Sunday, 14 February 2021

Biseda “të pakryera” me babanë ( “pushtetarët lokalë“)


Unë:
Sa të rëndësishme ishin në punën që bëje, si dhe në krijimtari, marëdhëniet me drejtuesit e Partisë dhe të ekzekutivit në Korçë? Në kohët që kujtoj unë, më dukeshin se nuk i kishe shumë të mira.

Ai: Në çdo kohë, marëdhëniet e shkrimtarëve dhe gazetarëve me pushtetin nuk kanë qënë të mira. Nëse i ke shumë të mira, me shumë njerëz të pushtetit dhe për një kohë të gjatë, tregon se ke një karakter “të dyshimtë“. Ose je servil, ose di të “manovrosh” me shumë kujdes për të përballuar arrogancën, padijen, gjaknxehtësinë apo edhe dashakeqësinë, të cilat hasen shpesh në njerëzit e veshur me pushtet. E megjithatë jo të gjithë ata, që kanë pasur pozitë në atë kohë kanë qënë të njëjtë. Pengesa mund të hasje edhe në zyrtarët e rregullt, por që ishin burokratë, ose kishin shumë frikë.

Kur folëm për përjashtimin tim nga Partia Komuniste përmendën disa prej tyre, por në vitet e mëtejshme pata marëdhënie shumë të mira me disa drejtues lokalë. Mbi të gjithë, me Piro Kondin në ato pak vite, që ishte Sekretar i Parë i Korçës. Por Piron e kisha patur shok në vitet e BRASH-it, kështu që më deshte dhe më vlerësonte. Me të lidhet edhe një ngjarje , që ta kam treguar disa herë dhe për të cilën i kam qënë shumë mirënjohës.

Në vitin 1963, po përfundonte ndërtimi i pallatit të banimit në Bar-Korça dhe megjithëse më kishin futur në listën e atyre, që do merrnin apartament, një ditë vere, kur shkoja të merrja autorizimin në Komitetin Ekzekutiv, drejtuesi i zyrës së strehimit K.D. më bëri të njohur që nuk do më jepej dhe do planifikohesha për një ndërtim të ardhshëm. Nuk arrita të “fitoja” në diskutimin e zgjatur me drejtuesin me një fytyrë dhe shpirt “të errët” dhe rastësisht, ndërsa dilja, takoj Piron, që po hynte në komitet. I spjegova se ç’më kishte ndodhur dhe më tha: “Qëlloi mirë, se po nisem për në Tiranë dhe do shkoj me një delegacion në Kinë!” Hyri brenda në ndërtesën e Komitetit dhe për pak doli jashtë dhe më tha të shkoja të nesërmen për të marë autorizimin. Kështu, pasi kishim ndenjur me qera në 4-5 shtëpi private, morrëm më në fund një apartament të mirë në qendër të qytetit. Rastësia ndonjëherë ndryshon shumë gjëra.

Unë: Edhe unë, kur jam rritur, më dukej gjë e madhe, sepse me përjashtime të vogla, në atë pallat të gjithë kryefamiljarët ishin komunistë. Në hyrjen tonë ne ishim të vetmit, që nuk kishim anëtar partie në familje.

Ai: Ishte pallat i preferuar dhe në atë kohë, që kishte shumë nevojë për apartamente, planifikoheshin sipas sektorëve të ndryshëm. Në hyrjen tonë, gjysmat e apartamenteve ishin planifikuar për ushtarakët dhe ata që jetonin aty ishin të gjithë me familje të mëdha, që ju takonte të merrnin apartament. Ishin njerëz shumë të mirë dhe gjatë viteve marëdhëniet e familjeve që jetonin atje ishin shumë të mira.

Unë: Në hyrjen e parë të pallatit tonë, jetonte sekretari i komitetit të Partisë Bexhet Zagorçani, me fëmijët e të cilit ne ishim shokë dhe shoqe të afërt. Besoj se edhe ti kishe marëdhënie të mira me Bexhetin?

Ai: Bexheti ishte burrë i mirë, por me të nuk më lidhte puna se ai ishte sekretar për bujqësinë. Kisha të bëja kryesisht me sekretarët që mbulonin ideologjinë dhe propagandën, si dhe me kryetarët e komiteteve ekzekutive. Po si të thashë më parë, marëdhëniet vareshin shumë edhe nga karakteret e njerëzve. Kishte sekretarë të parë si Haki Toska, Ramadan Xhangolli apo Petro Dode, që ishin dashamirës ndaj atyre që merreshin me artin dhe kulturën. Të tillë ishin edhe Jani Mioja dhe Vangjush Cçrrava, kur punonin si kryetarë të komitetit ekzekutiv. Kishte edhe shumë që ishin arrogantë dhe të paditur, bile edhe të tillë, që mund t’i cilësoje si “xhahilë”. Përveç Mihallaq Ziçishtit dhe Todi Lubonjës, të cilët i kam përmendur më parë, të ngjashëm me ta ishin Enver Halili, Gjergji Krastafillaku, Pali Miska, Jani Ballta e ndonjë tjetër.

