Tuesday, 6 January 2015

3016 km nen rrena (kreu XVI)

Kreu i gjashtëmbëdhjetë,
ku tregohet
për krizën e miellit në Bredhishtë

           


            Naimi i zbriti ngadalë shkallët pak pas orës 6 të të mëngjesit, me shpresën e patundur të mos e takonte Qani Zekën, që mund të kishte kuptuar se ç'ndodhi në disa çaste hutimi, gjatë mbrëmjes, dhomën dyqindedyh. Për fat të keq, Zeka nuk kishte ikur në shtëpi, por po pinte në barin e vogël të Hollit rrumbullak, jo shumë larg kompleksit skulpturor kaubojs të çiftit Voloreka.
            -Hajde këtu klient Hana- i thirri me një ton gjysëm urdhërues. Naimi nxitoi drejt tavolinës të ishushtarakut dhe priti tjetrin ta urdhëronte të ulej. Prej viteve të së mesmes, atij i kishte mbetur një frikë e paspjegueshme prej njerëzve autoritarë të ulur prapa një tavoline. Qaniu i bëri me kokë të ulej dhe mjeku veproi menjëherë, duke përsëritur si pas një urdhri ushtarak veprimin e uljes të ndarë në kohë e në lëvizje. Në fillim shtyu prapa prapanicat dhe u përkul pak, më pas me dorën e djathtë tërhoqi ndenjësen dhe me një lëvizje harkore e shpuri prapa kurrizit dhe kur çdo gjë ishte në një vijë, tamam si në komandën "rrafsho shqekëzën me thepin e fundin e tabelës", ai lejoi që trupi i tij të çvendosej vertikalisht rreth 60 cm dhe tulet e tij, të dobësuara gjatë dy javëve të fundit, të qetësoheshin pas tundjes mbi lëkurën e ndenjëses fron të Barit të Grand Hotelit Voloreka. E gjitha kishte marë disa fraksione sekonde, por Qaniu i kishte dalluar që veprimet e ndara qartë, përputheshin me rregulloren ushtarake dhe pikerisht me nenet, që parashikonin uljen e nënoficerëve. Naimi po priste i trembur të dëgjonte se çdo i theshte për zonjushën fare pak të njohur, që kishte hyrë vrullshëm në dhomën dyqindedyh dhe kishte bërë të pabërën. Për çudi, Qani Zeka, i cili ishte bredhishtar dhe jo nga Peja, si i famshmi patriot Haxhi Zeka, filloi shtruar t'ja sillte rrotull e rrotull muhabetin.
            -Ke qënë këto kohët e fundit në Klocë?
            -Jo. Pse ç'ka ndodhur ne Klocë?- u zbeh Naimi duke menduar kushëririn Vasfi me depresion të shkaktuar nga shkatërrimet.
            - Qetësohu klient Hana. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Klocë. Vetëm se ngjarje të caktuara në rrethinat e Klocës, kanë ndikuar në mbarëvajtjen e kordonit mbrojtës të Bredhishtës.
            -Ngjarje të caktuara? Sa të caktuara? Kordoni mbrojtës? Eshtë mirë Vasfiu?- lëshoi një breshërimë pyetjesh, që e lanë pa frymëmarje të rregullt Naimi.
            -Qetësohu klient Hana-thirri ishushtaraku Zeka- Vasfiu është mirë e bukur, po ka mbledhur tërë miellin e tregëtarëve dhe rrezikohet të mbetet Bredhishta pa bukë. Kupton rëndësinë e situatës ti, klient Hana?
            -Si pa bukë?- hapi sytë i habitur Naimi- ndoshta e ka bërë nga depresioni. ka qënë shumë i sëmurë, që kur pa apartamentin tim të shkatërruar.
            -Po e përsëris qetësohu klient Hana-tha me zë të lartë këtë rradhë Qani Zeka dhe u ngrit më këmbë i indinjuar. -Po përhap panik! Vasfiu nuk është me depresion dhe ti nëse do të marësh lejen e ndërtimit duhet të na gjesh menjëherë dyh deri katër thasë me miell. E mbaron këtë punë e lejes Vërushja.
            -Kush është Vërushja?
            -Po Rushja o, e Urbanistikës dhe Turizmit në Bashki. Shefja. Numuri njih. E mbaron ajo atë punë se më tha vetë i shoqi. E kisha kapter në brigadë, e tani ka një shitore "Brumëra e Breshore" karshi me shkollën jopublike.
            -Po ç'e do me kaq urgjencë miellin i shoqi i Vërushes?
            -Duhet për nesër, që pagdhirë klient Hana. Po qe se nuk ka pica dhe byreçka në Drini në orën e pushimit të madh, tërë fëmijët e "Diturisë rrethore" do blenë sanduiçe dhe hamburger në Arditi përballë. Po qe se hamburgeret dhe sanduiçet e Arditit do ju pëlqejnë më shumë se picat e byreçkat e Drinit fëmijëve, nuk garanton njeri se nuk do blenë atje edhe të mërkurë, të enjte e të premte, si dhe të hënë se e shtuna dhe e djela janë pushim. Dhe nëse për një javë të tërë fëmijët do mësohen me prodhimet, që nuk shiten në Drini do harrojnë shijen e brumërave dhe breshoreve të Drinit. Katastrofë për Drinin dhe Rushen.  Kupton apo jo?- thirri me zë të lartë Qani Zeka dhe Naimi pa ç’pa, doli nga hoteli me vrap drejt Klocës. S'ishte më shumë se 6 km nga Bredhishta. 3 kilometrat e para i bëri me ritmin, që kishte mësuar për nisjet nga Kol Memeli dhe në pjesën e dytë i dha forcë e arriti duke gulçuar para shtëpisë të kushos Vasfi. Shtëpia dukej e re, e lyer dhe me tjegulla të ndruara dhe në vend të ashefit të vjetër ishte ngritur një kapanon i vogël. Në dera e kapanonit ishte një kamion i madh i mbuluar, nga ku Vasfiu po shkarkonte thasë me miell e i fuste brenda.
            -Do ndihmë o kusho?
            -Po ti Naim nga mbive?- pyeti Vasfiu duke e fshehur gëzimin.
            -Erdha të shikoj ç'po bën me tërë atë miell që ke bllokuar- u përgjigj mjeku dhe e ndoqi pas Vasfiun duke i mbajtur thesin nga pas. Brenda magazinës, mbi një tavolinë të madhe, Themija po tëhollte petë, ndërsa në një tjetër tavolinë gjigande ishin nderë dhjetra petë të sapotëhollura. Kishte edhe shumë thasë me miell, mbi njëri tjetrin dhe një pah i bardhë nderej në ajër.
            -U Naim shyqyr që të lëshuan!- thirri e gëzuar Themija dhe filloi të fshinte duart për t'ju hedhur në qafë.
            -Vazhdo me petët e petanikut ti se ka kohë t'i hidhesh në qafë Naimit.
            -Po sikur të bënja dhe një pushim e të çmalleshim me kushëririn.
-Mbylle gojën dhe jepi okllaisë! Duhen edhe dyzet petë të tjera për gjysëm ore.
            -Po dale o Vasfi, ç’bën keshtu se e mbarove!-u mundua ta përmbajë Naimi.
            -Lemë kusho! S’kemi me se luftojmë tjetër. S’na ndihmon njeri. Vetëm petanikët kemi. Kam dy djem që s’më mësojnë e dua t’i studioj si ç’bëjnë tërë dynjaja.
            -Po mirë o studioji, po jo kështu se ja more shpirtin
            -Nuk vdes ajo jo, më parë do vdes unë që ngarkoj e shkarkoj thasët me miell-tha me nxitim Vasfiu dhe doli për të marrë një thes tjetër.
            Naimi ju afrua Themijes që i rridhnin djersët çurk mbi petët dhe e pyeti me zë të ulët:
            -Po ku do i studioni djemtë?
            -Altinit i thotë të bëhesh doktor si Naimi, kurse Bledit, të bëhet enciklopedist si Samiu.
            -Cili Sami?
            -Sami Frashëri.
            -Lere atë të punojë kusho dhe pyetmë mua përse të duash- tha duke hyrë Vasfiu dhe lëshoi përdhe thesin një kuintalësh. Naimi nuk dinte nga ta fillonte, nga kriza e miellit që kishte krijuar ne Bredhishtë, petanikët e panumurt apo për shkollat e fëmijëve.
            -Dëgjo Vasfi- nisi të fliste shtruar Naimi- ke shumë të drejtë për çështjen e shkollimit të fëmijëve… po me sa shikoj edhe në Amerikë, rëndësi ka fëmijët të bëjnë atë punë, që ju pëlqen…
            -S’është Amerikë këtu o kusho. Këtu duhet diplloma, duhet masteri, duhet titulli të zesh punë të mirë e të bësh para.- thirri Vasfiu dhe vazhdoi- E di ti që po u bë Altini doktor, kjo derdimenia le që s’do bëjë më petanikë e byrekë, po do ketë edhe dy shërbëtorka t’i fërkojnë damarët e qafës.
            -Mirë o kushëri, mirë e ke menduar, po mbase djali s’do të bëhet doktor.
            -Ore ai do bëhet doktor, siç je bërë zotrote dhe bile gjinekollog si ke qënë ti. Që kur ke ikur, s’ka gjinekollog këtu dhe gratë pjellin ku të mundin. Do dalin harxhet e tërë petanikëve në një muaj!
            -Po duhen edhe 7-8 vjet të bëhet siç e do ti. Deri atehere, kështu, me petanikë do vazhdoni?
            -C’të bëjmë? Di ndonjë zgjidhje ti? Na dërgon dot ca dollarë t’i japim e ta nxjerrim doktor? Hë…?- i kishte ngulur sytë Vasfi Kloca i kënaqur, që ja kishte mbyllur gojën.
            -Po gjeni ndonjë mënyrë tjetër…mbase me petë të gatshme, se kështu u shkatërruat.
            -Nuk i pëlqejnë me petë të gatshme. Vetëm Themija di të bëjë thonë-tha me një ton paqësor Vasfiu dhe filloi të hidhte miell në govatën e drunjtë.
            Naimi nuk dinte ç’të shtonte dhe pasi ja hodhi edhe njëherë sytë Themijes që vazhdonte në mënyrë marramendëse të hollonte petët, mori të largohej, po u ndal dhe ju drejtua të dyve:
            -Po mbase ju del më mirë të hapni një dyqan në Bredhishtë dhe t'i shisni petanikët? Edhe shtëpinë e mbani dhe fëmijët i studioni.
            Në dhomë ra një heshtje e thellë, bile edhe Themija ndali hollimin dhe të dy i hodhën shikime plot keqardhje Naim Hanës. Duket druheshin t’i theshin se sa budalla ishte. Vasfiu ju afrua, shkundi duart nga mielli dhe i hodhi dorën në qafë duke i thënë me një zë të shtruar:
            -Dëgjo o kusho.Ti vërtet u bëre më me shkollë nga tërë soji tonë, po ca gjëra asnjëherë s’i ke kuptuar.-heshti një hop dhe vazhdoi- Në Bredhishtë nuk të ble njeri petanikë. I bëjnë në shtëpi. Edhe dy byrektore, që janë hapur pranë shkollave I kanë ata , që punojnë në Bashki. Këto që nxjerr ime shoqe nga duart janë për Tiranën, për Bimin e Koka Kolës, që do dy herë në javë të hajë petanik me pulë, si ata që bëheshin qëmoti në Bredhishtë. Dhe ne s’mund të dërgojmë vetëm një për Bimin, se duhet për Olsin e Bimit, që është martuar taze, për baxhanakun e Bimit në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vjehrrin e Bimit, që po shkruan kujtimet dhe për nja pesë a gjashtë bodigardë, që i mban gjithnjë me vete. Ja përse cfilitemi unë me Themijen. Ja pse nuk mund t’ja lejojmë vetes të mbetemi asnjë ditë të vetme pa miell.
            -Kush është Bimi i Koka-Kolës?

