Wednesday, 3 February 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (Fadil Pacrami dhe teatri)

 Unë: Le të flasim pak për teatrin shqiptar në përgjithësi dhe për rolin e Fadil Paçramit në artin skenik të viteve ’60 dhe ’70. Ka disa studiues, të cilët i quajnë si vitet më të mira të skenës shqiptare.

Ai: Sukseset ose dështimet e teatrit shqiptar në një periudhë të caktuar nuk mund të lidhen vetëm me një ose dy emra. Nga vetë natyra arti i skenës është kompleks dhe kërkon jo vetëm drama apo komedi të shkruara mirë, por edhe regjisorë me shumë njohuri dhe nivel, aktorë të talentuar dhe skenografë të specializuar. Në vitet ’60 pati një rritje të nivelit teatror, jo për shkak të Fadil Paçramit dhe dramave apo orientimeve të tij, por se posa ishin kthyer nga studimet jashtë Shqipërisë shumë regjisorë dhe aktorë të talentuar si Esat Oktrova, Kujtim Spahivogli, Piro Mani, Kadri Roshi, Mihallaq Luarasi, Serafin Fanko e të tjerë.

Këta i shtoheshin aktorëve dhe regjisorëve shqiptarë, që kishin mbi 15 vjet që luanin kryesisht pjesë të huaja , por edhe pjesë të traditës shqiptare apo edhe më të reja të sukseshme si “Halili dhe Hajrija” dhe “Toka Jonë“ të Kol Jakovës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Karnavalet e Korçës” e Spiro Comorës e të tjera. Jo vetëm Teatri Popullor, por edhe teatrot e Korçës dhe Shkodrës kishin trupa të mira aktorësh edhe pse një pjesë e mirë e tyre nuk kishin shkollimin e nevojshëm profesional.

Unë: Po dramat e Fadil Paçramit, duke nisur me “Shtëpia në bulevard” e vitit 1963 dhe duke kulmuar me “Cështja e inxhinier Saimirit” më 1971 ishin risi për dramën shqiptare?

Ai: Ta kam përmendur edhe më parë, që rasti i Paçramit është unik jo vetëm në letërsinë shqiptare, por edhe në atë europiane. Filloi të shkruante papritur drama, kur i kishte kaluar të dyzetat dhe kur nuk kishte botuar në asnjë gjini letrare më parë. Se si i lindi talenti dhe dëshira atë e di ai dhe ata që ka pasur pranë, por ndoshta lidhet me kohën që mësonte në Shkollën e Partisë në Bashkimin Sovjetik, në fundin e viteve ‘50. Ishin vite liberale në Moskë dhe ndoshta edhe në teatrin rus viheshin në skenë vepra me tematikë të ngjashme me ato, që shkroi më vonë Fadili.

Ai kishte avantazhin të punonte si funksionar i lartë partiak në sektorin e arteve dhe veprat e tij të botoheshin dhe të luheshin shumë më lehtë se ato të të tjerëve. Ishte koha kur po liheshin mënjanë pjesët teatrale të huaja dhe po i kushtohej rëndësi “veprave, që pasqyronin jetën socialiste”. Po luheshin më pak veprat e Shekspirit, Molierit, Ibsenit dhe për klasikët grekë as bëhej më fjalë. Quheshin të gjithë “demode” nga klani i Paçramit me kompani. Edhe rikthimi i Kadaresë tek Eskili është shumë i vonshëm dhe vjen edhe si një lloj pendimi, për “injorimin” që ju bëri në vitet ’60 klasikëve. Entusiazmi ndaj teatrit absurd të Joneskos dhe Beketit (edhe pse pjesët e tyre nuk lejoheshin të luheshin në Shqipëri) kishte bërë që t’i hiqej vijë teatrit klasik dhe sidomos pjesëve të shkruara në vargje. Kjo ishte fryma e mjediseve teatrore në atë kohë e orientuar veçanërisht nga Fadil Paçrami

E megjithatë, duhet folur më shumë rreth veprave të tij se sa ndaj autorit. Unë kam lexuar atë kohë disa nga dramat e Paçramit, që botoheshin në revistën “Nëntori”. Më dukeshin mediokre edhe nga gjuha e thatë e përdorur, por edhe nga ana strukturore. Nuk pashë të vëna në skenë, sepse përgjithësisht ato luheshin në Tiranë dhe në Durrës dhe teatri i Korçës nuk pati ndonjëherë bashkëpunim me Fadilin. Gjithsesi është e vështirë të ndërtosh drama mbi një jetë bashkëkohore, kur nuk mund të prekësh kontradiktën kryesore, atë midis njerëzve dhe pushtetit, që kufizon liritë, ose të themi edhe vetëm ndaj funksionarëve të nivelit të dytë.

Unë: Ti më ke thënë, që në analizën ideo-artistike, që ju bëri dramave Llazari (Siliqi) më 1973, i “nxorri fishek” artistikisht. Llazari nuk ishte dramaturg dhe as kritik letrar.

Ai: Llazari vërtet ishte poet, por ishte edhe një njohës shumë i mirë i letërsisë. Të dy Siliqët (ai dhe Dragoja) kishin jo vetëm njohuri dhe shije të mira, por edhe dashamirësi ndaj krijuesve. Edhe pse analiza e dramave të Paçramit duhet të ishte negative, se ai po goditej nga Enver Hoxha, analiza e Llazarit për vlerat artistike nuk ishte e ekzagjeruar. Dramat e “pompuara” më parë nga kritikët servilë të Fadilit si Miho Gjini dhe Kudret Velça ishin mediokre. Asnjë prej tyre nuk është më pjesë e fondit kombëtar të pjesëve teatrale.


Unë:
Më duket se i shmangesh përmendjes së Dritëroit, kur flasim për “luftën e brezave” dhe për teatrin. “Devolliu” pat shkruar pjesët teatrale “Fytyra e dytë“ dhe “Mosha e bardhë“( e vënë në skenë nga Teatri i Korçës), përveç skenarëve të filmave, që shkrojti ato vite.

Ai: Dritëroi qëndronte larg “luftës së brezave”, por nuk mund të them se ishte “mbi të“. Për vetë natyrën e njeriut të mirë dhe poetit të mënçur, Dritëroi kishte marëdhënie të mira thuajse me të gjithë krijuesit, pavarësisht nga brezi, të cilit i përkisnin. Kishte cilësi shumë të mira njerëzore. Nuk di hollësi se si i kishte marëdhëniet me Fadilin dhe Todin, sidomos pasi kishte shkruar romanin satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku i bënte një karikaturë të përkryer të gjithë jetës kulturore në Tiranë dhe sidomos raporteve të krijuesve me funksionarët partiakë. Marëdhëniet e tij të mira me brezat ishte edhe arsyeja që u zgjodh të vihej në krye të Lidhjes pas pleniumit të IV, kur hoqën Dhimitër Shuteriqin. Ishte një emërim, i cili nuk pritej në rrethet letraro-artistike. Me vështirësi duhet ta ketë pranuar edhe vetë Dritëroi.

Sa për “mosha e Bardhë“ e vënë në skenë nga trupa e Korçës, nuk pati shumë sukses edhe për faktin se trupës I mungonin aktorët e rinj protagonistë dhe rolet kryesore të çifteve të studentëve i luajtën Pandi Raidhi(atë kohë gati 50 vjeçar), Valentina Caci dhe Dhorkë Orgocka të dyja 45 vjeçare. Shfaqjes I mungonte dinamizmi dhe freskia. Më pas edhe ajo pjesë u fut në “fondin e të goditurave".

(vijon)

No comments:

Post a Comment