Saturday, 11 February 2012

Megallomania e Ballkanasve.



Kriza e sotme Europiane, mes shumë "të palarash" të tjera, nxori në pah një nga cilësitë shumë të dëmshme për shoqëritë e Ballkanit. Atë të megalomanisë. U shfaq më hapur dhe në mënyrë më dramatike në shtetin më të përkëdhelur Ballkanik- Greqinë.
                        E kam vizituar fqinjin tonë për herë të parë në gusht të vitit 1992(ishte vizita ime e parë jashtë vendit) dhe më la përshtypje të pashlyeshme. Sidomos Athina, edhe pse qëllova në një kohë kur bënin grevë punonjësit e pastrimit të plehrave dhe kishte mbingarkesë mbeturinash në vendet e depozitimit. U trishtova për prapambetjen e vendit tim dhe rininë tonë të humbur brenda një sistemi të mbyllur dhe absurd. Mendova që grekët kishin qënë me fa që nuk fitoi EAM-i pas Luftës së dytë dhe nuk ju bashkëngjitën qerres të Bashkimit Sovjetik. Dukej si një shoqëri që funksiononte mirë dhe njerëzit që ishin kthyer nga "kurbetet" e rënda të Gjermanisë apo vendeve Skandinave, po ndërtonin një jetë të mirë për vete dhe fëmijët e tyre. Mu duk e çuditshme që më shumë se gjysma e popullsisë së Greqisë jetonte në Athinë, e megjithatë, duke mos pasur ndonjë njohje të ekonomisë të kapitalizmit(veç asaj që më kishte mësuar Dalip Cota)kujtova se i tillë është Qytetërimi. Njerëzit jetojnë në qytete.
Një vit më vonë, krahas Greqisë, pata mundësinë të vizitoja edhe vende të tjera në të dy anët e Atlantikut dhe të bëja një lloj krahasimi(të sipërfaqshëm) mes shoqërive perëndimore dhe shoqërisë greke. Shumë athiniotë jo vetëm ngjisnin me ne shqiptarët, por më dukej se ngjisnin shumë me atë pjesë të shqiptarëve që  ju themi "e kanë gjoksin me gropë".  Mendoja që kushtet klimaterike, deti Mesdhe, ushqimi, testosteroni, i bëjnë njerëzit e këtyre trevave të jenë krenarë deri në arrogancë dhe debatues deri në nxjerrje thikash. Kishte filluar edhe të shprehej hapur një përbuzje ndaj të huajve dhe sidomos shqiptarëve, nga njerëz që kishin jetuar në emigracion dhe kishin ndjerë në kurrizin e tyre të njëjtën përbuzje. Por më shumë se çdo gjë që më binte në sy për keq, sidomos edhe pas vitit 1997, ishte një lloj jete pushimesh e rinisë të Athinës. Klubet ishin plot me të rinj nga mëngjezi deri në darkë, të rinj që pinin frape e luanin tavëll. Disa herë pyeta grekë ose shqiptarë që jetonin aty "Si është e mundur?" dhe përgjigjeshin pa shumë kokëçarje "Kështu është në Greqi! Një punon dhe dy rrinë e shikojnë!" dukej se çdo gjë do vazhdonte ashtu pa bërë shumë përpjekje, më në fund edhe ne ballkanasit të jetonim si "pasha".
Megallomania e grekërve kishte arritur kulmin që më 1993, kur kërkonin që Lojrat Olimpike të 2000 të mbaheshin në Greqi, gjë që arritën ta fitonin më 1997. Në një vend prej 10 milionësh, me ekonomi të pastabilizuar dhe me një shtet që nuk vilte dot taksat. Qindra mijra Euro po ju paguheshin sportistëve shqiptarë, rusë, bullgarë, ukrainas të stërviteshin në Greqi dhe për Greqinë në sporte që nuk sjellin asnjë lloj fitimi. Pa pritur e pakujtuar Greqia po kthehej edhe në një Fuqi Olimpike. Përse? Për të treguar që rrjedhin nga Perikleu, Aristoteli, Platoni, Fidia, ndonëse nuk kanë asnjë lidhje gjenetike me ta. C'i shtyn këta pasardhës të tribuve shqiptare, greke, vllehe e sllave të shiten më shumë se ç'janë? Mentaliteti i tyre ende bajraktar?
Mendoj se PO.
Rrënimi ekonomik i sotëm i Greqisë, është i ndryshëm nga kriza ekonomike e Islandës apo Irlandës. Ka rrënjë të thella në megalomania jonë Ballkanike.
Ndoshta do shërvejë si mësim i mirë për shqiptarët, rumunët serbët e bullgarët, të mos bëjnë marrëzitë vetëshkatërruese të Greqisë..

