“Reaksioni zinxhir” është një nocion në fizikë, që ka hyrë në shekullin e XX-të dhe lidhet me zbërthimin e atomit dhe me energjinë shkatërruese që lirohet gjatë procesit. Bomba atomike është ndër aplikimet më të njohura të tij.
Në Shqipëri nuk po ndodh një proces i mirëfilltë i zbërthimit
të atomeve, por vlerat e shoqërisë po shkërmoqen dita ditës nga një lloj tjetër
“reaksioni zinxhir”, që shkurtimisht do ta quaja ala-Kadare “Rrenaja” (provova
tosken “gënjeshtraja”, por gegërisht tingëllon më ëmbël).
Bashkatdhetarët që jetojnë në tokën e të parëve më rrejnë në
mënyrë të vazhdueshme, këmbëngulëse, të përkorë, të hallakatur dhe më të shumtën
e rasteve të paqëllimtë. Gënjejnë për vendndodhjen, për transaksionet e të
palujtshmeve, për rrogat, për planet e fundjavës, për afatet, për restorantet
ku drekojnë, për shenjat që ju ka dhënë virusi, për motin, për llojet e verërave,
për kondicionet arkitekturore dhe disa edhe për moshën.
Më të shumtit e tyre nuk e dijnë, që në vitet ’90 unë bëra një
Master (jo online) gratis në fushën e Rrenës, në leksionet dhe seminaret e të
cilit mu spjeguan të gjitha teknikat e vjetra dhe bashkëkohore të rrenave. Por
të gjitha kishin një qëllim dhe edhe ato që dukeshin absurde, kishin të
fshehura një shënjë të largët.
Rrenat e sotme shqiptare, në të shumtën e tyre duket se janë
për hir të të rrejturit, se shoh që gënjejnë edhe për avatarët në rrjetet
sociale, për shkollimet e fëmijëve, për rrënjët e stërgjyshëve dhe për recetat
e hashures. Ka 80 vjeçarë, që shënojnë në profilin e tyre në Facebook , që kanë
mbaruar universitetin edhe pse në një të ardhme jo të largët, Shën Pjetri nuk
do ju kërkojë diplomën për të hyrë në Parajsë dhe aq më pak t’ja u verifikojë
se e kanë fallco.
Por ajo që më duket më e lidhur me “reaksionin zinxhir” është
që po gënjejnë edhe ata të cilët nuk e kanë pasur këtë hyq më parë. Të përfshirë
në këtë nebulozë rrenash, jorrencakët, pa mundur dot të mbrohen dhe me kokë të
mjegulluar, detyrohen të përcjellin
rrenat e të tjerëve, të sajojnë më të lehta për t’i zbutur, të bëjnë sikur t’i besojnë
dhe më pas të binden dhe vetë, të përdorin kundërrena, që janë e njëjta gjë
e kështu me rradhë.
Casti kur shumica të mos arrijë dot të dallojë rrenën nga
jorrena ka për të qënë dita e katastrofës shoqërore dhe më duket se nuk jemi
larg saj. Rrencakët kanë hipur në shkallët më të larta të shoqërisë dhe tani të
rinjve të gënjyerit ju duket se është zgjuarsi, dinakëri, zotësi, aftësi, mënyrë
të jetuari, planifikim i të ardhmes, dëfrim dhe të qënit bashkëkohor. Me një
fjalë “cool”.
E kundërta janë demodetë “turp”, “nder”, “cipë“, “fjalë e
mbajtur”, “shtrëngim dore”, “ e vërtetë“. “Gjojna antike” ma merr mendja se ju
thonë në Tiranë, por kjo është thjesht hamendje.
Rrenat shoqërohen me shprehjet “parazitare “- “po normal’, “për
momentin”, “mbetemi në kontakt” dhe të tjera më të mjegullta edhe për ata që i thonë
dhe për ata që kanë durim t’i dëgjojnë. “Po normal!”
Një i njohuri im parapëlqente ta thërrisnin ”alepuja”, se
kishte punuar ca kohë në Greqi dhe nuk i tingëllonte mirë t’i thërrisnin dhelpër.
Por dhelpra e fabulave dhe përrallave gënjente me punë dhe jo në mënyrë të
trashë si i njohuri im. Dhe si ai e plot të tjerë. Gënjejnë kot! Ky është pragu
i shkatërrimit. Se sipas vargjeve, që më mësonte në vegjëli nëna ime “Kot s’më thonë dhelpra dinake/ Se vjedh
pulat topolake”, kishte kuptim dinakëria, por shumica e të sotmëve nuk
kapin dot as sorrën me gënjeshtrat e tyre të njëpasnjëshme dhe aspak të
sofistikuara.
-Fajin e kanë politikanët!, do hidhet menjëherë dikush nga
rrencakët e Mëmëdheut dhe nuk është fare pa të drejtë. Por politikanët po mbushin
xhepat me ndihmën e rrenave, ndërsa ju të shkretë jo vetëm që nuk jini në
gjendje t’ju çirrni maskat, por po i ndiqni
symbyllur në rrugën e poshtër të mashtrimit kolektiv dhe të pafund.
A ka shpëtim?
Nuk po i përgjigjem kësaj pyetje se nga dashamirësia do jem i
detyruar t’ju gënjej.
No comments:
Post a Comment