Saturday, 27 February 2021

Biseda të "pakryera" me babanë (I zhubravitur-2)


(vijon)

Unë: Meqë e përmëndëm sërish, hynte Kadareja në “të zhubraviturit”?

Ai: Ismailin herë e “zhubravisnin” dhe herë e “çzhubravisnin”. Marëdhëniet e tij me pushtetin e kohës dhe sidomos me Enver Hoxhën kanë qënë komplekse. Po të ishte për shumë partiakë të niveleve të ulta, apo edhe një pjese të mirë të Sigurimit të Shtetit, Kadareja do kishte përfunduar në burg. Ndoshta Enver Hoxha dhe të tjerë rreth tij e kishin kuptuar, që Kadareja ju shërbente më shumë po të ishte jashtë dhe të botonte, se sa po ta fusnin Brenda. Dhe kjo jo vetëm pasi u bë i njohur në Francë në fillimin e viteve ’70, por edhe më parë, kur u bë i famshëm në Shqipëri.

Kishte periudha kur ja hiqnin ndonjë botim nga qarkullimi, kur e dërgonin për të punuar jashtë Tiranës, kur i kthenin vepra për t’i rishikuar apo nuk e përfshinin në ndonjë delegacion për jashtë, por nuk e përjashtuan asnjëherë nga Partia dhe as e ulën  në rangun e kandidatit, që ishte masa e parë e “zhubravitjes”. Edhe vetë Ismaili dinte të manovronte sipas zbutjes dhe ashpërsimit të luftës së klasave, duke shkruar prozë apo poezi, që “ilustronin” direktivat e Partisë. Të tilla janë të asaj kohe “Emblema e Dikurshme”, “Europa e mbretërve” dhe shumë poezi të vëllimit “Koha”. “Koncert në fund të dimrit’ është gjithashtu një “karikaturizim” i Partisë Komuniste Kineze, por jo e parë me lentet e Perëndimit, por me ato të Hoxhës dhe Alisë.

Frikë duhet të ketë pasur si të gjithë ne dhe ndoshta më shumë, se kishte shumë krijime dhe shumë botime. Për më tepër, duke qënë në profesion të lirë, nuk mund të rrinte me vite pa shpënë gjë për botim.

Unë: Edhe ti pate bërë “lëshime” të atij lloji në atë kohë. Më kujtohen vargjet e një kënge të kompozuar nga Nikolla Zoraqi, që u krijua për festimet e Kongresit të Bashkimeve Profesionale në Korçë më 1977. Isha 18 atë vit dhe edhe pse pëlqeja shumë Majakovskin, më vinte turp kur dëgjoja refrenin “Maja e shpatës proletare, Partia prin tallazet çan…”

Ai: Ato vargje i kisha bërë me ‘porosi” se na kishin thirrur në Komitetin e Partisë dhe na patën kërkuar të bënim tekste për klasën puntore. Si të përmenda, figurat letrare atë kohë paraqisnin vështirësi ndaj edhe zgjodha një figurë nga një fjalim i kohës i Enverit “Partia është maja e shpatës proletare” për të qënë i sigurt se nuk do e interpretonte për keq njeri. Qëlloi që ishte “pas midesë“ edhe të partiakëve dhe ja dhanë për ta kompozuar Nikollas, me të cilin njihesha pak, por nuk kisha bashkëpunuar ndonjëherë.

Unë: Të thashë “më vinte turp” se ishin muaj kur kisha “zhgarravitur” edhe vetë vargje (të thyera), nga të cilat të kisha treguar ty vetëm një, poezinë “Soditje”, që e kam përfshirë në librin “Endem”.

Ai: Të kam thënë në atë kohë, që ishte një vështrim origjinal dhe më pëlqeu. Nuk të nxita shumë të shkruaje, ose të pyesja nëse kishe të tjera, si kisha bërë kur kishe dëshirë të vizatoje, se mendoja që nuk kishe shfaqur ndonjë talent të spikatur dhe për më tepër kohët nuk ishin shumë të mira për poezi të sinqerta. E dija nga ato, që kisha shkruar vetë në moshën e adoleshencës, që përgjithësisht sillen rreth pikpyetjeve thelbësore ndaj jetës, apo për brengën e dashurive të humbura. Nga që të njihja mirë, nuk më dukej se mund të shkruaje me entusiazëm për jetën e lumtur, apo kundër “rrethimit imperialist-revizionist”.

Unë: Vërtet nuk kanë qënë të tilla, se ishin emocionet e mija, të cilat i kisha ruajtur për vete dhe shumë e shumë vite më vonë ja u kam treguar edhe shokëve. Ishim një brez “cinikësh”, që talleshim me këtë lloj arti edhe pse lexonim çdo gjë që na binte në dorë. Ishin vite kur lexoja më shumë poezi se zakonisht dhe kishte përkthime të mira të Eluarit, Preverit, Lorkës dhe gjithashtu të Majakovskit. Artin e tij e pëlqeja më shumë se të Pushkinit, Lermontovit apo Eseninit, librat e të cilëve i kishim në shqip në shtëpi. Bodleri, Shatobriani, Remboja dhe Merimeja ishin në frëngjisht dhe nuk ju qasesha dot.