Tuesday, 7 February 2012

Vazhdon rrugetimi i Olsit dhe une jam me konfuz se Olsiprinder


Olsi fillon të marë që në vegjëli, pa hyrë në shkollë, mësimin e gabuar të dy botëve. Njëra e sigurta, ku hyn ai vetë me prindërit dhe të afërmit që i vizitojnë rrallë, edhe kushërira e tij Ana, me të cilën ka përmjerë disa herë në të njëjtën banjë, dhe ajo bota tjetër, e madhja, e frikshmja ku hyjnë miliardat e mikrobeve dhe insekteve, kafshëve të egra veç elefantit, burrat e bardhë që vërtiten të vetmuar lulishteve publike, të rinjtë me ngjyrë që shpërndajnë diçka të ndaluar dhe të gjithë të tjerët që ecin me dy, katër dhe me shumë këmbë. Për ata që ecin me karrige me rrota i kanë thënë që të mos i ketë frikë, por ata e trembin më shumë Olsin. Në botën tjetër hyn edhe dentisti që i buzëqeshte të jëmës, kur Olsi rrinte thuajse i shtrirë në ndenjësen e klinikës dentare dhe me syze të errëta, që ja kishte vënë ndihmësdentisteja.
Tani, prindërit e tij, që e kishin paralajmëruar shumë herë të mbrohej nga miriadat e mikrobeve, insekteve dhe burrave të bardhë që ecnin të vetmuar lulishteve publike, do e shpien në një pjesë të bukur të asaj botës tjetër, me shumë fëmijë me syze dhe pa syze, si dhe me gra tërë tule që do e duan shumë e do i mësojnë gjithë ato gjëra të reja.
Olsi ka kureshtje por edhe frikë nga ajo tërësi dhomash e korridoresh, në të cilën mund të të shfaqen krejt papritur gjithfarë mostrash dhe ai do e ketë të vështirë të largohet nga izolimi në atë ishull, ashtu si e ka të zorshme të largohet nga Morrowind, në lojëvideon Elderscrolls III.
Për më tepër, ai trembet kur dëgjon një bisedë të Olsiprindër, që flasin për një komanderos në një vend shumë të largët, që ka ngritur të gjithë pinguinët për të protestuar kundër shitjeve të shkollave, të cilat duhet t'ju ndahen në pjesë të barabartë të gjithë pinguinëve. Ai e ka të vështirë ta mendojë veten mes një turme të pafund pinguinësh, megjithëse ata janë më miqësore se mostrat e videolojrave. Nuk arrin të kuptojë edhe përse e jëma, duke përmendur vazhdimisht shembullin e komanderos së re, ngul këmbë që edhe Olsi të shkojë në një shkollë private. Më mirë të flerë sa të bëhet dita e barabartë me natën dhe atëhere mund të kuptojë më mirë se sa e frikshme do jetë bota e huaj me një shkollë në mes të saj.

Prit deri ne pranvere.

PRIT DERI NE PRANVERE


Asnjë nuk ishte larguar në dimër.
Në fund të verës kishte ndodhur më shpesh;
Pasi gjithshka kishim pirë,
Kur s'kishte mbetur më
Prej nektarit të puthjes,
            Drithërimave të prekjes,
                        Cuçuritjeve përkëdhelëse në vesh.

Kurse ti ikën jashtë në të ftohë,
Larg shtratit të ngrohtë të ëndrrave
Dhe qan bashkë me këtë erë,
Që kuit hapësirës së rrafshët boshe.
Nuk mendon që shpejt lulet do çelin;
Nuk shpreson se mund të ketë pranverë.

Unë prek tingëllimin pa ngjyrë të heshtjes
Dhe ndalem tek dera.
Trembem të shoh shpinën tënde të akulluar,
Që s'mundem më ta ngroh,
            As t'i rikthej drithërimin.
Belbët shqiptoj:
-Do vinte pranvera.
            Do e përndante hidhërimin!