Unë: Thuajse të gjithë këta , të cilët i përmënde, ishin korçarë. E megjithatë, sipas teje, këta kishin cilësi negative. Duket sikur Koçën e kanë dëmtuar më shumë vetë korçarët.

Ai: Korça nuk është vetëm kultura dhe arti, apo po t’i shtojmë këtu edhe arsimin. E megjithatë nuk është e çuditshme, që dashje pa dashje vetë korçarët ta dëmtojnë Korçën. Kur në drejtim vendosen njerëz të paditur, e që për më tepër nuk duan të mësojnë, se ju duket sikur i dinë të gjitha, detyrimisht do gabohet. Ziçishti psh, ndoqi gjatë gjithë viteve të tij, përkrahjen e njerëzve nga zona e tij e lindjes, Devolli. Në drejtimin e shumë ndërmarjeve, apo institucioneve arsimore dhe kulturore, u vendosën njerëz të ardhur nga Bilishti, Ziçishti dhe fshatra të tjerë të asaj zone. Nuk kishte mundësi, që të gjithë më të mirët, të “fshiheshin” pikërisht në atë zonë dhe të zëvendësonin qytetarët korçarë në shumë vende drejtuese.

Miska dhe Krastafillaku ishin thellësisht të pakulturuar dhe aq e kishin “malumatin”. Ndërsa Ballta “i dinte të gjitha” ndaj nuk mund të mësonte dot asgjë tjetër.

Unë: Ti vazhdimisht ngrije zërin edhe për gabimet , që bëheshin në ndërtimet dhe urbanistikën e qytetit. Më kujtohet që për vite të tëra, përsërisje me keqardhje prishjen e interierit të kinema Moravës në mesin e viteve ’60.

Ai: Po. Ishte nga gabimet më të rënda, pas atij të prishjes së Katedrales së Shën Gjergjit, që është “krimi “ më i madh ndaj arkitekturës së Korçës. Por ndërsa për Shën Gjergjin orientimet vinin nga Tirana dhe pakkush mund të bënte gjë për ta ndryshuar, nismëtari i zjarrtë i ndryshimit të kinemasë ishte një tjetër korçar, Dushi Ballçoja. Se kush ja kishte shtënë në vesh nuk u mësua kurrë, por me gjithë rezervat që shprehëm shumë prej nesh, Pandushi i shkoi deri në fund prishjes së llozhave dhe galerisë, me preteksin se do shtohet kapaciteti i kinemasë dhe do bëhet më popullore. Kinemaja ndenji e mbyllur për një vit dhe pas hapjes zhgënjeu të gjithë qytetin për atë “palo rikonstruksion”.

Ishin dy korçarë të tjerë, të cilët gabuan rëndë me ndëryrjet urbanistike në fillimin e viteve ’60. Misto Meleja, një urbanist shumë i mirë dhe Myftar Grabocka, që ishte kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit në ato vite. Kështu u futën dy banesa 4 katëshe të gjata përgjatë bulevardit “Republika, të cilat bllokonin rrugët që dilnin në bulevard, që ishte një nga karakteristikat më tërheqëse të urbanistikës së Korçës. e kam fjalën për pallatin e Vetshërbimit dhe atë përballë kinemasë. Bile plani i Meles, parashikonte edhe zgjatjen e pallatit duke prishur edhe banesën e pastiçerisë “Moska”, e cila shpëtoi për mrekulli.

Po aq i gabuar ishte ndërhyrja me vëllime të harkuara horizontale në sheshi i bankës, që prishi idenë origjinale të atij sheshi, të planifikuar nga Italianët para luftës. Pallatet në Cajupi dhe tjetri përballë ( I laboratorit optik) janë ndër ndërtimet më të dobëta në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit.

Unë: E megjithatë, drejtuesit partiakë të Korçës u treguan dashamirës ndaj veprave të një arkitekti korçar, për të cilin ti kishe shumë simpati dhe e përmendje gjithnjë për mirë. Ishte Petraq Kolevica.

Ai: Petraqin e kisha njohur kur isha drejtor I bibliotekës. Ishte një djalë i ri, që lexonte shumë dhe ishte i sjellshëm dhe shumë inteligjent. Pas studimeve ai nuk u kthye në Korçë, por në vitet ’60 projektoi shumë vepra për qytetin e Korçës , të cilat mbetën jo vetëm ndër më të realizuarat, por ishin vepra, që në të njëjtën kohë mund të ndërtoheshin në çdo qytet europian të madhësisë së Korçës, pa stonuar aspak. Ishte një arkitekt shumë i mirë dhe bashkëkohor.

