkëlqyer i rrëfimeve të të tjerëve. Të ishin akademikë të letrave apo devollinj kokëtrashë. Cilësi e rrallë kjo për njerëzit e shquar.
Pesë, vjet më parë, ndoshta në 80-vjetorin e tij, mora shkas për një shkrim të gjatë rrith dritë-hijeve të Dritëroit, kryesisht filozofisë së tij për “të bërë mirë“. E bëra për rrethin e ngushtë të miqve tim dhe e vura në blog të titulluar “Sa burrë i mirë, ky Drejtor Agolli!” (Drejtor Agolli, ishte një “shpikje” e PeçI Bajamkës, i cili i kishte miq të gjithë njerëzit e rëndësishëm dhe shumicës ja u thoshte emrat sipas mendjes së tij të turbullt.)
Më vjen shumë keq që iku dhe akoma më keq, që nuk do kem kurrë rastin ta dëgjoj në një bisedë.
Ta gjej në rrjeshtat e librave të tij?
Kjo është poezi për Sadijen dhe jo për lexuesit.
Ndonjëherë, mund të më marrë malli të rilexoj Zylon.
Tani, që jam duke shkruar këto rrjeshta mbase janë nisur për ta mbuluar.
Dheu të qoftë i lehtë Dritëro!


No comments:

Post a Comment