Sunday, 5 February 2012

Kreu i VI i "Perdhunimit"


                                    MANAXHER TAFILI



            Sapo u hap dera e zyrës manaxher Tafili kërceu nga ndenjësja dhe fiku televizorin. Kishte filluar konferenca e shtypit e Kryetarit të Opozitës. Pastaj, si i zënë në faj, që po ndiqte rrjedhën e lajmeve, tani që ishte dëshmitari kryesor i krimit të dhjetëvjeçarit, ndoshta dhe të gjysëmshekullit, i buzëqeshi përulshëm Fred Metanit. Hetuesi nuk i kushtoi rëndësi buzëqeshjes, vetëm i dha dorën duke mërmëritur:      
            - Jam Fred Metani dhe do ju pyes  për ndodhinë e sotme. Mund të uleni.
            Tjetri u ul ngadalë në vendin e tij duke vazhduar të mbajë të njëjtën buzëqeshje në fytyrë.
            - Si quheni dhe kur kini lindur?
            - Tafil Bitri. Kam lindur më 18 Korrik 1954.
            - Profesioni dhe puna, që kryeni?
            - Kam mbaruar Shkollën Tregëtare dhe punoj si manaxher i hotelit. Jam bashkëpronar me Pjetër Dinin.
            Fredi pa me vëmendje fytyrën pa rrudha të Tafilit, që shkëlqente akoma më shumë nga drita e shumëfishuar në qelqet e trasha të syzeve. Ju duk se diku e kishte takuar, ose më mirë e kishte parë edhe herë të tjera. Tjetri, herë mbante pezull e herë rigjallëronte përulësinë në buzëqeshje.
            - Ne ç’orë kini hyrë mbrëmë në hotel?”
            - Duhet të ketë qënë rreth dhjetë e gjysëm. Ajo është zakonisht zakonisht ora kur filloj kontrollet e darkës.
            - C’fare kontrolloni në atë orë?
            - Të gjitha. Dhomat e lira, gjendjen e restorantit, përgatitjet e mëngjesit. Zakonisht zakonisht bëj edhe bilancin financiar ditor.
            - Po rojet i kontrolloni?
            - Sigurisht sigurisht.
            - Ju flini gjithmonë këtu?
            - Zakonisht zakonisht unë fle në shtëpi, paraditeve. Ndonjëherë fle këtu disa orë ndaj të gdhirë  .
            Fred Metanin kishte filluar të bezdisej nga shprehja zakonisht zakonisht, që përdorte manaxheri, ndaj vazhdoi me pyetje më të preçizuara.
            - C'farë të ra në sy gjatë kontrolleve të mbrëmshme?”
            - Cdo gjë ishte si zakonisht zakonisht. Vetëm më bëri përshtypje, që të gjitha dhomat ishin të shitura. Nuk ndodh zakonisht zakonisht në këtë periudhë.
            - Në ç’orë u kyç dera e jashtme?
            - Nuk e kycim kurrë.
            - Ka hyrje tjetër?
            - Dera e pasme e furnizimit.
            - Kur u mbyll mbrëmë?
            - Nuk e di saktësisht. Ishte e mbyllur gjatë kontrollit rutinë, që bëra si zakonisht zakonisht, më 2 pasmesnate.
            - Kush e mbylli ?
            - Shefi i kuzhinës besoj. Vetëm ai dhe roja kane çelës.
            - Te tjerë çelsa nuk ka?
            - Sigurisht kam një kopje unë dhe një kopje tjetër Pjetër Dini.
            - Pjetër Dini ka qënë mbrëmë në hotel?
            Buzëqeshja e manaxherit u shtri më shumë se zakonisht zakonisht, pas pyetjes për bashkëpronarin.
            - Ju nuk e njihni Pjetrin? E njeh i gjithë qyteti. E thërresin Pjetër Pokeristi…Ai thuajse nuk shkel ketu. Zakonisht zakonisht mbrëmjeve luan poker deri në të gdhirë.
            Fredi tundi kokën në shenjë pohimi. E njihte Pjetrin, por nuk e dinte që ishte pronar i këtij hoteli. Bile ju duk e çuditshme, që pas mijra orëve të humbura ne kumar, ai kishte patur mundesi të gjente kohë dhe para për të ndërtuar një hotel. Qoftë dhe të vogël si “Adriana”.
