Tuesday, 7 February 2012

Vazhdon rrugetimi i Olsit dhe une jam me konfuz se Olsiprinder


Olsi fillon të marë që në vegjëli, pa hyrë në shkollë, mësimin e gabuar të dy botëve. Njëra e sigurta, ku hyn ai vetë me prindërit dhe të afërmit që i vizitojnë rrallë, edhe kushërira e tij Ana, me të cilën ka përmjerë disa herë në të njëjtën banjë, dhe ajo bota tjetër, e madhja, e frikshmja ku hyjnë miliardat e mikrobeve dhe insekteve, kafshëve të egra veç elefantit, burrat e bardhë që vërtiten të vetmuar lulishteve publike, të rinjtë me ngjyrë që shpërndajnë diçka të ndaluar dhe të gjithë të tjerët që ecin me dy, katër dhe me shumë këmbë. Për ata që ecin me karrige me rrota i kanë thënë që të mos i ketë frikë, por ata e trembin më shumë Olsin. Në botën tjetër hyn edhe dentisti që i buzëqeshte të jëmës, kur Olsi rrinte thuajse i shtrirë në ndenjësen e klinikës dentare dhe me syze të errëta, që ja kishte vënë ndihmësdentisteja.
Tani, prindërit e tij, që e kishin paralajmëruar shumë herë të mbrohej nga miriadat e mikrobeve, insekteve dhe burrave të bardhë që ecnin të vetmuar lulishteve publike, do e shpien në një pjesë të bukur të asaj botës tjetër, me shumë fëmijë me syze dhe pa syze, si dhe me gra tërë tule që do e duan shumë e do i mësojnë gjithë ato gjëra të reja.
Olsi ka kureshtje por edhe frikë nga ajo tërësi dhomash e korridoresh, në të cilën mund të të shfaqen krejt papritur gjithfarë mostrash dhe ai do e ketë të vështirë të largohet nga izolimi në atë ishull, ashtu si e ka të zorshme të largohet nga Morrowind, në lojëvideon Elderscrolls III.
Për më tepër, ai trembet kur dëgjon një bisedë të Olsiprindër, që flasin për një komanderos në një vend shumë të largët, që ka ngritur të gjithë pinguinët për të protestuar kundër shitjeve të shkollave, të cilat duhet t'ju ndahen në pjesë të barabartë të gjithë pinguinëve. Ai e ka të vështirë ta mendojë veten mes një turme të pafund pinguinësh, megjithëse ata janë më miqësore se mostrat e videolojrave. Nuk arrin të kuptojë edhe përse e jëma, duke përmendur vazhdimisht shembullin e komanderos së re, ngul këmbë që edhe Olsi të shkojë në një shkollë private. Më mirë të flerë sa të bëhet dita e barabartë me natën dhe atëhere mund të kuptojë më mirë se sa e frikshme do jetë bota e huaj me një shkollë në mes të saj.

No comments:

Post a Comment