Tuesday, 7 October 2014

Edgar Allan Poe

Sot behen 165 vjet, qe Poe nuk eshte me. Duket se duan ta kene te gjithe mes tyre e te mburren me te: Baltimora, Filadelfia, Bostoni. Ne foto eshte nje skulpture e posa peruruar e poetit ne Boston, qytet ku u lind 205 vjet me pare. 
Po ve nje perkthim, te cilin e kam postuar edhe para nje viti.


PER ENIN


Falë zotit, që kriza,
                Rreziku u mund,
Dhe i gjati lëngim,
                Mbaroi më në fund
Ethja  qojtur "Jetë",
                U mposht më në fund.

I trishtë se e di
                Forca m'ka lënë
Dhe gisht dot s'lëviz
                Gjërë e gjat' rënë
Por s'prish punë!- e ndjej
                Më mir' jam i rënë.

Dhe jam aq i ngrirë
                Në të drunjtin shtrat,
Sa kush të më shohë,
                Do thot' kaq e pat,
Ta ngremë në krahë
                Se ky kaq e pat.

Rënkimet, afshimet,
                Cfilitjet, ankimet
Tani kanë rreshtur,
                Me ato drithërime
Të zemrës- oh tmerr,
                O tmerr drithërime!

Sëmundja, përzjerja,
                Therrësja dhembje,
U ndalën me ethen
                Që më lojti mendjen,
Ethen qojtur "Jetë"
                Që zhurriti mendjen.

Dhe nga gjith' torturat
                Ajo më e keqja
Ka rreshtur- e merrshmja
                Torturë nga etja
Për lumin e helmët
                Mallkimin tek vetja-
Kam pirë të tillë ujë
                Që të shuhet etja;
Një ujë që buron
                Nanurit me nge,
Nga burimi vetëm
                Dy pash' nënë dhe
Nga një guvë thellë,
                Dy pash' nënë dhe.

Dhe kurrë s'do thënë,
                A folur përçart,
Pa dritë kam dhomën
                Të ngusht' timin shtrat,
Se gjithnjë njeriu
                Fle në atë shtrat,
E të flesh do dergjesh,
                Në të tillë shtrat.

Shpirti i dërmuar
                Këtu prehet qetë,
Lënë, po jo penduar
                Për gulçet në jetë,
Ato shpupurisje,
                Si të gonxhes fletë.

E tani i shtrirë,
                I qetë më ngjan,
Se e shenjtë aromë,
                Erë jargavan,
Rozmarinë erë,
                Përzjer' jargavan,
E pështjell të gjithin,
                Kjo erë jargavan.

E zhytet i lumtur
                Ujrave t'Edenit,
N'ëndërr mirësie
                Bukuri të Enit;
Fundosur i gjithi
                Krrelave të Enit.

Ajo më puthi ëmbël,
                Më ledhatoi pastaj,
I përkundur u ndjeva
                Të fle në gjoks të saj
Në thellëgjum' të bie,
                Qiellorit gjoks të saj.

Kur ditën mundi nata,
                Më mori në mbrojtje,
Dhe ëngjëjve ju lut
                Të mos kisha vojtje,
Më të madhit ëngjëll,
                Të më bënte mbrojtje.

Dhe jam aq i ngrirë
                Në të drunjtin shtrat,
(Me dashurinë e saj),
                Ju thoni kaq e pat;
Po jam aq i lumtur
                Në të fortin shtrat
(Me të në kraharor)
                Ju thoni ky e pat;
E dridheni të m'shihni
                Kujtoni kaq e pat.

Por të zemrës dritë
                As qiellit s'e gjeni
Më e fortë se yjet
                Se ndriçon nga Eni;
Më ndrit me shkëlqimin
                Që buron nga Eni;
Nga i syve ndriçim,
                I të mirës Eni.