            - Nuk dëgjuat gjë të pazakontë midis orës 3 e gjysëm dhe 4 e 45?
            - Jo. Asgjë të pazakontë.
            - Pse hytë në dhomën 34?
            Manaxher Tafili e mblodhi buzëqeshjen dhe hetoi një çast fytyrën e Fredit.Nje cast te vetem dhe shume te shkurter,gati te pakapshem per nje sy te pastervitur.
            “Me 4 e  45 si zakonisht zakonisht u ngjita në katet lart, për të bërë kontollin rutine te pragmengjesit. Ne katin e dyte cdo gje ishte normale. Ne te tretin pashe te hapur deren e Leon Gurazit. I fola disa herë dhe pastaj, kur s’mora përgjigje hyra brenda dhe e gjeta te pergjakur.
            - Gjithmonë, kur nuk të përgjigjen klientët hyn në dhomë?
            - Si?- hezitoi të përgjigjej Tafili.
            “Ju pyeta nese zakonisht zakonisht, kur gjen deren e hapur dhe nuk te pergjigjen, hyn ne dhome per te pare c’ndodh.”
            Manaxheri u gëlltit disa herë.
            “Mbase s’ju kuptova mire…po …nuk kam patur raste te ngjashme, qe te them….pastaj Leon Gurazi ishte klient I vjeter dhe qeme gati si miq…”
            “Nuk ju shkoi ne mendje se mund te ishte ne banje…a mbase kishte dike tjeter brenda?”
            Befas kërciti dera dhe brenda hyri Major Kaçi. Tafili e pa me një lloj përdëllimi, si ti kishin sjellë urdhërin e faljes. Ndërkohë, që Majori zinte vend pranë tryezës, manaxheri vazhdoi me një zë më të sigurt:
            - Ne gjithmonë mendojmë për interesin dhe sigurinë e klientëve. Prandaj dhe me kontrollet rutinë që bejme zakonisht zakonisht, mundohemi te krijojme për ta kushtet me të mira.
            - Pra nuk ju shkoi ndërmend se mund të ishte në banjë ose me dikë tjetër?
            - Jo.
            - C’bëtë më vonë?
            - I kontrollova pulsin. E kishte shumë të dobët. U mundova ta përmendja dhe si e pashë që ishte e kotë telefonova major Kaçin.
            - Më tej?
            - Pastaj telefonova Ndihmën e Shpejtë dhe zbrita për të zgjuar rojen në holl.
            - Përse të duhej roja?
            - Po... mendova që do vinin shumë njerëz në hotel dhe dikush duhej t'i orientonte.
            - Sa kohë zgjatën të gjitha këto…afërsisht?
            - Ndoshta 4-5 minuta. Mbase pak më tepër..
            - Gjatë kësaj kohe askush nuk ishte në dhomë apo jo?
            - Si të thuash..une u ngjita shpejt lart, menjëherë sa zgjova rojen dhe i thashë shkurt se ç’kishte ndodhur.
            - A mundej që gjatë kësaj kohe dikush të largohej nga dhoma? Dikush i fshehur në banjë a diku në dhomë?
            - Absolutisht e pamundur. Dera e pasme ishte e kyçur. Në holl ndodheshim unë dhe roja. Nuk kishte se si të dilte gjatë asaj kohe.
            - Po nga ballkoni? Nëse ishte i fshehur në ballkon?
            Tafili i hodhi i shqetësuar sytë herë nga Major Kaçi dhe herë nga Fred Metani pa mundur të përgjigjej.
            - Dera e ballkonit ishte e mbyllur kur erdha unë- tha prerë Major Kaçi.
            - Edhe një pyetje kam për ju Tafil Bitri. A i lejoni rojet e turnit të natës të flenë?
            - …Zakonisht zakonisht ne i lejojmë të flenë nga pak në orët e vona pas mesnatës.- u përgjegj Manaxher Tafili dhe i veshtroi sërish të dy.
            - Faleminderit. Tani për tani mbaruam bashkë.- përfundoi Fredi dhe u ngrit. Major Kaçi qëndroi edhe disa çaste ulur.
                       






