Monday, 22 February 2021

Biseda të "pakryera" me babanë (Sporti)


Unë:
Gjyshi im ishte i apasionuar pas sporteve?

Ai: Jo shumë. I pëlqenin lojrat, por nuk i ndiqte “sportet moderne”. Futbolli, basketbolli, atletika dhe sportet e tjera, individuale dhe kolektive, janë një dukuri kryesisht e shekullit të XX-të. Në Stamboll, edukimi fizik ishte futur në shkollë, që në ato fillore dhe në fëmijëri luanim shumë, sidomos futboll. Shkonim gjithnjë me shokët në stadium dhe isha tifoz me “Fenerbahçenë“. Në kampionatin e ekipeve të Stambollit, të një kategorie më poshtë, ishim të gjithë përkrahës të “Pera Klub”, që kishte kryesisht lojtarë dhe tifozë grekë, po edhe shumë shqiptarë. Ishte ekipi i zemrës i lagjes ku jetonim.

Unë: Ato vite Turqia ishte mirë në nivelin europian në futboll?

Ai: Turqia merrte pjesë me ekipin e futbollit në lojrat olimpike. Nuk kishte rezultate shumë të mira, po arrinte tëkonkuronte. Ne ishim veçanërisht krenarë, se në ekipin kombëtar ishin edhe dy lojtarë shqiptarë shumë të mirë. Po edhe basketbolli dhe volejbolli kishin nisur të luheshin shumë në Stamboll. Këto lojra i luanim në shkollë, se pasditeve në mëhallë luanim vetëm futboll. Kishim ekipin tonë dhe luanim edhe me ekipe të tjerë të së njëjtës moshë.

Unë: Po në Korçë sa të përhapura ishin sportet?

Ai: Futbolli ishte shumë popullor dhe veç “brekëverdhëve” të “Skënderbeut” kishte edhe disa ekipe të tjera, të një niveli më poshtë. Po luhej edhe tenis, në fushat e tenisit, pranë Fushës së Sportit. Kishte edhe të rinj, që ushtroheshin individualisht si atletë, por nuk kishte klub të organizuar. Po njëlloj ishin edhe çiklistët, që merrnin pjesë në “turet” përreth Shqipërisë dhe disa prej tyre si Koço Kërëku dhe Mishel Cicoja arrinin rezultate shumë të mira.

Nxitësit e sportit ishin pedagogët e edukimit fizik Sotir Sugari, Teni Frashëri, Anthusa Osmanlli si edhe prefekti Hil Mosi.

Unë: “Skënderbeu” ka arritur suksesin më të madh në vitin 1933, kur doli kampion i Shqipërisë. Ti atë kohë ishe në Stamboll, por edhe më vonë ekipi kryesor i Korçës ishte shumë i fortë në kampionatin shqiptar. Si të dukeshin lojtarët korçarë, krahasuar me më të mirët në Turqi?

Ai: Jehona e fitores së vetme ndaj Tiranës, që dilte gjithnjë kampione e Shqipërisë para luftës, ndjehej shumë edhe kur erdha në Korçë. Përsëritej shpesh një shprehje pakëz banale(por popullore) “..dhe referi nuk e zuri, Korça Tiranës ja vuri!”. Një pjesë e mirë e futbollistëve kampionë luanin akoma me përjashtim të Servet Agajt, lojtarit më të mirë të ekipit kampion, që ishte kthyer në Stamboll.

Më të mirët ishin Klani Mariani, Teli Samsuri dhe Miço Plluska, të cilët i grumbullonin edhe me ekipin kombëtar të Shqipërisë, në ato pak ndeshje që luheshin. Po lojtarë shumë të mirë ishin edhe Tato Bimbli, Fori Stasa dhe Tomor Ypi. Të gjithë këta mund të luanin pa frikë në çdo ekip të huaj të kohës. Ishin sportistë të përkushtuar, që stërviteshin vetë, me shumë zell dhe sakrifikonin çdo gjë për sportin. Tatoja e përcolli dashurinë për futbollin dhe për sporte e tjera në shumë breza të tjerë si mësues dhe si trainer.

Unë: Po në kohën e luftës veprimtaritë sportive u ndërprenë?