               



Kali i Ikjes

Ajo i hipi kalit të ikjes
Dhe cipën e errët të natës
Plot zjarr e çorri.
I artë ishte çili
Si flokët e saj dhe jelet e tij,
Të mëdha flegrat,
Thundrat e praruara
I hedhur e gjithë muskuj
Kraharori.
E ndërsa i pambathur
Cirrej në të zezat shkrepa të territ,
Ajo valëviste të bardhën dorë të saj
Ishte fundvera e ndarjeve.
Koncerti i Lamtumirës,
Në të Përzjerin Pyll
Nuk ishin më në maj.
Trokthi i çilit të çmendur,
I mbyste ngashërimat.
Nuk kishte rrugë,
Vetëm një hon i zi,
I thellë dhe i patrajtë,
Grisur nga shkrepëtimat.
I lënë krejt i lirë
Në të tijin fluturim,
I grahur në errësirë
Nga i dhimbshmi ngashërim.
Hamshori i artë të ngushtit shteg ju turr
Atje ku veç të zonjën merrtë
Ku s’mund të shkonte flur,
Por ku thirrja e shpresës e ftonte
Ku nata dukej më pak e errët,
Ku mbase dhe drita mund të çelej,
Kur e dendura errësirë të shkonte.
Lehtas vithet i ngriti
Flokverdhën butë dërgoi mes shtegut,
Të trembur edhe njëherë prej braktisjes,
Ndërsa vetë i gjymtuar tek gryka mbeti,
I miri, i arti kali i ikjes.









Monday, 6 October 2014

Ne, viktima të imazheve. (II)

Duam apo nuk duam, ne jemi kafshë, që në ndryshim nga të tjerat ndikohemi shumë nga imazhet. Thuhet , që qentë i perceptojnë të mirën e të keqen, rrezikun apo mikun kryesisht me anë të nuhatjes, lakuriqët e natës me ultratinguj ndërsa shumë insekte nëpërmjet dëgjimit.
Dizavantazhi jonë është, që imazhet evoluojnë shumë më shpejt se aroma, përgjigja që merr ultratingulli apo zëri. Imazhet na ndihmojnë të mbrohemi, por shpesh edhe na i çorbavitin të gjitha.
Po jap një shmbull të thjeshtë të hasur gjatë rutinëa sime ditore.
Në kafenenë, ku jam mësuar të marr çdo ditë “dozën e nevojshme të kafeinës” vijnë rregullisht disa gra, që kanë dalë në pension. Më të rregulltat janë Karol dhe Shirli. Të dyja vendase me rrënjë britanike. Shirli është më e re. Eshtë martuar me një emigrant nga Lindja e Mesme dhe është konvertuar në myslymane dhe duket pak a shumë si gruaja me shami në foto. Shirli, duhet të ketë qënë shumë e bukur e re dhe vazhdon të vishet me veshje të kohës, të cilat i rrinë bukur.
Para se t’i njihja, edhe pse përshëndetesha përzëmërsisht me to, mendoja “Oh Karol pse? Pse nuk vishesh dhe ti si Shirli?” E megjithatë pamja bëhet pak a shumë e njohur deri sa arrin, që nuk mendon më për fatkeqësinë e Karol, që “është kthyer pas në kohë“ dhe për shpirtin bashkëkohor të Shilrit të shprehur edhe në veshjen e saj. Kohë më vonë, qëlloi të kisha disa biseda të veçanta me sejcilën prej tyre. Gra të dashura dhe të dhemshura. Karol fliste rreth fëmijëve, historisë, krahasonte vlerat e vendeve islamike me ato të zhvilluara, dinte diçka edhe rreth Shqipërisë.
Nga ana tjetër, Shirli fliste për familjen, për forcën e besimit fetar, për rreziqet që sjell Islamizmi dhe rëndësinë, që ka paraqitja e femrës në shoqëri.
Hë po.

Nuk ishte e sigurt nëse Dielli rrotullohej rreth Tokës apo ishte e kundërta.