            -Djali i hallës, që ishte në Xhorxhia- tha butë, por me mburrje Themija- është i madhi i Koka-Kolës për tërë Ballkanin.- dhe u bashkua me vështrimin e Vasfiut, që binte krenar mbi fytyrën e habitur të Naim Hanës. Mbetën disa çaste duke parë njeri tjetrin e Naimi pasi i hodhi një sy numurit të kilometrave të ajfonit në krah, u përshëndosh dhe u nis për në Bredhishtë. Nuk kishte më shpresë për të marë lejen e ndërtimit. Le të mbetej edhe Drini me Vërushen pa miell për ca ditë!

Monday, 5 January 2015

3016 km nen rrena (nderkrerese mes XV e XVI)

Ndërkrerëse
midis krerëve pesërmbëdhjetë e gjashtëmbëdhjetë





            -C'efekte anësore kishte medikamenti?- pyeti pa të keq Qani Zeka, kur pa të zbriste në hollin e rrumbullt Adelina Havani, me syzet e trasha dhe flokët e shpupurisur. Pyetja mbeti pa përgjigje, se mbi kokën e ishushtarakut dhe ishkambistit, u lëshua me forcë çanta e dorës e farmacistes, nga e cila, pas goditjes, ranë mbi mermer, letra drejtuar Naim Hanës dhe dy trojanët e papërdorur. Kur ishnëndrejtori ushtarak, i mirënjohur për Marshimin e Madh mbi Bredhishtë u kujtua të reagonte sipas parimeve të artit ushtarak, "mbrohu ditën e sulmo natën", dera e xhamtë e hollit ishte mbyllur dhe ai ndodhej vetëm dhe i demoralizuar. Nuk kishte kuptuar arsyen e sulmit të beftë.