Ai: Jo. Në të kundërt, me pushtimin nga Italia, veprimtaritë sportive u shtuan se u hapën shumë sheshe lojrash nëpër lagje,në “kornizën e dopolavoros”. U masivizuan edhe volejbolli, si për djem edhe për vajza. Gjithashtu formacionet ushtarake italiane kishin ekipet e tyre të futbollit dhe luanin midis tyre, por edhe me ekipet e qytetit. Italia ishte shpallur dy herë kampione bote në futboll dhe midis ushtarëve Italianë kishte futbollistë shumë të mirë. Kampionati kombëtar u ndërpre, por ndeshjet e futbollit ndërmjet ekipeve të të njëjtit qytet vazhdonin. Kështu edhe kur në Korçë hyri ushtria greke.

Gjatë luftës së dytë, në qytetet shqiptare gjendja ishte e qetë, se bombardimet ishin shumë të rralla. Luftimet midis armikut dhe formacioneve shqiptare bëheshin në zona jashtë qytetit dhe nuk ishin as të pandërprera dhe as që të zgjasnin për ditë të tëra.

Unë: Ti ishe me punë në Tiranë, kur u bë Ballkaniada dhe Shqipëria u shpall kampione e Ballkanit në futboll. E ndoqe të gjithë Ballkaniadën?

Ai: Nuk besoj se më shpëtoi ndonjë veprimtari dhe duhet të dish , që Ballkaniada nuk kishte vetëm futbollin, por edhe lojra me dorë dhe atletikë. Arritjet në futboll u përmendën gjaët dekadave, sepse ka qënë arritja më e madhe ndërkombëtare e  futbollit shqiptar.

Zyrat e BRASH-it ishin ku është Korpusi qëndror I Universitetit dhe ishim shumë pranë me stadiumin kombëtar, ku zhvillohej Ballkaniada. I ndiqnim edhe se e pëjqenim sportin, por edhe duhet të shkruanim në revistën Pararoja, që ishte organi Rinisë Antifashiste, në kolegjiumin e së cilës bëja pjesë. Mes sportiestëve kishim edhe shokun tonë Skënder Begeja, që ishte rekordmen i vendit në 100 metra. Skënderi ishte edhe futbollist shumë I mirë, por atë vit nuk ishte pjesë e ekipit kombëtar.

Kombëtarja jonë shkëlqeu, por mbi të gjithë futbollistët tanë, shquante Loro BoriçI, të cilin e kisha parë disa herë në ndeshjet e Vllaznisë dhe ishte vërtet futbollist i kalibrit europian. Për fat të keq, në atë ngjarje sportive nuk luajtën korçarët Klani Marjani dhe Miço Plluska, të cilët ato vite bënin pjesë në ekipin kombëtar.

Unë: Futbolli në Korçë nuk e kishte më shkëlqimin e kohës së paraluftës. Pse ndodhte kjo?

Ai: Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje të përmbledhur për këtë se duhen “peshuar” mirë shumë faktorë. Por kriza disavjeçare dhe më të gjata ka në çdo ekip në botë dhe ka të bëjë me trainerët e moshave, me mbitalentet, që vijnë shumë rrallë, me trainerë të caktuar dhe drejtues sportivë etj. Ishte një kohë e viteve ’50, kur talentet në sulm ishin të pakët dhe loja ishte shumë e thjeshtëzuar, ose si përcaktohej në disa thirrje të kohës “dënju Rrapooo!”, që thuhej me të qeshur kur qëndërmbrojtësi Rrapo Sholla, e “perëndonte” topin drejt sulmit.

Futbollisti i parë korçar i nivelit më të lartë kombëtar, doli në fundin e viteve ’50 dhe ishte Stavri Lubonja, i quajtur “hungarezi” se të kujtonte sportistët më të mirë hungarezë të atyre viteve. Stavri shkoi me studime dhe e mbajtën me “Dinamon” dhe për vite të tëra nuk patëm futbollistë si ai, deri në gjysmën e dytë të viteve ’60, kur me ekipin kombëtar të Shqipërisë filluan të luanin Teodor Vasoja dhe Koço Dinella. Më pas talentet u shtuan dhe në vitet ’70 ekipi u bë pretendent edhe për titullin kampion. Në vitet ’80 filloi përsëri, e tatëpjeta e futbollit të Korçës.