Petku gri

Hiqe këtë petk!
Shumë ngjyra ka dhe si gaztor dukesh;
Në moshën tënde grija shkon.
Në ballë mos dil,
Kur duhet të strukesh;
Më gjatë mendohu,
Ashtu nuk gabon.
Në sfondin zbërdhyl të kohës,
Në do të mbijetosh, përshtatu;
Fol mirë,
                Buzëqesh.
Dhe pak mënjanë rri;
Pas vitesh,
Kur të gjith’ t’kujtojnë se je tulatur;
Me pak fat mund t’bëhesh

Dhe “eminenca gri”.

Friday, 3 October 2014

Virgjëria dhe Morali

Para një jave, lexova shkarazi një debat të zjarrtë, rreth Virgjërisë së femrës dhe ndëshkimit të saj në Dhjatën e Vjetër. Si gjithë debatet rreth Fesë, ai niste në gurëzimi i vajzës “që kishte humbur nderin” dhe përfundonte në hollësi filozofike apo sharje për mosdije, që kishin pak të bënin me pasazhin e Biblës, të shkruar mbase 3000 vjet më parë.
Fëmijëve tanë, një debat i tillë do ju dukej krejt absurd, por brezi i jonë nuk është dhe aq larg nga “gurëzimi me fjalë“ i vajzave, që kishin patur marëdhënie seksuale para martesës.
Në një shënim të djeshëm, kam përmendur, se shoqëria jonë është ende një shoqëri “maçiste injorante” edhe pse sot ka rënë tabuja e marëdhënieve seksuale para “fejesës”.
Mud të vemë plotësisht fajin për të mentalitetit të prapambetur, si dhe tre feve kryesore të vendit tonë, të cilat kishin formuar moralin e shoqërisë shqiptare. Megjithatë, ka patur disa zakone shumë të çuditshme në vendin tonë, të cilat varionin nga mbajtja e dylberëve dhe deri në fejesat në djep, të cilat i përkasin më shumë botëve pagane se atyre të feve monoteiste.
Por të kthehemi në tema e “virgjërisë së vajzave” dhe bota jonë shqiptare. Edhe pse një shoqëri e izoluar dhe shumë e fragmentuar, qytetet shqiptare nuk ishin të shkëputur plotësisht nga qytetet e tjera të Ballkanit. E megjithatë edhe në periudhën e e para Luftës së Dytë Botërore, ne ishim në këtë drejtim shumë më pas Rumanisë, Bullgarisë apo Sllavëve të Jugut. Dy tre rumunë, që kam njohur këtej, më kanë përmendur “namin” , që gëzonim ne shqiptarët “si njerëz, që i shtronim në dru gratë“. Bota jonë edhe pse gjeografikisht më pranë Vienës dhe Romës ishte shumë larg po të krahasohej me vendet e ballkanit lindor. Dhe jo vetëm në zonat e banuara nga popullsia myslymane, por edhe në ato të banuara nga të krishterët. Edhe në Korçë, i konsideruar si qytet shumë më i përparuar nga qytetet e tjera shqiptare “miti i virgjërisë“ mbeti shumë i rëndësishëm deri në vitet ’70, ndërkohë që në pjesët e tjera të botës ishte në kulm “revolucioni seksual”.
Sikundër dihet nga të gjithë, breza të tëra vajzash, ishin të detyruara të ndrydhnin ndienjat e tyre, për t’I shpëtuar damkosjes si ‘vajzë jo e mirë“. Edhe pse një nga popujt më të vjetër në Europë ne ishim shumë prapa në raportet natyrore të “homo sapiens”. Arrihej deri sa pjesëmarrja e vajzave në luftë sulmohej nga kundërshtarët politikë si “shthurrje morale”. Por edhe marrja e pushtetit nga e Majta ekstreme nuk solli të njëjtin “clirim seksual”, që kishte sjellë 30 vite më parë në Rusi ose më vonë nëvendet e tjera. Në vitet ’50 vajzat e qytetit ende pengoheshin nga familjet të kryenin studime universitare, në vitet ’60 dhe ’70 nuk lejoheshin të punonin si kamariere a në të tjera punë, ku ju rrezikohej emri i mirë dhe si përmenda më lart deri në ato vite “virgjëria” konsiderohej “virtyt” dhe si rrjedhojë kishte qindra histori nga më të dhimbshmet e deri në qesharake. Kjo ishte shoqëria shqiptare edhe pas ndalimit me ligj të feve.
I shkrojta këto rrjeshta për të nderuar shoqet e brezit tim dhe sidomos ato vajza, që e kanë vuajtur më shumë absurditetin e një mentaliteti të stërprapambetur e denigrues, që edhe pse i pamoralshëm shitej si mbrojtës I Moralit.