3016 km nen rrena (kreu XV)

Kreu i pesërmbëdhjetë,
ku tregohet se si
Naimi tradhëton Artemisin.



            Farmacistja Adelina Havani mbante syze të trasha. Mbante syze të trasha dhe kishte belin e hollë. Kishte belin e hollë, por hiqte pak njërën këmbë. Hiqte pak njërën këmbë, po i pëlqente të flirtonte. Dhe nga flirtimi as kishte humbur e as kishte fituar gjë. Shiste me të njëjtin ritëm ilaçe të skaduara për pensionistët, e kur mbaroheshin ato shiste të mira. Kjo e fundit ndodhte rrallë, se furnizuesi i saj nga kryeqyteti, që rastësisht ishte tregëtari Jorgo Gurgullima, që të gjithë e njihnin si Gogo, përveç sekretares së tij që e thërriste me përkëdheli Gugu, sillte menjëherë të skaduara të tjera. Adelina me syze të trasha kishte patur një histori dymujore me Fikon, një më të gjatë me disa nisje e bitisje me Gogon, një disajavore me Rako Pilafin dhe një që i kishte habitur të gjithë, me Aferim Dollibashin. Nga ky nuk ishte ndarë ende, sepse e konsideronte si shpirt të lirë dhe mashkullin, që pëshpëriste gjatë dashurisë fjalët e ndyra, më bukur nga të gjithë meshkujt e tjerë.
            Nuk dihet përse, futja në burg e Naim Hanës e kishte tronditur pjesërisht qenien e saj dhe dëmet më të mëdha i kishte pasur në belin e hollë, që i dhembte shumë edhe pse nuk ishte përsëritja e ciklit të plotë hënor. Mjeku i kishte lënë një përshtypje të pashlyeshme gjatë takimit për të kundërshtuar kishën katolike, me hezitimin e tij për të dhënë një përgjigje të saktë, gjë që ajo e konsideronte shumë seksi tek meshkujt. Priste gjithë qejf ta takonte krejt rastësisht në një nga vrapimet e tij të shpeshta në natyrë edhe pse vetë për arsye, që kuptohen qartë nuk i pëlqente vrapimet.  Për arrestimin nuk kishte mësuar deri ditën e hënë pas mitingut të madh përpara bashkisë, sepse fundjavat i kalonte gjithnjë në kryeqytet, jeta e natës të së cilit e manjetizonte sa herë shkonte. Kishte menduar e tmerruar, se një mjek që bën vrapime të gjata dhe jeton në Amerikë, po qe se përfundon në një burg shqiptar mund të kthehet menjëherë në një homoseksual, si gjithë ata, që i dashuri i saj Dollibashi, i quante "shokët e shoshones". Kishte shkruar shpejt e shpejt një letër flirtuese, plot pasion dhe këshilla profesionale dhe kishte bashkëngjitur edhe katër mbrojtës shtatzanie dhe ja kishte dhënë Vero Shandorfit t'ja shpinte Naimit bashkë me 20 Euro. Shandorfi i kishte kthyer letrën dhe mbrojtësit, por jo eurot dhe i kishte thënë, që mjekun Hana e kishin liruar pasditen e të hënës. Ju deshën disa telefonata dhe së fundi, Adelina belhollë, kishte mësuar se Naimi ndodhej në dhomën 202 të hotelit të Verorit. E vendosur u nis të takohej vetë me gjinekologun e njohur të Bredhishtes, të cilin e kishte takuar njëherë të vetme, para se ai të bëhej ikanak. Trilli i atij takimi me të larguarin prej 6 vitesh dhe me disa ditë qëndrimi në qeli e mishngjethte.
            Ndërkohë që Naim Hana bënte vrapimin përgatitës për marathonën e Bostonit brenda dhomës dyqindedyh, Adelina Havani ishte futur në hollin e rrumbullt të Hotelit të Verorit dhe po i fliste me përkëdheli Qani Xegës.
            -Qaniii- qëllimisht i rëndonte i-së në vend të a-së - Sa simpatik je edhe pa uniformë. Më kujtohet kur isha në klasë të shtatë, që gjithë gjimnazistet çmendeshin për ty Qaniiii...ndoshta edhe pse të fillon emri me qëëëë- dhe zgjati buzët para farmacistja me syze të trasha. Qaniu u gëlltit dy tre herë dhe kujtoi kohët e arta, kur komandonte 600 nxënës të gjimnazit në marshimin e madh mbi Bredhishtë. Në atë kohë s'i shkonte mendja në gjimnazistet, por e dinte, që i veshur me uniformën e tij të marshimit, të sapoardhur nga Kina e Hua-Kuo Fenit, dukej elegant, trim dhe i vendosur.
            -Faleminderit doktoreshë. Si mund të të ndihmoj?
            -Ti e njeh doktor Hanën apo jo?- rrotulloi sytë me përkëdhelii pas syzeve të trasha Adelina.- Eshtë mik i vjetër i familjes. Më vjen shumë keq për atë, që i ndodhi dhe i kam sjellë disa qetësuesa. Të ngjitem t'ja shpie?
            -...hmmmm...po Verori ka qënë shumë i prerë në urdhrat e tij, që mos lejohet asnjë i huaj në dhomat e klientëve- tha prerë por edhe me një nuancë shumë të lehtë zbutjeje Qaniu, nuancë që nuk i shpëtoi farmacistes.- M'i jep mua medikamentet t'ja shpie.
            -Sigurisht që t'i jap Qaniiiii- u përkëdhel sërish Adelina belhollë dhe i dha një lëkundje joshëse vitheve të saj të kolme-...po është një rast shumë delikat dhe medikament jo shumë i njohur. Ka vetëm 6 muaj , që ka hyrë në tregun europian ndaj më duhet t'ja spjegoj vetë pacientit përdorimin dhe efektet anësore...Të ngjitem vetëm për pesë minutaaaaa?
            Qaniu, i turbulluar nga tundjet e zonjushes Havani, por edhe me ndienjën e fortë të detyrës, e cila nuk i lejonte të shkelte urdhrat e prera të Veror Volorekës, hezitoi disa çaste, por kujtimet e Marshimit të Madh të drejtuar me aq profesionalizëm, i kujtuan që ai mund të vendoste vetë për fate njerëzish, ndaj i tha:
            -Mirë. Dhoma dyqindedyh. Vetëm 5 minuta- dhe tregoi me dorë shkallët. Më pas ndoqi me vëmendje ngjitjen e shpejtë të farmacistes, vithet e të cilës tundeshin edhe më shumë nëpër shkallaret, për shkak të lartësisë jo të njëjtë të këmbëve të saj.
            Naimi sa kishte mbaruar dushin pas vrapimeve midis shtretërve të dhomës dhe po mendonte nëse duhej të shtrihej apo të shihte ndonjë film, kur trokiti dera lehtë. U tremb. Nuk priste njeri.
            -Kush është?
            -Hape Naiiiim-u dëgjua një zë melodioz pa derës. Ai e hapi dhe gruaja, të cilën e kishte parë të fliste në mbledhjen kundër ndërtimit të kishës, hyri pa shumë droje në dhomën e tij.
            -Sa e kam pritur këtë çast- doli nga buzët e tejlyera të saj dhe ai mbeti akoma më i habitur dhe harroi që rrobëbanja nuk ishte plotësisht e mbyllur në pjesën e poshtme. Kur u kujtua ishte tepër vonë. Me një  lëvizje të beftë, prej karatisteje të sprovuar, Adelina e kishte kapur mjekun papritur në pjesën e zgjatur të fundbarkut dhe me dorën tjetër e kishte shtyrë lehtë në kraharor dhe të dy ishin horizontalisht të bashkuar mbi shtratin pranë dritares. Naimi nuk pati kohë të reagonte dhe të kërkonte kohë për dialog apo një flirtim më të zgjatur, se Adelina që hiqte pak këmbën e djathtë, kishte hequr edhe  syzet dhe kishte vënë menjëherë një mbrojtës trojan tek mjeku. Pastaj gjithshka rrodhi rrufeshëm. Nuk kishte asgjë të ngjashme me filmat e rëndomtë porno, por edhe poezi erotike nuk mund ta quaje atë nënshtrim të plotë të gjinekologut. Thua se objekti i punës së tij shumëvjeçare në Bredhishtë e kishte vënë përfund. Ai mendoi për Artemisin në Karolinën e largët të Veriut dhe nuk ju përgjigj në kohë farmacistes, që kërkonte të dëgjonte fjalë të pista prej gojës së lirë të mjekut.
            - Shpejt, shpejt uh...doktor thuaj...uh diçka seksiiiiii- thërriste mes ofshamash Adelina Havani. Ai i skuqur, donte t'i thoshte, që as me të shoqen nuk përdorte fjalë të ndyra, nuk ishte mësuar me të tilla gjëra, e kishte të vështirë, për më tepër kishte qënë gjinekolog dhe më të shumtat i dinte latinisht, por e dinte që ishte e kotë dhe shqiptoi:
            -Dolores...Dolores...
            -oh...uhhh...dolores doloressss...- përsëriste Havani, pa kuptuar se c'lloj pisllëku kishte në ato tre rrokje...- tjetër...uh uh....tjetër...më të ndyrëë...uh uh ...dolores doloressss- thirri farmacistja duke u tundur vertikalisht. Naimi vrau mendjen të gjente diçka tjetër seksi dhe të fëlliqur aq sa mund t'i lejonte vetes të theshte, por përsëri i vinin vetëm emra nga Sajnfeld dhe shqiptoi me ton pak më të lartë:
            - Mallva...oh oh...mallva...
            - O shpirt kjo po...oh uh...mallva oh mallva....uh c'domethënë ...uhhhh ... mallvaaaah
Naimi nuk pati kohë të spjegonte se ishte thjesht një emër femre e se edhe ai vetë nuk ja dinte emrin belhollës, që i kishte hypur dhe po tundej pa kriter mbi organin e tij mashkullor të mbrojtur nga një trojan, që nuk e kishte vendosur vetë, por nga muri ngjitur u dëgjuan trokitje të forta. U tremb, por tashmë dhe ai ishte përfshirë në lojën erotike e nuk mund ta shtynte farmacisten pa syze. Ajo vetë, me sytë e mbyllur dhe mjekrën e ngritur lart thirri:
            -Vengo, vengo, vengoooooo...- si kujtim i netëve me një tregëtar italian të bimëve mjekësore dhe gjithshka mbaroi papritur. Pjesa e sipërme e Havanit u përplas me forcë mbi gjoksin e Hanës dhe njomi qimzat e gjoksit të tij me një djersë jo shumë erëkandë. Mjeku ndjeu që dhe tek ai gjithshka ishte zbutur e lëshuar dhe psherëtiu thellë. "Oh Artemis të dish se ç'bëra sot!" mendoi me një ndienjë të rëndë faji, duke mos menduar që teknikisht, ajo c'ka ndodhi, a mund të kualifikohej për në kategorinë "përdhunim". Ishte e kotë. C'ishte munduar të shmangte gjatë gjithë viteve, që kur ishte dashuruar me të shoqen, ishte zhbërë tani. Ai ishte njëlloj si të gjithë meshkujt e tjerë të pabesë, merakë, gënjeshtarë dhe fajtorë.
            -Që kur kishe filluar të ndjenje për mua?- e pyeti farmacistja, që e hiqte pak këmbën e djathtë të vendosur tani mes shalëve të mjekut.

