Saturday, 13 February 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (Gjuha shqipe - fund)


 (vijim)

Unë: Ishe shumë entuziast gjatë punimeve për Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Flisje me admirim për një studiues të ri të letërsisë shqipe nga Kosova, që ishte delegat në Kongres. Ishte Rexhep Qosja. E kishe njohur?

Ai: Jo. Kisha lexuar disa artikuj studimorë të tij dhe më kishte bërë përshtypje shumë të mirë, sidomos për moshën dhe ndryshimin që kishte nga studiuesit bashkëmoshatarë në Shqipëri. Më kishin treguar edhe rreth disertacionit të tij për Asdrenin, të cilin nuk e kisha lexuar, por ishte pritur mirë në rrethet kritike të Tiranës. Aleksandër Drenovën jo vetëm që e ngrinte në një piedestal të merituar, të cilin nuk ja kishin dhënë studiuesit e letërsisë në Shqipëri, por e cilësonte ndër poetët më modernë të Ballkanit.

Unë: Përsëri dalim në “lokalizmin” tënd, ku vlerëson më shumë se sa duhet të gjithë ata, të cilët vijnë, ose kanë origjinë nga krahina e Korçës.

Ai: Ti “qyl” mos më kundërshto për hir të kundërshtimit, sepse vlerësimin e Asdrenit e ka bërë Qosja dhe jo unë. Dhe nëse quhet lokalizëm” të nxjerrësh në pah vlerat e qytetit apo të krahinës tënde e pranoj se kam qënë “lokalist”.

Unë: Je, se gjithnjë je ankuar “ se ne korçarët nuk bëjmë sa duhet për të nxjerrë vlerat tona, ndërsa të tjerët si Shkodra apo Elbasani edhe mizën e bëjnë buall”.

Ai: Eshtë shumë e vërtetë dhe ka të bëjë me një lloj “cinizmi” që e kemi karakteristikë. “E mo ç’është ky!” apo “Filani nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe!” e të tjera. Kurse qytetet e tjera kanë bërë të kundërtën, me një fjalë kanë ditur”të reklamojnë mallin e tyre”. Shkodranët për vite të tëra u përpoqën , që të nxirrnin se shkolla e parë shqipe ishte hapur në Shkodër, por nuk ja arritën se morën përgjigjen: “Po si t’ja bëjmë Naimit, që ka shkruar –Lumja ti o Korçë o lule/ Që le pas shoqet e tua/ Si trimi në ballë u sule/ Ta paçim për jetë hua!”

Unë: Në gjysmën e dytë të viteve ’80, ti mbaje shumë shënime nga gazetat për fjalët e huaja të përdorura pa vend, bile edhe në gazeta si “Sporti Popullor”. Një pjesë të vërejtjeve ja u dërgoje redaksive dhe një artikull përmbledhës e botove në “Drita” ose në “Tribuna e gazetarit”. Mua më dukej se i kushtoje shumë kohë asaj pune , e cila kërkonte skrupulozitet dhe që ju takonte redaktorëve të gazetave.

Ai: Po ta kishin bërë ata, të cilëve ju takonte, sigurisht që unë nuk do merresha se ishte diçka e ngjashme me punën e një mësuesi, i cili korrigjon detyrat e nxënësve. Por më dukej e domosdoshme për “t’ju rënë këmbanave” për ruajtjen e pastërtisë të shqipes. Injoranca mundet edhe ta dëmtojë shumë një gjuhë të gjallë.

Unë: “Hanin pykë“ redaktorët?

Ai: Nëse do i nisësh punët duke menduar se do kenë apo nuk do kenë rezultat, mund të lëkundesh dhe mos i nisësh kurrë ose mos i shpijesh deri në fund. Bëhesh pastaj si një “shkrimtar” i një tregimi të Azis Nesinit, që mendonte se si do pritej novela e tij dhe bënte ta niste dhe gjente arsye nga më të ndryshmet për të mos e shkruar kurrë.

Unë: Po mos e bën “purizmi” i tepruar më “të thatë“ shkrimin, qoftë ky letrar apo gazetaresk?

Ai: Përkundrazi. I shton jo vetëm rrjedhshmërinë, por edhe e bën të tingëllojë më bukur. Shqipe shumë të pastër përdornin Lasgushi, Kuteli dhe të tjerë mjeshtra të shqipes. Fat ishte që edhe shumë shkrimtarë e poetë “të zhubravitur” punonin si përkthyes në shtëpitë e botimit dhe jo vetëm u përkthyen kryevepra të letërsisë botërore, por u pasurua shumë edhe gjuha letrare shqipe. Dhe sa më shumë redaktime t’ju bëhen shkrimeve, që kanë fjalë të huaja, aq më tepër të gjithë jo vetëm do kërkojnë të barabartat në shqip, por edhe do përpiqen të gjejnë fjalë të vjetra, të cilat janë harruar ose përdoren shumë rrallë.

Unë: Pastërtia e gjuhës ka qënë kaq e rëndësishme për ty për arsye patriotike apo për arsye të tjera?

Ai: Le mos hymë në “ato thekra” të patriotizmit se nuk dalim dot. Por pastërtia e shqipes ka qënë shumë e rëndësishme për mua, sepse ishte “mjeti kryesor” me të cilin veproja në krijimtarinë time, por edhe në punën e përditshme. Nuk mund t’i thuash vetes shkrimtar apo gazetar nëse nuk zotëron mirë gjuhën në të cilën shkruan dhe nuk bën përpjekje për ta mësuar më mirë çdo ditë. Ndaj të gjitha botimet periodike në të cilat abonohesha më vlenin edhe për të mësuar sa më mirë shqipen. Kishte shkrimtarë, poetë dhe gazetarë, që botonin në këto periodikë dhe prej të cilëve mund të mësoje fjalë dhe shprehje të reja.

Unë: Kur shkruaje mbaje përherë pranë Fjalorin e Shqipes, botimin e vjetër, më duket i botuar nën drejtimin e Aleksandër Xhuvanit. Nuk ta ngadalësonte të shkruarit përdorimi i Fjalorit?

Ai: Nuk di se si shkruanin shkrimtarët e tjerë bashkëkohës me mua, se pak kemi folur me njëri tjetrin për “zakonet” e të shkruarit, të cilat janë shumë të veçanta. Psh Shuteriqi shkruante në pasticeri “Tirana”, shkrimtarë të tjerë shkruanin shkruanin në makinë shkrimi, kishte edhe të tillë që shkruanin më shumë kur ishin në shtrat. Nuk ka shumë rëndësi në përfundimin që arrihet. Unë shkruaja në tavolinë, gjithnjë me laps dhe doja të isha i përqëndruar, por edhe mund të kisha pranë edhe nga ju, mjaft të mos “ndjeheshit”. Fjalorin nuk e ndanja, sepse kur shkruaja nuk doja të shkëputesha e të shkoja në biblioteka e shtëpisë për ta marë. Edhe pse jo shpesh, kishte raste kur nuk isha i sigurt për fjalën që po përdorja ndaj më duhej të “këshillohesha” me fjalorin. Prandaj edhe e kishte kopertinën thuajse të shkëputur. Nga përdorimi. Në makinë shkrimi i hidhja pasi kisha hequr pjesë të tëra ose kisha shtuar të tjera.

Unë: Eshtë shqipja gjuha më e bukur në botë?

Ai: Eshtë ndër më të bukurat!

No comments:

Post a Comment