Thursday, 2 October 2014

Tregojeni me gisht. Eshte pedofil! (2)

Edhe pse zakonisht, kapja dhe dënimi I pedofilëve si numur është maja e ajsbergut, përsëri duhet thënë, që shoqëritë e lira dhe të zhvilluara kanë bërë përparime në mbrojtjen e fëmijëve. Më keq është gjendja në shoqëritë e lira por, të pazhvilluara(si e jona), ku krimi edhe pse moralisht dënohet nga të gjithë, nuk dënëhet sa duhet nga institucionet ligjore dhe ka prirje edhe për mbulim nga segmente të caktuara të shoqërisë.
Për mendimin tim arsyet janë disa.  E para është, që për fëmijët dhe adoleshentët(si për të gjithë shtresat më të pambrojtura)nuk ka vlerësimin e duhur nga e gjithë shoqëria. Dhe ky fenomen nuk është i sotmi. Ka ekzistuar më parë, por edhe gjatë periudhës së Diktaturës, kur pushtetmbajtësit hiqeshin si kampionë të mbrojtjez së Brezit të ri. Rasti i djeshëm i kryetarit pedofil të Shoqatës së Jetimëve, më kujtoi mënyrën e keqe të trajtimit të fëmijëve në Shtëpitë e Fëmijës në kohën e Diktaturës. Dhe jo vetëm atje, por me përjashtim të qyteteve të mëdha, keqtrajtim të fëmijëve(dhe abuzime seksuale)ka pasur në gjithë shoqërinë. Rreth këtyre ngjarjeve, institucionet partiake dhe ligjore ishin të prirura t’I mbulonin nëse kryheshin nga edukatorët, të afërmit apo më keq akoma nga njerëz të veshur me pushtet.
Rasti i parë i “pedofilisë“, që kujtoj duhet të ketë qënë rreth vitit 1967 në një nga shkollat në qendër të qytetit. Ndaj mësuesit 19 vjeçar, që u kap në një kabinë të shkollës me një vajzë në klasën e tetë, autoritetet u mjaftuan me heqje nga mësuesia dhe dërgim në minierë. 14 vjeçarja mbeti përgjithnjë e damkosur si “e përdalë“. Raste të tilla nuk ishin të pakta. Diheshin plot mësuesë, trainerë sporti, kujdestarë konviktesh, funksionarë partie, sigurimsa, që kishin patur disa raste të marëdhënieve me të mitura, por jo vetëm nuk ju hynte gjëmb në këmbë, por shumë prej tyre(anëtarë partie) tundeshin e shkundeshin rrugëve dhe tribunave. Edhe vetë shoqëria kishte pjesën e saj të fajita, se vetë familjet e viktimave kur mësonin, ishin të prirura “të mbyllej çështja”, për të shpëtuar vajzën nga nami i keq.
Arsyeja e dytë është maçizmi injorant pjesës mashkullore të shoqërisë sonë.  Ende sot, të rinj apo burra nuk e kanë për turp të mburren kafeneve, se kanë të dashur ose kanë pasur marëdhënie me një 16 ose 17 vjeçare. As ju shkon në mendje , që është jo vetëm moralisht e ulët por është e ndëshkueshme nga ligji. Dhe kjo ndodh me njerëz , që e quajnë veten profesionistë apo biznesmenë. Për të mos folur për pjesët kriminale të shoqërisë, që kanë bërë, që për një kohë të gjatë të kishim numurin më të madh të prostitutava minorene në Itali dhe Greqi.
Jemi ende shumë larg një shoqërije të përparuar. E kemi më të lehtë të tregojmë me gisht dikë si biznesmen të sukseshëm, se sa edhe kur e dimë të themi:

-Ky është pedofil!