            - Ikë se mos të të ndroj dinë me soj e sorrollop! - shau për herë të parë Hana gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit në Bredhishtë  dhe e shtyu Adelinën e shkretë, e cila ra pa shumë elegancë në dyshemenë e dhomës dyqind e dyh.

Sunday, 4 January 2015

3016 km nen rrena (kreu XIV)

Kreu i katërmbëdhjetë
ku tregohet që
Fiko Fufulina
kthehet nga Turqia.



            Më në fund Refik Fufulina dhe shpura e tij prej dymbëdhjetë personalitetesh, të cilës I ishin bashkëngjitur edhe dymbëdhjetë gazetarë, arritën në Bredhishtë, pasi kishin udhëtuar me autobuzin e "Gogotravel" dhe Makinën me Veçori Sportive të Fikos, për dymbëdhjetë orë pa ndërprerje nga Erdeku i provincës Balikeshir të Turqisë, ku nuk përfshiheshin dy orë me "Mace deti", që kishin bërë nga Jenikapi deri në Bandërma. Të gjithë ishin të dërmuar nga udhëtimi dhe të mërzitur, që Fikua nuk i kishte lënë të pazarosnin në Stamboll, por me mundim vunë në fytyrat e tyre variantin buzëqeshës, që përdornin në fushatat elektorale dhe hipën në podiumin e përhershëm para Bashkisë. Në shesh ishin mbledhur rastësisht ose jo rastësisht familjarët e personaliteteve dhe gazetarëve si dhe qindra qytetarë të Bredhishtës. Ngjitja e tyre në podium u shoqërua me thirrjet e një grupi fëmijësh të lumtur "Mirserdhe në Atdhe, si e ngrysnim pa ty ne!", thirrje të cilat u bënë më të zjarrta kur pranë mikrofonit u afrua vetë kryetari i Bashkisë. Ai ju bëri shenjë qytetarëve entuziastë të qetësoheshin dhe pasi Aferim Dollibashi u foli me zë të ulët e urdhërues nxënësve të pushonin, në sheshin qendror të Bredhishtës ushtuan fjalët e Fikos të mallëngjyer:
            - Bredhishtarë dhe bredhishtarka. Veteranë e ish të persekutuar. Pakica lokale dhe kombëtare. Fëmijë të lumtur të Bredhishtës, pavarësisht në jeni të shkollës publike "30 Nëntori" apo të asaj jopublike "Dituria Rrethore"...
Fjala entuziaste e Fikos u ndërpre sërish nga thirrjet "Mirserdhe në Atdhe..." deri sa mes turmës u dëgjua një zë i ngjirur "Lereni të flasë se tetë ditë s'e kishim de...". Fikua bëri shenjë me dorë , për uljen e entusiazmit dhe vazhdoi:
            -...8 ditë pune dhe vizitash, mëngjezesh pune dhe drekash miqësore, nënshkrime marëveshjesh dhe këmbim përvoje, të gjitha në kuadrin e modernizimit të Bredhishtës sonë të dashur, kaluan mrekullisht edhe në sajë të pritjes së shkëlqyer që na rezervuan vëllezërit turq me në krye Kryekajmekanin e Bursës dhe Kryetarin e Bashkisë të Erdekut. E them me besim të plotë, se projekti "Për një Bredhishtë me unazë" do materializohet së shpejti edhe me ndihmën e vëllezërve turq. Kryekajmekani i Bursës premtoi të na ndihmojë edhe me katër autobuza ndërqytetës për linjën e re qytetëse “Unazë- Bashki- Unazë“, e cila do përurohet me përfundimin e Unazës së re…
Ndërkohë pranë veshit të Fikos ishin zgjatur buzët mishtore të nënkryetarit të Bashkisë Genc Gollashi, buzë që lëviznin në një mënyrë ripërtypëse, por që i kishin bërë diçka të qartë kryetarit, i cili po e mbante vështrimin në cepin e majtë të tribunës, ku kishte hipur Hilmi Kërri dhe përkthente simultanisht fjalën e Fikos në romisht, për një grupi të moshuarish romë, të cilët të entusiazmuar thërrisnin “Erdek, Erdek!” Pas një lëvizje të dorës në drejtim të Hilmiut, që priste vazhdimin e fjalës të kryetarit, një nga të dymbëdhjetët e shtyu ish - kamarierin rom të “Plava e Gucia” poshtë podiumit të përhershëm dhe vendin e tij përballë të moshuarve enthusiastë romë e zuri nënkryetari Gollashi. Ra në sy edhe frymëmarja e lehtësuar e Hoxhë Klajdit, që ishte mes të dymbëdhjetëve. Pas çasteve të stabilizimit Refik Fufulina, kryetari i Bashkisë së Bredhishtës në legjislaturën e dytë dhe sipas sondazheve me një miratim prej 64 përqind miratim mes votuesve meshkuj dhe 73 përqind mes votueseve femra rimori fjalën. Këtë rradhë me fjali më të shkurtra dhe pauza më të gjata, për t’i lënë kohë zëvendësit të tij poliglot, t’ju përkthente përfaqësuesve të minoritetit rom në romisht:
            -…si ju thashë Kryekajmekani i Bursës premtoi autobuzat e linës së re…
            -…belxhek Bursasi Kajmekan osh dylyk autobuzesi- përktheu Gollashi.
            -..ndërsa kryetari i bashkisë të Erdekut do japë fondet për Kullën treshe të Unazës sipas modelit Yçkala…
            -…e Erdek bashiklluk derti lirek Yçkala ort rrethlluk Yçkala yrnek…
            -…por nuk mbaron këtu…
            -…erdi bitisher…
            -…biznesmenët turq të provincës Belikeshir do investojnë për ndërtimin në qendër të qytetit…
            -…turçeli jurgjimedëm at Belikeshir havartesi binashe artaç…
            -…ku është sot lulishtja, kompleksin e mbuluar pishinë dhe hamam me vleftë 4.6 milion dollarë.
Duartrokitjet frenetike të dymbëdhjetë podiumsave dhe të turmës nuk lanë të dëgjohej në romisht përkthimi i Gollashit, gjë që solli një pështjellim tek të moshuarit romë, të cilët filluan të duartrokasin me forcë duke kthyer kokat rreth për të gjetur Hilmi Kërrin, i cili i dëshpëruar nga keqtrajtimi publik, që i bëri kryetari, kishte hyrë në të parën pijetore, jo shumë larg bashkisë. Mes duartrokitjeve u dëgjua zëri i lartë i Aferim Dollibashit, që thërriste i entusiazmuar vargjet e posakrijuara “Për pishinë dhe hamam, Do të ndjek se me ty jam!” Ndërkaq, të gjithë nxënësit e shkollës publike “30 nëntori” kishin filluar të përsërisnin vargjet parrullë të mësuesit të tyre, korit të të cilëve ju bashkuan edhe një pjesë e mirë e mitingsave dhe në mënyrë të natyrshme podiumset. “Për pishinë dhe hamam, Do të ndjek se me ty jam!” “Për pishinë dhe hamam, Do të ndjek se me ty jam!”    Fiko Fufulina kishte në gjithë fytyrën një shkëlqim trëndafili, si të një qënieje të bukur, të pafajshme, të porsasjellë nga një botë ku sundon mirësia. Nuk përsëriste vargjet po shihte i ngazëlluar turmën në ekstazë dhe nuk i shpëtoi largimi i pezmatuar i çiftit Pilafi dhe dy grave në të zeza, si dhe i Saimit e tre burrave me kominoshe jeshile. Të dy grupet u larguan nga grumbulli i madh i njerëzve pa rënë në sy dhe në drejtime të ndryshme, por nuk i kishin shpëtuar as vështrimit të Genc Gollashit, i cili diçka shënoi në një bllok. Ndërkohë, Adelina Havani e entusiazmuar, kishte filluar të këndonte këngën e fushatës elektorale të Fiko Fufulinës, “Eshtë unaza rreth flori”. Në çast u bashkua edhe zëri prej baritoni i Aferim Dollibashit, që ishte edhe autori i tekstit : …është unaza rreth flori/ që lidh biznese, uzina/ drejt realitetit të ri/ prina Fiko Fufulina!...Kënga fluturoi mbi kokat e të vegjëlve, i rrëmbeu nxënësit e ngazëllyer dhe u përhap mes gjithë duartrokitësve. Ishte një këngë optimiste, që dukej se hapte qiejt e të ardhmes mbi kodrat me bredha të prerë të Bredhishtës, kodra që tashmë do kishin unazë me tunel dhe me një Kullë Treshe sipas modelit Yçkala. Vizioni, që i ishte shfaqur në rininë e tij Refik Fufulinës ndërsa luante mbi tepsi vallen e famshme të Osman Takës tashmë jo vetëm ishte kristal i qartë për të gjithë mbështetësit e tij, por pas disa kohësh do ishte realiteti i ri. Krahët e bashkuar të të dymbëdhjetë podiumsave ishin ngritur lart dhe tundeshin nën ritmin e këngës si tundeshin dikur majat e bredhave kurorës së Bredhishtës. Të gjithë valëvitnin duart dhe për të bërë një dalje nga skena në kulmin e entusiazmit, Fiko Fufulina i bëri një shenjë me gisht zëvedësit të tij dhe të dy u zhdukën pas derës së madhe të Bashkisë.
            -Cilat janë prioritetet?
            -Dy telefonata të Gogos, një telefonatë nga ambasada amerikane dhe një nga Ministri i Brendshëm.
            -C’kërkojnë nga ambasada?
            -Sqarim të hollësishëm për arrestimin e Naim Hanës, që është nënshtetas amerikan.
            -Ne jemi Bashki dhe nuk bëjmë arrestime.
            -Padija është bërë nga punonjësit tanë.
            -…e di , e di…Ministri ç’kërkon?
            -Sqarim të hollësishëm për incidentin dhe padinë.
            -Të njëjtën?
            -Të njëjtën.
            -Gogoja?
            -Kërkon të dijë për përgjigjet.
            -…I thuaj do e takoj pas një ore në lokali. Tjetër prioritet?
            -Nunci apostolik ka dërguar një faks.
            -Për kishën?
            -Po për kishën.
            -Ma trego nesër. Tjetër?
            - Teuta Baraku kërkon Sallën e Bibliotekës për të hapur ekspozitën e koleksionit të saj të artit “Vjeshta”.
            - I di tarifat?
            - Do ta hapë bashkë me disa piktura të koleksionit të Gogos.
            -…do e bisedoj në lokali. Tjetër?
            -Situacionet e punimeve të Unazës duhen firmuar për të bërë likuidimet.
Refik Fufulina për herë të parë i hodhi një vështrim jo dashamirës zëvendësit të tij. Domethënia e vështrimit ishte e qartë për Gollashin “këto dihet, që bisedohen vetëm në lokal”.

