Thursday, 9 February 2017

Antiamerikanizmi i Lubonjës


“Antiamerikanizmi” nuk është një “sëmundje” ideologjike apo politike, si të themi “antisemitizmi”, “populizmi”, “radikalizmi”, apo më keq akoma, “shovinizmi”, “fashizmi”, “komunizmi” etj.
Eshtë një qëndrim, që varion nga kundërshtimi i politikave dominuese amerikane në botë, e deri në mohimin e çdo vlere të shoqërisë amerikane. Eshtë i njohur në rrethet intelektuale europiane dhe sidomos në Francë, sikundër përmendet jo rrallë nga filozofi francez Bernar Henri Levi. Rrënjët janë të vjetra dhe dukuria është shumë komplekse dhe jo krejtësisht negative, por ekziston. Dhe gjithkush, edhe në Shqipëri ka të drejtë të jetë edhe antiamerikan.
Konstatimi im për Fatos Lubonjën vjen nga disa qëndrime të përsëritura të tij, por sidomos nga sulmet e 10 muajve të fundit ndaj ambasadorit Lu dhe rolit të tij në vënien në lëvizje të mekanizmit të ndryshkur shtetëror shqiptar për të miratuar Reformën në Drejtësi. Zoti më ruajt, nuk dua të tingëllojë sikur po e ve analistin Lubonja të dëshmojë para komisionit për veprimtari antiamerikane të kohës së MeKarthit, por mendoj se antiamerikanizmi i tij, qoftë edhe beninj, i turbullon gjykimin për çështjen e Reformës. Në fund të fundit është më mirë për ta quajtur pak antiamerikan se sa t’a akuzoj se është në një front dhe ka të njëjtat qëllime si “krokodilët”, që nuk e duan reformën në fjalë. 
Ka kohë, që Lubonja jo vetëm shpreh hapur dyshimin e tij për motivet e ambasadorëve për Reformën, për qëllimet që do të arrijë dhe vënien në jetë të saj, por e ka paraqitur, sikur Rama “i ka futur në thes ambasadorët” dhe po mundohet “të kapë“ pushtetin ligjor, i cili deri tani është “i kapur” nga Berisha.
E vetmja e vërtetë në supozim-dyshimet e Lubonjës, është që motivi I Ramës nuk është Ndërtimi I një Pushtetit Gjyqësor të pavarur, por shkëputjen e tij nga kthetrat e Berishës, për të mos qënë as në duart e kundërshtarëve të tij. Por edhe s’kemi të bëjmë me idealizëm, ky motiv i Ramës është për tu përshëndetur, sepse është në interesin e publikut.
Argumenti tjetër i Lubonjës i para disa muajve, ishte vënia në dyshim e sinqeritetit të Lu-së për Reformën në Drejtësi, pasi ai ka heshtur rreth kanabizimit të Shqipërisë, që për Lubonjën është një problem edhe më I madh se Reforma në Drejtësi. Meqënëse për këtë janë përgjegjës Rama dhe Tahiri, sipas Lubonjës, heshtja e ambasadorit e bën edhe këtë të fundit në mos bashkëfajtor, “të kapur”.
Ka një logjikë, në përpjekjet e ambasadorit amerikan(do i quaja titanike) për miratimin e Reformës në Drejtësi. Ka qënë objektivi kryesor I punës së tij dhe jo pak “I kanë bërë zbor” politikanët shqiptarë të të gjithë krahëve. As “zbori”, që ju bë austriakut Vranicki më 1997 nu ka të krahasuar me atë, që ju bë Donald Lu-së kryesisht nga Berisha, Basha, Meta dhe Llalla gjatë verës së kaluar. Thënie dhe kundërthënie, drafte mbi drafte, përpjekje për konsensus dhe mosdhënie të votave, premtime për kompromis dhe kërcënime me rrëzim qeverie etj etj, që Lubonja i di fort mirë. Sigurisht që ambasadorit nuk i pëlqen kanabizimi, por energjitë jo vetëm kanë një kufi por ka edhe një taktikë për realizmin e qëllimit kryesor. Dhe duke përdorur metaforën e “peshqve dhe peshkaqenëve” të Lubonjës, me reformën në Drejtësi, Luja po krijon edhe një rrjetë të saktë për të kapur edhe ‘kanabistat”. Me rrjetën e kalbur të Drejtësisë së sotme, nga e cila kanë shpëtuar “peshq dhe peshkaqenë“ duke nisur me Lul Berishën e duke përfunduar në Fullani dhe Meta, nuk mund të kapen as ata që kanabizuan Shqipërinë në këto 20 vjet.
Analisti Lubonja, akuzon Donald Lu-në jo vetëm për “futje të hundëve” me të tepërt në punët e shtetit shqiptar, por edhe për arrogancë në revokimin e vizave duke krahasuar me arrogancën e Tramp-it. Krahasimi jo vetëm që çalon, sepse nuk po i ndalohen vizat një kategorie njerëzish, por Donald Lu as nuk po tejkalon kompetencat e tij. Në rregullat e Departamentit të Shtetit, jo vetëm ambasadori dhe konsulli kanë të drejtë të mosjapin apo të refokojnë vizat, por edhe oficerët e thjeshtë të kufirit, kur konstatojnë se njeriu, i cili kërkon ose ka marrë vizë mund të përbëjë rrezik për SHBA, ose thjesht mund të zhvillojë veprimtar të paligjshme ose edhe vetëm të qëndrojë në Amerikë për të punuar ose duke kërkuar azil politik.
Në një kohë, kur për shkak të Vetingut, shumë prokurorë dhe gjykatës mund të mbeten pa punë, nuk është e çuditshme, që të përdorin vizat amerikane për të ndenjur në Amerikë si të përndjekur, ose për të shijuar lekët e fituara me mund dhe pa mund. Kjo “arrogancë“ e shërbimit konsullor amerikan duhet duartrokitur.
I fundit dhe më i rrezikshmi është konkluzion-parashikimi I Lubonjës se Reforma në Drejtësi do shkaktojë padrejtësi më të mëdha.
Pyetja e parë që më shkon në mend është: Mund të ketë një drejtësi më keq se kaq?!
Le të themi se Reforma nuk mund të bëjë mrekullira, se çdo lloj reforme do jo vetëm kohë të zbatohet, por edhe ndryshime në kulturën e të gjithë popullit, që është detyruar dhe mësuar ta blejë Të drejtën.
Porn jë mrekulli e ka bërë që tani dhe që syzet e antiamerikanizmit nuk e lenë Lubonjën ta shohë.
Ju ka hyrë lepuri në bark jo vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve por edhe politikanëve të të gjitha ngjyrave.
I dashur Lu-bonja, bon’ mir t’i kërkosh të falur dhe t’i heqësh kapelen Lu-së!






No comments:

Post a Comment