Saturday, 11 February 2012

Megallomania e Ballkanasve.



Kriza e sotme Europiane, mes shumë "të palarash" të tjera, nxori në pah një nga cilësitë shumë të dëmshme për shoqëritë e Ballkanit. Atë të megalomanisë. U shfaq më hapur dhe në mënyrë më dramatike në shtetin më të përkëdhelur Ballkanik- Greqinë.
                        E kam vizituar fqinjin tonë për herë të parë në gusht të vitit 1992(ishte vizita ime e parë jashtë vendit) dhe më la përshtypje të pashlyeshme. Sidomos Athina, edhe pse qëllova në një kohë kur bënin grevë punonjësit e pastrimit të plehrave dhe kishte mbingarkesë mbeturinash në vendet e depozitimit. U trishtova për prapambetjen e vendit tim dhe rininë tonë të humbur brenda një sistemi të mbyllur dhe absurd. Mendova që grekët kishin qënë me fa që nuk fitoi EAM-i pas Luftës së dytë dhe nuk ju bashkëngjitën qerres të Bashkimit Sovjetik. Dukej si një shoqëri që funksiononte mirë dhe njerëzit që ishin kthyer nga "kurbetet" e rënda të Gjermanisë apo vendeve Skandinave, po ndërtonin një jetë të mirë për vete dhe fëmijët e tyre. Mu duk e çuditshme që më shumë se gjysma e popullsisë së Greqisë jetonte në Athinë, e megjithatë, duke mos pasur ndonjë njohje të ekonomisë të kapitalizmit(veç asaj që më kishte mësuar Dalip Cota)kujtova se i tillë është Qytetërimi. Njerëzit jetojnë në qytete.
Një vit më vonë, krahas Greqisë, pata mundësinë të vizitoja edhe vende të tjera në të dy anët e Atlantikut dhe të bëja një lloj krahasimi(të sipërfaqshëm) mes shoqërive perëndimore dhe shoqërisë greke. Shumë athiniotë jo vetëm ngjisnin me ne shqiptarët, por më dukej se ngjisnin shumë me atë pjesë të shqiptarëve që  ju themi "e kanë gjoksin me gropë".  Mendoja që kushtet klimaterike, deti Mesdhe, ushqimi, testosteroni, i bëjnë njerëzit e këtyre trevave të jenë krenarë deri në arrogancë dhe debatues deri në nxjerrje thikash. Kishte filluar edhe të shprehej hapur një përbuzje ndaj të huajve dhe sidomos shqiptarëve, nga njerëz që kishin jetuar në emigracion dhe kishin ndjerë në kurrizin e tyre të njëjtën përbuzje. Por më shumë se çdo gjë që më binte në sy për keq, sidomos edhe pas vitit 1997, ishte një lloj jete pushimesh e rinisë të Athinës. Klubet ishin plot me të rinj nga mëngjezi deri në darkë, të rinj që pinin frape e luanin tavëll. Disa herë pyeta grekë ose shqiptarë që jetonin aty "Si është e mundur?" dhe përgjigjeshin pa shumë kokëçarje "Kështu është në Greqi! Një punon dhe dy rrinë e shikojnë!" dukej se çdo gjë do vazhdonte ashtu pa bërë shumë përpjekje, më në fund edhe ne ballkanasit të jetonim si "pasha".
Megallomania e grekërve kishte arritur kulmin që më 1993, kur kërkonin që Lojrat Olimpike të 2000 të mbaheshin në Greqi, gjë që arritën ta fitonin më 1997. Në një vend prej 10 milionësh, me ekonomi të pastabilizuar dhe me një shtet që nuk vilte dot taksat. Qindra mijra Euro po ju paguheshin sportistëve shqiptarë, rusë, bullgarë, ukrainas të stërviteshin në Greqi dhe për Greqinë në sporte që nuk sjellin asnjë lloj fitimi. Pa pritur e pakujtuar Greqia po kthehej edhe në një Fuqi Olimpike. Përse? Për të treguar që rrjedhin nga Perikleu, Aristoteli, Platoni, Fidia, ndonëse nuk kanë asnjë lidhje gjenetike me ta. C'i shtyn këta pasardhës të tribuve shqiptare, greke, vllehe e sllave të shiten më shumë se ç'janë? Mentaliteti i tyre ende bajraktar?
Mendoj se PO.
Rrënimi ekonomik i sotëm i Greqisë, është i ndryshëm nga kriza ekonomike e Islandës apo Irlandës. Ka rrënjë të thella në megalomania jonë Ballkanike.
Ndoshta do shërvejë si mësim i mirë për shqiptarët, rumunët serbët e bullgarët, të mos bëjnë marrëzitë vetëshkatërruese të Greqisë..

No comments:

Post a Comment