            Turma jashtë vazhdonte të këndonte dhe të dymbëdhjetët putheshin e përqafoheshin me të dashurit e tyre, pa qënë të sigurt nëse duhet të prisnin për një ridalje të Fikos në podium apo të shkonin në shtëpitë e tyre.

Saturday, 3 January 2015

3016 km nen rrena (nderkrese mes XIII e XIV)

Ndërkerëse midis
Krerëve trembëdhjetë dhe katërmbëdhjetë



            -Naun dua të më ndihmosh.
            -Predispozicioni moralo volitiv do shpaloset në gjithë drejtimet e një mundësie të pazakontë.
            -Jam këtu nga Gurgullima?
            -I gjithë deduksioni njëditor, që ka përfytyrimin kaledoiskopik të ngjarjeve dhe narrativave të këtij qyteti në përqasjen e faktikave të lidhjeve pushtet dhe malavitë mund të sintetizohet vetëm në një emër.
            -Vetëm Gurgullima mund të më nxjerrë prej këtu?
            -Ndërthurja tepër komplekse në linearitetin e saj imagjinativ mund të na shpjerë në një thjeshtëzim të dinamikave, që në mënyrë të gabuar mund të lenë eskluzivitetin jo përkatës tek njëra anë e medaljes dhe pjesën tjetër , që është në Turqi mos e involvojnë.
            -Ka gisht edhe Fufulina?

            -………..

3016 km nen rrena (kreu XIII)