Shkolla “Themistokli Gërmenji”, pallati pranë Stadiumit, ai tek Kinemaja dhe “7 katëshi” janë ndërtime vërtet të mira, që i kanë rezistuar kohës edhe si ndërtime, por edhe si stile. Mbi të gjitha ishte e projektuar mirë Biblioteka, projektin e së cilës e ndoqa që në fillimet e saj, meqë kisha punuar dikur në atë institucion. Për fat të keq, fasadat u ndryshuan gjatë ndërtimit, gjë që ja uli vlerat.

Petraqi ishte arkitekt shumë i mirë dhe njeri me karakter të fortë. Ishte edhe i thjeshtë, se një pjesë të mirë të suksesit ja dedikonte specialistëve shumë të mirë korçarë të ndërmarjes së ndërtimit.

Unë: Në këtë rast mund të them se “çinovnikët lokalë“ nuk ishin pengues të së bukurës dhe modernes për qytetin dhe jetën kulturore të tij. “Bije poshtë“ disi ajo që ti përmende më lart.

Ai: Për ta kuptuar më mirë një kohë, kur ishe fëmijë dhe adoleshent, duhet të të them, që në njerëzit me pushtet në Korçë dalloheshin dy dukuri. Njëra ishte arroganca dhe mospërfillja ndaj atyre, të cilët jetonin në qytet e shoqëruar me një lloj “nënshtrimi” nga Tirana dhe  e dyta ishte frika se fjala e shkruar, piktura e ekspozuar apo një veprimtari kulturore jashtë “standartit” mund t’ju hapte problem me lart. Petraqi punonte në Tiranë dhe “mendohej” se projektet e kishin marrë miratimin e qendrës ndaj dhe nuk ju sillej ndonjë pengesë. Nëse Kolevica do punonte në Korçë do kishte patur shumë e shumë “kokçëarje” me kryetarët e komiteteve dhe me sekretarët e partisë.

Kishte pasur dy raste me teatrin, kur “të fuqishmit” e qytetit ishin kritikuar se ju kishin shpëtuar shfaqje me mangësi ideologjike. Një ishte me dramën “Rrethimi i bardhë“ i Naum Priftit dhe më vonë e njëjta gjë ndodhi me “Njolla të murrme” të Minush Jeros. Prandaj edhe ishin më të kujdesshëm dhe më pengues në këto fusha nëse i krahasojmë me arkitekturën.

Unë: Ka një ngjarje, që më ka mbetur shumë e rëndë në kujtesë edhe pse mund të mos duket e tillë. Në janar të vitit 1983, shkrimtari Guri Miçinoti, më tregonte në Tiranë, me shumë ngjyra si e kishte zakon, një përplasje që kishte patur në një mbledhje me Enver Halilin, ku ishe përfshirë edhe ti. Kur të pyeta, ti pak a shumë e pranove, që kishte ndodhur si ma kishte treguar Guri. Pse erdhi ajo?

Ai: Ishte analiza vjetore e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve dhe përgjithësisht ato bëheshin me shumë pjesëmarje dhe në praninë e të deleguarve nga Tirana. Në presidium ishte edhe Enver Halili, atë kohë sekretar i parë i Korçës, që duke dashur të dukej mori në dorë drejtimin e mbledhjes. Pas raportit të mbajtur nga Petraq Zotoja, që ishte kryetar atë vit, u ngrit të diskutonte Guri dhe sipas mënyrës së tij tha “ raporti është arbitrar dhe shumë i dobët, se Petraqi nuk është këshilluar për të as me anëtarët e kryesisë“. Këtu nisën debatet e Halilit me Miçinotin dhe kur ky i fundit përmendi, që ja kisha thënë unë ‘moskëshillimin”, sekretari i parë më ngriti më këmbë dhe të jepja llogari sikur të isha nxënës shkolle.

Unë: Nuk ju “përveshe”? Ti nuk lejoje të të kërkonin llogari pa të drejtë.

Ai: Kishte disa muaj që më ishte shfaqur depresioni dhe nuk kisha forcën e zakonshme shpirtërore. U befasova edhe nga kurajoja e Enver H., që deri në atë kohë nuk ishte shfaqur aq arrogant, por dukej që debate me Gurin e kishte “nxjerrë nga shinat”. Vazhduan “përplasjen” duke e prishur edhe mbledhjen dhe më vonë ai këmbënguli, që Guri të përjashtohej nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe edhe në Tiranë, u detyruan të pajtoheshin me kërkesën e tij absurde.

Unë: Po a ishte kaq e rëndësishme analiza vjetore e degës së Lidhjes, sa duhej të merrte pjesë e për më tepër ta drejtonte Sekretari i Parë i rrethit?

