Wednesday, 17 February 2021

Mund të normalizohet Amerika pas “uraganit” Trump?


Shumica e njerëzve me dy fije arsyetim në Amerikë, nuk kërkonin më tepër se “të largohet Trump, që të kemi një jetë politike normale, që do përcjellë të natyrshmen edhe në çdo fushë të jetës!”. Ishin jo vetëm shumë republicanë (të rregjistruar), por shumica e atyre, që nuk mbajnë asnjë krah politik. Me këtë do pranonin si President jo vetëm “të moshuarin mediokër” Xho Bajden, por ndoshta edhe ndonjë më të dobët se ai. Të njëjtin mendim kishin edhe të gjithë aleatët europianë të Amerikës, edhe pse këta të fundit nuk kishin “peshë“ për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Në një “shtet-kontinent” si Amerika është shumë e vështirë të kthehesh në një gjendje të natyrshme, të zakontë, pasi ke kaluar katër vjet të një tronditjeje të madhe të institucioneve, rregullave të lojës politike, raportit të njerëzve me të vërtetën etj. Nëse e kishte apo jo qëllim ta “çorbaviste” Amerikën, Trump ja arriti. Amerika e sotme është shumë më ndryshe se ajo e janarit 2016.

Atë vit, duke biseduar me një mikun tim në SHBA, të cilit i shprehja habinë për fitoren e “kllounit” dhe drejtimin që mund të merrte Amerika, ai u mundua të më qetësonte duke thënë: “E se nuk e lenë shumë të tundë b… se këta edhe kanë vrarë presidentë!” Miku im nuk e njihte mirë vendin ku jetonte. Dyshoj nëse e njeh mirë edhe tani, megjithëse ka më shumë mend se shumë të tjerë, pasi edhe pa qënë me Demokratët nuk ka votuar ndonjëherë për “The Donald”.

E përmenda këtë, për të treguar se jo vetëm demokracia edhe në Amerikë është shumë e brishtë, por edhe për të kujtuar se atje ku ka institucione të forta nuk mund të ketë “deep state”. Nëse për të mu kundërvënë, do më pyesni “E po mirë kush e vrau atëhere Kenedin?” do ju përgjigjem që nuk e di, por përsëri nuk besoj në të ashtuquajturën “prania e deep state”. Prirja e jonë për të pranuar ekzistencën e tij, është prirja naïve e njerëzve, që duan të zgjidhin gjërat shpejt e shpejt, me një mënyrë të ngjashme me antiken “deus ex machina”.

Edhe pse nuk pasqyrohet gjërësisht në mediat kryesore, klima politike në Amerikë vazhdon të jetë e tensionuar. Njerëzit vazhdojnë të jenë të ndarë në pro dhe anti Trump thuajse gjysëm për gjysëm. Partia Republikane është po aq sa ishte (në mos më shumë) partia e “The Donald” ndaj dhe do jetë shumë e vështirë që gjendja të normalizohet. Për shkak të përmasave të mëdha të vendit, injorancës politike të pjesës dërmuese të elektoratit, është e pamundur të krijohen parti të tjera, të cilat mund të ndryshojnë jetën politike të vendit. Ndaj edhe Trump nuk bën dot pa republikanët, ashtu sikundër këta nuk mund të bëjnë dot pa të.

E keqja më e madhe e këtij “bipolarizmi” të theksuar është se në jetën politike amerikane po mendohet më shumë se kurrë vetëm “pro” dhe “kundër”, që nuk jep fryte të tjera, veç tensioneve të vazhdueshme dhe “gjyrylldive”. Edhe pse republikanët me anëtarësi përbëjnë 25% të popullsisë amerikane, duhet thënë se mbi 70% e tyre besojnë me të vërtetë se Trump i fitoi zgjedhjet dhe Xhoja është President i paligjshëm. Eshtë shumë e rrezikshme që më shumë se 20% e zgjedhësve të jenë të sigurt se votat janë vjedhur në një vend si Amerika, ku më parë askush nuk besonte në një “përrallë“ të tillë. Dhe tashmë e keqja është bërë. Humbja e besimit në “gurin e themelit” të Demokracisë, shumë shpejt kthimin e vështrimit drejt modeleve autoritariste, ose më keq drejt Diktatorëve.

“The Donald” ka si dizavantazh moshën dhe problemet e mëdha që po i lindin me proceset e mundshme penale dhe civile, por dikush më i ri, më i zgjuar dhe me të njëjtën karizmë (e çuditshme sa budallenj ka kjo botë!) mund të përmbysë, atë çka është shpresa e të gjithë njerëzve të ndershëm në botë: Demokracinë Amerikane! Katër vjet më parë ishin të pakët ata që besonin në parashikimet e Noam Chomsky-t apo edhe të të tjerëve si Tom Fridman, por 6 janari tronditi rëndë besimin e shumë njerëzve.

Dy vitet që vijnë janë një provë jetike për Demokracinë amerikane. Nëse Partia Republikane mbetet rob në rrjetën “e qelbur” të Trampizmit, duhet të jemi gati të presim një 2024 të tmerrshme, kur një “uragan” më shkatërrues do përfshijë Amerikën e Veriut dhe të gjithë botën!

Perëndia (se njerëzit nuk janë në gjendje) vëntë dorë!

No comments:

Post a Comment