Kreu i trembëdhjetë
Ku tregohet që
Naim Hana nuk arratiset



            Hapi sytë dhe nga shtrati i fortë e kuptoi, që gjatë natës nuk kishte ndodhur asgjë. Ndodhej në të njëjtën qeli të kompleksit të Policisë të Bredhishtës, ku nuk kishte hyrë asnjëherë gjatë jetës së tij, sepse nuk kishte qëlluar as të kishte ndonjë lindje urgjente brenda atyre mureve. Dinte tashmë, që ishte e shtunë dhe do i duhej të priste të paktën deri të hënë të dilte; që nuk mund të stërvitej brenda qelisë në mënyrë shkencore, se për këtë duhet t’i premtonte Kol Memelit, që do arratiseshin bashkë e të shkonin në maratonën e Bostonit; që Naun Bajuti diçka dinte për lidhjet e Gurgullimës me pushtetin, por ato që dinte i thoshte në një mënyrë tepër të vështirë për t’i kuptuar. Dinte edhe që përgjoheshin dhe nuk ishte i sigurt se nga kush.
            Kol Memeli ishte ngritur dhe bënte ulje ngritje duke mbajtur kokën drejt dhe herë herë shkelte syrin, që ishte në anën e shtratit të Naim Hanës. Në  shtratin e sipërm, të  fortë , mjekut po i zbehej besimi në syshkeljet dhe kuptimin e tyre në Bredhishtë. Nga të gjithë, që kishte takuar prej mbrritjes dhe deri në natën e parë pa liri, i kishin shkelur syrin Adhurimi dhe e vjehrra e tij Refije, Fiko Fufulina, medicinalisti Zilja, Veror Voloreka, Lirim Soxhuku, Jashar Jahja, Aferim Dollibashi, disa kalimtarë, Berti Dajkoja, shitësja në “Guguallat”, Vero Shandorfi dhe avokati Rako Pilafi. Ky i fundit, shkeljen e syrit e kishte shoqëruar edhe me shenja të tjera, por si gjithë të tjerët, i kishte shtuar shpresën dhe misterin, dhe asgjë më tepër. Apartamenti ishte i shkatërruar; ishte pa një  grosh në  xhep; nuk mund të  tërhiqte paratë , që  do i vinin nga e shoqja dhe i kishte kundër gjithë  ata, që nuk i kishin shkelur syrin duke filluar me Gogo Gurgullimën, dy inspektorët e Policisë Ndërtimore, Dardan Kodrën e Bilo Belin, policët Dine dhe Nedo e mbi të gjithë  prokurorin Kaçi. I dukej se fati i tij do vendosej nga forcat syshkelëse dhe josyshkelëse të  Bredhishtës. Edhe pse numuri i syshkelësve për momentin dukej më  i madh, deri tani e gjithë  beteja ishte zhvilluar me një  avantazh të dukshëm të  josyshkelësve dhe vetëm faktori ndërkombëtar mund të  sillte një përmirësim të  raporteve. Populli syshkelës i Bredhishtës edhe pse kishte në  anën e tij Kryetarin Fiko Fufulina dukej pa peshë përballë pushtetit të  josyshkelësve, të cilët dukej se kishin me vete edhe përgjuesit e panjohur. Nuk dinte në  ç’grup ta fuste Jashar Jahjen.
            I bëri me shenjë  Kol Memelit, në se i përgjonte njeri edhe pagdhirë dhe nga tjetri mori një pohim me kokë. Zbriti pranë tij dhe me shenja i përsëriti kërkesën për stërvitje intensive në  kushtet e qelisë. Tjetri e tërhoqi në qoshen pranë derës dhe pëshpëriti “Ritëm”. “Cilin ritëm?”pëshpëriti Hana. “Atë të Dobruxhës”. Naim Hanës ju kujtua fitorja e lavdishme e marathonës së Dobruxhës nga maratonisti i Bredhishtës njëzet vjet më pare, që kishte ngritur peshë zemrat e bredhishtarëve dhe i entusiazmuar nga kujtimi i asaj ngjarje i tha në vesh:”Mund të mbajmë atë ritëm në qeli tre me katër?” Memeli mbante sytë e ngulur në tavan dhe duke lëvizur këmbët me një ritëm të konsoliduar vazhdoi pëshpëshin “Jashtë mureve, deri në EB.” “EB?” “Europën e Bashkuar.” Mjekut ju shua entusiazmi. Kuptoi, që Kol Memeli e kishte vendosur të arratisej. Vetë kishte nevojë për stërvitje dhe asgjë më shumë. Nuk do arratisej edhe sikur dyert e burgut të hapeshin. Kishte respektuar ligjin në atdhe dhe në anën tjetër të Atlantikut dhe meqë nuk kishte shkelur asnjë ligj nga ato, që njihte, do qëndronte brenda qelisë deri sa ta nxirrnin po sipas ligjeve të njohura dhe të panjohura, përfaqësuesit e sistemit juridik me mbështetjen e ambasadës amerikane. Kol Memeli vazhdonte t'i pëshpëriste pranë veshit planin e tij gjenial të arratisjes dhe të kalimit në Europën e Bashkuar vetëm duke vrapuar me ritmin, që kishte mbajtur kur kishte fituar maratonën Dobruxhës. Dera e qelisë u hap dhe Vero Shandorfi duke buzë qeshur i njoftoi Naimit, se e prisnin në dhomën e takimeve. Përgjatë korridorit gardiani i kujtoi se për çdo gjë që të kishte nevojë t’i thoshte. I arrestuari kërkoi ajfonin për të  rregjistruar kilometrat dhe për të mbajtur ritmin e Kol Memelit vetëm për stërvitje. “Diçka do bëjmë edhe pse aparatura, që kërkon është në cilësinë e provës.” tha serioz Veroja dhe shkeli syrin.
            Në dhomën e takimeve pa i gëzuar, fytyrën e qeshur dhe të rrumbullakët të Berti Dajkos.
            -E mo dhëndër e provove dhe burgun?!- tha gjithë optimizëm Dajkoja.
            -Lere Berto, po ti si je, se të lashë roje?
            -C’ke o me mua? Unë s’jam në burg de. Vinte çupa e më sillte për të ngrënë e rrinja atje. Puna është si do dalësh se thonë , që deshe të vrisje Dardanin me kacavidhë yll.
            -Mos i beso! Ti më njeh.
            -Po atë ju thesha! Ai s’vret dot një mizë me kacavidhë jo do vrasë Dardanin e FBI-së. Unë e dërgova të blinte kacavidhë në “Guguallat”. Më kërkoi edhe Rako Pilafi të dëshmoj. Posi o i thashë, jo në gjyq këtu po edhe në kryeqytet vij unë për dhëndrin!
            -Shpresoj mos shkojë puna deri atje Berto.
            -Edhe po të shkojë mos çaj kokë! Më ke mua. Bisedova me Vero Shandorfin, që mos të mungojë asgjë këtu dhe sa të dalësh do vish të rrish nga unë për tërë proçedurat prokuroriale dhe ato gjyqësore si edhe ato përmbaruese.