  


                                    NDERKRERESE 1

Pjesë të shënimeve  nga blloku i Fred Metanit.


3 janar...
Pas pyetjes së TB
-A përgjohej LG nga SHI-u?

-TB gënjen zakonisht zakonisht apo vetëm me raste?


-Kush ka urdhëruar të mënjanohet policia?
-A mund të jenë autorët ose autori në hotel?

-Të gjendet menjëherë PD.

Thursday, 2 February 2012

Me duket se e kam vene me 2011, po s'kemi c'veme...

I HUAJ NE TEMPULL


Sa doja të ndjehesha mirë mes tyre!
Biseda,
            Heshtje,
                        Thënie dykuptimshe,
                                    Thërrmija mitesh
Dhe heshtje sërish.
Flokë të thinjur,
            Të gjatë,
                        Në mes ndarë
Ose pas lidhur.
Sy gjysëm mbyllur ëndërrimesh,
Përlotur nga avuj rakish.

Druhesha të ]ikja atë meditim të pezullt,
Kërcimet e befta të Muzave,
Thellheshtjen pas ligjërimit turravrap,
Metaforat,
            Shallet rreth qafës,
                        Pasthirrmat,
                                    Gishtat e zverdhur,
Frymët që kundërmonin qebap.

Një mjekër u fërkua me për]mim,
            Dy buzë u rrudhën më tepëër,
                        Kënde sysh mbetën gjatë hapur,
Sikur të mos mjaftonte drita.
Nëpër dhëmbë e falura shpëtoi
Majë gishtash jashtë Tempullit rrëshqita.

PO VJEN MARINE LE PEN!



Krizë dhe erëra nacionaliste.
Kështu mund të karakterizohet Europa e dy-tre vjetëve të fundit.
Për herë të parë, që prej vitit 1972(viti i krijimit), një kandidat i Frontit Kombëtar në Francë, mund të kalojë pragun e 20%. Pra një në pesë francezë, të brumosur sipas parimeve "Liri, Vëllazërim, Barazi", do votojë për parimin "Franca mbi ]do gjë".
Dikush mund të thotë, që Marinë Lë Pen nuk është fashiste si i jati i saj Zhan Mari dhe se Fronti Kombëtar nuk duhet konsideruar më një Parti Fashiste. E megjithatë, në rastin më të mirë, partia e Marinë Lë Pen është një parti nacionaliste ksenofobe. Për fat të keq, me një popullaritet në rritje, në vendin që hapi horizontet e internacionalizmit dy shekuj më parë.
E them për fat të keq të Europës, sepse prirjet "centripete" janë lehtësisht të adaptueshme në vende me kulturë të pakët shtetërore e demokratike, si janë të gjithë vendet e Europës Lindore dhe ato të Mesdheut. Nëse numurojmë Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë Poloninë, Rumaninë, Hungarinë, Austrinë, Italinë, gjithë Ballkanin, Turqinë, dhe po qe se ju shtojmë edhe gjithë vendet e Kaukazit, harta e vendeve me një gjallërim të pazakonshëm të Ekstremit të Djathtë rritet shumë dhe bëhet e frikshme.
Europa ka nxjerë mësime nga dy Luftrat e tmerrshme Botërore. Duket se kjo është një garanci, për mospërsëritje të konflikteve të mëdha të armatosura rajonale apo më keq kontinentale.
Sistemi i sotëm ekonomiko-shoqëror i bazuar në Tregun e lirë dhe në globalizmin, ka shumë shumë të meta, të cilat ndoshta janë në themelet e tij dhe do e shoqërojnë gjatë gjithë kohës. E megjithatë, është një sistem shumë më i mirë se ai "shumëpolar", që kërkojnë lëvizjet e të Djathtës Ekstreme në vendet e mëdha si Franca, Rusia apo Kina. Apo se sistemi i bazuar në "pseudonacionalizmat" e vendeve të vegjël, të qeverisur nga politikanë të korruptuar.
Ndaj duhet ndalur vrulli i Marinë Lë Pen!

Wednesday, 1 February 2012

US ex machina!

US EX MACHINA!