Wednesday, 1 October 2014

Tregojeni me gisht. Eshtë pedofil!

Më duket se Amerika ka aplikuar metodën më të llogjikshme, për të trajtuar një pedofil pas kryerjes së dënimit. Atë të tregimit me gisht. Në shumicën e shteteve amerikanë, pedofilët janë të detyruar të venë në dyert e tyre shenjën “Këtu jeton një njeri i dënuar për pedofili”.
Eshtë e kotë të zgjatem me komentet e njërit prej fajeve më të rënda, që ekzistojnë sot në botë. Ka një shumicë dërmuese të njerëzve, që kërkojnë me të drejtë ligje edhe më të forta ndaj pedofilëve.
Dua të ndalem pak në raportet e Vatikanit me pedofilinë. Më shtyu informacioni i dhënë për arrestimin e peshkopit polak Vesolofski me urdhër të Papa Françeskos. Arrestimi i parë i këtij lloji.
21 vjet më parë, gjatë vizitës sime të parë në Boston, pashë në lajmet në tv, dy procese gjyqësore për pedofili ndaj dy priftërinjve katolikë. Kushëriri im, Johan Kolaci më tha” Lanë nam edhe këta priftërinjtë katolikë. Kanë shumë raste të tilla.” Vetë dija pak se deri në ç’masë arrinin abuzimet e njerëzve me veladon me vajzat e vogla dhe sidomos me “djemtë e altarit”. Tek ne feja kishte qënë e ndaluar dhe gjithashtu edhe rastet e pedofilisë, për disa arsye, që nuk i kam kuptuar edhe sot, mbaheshin të fshehta ose nuk dënoheshin sa duheshin. Dhe ata, që kanë punuar në sistemin shkollor në Shqipëri e dinë, që ka pasur jo pak mësues pedofilë.
Po le të kthehemi tek Vatikani.
Eshtë e papranueshme, që ky shtet/institucion fetar është kaq i vonuar në ndëshkimin e një krimi kaq të shëmtuar, që njëkohësisht është një gangrenë për gjithë sistemin kishtar katolik. Eshtë vazhduar për dhjetëvjeçarë të tërë, që skandale pas skandalesh të këtij lloji të mbulohen dhe jo që nuk ka dënime apo ç’kishërime, por ndaj klerikëve bëhej vetëm transferimi. Kjo heshtje dhe tolerim, ka ndihmuar në konsolidimin e një rrjeti të madh pedofilësh në botë, sot në periudhën e internetit. Nuk ka asnjë përpjekje të ndryshohet “celibasija”(celibacy), e cila për mua qëndron në rrënjët e skandaleve seksuale të klerikëve katolikë.
Komuniteti Ndërkombëtar nuk mund të mjaftohet më me “presionet e përmbajtura” ndaj Vatikanit për të ndëshkuar priftërinjtë. Eshtë e palejueshme, që të lejohen akoma mijra e mijra fëmijë të bien pre e “etërve shpirtërorë“ kriminelë. Eshtë e papranueshme, që policitë e vendeve të ndryshme nuk mund të veprojnë shpesh ndaj klerikëve me imunitet diplomatik, si ishte rasti i peshkopit Vesolovski. Ndaj pedofilëve (të fundit në shkallën morale edhe të një vendi si Burgu) duhen dënime të rënda dhe edhe pasi ti kryejnë të tregohen me përbuzje me gisht:
Ja ky, që shikoni është një pedofil!