            -Do dal shumë shpejt. Ambasada amerikane nuk mund të lerë një nënshtetas të pafajshëm në qeli. Duhet t’i ketë lajmëruar që sot avokati.
            -Po pse nuk është nisur menjëherë ambasadori? Sa amerikanë janë të arrestuar këtu tek ne?
            -Nuk ka pse niset ambasadori, se puna mund të mbarohet me telefon dhe në të njëjtën kohë nuk ka se si të jetë krejt i sigurt për mosfajësinë time.
            -C’mosfajësi o?! Ti je i pafajshëm!
            -E njëjta gjë është Berto. Po ambasadori dhe nëpunësit e tjerë nuk ka se si ta dinë, se qëlloi vizita e Fikos në Turqi dhe gazetarët lokalë janë me të .
            - Oooo. të zuri terri mediatik! Kështu i thonë  tani.
            -Terri mediatik?!- pyeti mjeku, por nuk arriti të merrte përgjigje, se kishin mbaruar minutat e takimit dhe Veroja i njoftoi se në dhomën e pyetjeve do takohej me avokatin. U përqafua me Dajkon dhe duke ndjekur Veron, që mbylli një derë dhe hapi një derë tjetër hyri në dhomën ku e kishte pyetur prokuror Kaçi. Disa çaste më pas, avokati Rako Pilafi hyri me një shprehje, që rrezatonte vendosmëri dhe optimizëm.  E vendosi çantën e madhe të zezë mbi tavolinë dhe tha:
            - Kam dy variante për të të nxjerë brenda javës nga burgu!
            - Po pse dy?- pyeti i hutuar Naim Hana.
            - Po sa?
            I arrestuari nuk dintë ç'të thoshte. Kishte menduar se nga Ambasada amerikane mund të kishin ndërhyrë të lirohej menjëherë, ndaj s'ishte i përgatitur për variant të dytë.
            - Nuk u përgjigjën ata të ambasadës?
            - Po prit o doktor, mos u nxito. Varianti i ambadës është i dyti në të gjithë linjën time të mbrojtjes. Dje arrita pas shumë negociatash një marëveshje me shumë leverdi, që mund të të sigurojë lirimin e menjëhershëm.
            - Shumë mirë...pa hë-brofi i gëzuar Naimi.
            - Bisedova mbrëmë gjërë e gjatë me biznesmenin Jorgo Gurgullima. Ai pas këmbënguljes sime të vazhdueshme pranoi të blerë apartamentin. Kështu që bie proçedimi për punime pa leje dhe bashkë me të motivi, dhe gjithë ç'rrodhi më pas. Ankesa, sherri, kërcënimet, armëmbajtja pa leje dhe rezistenca ndaj forcave të rendit.
            - Po unë nuk dua ta shes. Jam rritur aty. Kam kujtime.- tha i zhgënjyer i arrestuari Hana dhe rëndoi në ndenjësen metalike.
            - Po pse bëhesh kaq nostalgjik doktor? Edhe nga pikpamja ekonomike dhe ajo legale, kjo është një zgjidhje e përkryer. Si avokati tënd të këshilloj ta pranosh marëveshjen.
            - Nuk e shes! Jam shtetas amerikan!- tha Hana dhe i ra me pëllëmbë tavolinës.
            Avokati mbeti i shtangur nga intrasigjenca e papritur e klientit të tij dhe pasi mblodhi buzët, ngriti vetullat dhe më pas i shkeli syrin mjekut:
            - Le të sulmojmë variantin dy atëhere! Do jetë më i vështirë dhe kostoz, po do t'ja dal!
            - Le të shkojmë me dyshin!- tha i gëzuar edhe mjeku Hana dhe i dha dorën avokatit në tërësi, të caktuar nga gjykata e rrethit Bredhishtë.
            -Në variantin e dytë unë do kërkoj lirimin tënd të menjëhershëm duke kërkuar trajtim të menjëhershëm mjekësor.
            -Trajtim mjekësor? – pyeti i çuditur mjeku.
            -Po po. Funksionon në 95 përqind të rasteve, Sidomos e sigurt është në rastin tënd që i njeh simptomat.
            -Simptomat? C’janë këto simptoma? Unë nuk kam simptoma?
Avokati Rako Pilafi shkeli syrin dhe rregulloi kokën e kravatës dhe duke ulur zërin tha:
            -C’rregullim mendor bipolar. Ke disa vjet, që kurohesh dhe tani je në fazën e axhitimit dhe nuk mban përgjegjësi për veprimet, që kryen sidomos në përballjen me autoritetet dhe figurat autoritare. Këtu për arsye objektive, nostalgjike dhe klimaterike sëmundja fitoi një dimension të ri. Kërkojmë diagnostikimin dhe raportin mjekësor nga doktor Ferid Hoti, që dihet se do na e bëjë si ta duam ne dhe t’i shtrohesh disa ditë në spitalin e Bredhishtës dhe më tej çdo gjë zhvillohet në favorin tonë. Mbështetja e ambasadës amerikane nuk do na mungojë. Chiaro?
            -C’kiaro?! Unë nuk mund të shtirem, se kam një sëmundje, që nuk e kam. Eshtë në kudërshtim me karakterin tim si dhe me etikën profesionale të mjekut!
            -Po bipolar nuk është ndonjë gjë shumë e rëndë. Ja unë jam bipolar…prokuror Kaçi është bipolar…Vero Shandorfi është bipolar… Fiko Fufulina është bipolar. – tundi kokën me shumë vendosmëri avokat Pilafi, i bindur se Naim Hana s’kishte se si të kundërshtonte. Thuajse të gjithë ishin bipolarë. Mjeku uli sytë dhe mendoi se si ishte e mundur, që avokati dinte gjithë këto sekrete mjekësore të njerëzve të zakonshëm dhe të fuqishëm të Bredhishtës.
            -Nga i di këto avokat?
            -Eshtë e sigurt! E kam informacion burimor nga farmacistja Adelina Havani. E kam mbrojtur në një çështje që kishte me një pensionist për shitje ilaçesh të skaduara. Fikoja kurohet edhe per hiperseksualitet.
            -Zoti Pilafi mua nuk më hyn në qese seksualiteti i Fikos, por vetë jam shëndoshë e mirë ndaj nuk mund të shtirem!
            -Mund të më thuash Rako. Nuk ka nevojë për zoti.
            -Avokat unë nuk jam i sëmurë dhe jam i pafajshëm. Nuk kam kërcënuar njeri.
            -Këtë gjë duhet ta përcaktojë trupi gjykues. Unë mund të të ndihmoj nëse ti pranon njërën nga linjat time të mbrojtjes. Në të kundërt unë do tërhiqem megjithë respektin, që kam për ju dhe vendin e madh dhe mik prej nga vini.
            -Më jep kohë të mendohem.