Ai: Ishte mëkat që nuk pate vullnet të mësoje frëngjisht se jo vetë që kishim shumë libra të mirë në shtëpi, por edhe pse poezija mund të shijohet vetëm në original. Edhe përkthimet më të mira ja humbin magjinë dhe muzikalitetin. Kishim “Ndëshkimet” e Hygoit edhe frëngjisht edhe shqip, por përkthimi ishte shumë larg vargjeve të të madhit të letrave franceze. Më ndryshe ndodhte me prozën.

Megjithatë çdo e keqe e ka një të mirë, se po të kishe lexuar si adoleshent Rembonë dhe Bodlerin, nuk do kishte qënë e zorshme të përfundoje edhe ti tek të “zhubraviturit”. Me Majakovskin rreziku ishte më i vogël.

Unë: Në janar të vitit 1982, kur mbushe 60 vjet, megjithëse “i zhubravitur” erdhi në shtëpi për të të uruar Dritëro Agolli. Unë isha me studime në Tiranë dhe u çudita, kur mësova se bashkë me të kishte ardhur edhe Mihallaq Ziçishti, atë kohë, Sekretar i Parë i Durrësit. U çudita se e dija që nuk kishit shkuar mirë.

Ai: Edhe unë u habita kur e pashë të vinte me Dritëronë, Dalan Shapllon dhe të tjerët, se nuk ishte i ftuar. Tha që i kishte takuar rrugës dhe kur i thanë që po vinin tek unë u bashkua dhe ai. Kërkoi të zinte vend me fytyrë nga dera duke thënë me të qeshur, se kështu bënte gjithnjë, për të qënë gati për çdo “të papritur”. 4-5 muaj më vonë e shkarkuan dhe e arrestuan si bashkëpuntor të “grupit” të Mehmet Shehut. Duket që tek unë kishte ardhur për të qënë pranë Dritëroit, i cili atë kohë ishte anëtar i Komitetit Qëndror dhe mik i Ramiz Alisë. Një muaj më parë, kishte vrarë veten Mehmet Shehu dhe në rrethet e larta partiake me sa  dukej qarkullonin “plane”, për të cilat ne të tjerët nuk kishim idenë.

Unë: Vitin, që u diplomova dhe fillova punë, qëlloi që ishte 40 vjetori i çlirimit dhe kudo bëheshin përgatitje, rikonstruksione, ndërtime lapidarësh dhe përurime veprash për të festuar përfundimin e luftës dhe më shumë për 40 vitet e pushtetit të Diktaturës së Proletariatit. Më ngarkuan të bëja projektin e një monumenti në hyrje të Korçës për të kujtuar Dëshmorët e Cifligut të luftës për Pavarësi dhe të dëshmorëve të Luftës nacional-çlirimtare. Punimet u kryen me nxitim, si bëheshin në të tilla raste dhe përurimi u bë ditët e festave të Nëntorit, por çuditërisht, më dërguan një ftesë për darkën festive, që do mbahej në Hotel Turizmi. Më duket se ma dha Hasan Malolli duke më kujtuar që ishte “vlerësim i madh”. Edhe unë edhe skulptori Ladi Topi, me të cilin ishim bashkëautorë, nuk e kuptonim se kush ishte kujtuar për ne.

U ndjeva keq kur duhet të të thesha ty, se nuk mbahej mend, që kur nuk kujtohej njeri të të ftonte në “sebepe” të tilla. E dija që të pëlqente të shkoje, kur të ftonin në çdo lloj veprimtarie. Më pe me sy të trishtuar dhe më the vetëm “mirë!” Ishe i sëmurë dhe nuk arrita të kuptoja nëse trishtoheshe që kishe shumë vite i lënë mënjanë, apo mendoje me dyshim “mos e kanë futur në thes edhe tim bir”.

Shkuam bashkë me Ladin dhe ishim mes veteranësh, kryetarë kooperativash, drejtorë ndërmarjesh dhe të tjerë burra të moshuar, të mësuar me këto lloj darkash, që hanin e pinin për shtatë palë qejfe. Ishin edhe kohët e kufizimit të ushqimeve. Ne ndjeheshim në siklet dhe më shumë akoma, kur në sallën tonë erdhën të na takonin edhe të “mëdhenjtë e Tiranës”. I deleguar ishte Hajredin Celiku dhe kur i zuri për dore të gjithë, në altoparlante buçiti kënga “Enver Hoxha Tungjatjeta”. Hajredini filloi të thërriste më shumë se të gjithë, që ishin ngritur më këmbë dhe këndonin ‘himnin popullor” të viteve ’80. Veteranët e shkretë, me dhëmbë të rralluara, këndonin, po një sy e mbanin edhe në pjatat e pambaruara, që kishin përpara. 6 muaj më vonë Komandanti i la dhe filluan të rralloheshin “zhubravitjet”.

Ai: (Hesht)

Unë: Po si është e mundur, që të gjithë ju “të zhubraviturit”, nuk u solidarizuat ndonjëherë për tu ngritur kundër atyre që ju “zhubravisnin”?

Ai: Kjo është pyetje, e cila kërkon një libër të tërë si përgjigje.

Shenim: Fotoja eshte marre gjate nje vizite te Ramiz Alise ne nentor 1988 ne pallatin ku banonim. Pensionistet i kishin nxjrre te prisnin Udheheqsin dhe atje ndodhi takimi i rastesishem i Ramiz Alise me Andon Maren, me te cilin kishte punuar dhe mesuar 40 e ca vjet me pare.

No comments:

Post a Comment