Ai: Nuk ishte e zakonshme në atë rang, por Halili pat qënë më parë sekretar për ideologjinë dhe njëkohësisht e mbante veten si njohës i mirë i problemeve të artit dhe mik të artistëve. Ishin një “taraf shkodranësh” në ato vite, që kishin marrë drejtimin në sektorin e propagandës në Shqipëri nga Halili, Marash Hajati, Xhemal Dini e të tjerë miq të Ramiz Alisë. Enver Halili kishte studiuar për ligj në Bashkimin Sovjetik, por duket se nuk “ja theshte” shumë nga ligjet dhe e kishte të lehtë të tregohej “kompetent” në punët e artit.

Unë: Ti shpesh kishe treguar, që nuk kishe shumë vlerësim për shkodranët në punët e artit dhe kulturës. Vinte kjo nga “rivaliteti” i vjetër i Korçës me Shkodrën apo më shumë nga përvojat vetiake?

Ai: Nuk është e vërtetë, pasi kishte shumë krijues shkodranë të cilët I kisha njohur dhe i vlerësoja nga Prenk Jakova, Drago dhe Llazar Siliqi, Jonuz Dini, Serafin Fanko, Mark Kaftalli, Tonin Harapi, Skënder Drini e plot të tjerë. Vërejtjet i kisha për një “fryrje” , që i bënin disa shkodranë sukseseve në kulturë dhe art të Shkodrës, duke dashur të dilnin mbi qytetet e tjera e sidomos mbi Korçën. Kështu teprohej vlerësimi i Idromenos krahasuar me Mion, i Jakovës me Konon apo edhe më parë, ai i Fishtës si “poet kombëtar”. Unë kam qënë gjithnjë i mendimit se pa nënvleftësuar të tjerët, për shumë arsye të favorshme, koha e kishte bërë Korçën qytetin më të zhvilluar të Shqipërisë. Dhe kjo patjetër që do reflektohej në art e kulturë. Shumë të huaj, të cilët i shoqëroja në vitet ’60 dhe ’70, më kishin thënë që ndryshimi ndjehej sa hyje në Fushën e Korçës. Ndryshonte shumë me gjithë Shqipërinë që kishin vizituar më parë.

Unë: Mos ndoshta këto vlerësime na bënë të mbetemi në vend?

Ai: Arsyet kryesore ishin dy. E para, që një pjesë e madhe e intelektualëve dhe krijuesve korçarë shkuan të jetonin në Tiranë dhe e dyta, pazotësia, arrogance dhe padija e një pjese prej drejtuesve lokalë në gjithë periudhën pas luftës. Korça nuk mbeti në vend, por në të kundërt, bëri hapa prapa. Para luftës kishte dy kinema, botoheshin disa gazeta të mira, kishte një numur jo të vogël klubesh kulturore dhe shoqatash teatrore, kishte një shtypshkronjë, e cila ishte njëkohësisht edhe shtëpi botuese dhe të gjitha këto për një popullsi sa një e treta e asaj të viteve ’60.

Unë: Më duket se nuk ka pse të zgjatemi me arsyet.

 

2 comments:

  1. Per sekretarin e pare te Korces, per te cilin flitet (edhe pse ka 5 vjet qe ka vdekur) sot e kesaj dite me superlativa, vetem yt ate paska vjelle vrer. Apo kerkon dhe ti vemendje nepermjet te vdekurve? Seghe mentali!!

    ReplyDelete
  2. Rastesia nuk e ve ne dyshim se flitet me superlativa per Enver H.(nese e kini fjalen per te) sepse me superlativa ka shume e shume qe flasin edhe per adashin e tij.
    Nuk di nese jini pjestar/e i familjes apo thjesht dashamires/e e tij, qe t'ju ngushelloj per humbjen e tij te para 5 viteve. Nese do dija se kush ishit do ju spjegoja se per figurat publike flitet edhe pas vdekjes, sepse kane pasur efekte ne jetet e njerezve ndaj per to do flitet edhe mire edhe keq.
    Nuk di nese superlativat i thone vetem femra te nje profili te caktuar, per te cilat E>H. ka qene i njohur ne Shkoder, Tirane, Korce e kudo ku ka shkelur. Ishte maniak seksual i njejte me shokun e tij Fecor Shehu, por kjo eshte dicka qe im ate nuk e ka ditur dhe nuk e kam gjykuar ta permend ne shkrimin tim pa superlativa.
    Sa per ane te tjera te karakterit i ka pasur te pershtatshme per te qene anetar i KQ. Dhe keto jane fakte te cilat ju mund t'i quani vrer.
    Mua me mjafton vemendja mes te gjalleve si ti dhe gjithe superlativistet e tjere.
    Uroj mos e vuash shume komentin tim per E.H.








    ReplyDelete