            -Ti e di- tha avokati me fytyrë  jo të  qeshur dhe u ngrit e doli nga dhoma pa shkelur syrin. “E humba edhe këtë“ mendoi Naim Hana. I kishte mbetur vetëm pritja dhe një shpresë e vagët, se pasi të kuptonte lidhjen e Gurgullimës me Policinë Ndërtimore dhe Dardan Kodrën e ndoshta edhe me prokuror Kaçin, mund t’ shkruante një letër të gjatë ambasadorit dhe për njoftim edhe autoriteteve qëndrore dhe lokale. Do i duhej shumë mund të pyeste gjërë e gjatë Naun Bajutin në një mënyrë të tillë që të merrte prej tij vetëm përgjigje të shkurtra.

Thursday, 1 January 2015

2 janar 1990

Kam vdekur
Bashkë me ty atë mëngjes Janari,
Kur nuk më përgjigjeshe
Përse?
Për herë të parë
Dhe për të fundit herë.
Më pas u riktheva,
(Nuk kisha vuajtur sa duhet)
Në shpatulla më kishe mbajtur ti,
Në netë acari,
Vite të tëra,
Që në dimrat e hershëm,
Me borë të shumtë dhe erë,
Kur gjumi më zinte mbi supin tënd,
Të lartin supin tënd dhe të drejtë,
Që kurrë nuk t’u përkul
I miri ati im i shtrenjtë.
Pa ty kam kaluar,
Shumë dimëra të tjerë,
Thuajse po aq sa ata që të kisha pranë,
Dhe të njëjtin pikëllim më sjell,
Ndri]imi i  verdhë,
Që akullit përplaset,
E gjithë frikë më mbush,
Pa ty,

Në këtë Gjithësi të paanë.