Unë: Ti kishe marëdhënie shumë të mira me Loro Boriçin edhe kur ai ishte trainer? Pse nga ekipet e Tiranës pëlqeje vetëm Partizanin dhe veçanërisht Loron, kur drejtonte ekipin e futbollit?

Ai: Loroja ishte “zotni burrë“ dhe jo vetëm trainer i mirë dhe njohës i mirë i futbollit. Kur shkoja të kërkoja formacionet e ekipeve, që do luanin, pa dalë akoma për “nxemjen” para ndeshjes, Loroja ishte i vetmi trainer, që linte menjëherë çdo gjë dhe më jepte të plotë formacionin dhe lojtarët që do ishin rezervë. Ishte më korrekt edhe se trainerët korçarë. Besoj se me të njëjtin respekt sillej edhe me gazetarët e tjerë.

Sa për ekipet e Tiranës, unë nuk mund të pëlqeja asnjë ekip të Ministrisë të Brendshme, në çdo lloj sporti dhe Tirana kishte qënë rivalja e vjetër e “Skënderbeut”, që para luftës. Ndaj mbetej Partizani, kuptohet kur losnin mes tyre, se në përgjithësi më pëlqente të fitonin ekipet e rretheve.

Unë: Në vitin 1971, Loroja ishte edhe trainer i ekipit kombëtar dhe për eliminatoret e kampionatit europian ishim në grup me Gjermaninë. Ndeshja në Tiranë luhej më 17 shkurt dhe pasi festuam ditlindjen time, një ditë më parë, ti u ngrite “me natë“ dhe shkove të shikoje ndeshjen në Tiranë. U ktheve në mesnatë dhe ne të prisnim. Edhe pse e kishim ndjekur ndeshjen në radio, të dëgjuam “gojëhapur” rreth përshtypjeve të asaj ndeshje të madhe.

Ai: Ishte vërtet një ndeshje e madhe përballë ekipit gjerman më të mirë të të gjithë kohrave. Unë isha tifoz i tyre dhe i njihja mirë ata që luanin prej kampionatit botëror të vitit 1966. Trainer ishte Helmut Shën dhe në Tiranë luajtën të gjithë, duke nisur me Majerin në portë dhe duke vazhduar me Bekenbaurin, Netzerin dhe Mylerin, që shënoi edhe golin e vetëm të ndeshjes.

Ishte shumë e vështirë të gjeje biletë për atë ndeshje dhe në fillim të javës telefonova një shok të rinisë, Raqi Samaranë, që ishte atë kohë zv.Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë. Raqi me shumë bujari më premtoi biletën e tij dhe e pashë ndeshjen në një vend të mirë në tribunë.

Tanët respektuan me përpikmëri skemën e Loros, që u përgëzua shumë edhe nga trainer gjerman pas ndeshjes, dhe luajtën si të barabartë gjatë gjithë 90 minutave. Ishte vetëm një moment i një pakujdesie të vogël, kur Myleri i zbuluar brenda zonës së rreptësisë shënoi. Korçarët Vaso dhe Dinella ishin mes më të mirëve të kombëtares tonë në atë ndeshje.

Unë: Ty të kishte lënë shumë mbresa mbrojtësi i djathtë i gjermanëve, një lojtar të cilin nuk e nijihje. Ishte Berti Vogst. Më vonë do ishte për një kohë të gjatë mbrojtësi më i mirë i Gjermanisë.

Ai: Nuk e njihja se më duket ai nuk kishte luajtur në kampionatin e Meksikës të vitit 1970. Loroja duhet t’i njihte mirë aftësitë e tij sulmuese, se për ta “neutralizuar” në atë ndeshje kishte vënë mbrojtësin Astrit Ziu, në një pozicion ku duhet të luante një sulmues i majtë.

Pas fitores në Tiranë, gjermanët i fituan të gjitha ndeshjet, duke nisur me çerekfinalen ndaj Anglisë në Uembli dhe më pas ndaj Belgjikës dhe Bashkimit Sovietik, duke u shpallur kampionë absolutë të Europës.

(vijon)

No comments:

Post a Comment