I fusim një "deus ex machina" dhe e zgjidhim, bënte shaka dikur një shoku im që jeton sot në Boston! Ai dhe të tjerë miq të mij, që kanë prekur lirinë që ka në dy vendet e Amerikës së Veriut, e kanë kuptuar që shprehja "US ex machina" nuk është plotësisht e vërtetë.
Le ta spjegoj se ç'dua të them me titullin e këtij shkrimi. Në të gjithë Europën Lindore(dhe jo vetëm në të) është e rrënjosur thellë idea, që pas gjithshka të rëndësishme që ndodh sot në botë është dora e Amerikës ose e shtetit amerikan.
Ka disa arsye që kjo ide është kaq e fortë.
E para ka qënë propaganda e kohës së Luftës së Ftohtë, kur qeveritë komuniste mundoheshin të hidhnin në kurriz të Amerikës çdo dështim të tyre, ose të krijonin komplote të iniciuara nga spiunazhi amerikan, për sabotimin e ekonomive të tyre apo për përmbysjen e qeverive.
E dyta është edhe dëshira e amerikanëve për tu treguar më të fortë dhe më të aftë se sa vërtet janë, për të vendosur fatet e popujve dhe vendeve. Sidomos kjo manifestohet nga nëpunësit e nivelit të dytë e të tretë të ambasadave, të cilët duan të ndjehen të rëndësishëm në sytë e vendasve.
 E treta, është abuzimi që bëjnë politikanët dhe media në ekzagjerimin që luajnë lidhjet me politikën amerikane në karrirën e politikanëve të caktuar.
Publiku i vendeve të Lindjes dhe sidomos i Shqipërisë të izoluar, është gati të besojë çdo gjë që i thuhet se "ka gisht Amerika", ose "ky se ka të gjatë se se do Amerika" etj etj. Shembull i qartë gjatë këtij viti, ka qënë shpresa se Ambasadori amerikan Arvziu mund të rregullojë punët në e bëra lëmsh në Shqipëri! Dhe megjithëse e dinë mirë edhe Berisha edhe Rama se deri ku shkon fuqia e një ambasadori, qoftë edhe i një Vendi të madh, përsëri për të mashtruar publikun vendas, bëjnë sikur kanë mbështetjen e tij.
U fillua me një mbështetje të plotë të proklamuar nga Berisha, të ambasadorit Rajerson dhe vazhdon sot e kësaj dite të shiten si mbështetje gjithfarë kongersmenësh, të cilët mund të kenë një ndikim minimal në Departamentin e Shtetit apo në administratën amerikane.
Për një kohë të gjatë, u abuzua(dhe vazhdon të abuzohet) me influencën e Lobit grek në administratën amerikane, që solli përkeqësimin e marëdhënieve të amerikës me Berishën dhe që arriti kulmin me vitin 1997, i cili edhe hapur ju faturua amerikanëve! Në të njëjtën kohë Klintonin e mernin me domate në Athinë! Ky lobi i fuqishëm grek që s'la gjë pa bërë për të marë Vorio-Epirin e për të forcuar Greqinë, s'ishte në gjendje të ndalonte spekulimet e Goldman e Sachs me bonot e shtetit grek, që bëri t'i bien Greqisë brekët në fund të këmbëve!
Këto ditë në shtypin shqiptar, ripërmendet një intervistë në VOA e një ish-kongresmeni (BobHand), i cili me ato që ka thënë do sjellë pa dyshim rënien e Berishës!
Një analist i njohur, më thoshte disa vjet më parë, që Ministrat e Mbrojtjes në këta 20 vjet, kanë qënë të gjithë njerëz të amerikanëve se nuk vihen ministra pa miratimin e tyre! I shkoja ne mendje të gjithë surretërit e bërë ministra, nga Zhulali në Hajdaraga, Majko, Mehdiu, Imami dhe asnjë nuk ma mbushte mendjen se i kishte bërë për vete amerikanët!
Këto muhabete, të mbuluara me një tis misteri, bëhen jo vetëm kafeneve të Tiranës, por kudo në Europë, Lindjen e Mesme, Azi, Afrikë dhe amerikën Latine.
Sigurisht që Amerika ka ndikim në botë. Për shkak të forcës së saj ekonomike, politike dhe ushtarake. Por është e pamundur të kontrollojë çdo gjë edhe të dojë!
Në Departamentin e saj të Shtetit punojnë rreth 17 mijë vetë. Edhe rreth 20 mijë të tjerë punojnë në CIA. Të gjithë këta nëpunës, si në çdo zyrë shtetërore në botë punojnë me ritmin që punohet në shtet, kanë problemet e tyre familjare e të fëmijëve dhe "fizikisht" është e pamundur të shkojnë në dorë, të shoshitin, të dalin në konkluzione dhe të organizojnë komplote apo ngritje e ulje të politikanëve në vendet e tjera. Për më tepër, pjesa dërmuese e tyre meren me zonat e "nxehta', ku edhe interesat e Amerikës janë vitale dhe që përfshijnë Kinën, Rusinë, Pakistanin, Iranin, Izraelin, Amerikën Latine etj etj. Gjithashtu këta nëpunës janë të detyruar të punojnë sipas ligjeve demokratike të shtetit të tyrte, ku përfshihet edhe Liria e Informacionit, ndaj nuk e kanë aq të lehtë të ngrenë e të rrëzojnë qeverira.
E megjithatë, teoirtë komplotiste nuk janë shpikur në Shqipëri dhe kanë një auditor të gjerë. Në fund të fundit japin edhe një zgjidhje të menjëhershme të çdo situat të komplikuar.
"E bëri Amerika! ose US ex machina!" dhe shfaqja mbyllet mes duartrokitjeve.