Tuesday, 9 February 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (Gjuha Shqipe)


Unë:
Edhe pse nuk e pranoje hapur, gjuha shqipe nuk ishte “gjuha e nënës” edhe pse gjyshja ime, Vasiliqia, ishte nga Karbanjosi i Oparit dhe kishte bërë disa klasa shkollë greke në Voskopojë? Fjalët e para, të cilat pate mësuar, besoj se kanë qënë shqiëp?

Ai: Kur folëm për familjen të spjegova që vitet e para të foshnjërisë isha më shumë kohë me dadon time Cicina, e cila ishte greke dhe jetonte me ne. Me mamanë dhe me gjyshen flisja ndonjë fjalë edhe në shqip, por më shumë kuptoja dhe përgjigjesha në greqisht. Ishte gjuha, që përdornim më shumë në familje. Kur vdiq, gjyshja shqip flisnim vetëm me kushërinjtë shqiptarë, që nuk kishin shumë kohë në Stamboll.

Greqisht ishin edhe të gjitha librat dhe revistat që kishim në shtëpi, ndërsa një pjesë më e vogël në turqisht dhe frëngjisht. Librat shqip nisa t’i blej kur erdhëm në Korçë dhe nisa mësimet e shqipes në Lice. Kuptoja shumë mirë, por kisha vështirësi në të folur sidomos muajt e parë. Më vonë bëja gabime gramatikore prandaj edhe notat e gjuhës shqipe në shkollë i kisha poshtë notave të tjera.

Unë: Si kamundësi që Nesti dinte më mirë se ti? As ai nuk kishte mësuar shqip në shkollë.

Ai: Nesti ishte 9 vjet më i madh dhe kishte jetuar më shumë me gjyshen. Kur unë erdha në Korçë, më 1937, ai kishte ardhur një vit më parë dhe punonte në dyqanin “Leço & Mara” në Pazar. Prandaj dinte shumë më mirë edhe pse nuk mori kurrë ndonjë  mësim të shqipes. Dajllarët dhe gratë e tyre flisnin një shqipe shumë të pastër dhe më shumë akoma gjyshja ime nga ana e mamasë, që kishte jetuar në Kabanjos dhe në Voskopojë. Prej saj mësova shumë e shumë fjalë të rralla të shqipes, që mu deshën më vonë për të shkruar. Kështu që në përfundimin e Luftës, shqipen e dija gati po aq mirë sa edhe greqishten. Këtë të fundit përsëri e quaj si gjuhë shumë të pasur, por mos harrojmë se shqipja kishte vetëm 50-60 vjet, që kultivohej nga gjuhëtarët shqiptarë dhe të huaj dhe edhe pse ishte gjuhë e vjetër, kishte nevoja të mëdha për tu plotësuar.

Unë: Kush ju jepte gjuhë shqipe në Lice?

Ai: Në kohën e francezëve na jepte Kostaq Cipoja, që ishte në gjuhëtarët më të mirë shqiptarë. Cipoja ishte profesor i zoti shumë dhe njeri shumë i mirë. Të gjithë ata që e  kanë pasur mësues kanë mësuar “një shqipe me themel”. Nga viti shkollor 1940-41, kur u kthye në Lice Kombëtar dhe mësimet ishin shumica në shqip dhe një pjesë italisht, gjuhën shqipe na kanë dhënë disa profesorë, por mbi të gjithë shkëlqente Selman Riza, i cili edhe pse shumë i rreptë ishte pedagog dhe njohës shumë i mirë i shqipes.

Unë: Po veç familjes dhe mësuesve të Liceut, nga kush ke mësuar më shumë rreth shqipes ?

Ai: Shqipen e mësoja dhe e pasuroja çdo ditë, sidomos duke folur me njerëzit e thjeshtë. Kur shisja në dyqanin tonë në Pazar, kisha të bëja me njerëz të shtresave të ndryshme dhe me të ardhur nga krahina të ndryshme të Korçës dhe Shqipërisë. Kujtoj një herë, që hyri Simon Shuteriqi, i jati i Dhimitrit, dhe pyeste në dialektin e tij nga Elbasani “A keni ftu?”, se kërkonte të blinte ftonj. Në Korçë ne theshim “Kini ftonj?” Simoni ishte njeri i shkolluar dhe punonte si mësues në Korçë. Fjalë të ndryshme përdornim në shtëpi, nga që të gjithë ishin oparakë, ndërsa devollinjtë apo ata të Vakëfeve përdornin fjalë të tjera edhe pse ishin të zonave të afërta me Korçën.

Unë: Ti edhe para Kongresit të Drejtshkrimit, por edhe pas tij thoje se dialekti i Korçës është shqipja më e pastër dhe më e pasur? E theshe sepse ishe lokalist?

Ai: E thoja për të gjithë dialektin që përfshin Korçën, Kolonjën dhe Përmetin, që kanë pak ndryshime mes tyre. Këtë e kisha bindje, por ishte opinion edhe i shumë gjuhëtarëve, sidomos i profesor Kondës, që ka qënë në studiuesit më të mirë të shqipes dhe krahasimit të saj me gjuhët e tjera. Në Konda vija shpesh herë kur punoja në Radio si edhe për ta pyetur për Muzeun e Korçës. Më vonë, kur isha në Bibliotekë e takoja edhe më shpesh. Ishte njeri i ditur dhe njëkohësisht shumë bujar. Vitet e fundit të jetës, nga që shikonte me shumë vështirësi, i kishin vënë si sekretar Taqi Moskopolitin, që dinte mirë greqisht.

Konda njihte shumë mirë gjuhët e “vdekura”, përfshi këtu edhe sanksrishten, si dhe greqishten e re, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Ishte nga njohësi më të mirë të pellasgishtes dhe të historisë së lashtë e të re të Europës. Nga Konda mund të mësonje shumë. Për fat të keq jo të gjithë akademikët e njihnin mirë dhe e vlerësonin sa duhet profesorin. Më tregonte se një herë i kishte shkuar për vizitë prof. Aleks Buda dhe ndërsa Konda i spjegonte se fjala “pellasgë“, spjegohet me fenomenet e ndyshimit të shqipes së vjetër, me pell=pjell, as= asht, është dhe ge=dhe (një dukuri e njohur e rënies së g-së dhe zëvendësimit me d ose dh) pra si përfundim “të pjellë nga dheu” dmth “autoktonë“, Buda i ishte përgjigjur shpejt e shpejt “Atëhere edhe Amerikë spjegohet me shqipen a, mer dhe ikë?”, profesor Konda i ishte përgjigjur “Nuk kemi ç’të diskutojmë më!” dhe i kishte treguar derën.

(vijon)

Ne foto prof. Spiro Konda  

No comments:

Post a Comment