US EX MACHINA!
I fusim një "deus ex machina" dhe e zgjidhim, bënte shaka dikur një shoku im që jeton sot në Boston! Ai dhe të tjerë miq të mij, që kanë prekur lirinë që ka në dy vendet e Amerikës së Veriut, e kanë kuptuar që shprehja "US ex machina" nuk është plotësisht e vërtetë.
Le ta spjegoj se ç'dua të them me titullin e këtij shkrimi. Në të gjithë Europën Lindore(dhe jo vetëm në të) është e rrënjosur thellë idea, që pas gjithshka të rëndësishme që ndodh sot në botë është dora e Amerikës ose e shtetit amerikan.
Ka disa arsye që kjo ide është kaq e fortë.
E para ka qënë propaganda e kohës së Luftës së Ftohtë, kur qeveritë komuniste mundoheshin të hidhnin në kurriz të Amerikës çdo dështim të tyre, ose të krijonin komplote të iniciuara nga spiunazhi amerikan, për sabotimin e ekonomive të tyre apo për përmbysjen e qeverive.
E dyta është edhe dëshira e amerikanëve për tu treguar më të fortë dhe më të aftë se sa vërtet janë, për të vendosur fatet e popujve dhe vendeve. Sidomos kjo manifestohet nga nëpunësit e nivelit të dytë e të tretë të ambasadave, të cilët duan të ndjehen të rëndësishëm në sytë e vendasve.
E treta, është abuzimi që bëjnë politikanët dhe media në ekzagjerimin që luajnë lidhjet me politikën amerikane në karrirën e politikanëve të caktuar.
Publiku i vendeve të Lindjes dhe sidomos i Shqipërisë të izoluar, është gati të besojë çdo gjë që i thuhet se "ka gisht Amerika", ose "ky se ka të gjatë se se do Amerika" etj etj. Shembull i qartë gjatë këtij viti, ka qënë shpresa se Ambasadori amerikan Arvziu mund të rregullojë punët në e bëra lëmsh në Shqipëri! Dhe megjithëse e dinë mirë edhe Berisha edhe Rama se deri ku shkon fuqia e një ambasadori, qoftë edhe i një Vendi të madh, përsëri për të mashtruar publikun vendas, bëjnë sikur kanë mbështetjen e tij.
U fillua me një mbështetje të plotë të proklamuar nga Berisha, të ambasadorit Rajerson dhe vazhdon sot e kësaj dite të shiten si mbështetje gjithfarë kongersmenësh, të cilët mund të kenë një ndikim minimal në Departamentin e Shtetit apo në administratën amerikane.
Për një kohë të gjatë, u abuzua(dhe vazhdon të abuzohet) me influencën e Lobit grek në administratën amerikane, që solli përkeqësimin e marëdhënieve të amerikës me Berishën dhe që arriti kulmin me vitin 1997, i cili edhe hapur ju faturua amerikanëve! Në të njëjtën kohë Klintonin e mernin me domate në Athinë! Ky lobi i fuqishëm grek që s'la gjë pa bërë për të marë Vorio-Epirin e për të forcuar Greqinë, s'ishte në gjendje të ndalonte spekulimet e Goldman e Sachs me bonot e shtetit grek, që bëri t'i bien Greqisë brekët në fund të këmbëve!
Këto ditë në shtypin shqiptar, ripërmendet një intervistë në VOA e një ish-kongresmeni (BobHand), i cili me ato që ka thënë do sjellë pa dyshim rënien e Berishës!
Një analist i njohur, më thoshte disa vjet më parë, që Ministrat e Mbrojtjes në këta 20 vjet, kanë qënë të gjithë njerëz të amerikanëve se nuk vihen ministra pa miratimin e tyre! I shkoja ne mendje të gjithë surretërit e bërë ministra, nga Zhulali në Hajdaraga, Majko, Mehdiu, Imami dhe asnjë nuk ma mbushte mendjen se i kishte bërë për vete amerikanët!
Këto muhabete, të mbuluara me një tis misteri, bëhen jo vetëm kafeneve të Tiranës, por kudo në Europë, Lindjen e Mesme, Azi, Afrikë dhe amerikën Latine.
Sigurisht që Amerika ka ndikim në botë. Për shkak të forcës së saj ekonomike, politike dhe ushtarake. Por është e pamundur të kontrollojë çdo gjë edhe të dojë!
Në Departamentin e saj të Shtetit punojnë rreth 17 mijë vetë. Edhe rreth 20 mijë të tjerë punojnë në CIA. Të gjithë këta nëpunës, si në çdo zyrë shtetërore në botë punojnë me ritmin që punohet në shtet, kanë problemet e tyre familjare e të fëmijëve dhe "fizikisht" është e pamundur të shkojnë në dorë, të shoshitin, të dalin në konkluzione dhe të organizojnë komplote apo ngritje e ulje të politikanëve në vendet e tjera. Për më tepër, pjesa dërmuese e tyre meren me zonat e "nxehta', ku edhe interesat e Amerikës janë vitale dhe që përfshijnë Kinën, Rusinë, Pakistanin, Iranin, Izraelin, Amerikën Latine etj etj. Gjithashtu këta nëpunës janë të detyruar të punojnë sipas ligjeve demokratike të shtetit të tyrte, ku përfshihet edhe Liria e Informacionit, ndaj nuk e kanë aq të lehtë të ngrenë e të rrëzojnë qeverira.
E megjithatë, teoirtë komplotiste nuk janë shpikur në Shqipëri dhe kanë një auditor të gjerë. Në fund të fundit japin edhe një zgjidhje të menjëhershme të çdo situat të komplikuar.
"E bëri Amerika! ose US ex machina!" dhe shfaqja mbyllet mes duartrokitjeve.
No comments:
Post a Comment