Tuesday, 9 February 2021

Mbetemi në kontakt!


Kurbeti, ky i shkretë kurbet!

Jo vetëm më ka larguar nga vendi ku më ka rënë koka, por më ka lënë larg edhe zhvillimet të gjuhës së nënës. Asaj “ sa e bukur, sa e vlerë!” Dhe të gjithë rënqethemi, kur dëgjojmë vargjet e Naimit dhe pasi mornicat rikthehen në gjendjen e tyre foshnjore, fillojmë të “zhvillojmë“ tej e më tej e bukur e më bukur të folurën dhe të shkruarin shqip.

I pres me plot dëshirë dhe pakëz tmerr “email-et” nga Mëmëdheu. Fillojnë shpesh me fjalën “Përshëndetje”, një lloj përshëndetje, që nuk përdorej në ditët e mia, të mbushura me ajrin e pastër të Shqipërisë Juglindore. Dhe jo vetëm që nuk përdorej dhe nuk e di se si ka hyrë në këtë lloj përdorimi, se mua më kanë mbetur mbresa të hidhura nga “Përshëndetjet e Pionierëve”. Këto ishin disa shfaqje të besnikërisë të të vegjëlve ndaj Partisë dhe sho Enver, që bëheshin duke nisur nga konferencat lokale të Partisë e deri në Kongreset e mëdha të Partisë dhe organizatave të masave.

Fëmijët e ekzaltuar futeshin në sallat e mbledhjeve të të rriturve, të ekzaltuar(të shpupuritur), sipas një regjie tip, që përsëritej me pak larmi çdo katër vjet dhe recitonin e këndonin për të rriturit entuziastë partiakë dhe sindikalistë, të cilët ekzaltoheshin akoma më shumë dhe “bënin copë“ shuplakat duke duartrokitur. Udhëheqësit, sipas modelit të të Madhit, ngazëlleheshin, puthnin e përqafonin fëmijët e ekzaltuar dhe më pas vazhdonin punimet e mbledhjes ose kalonin në zgjedhje. Kur fillova të kuptoja nga kjo botë, “Përshëndetjet” më dukeshin një farsë e shëmtuar, ku nuk dije se për kë duhet të të vinte më shumë keq- për të rriturit apo për fëmijët.

Po ç’të keqe ka të fillosh një email me fjalën shqip “përshëndetje”? do më thoni ju, lexuesit e mij të dashur, që edhe pse nuk i thoni kurrë njeriu, që takoni “Përshëndetje”, e përdorni këtë fjalë në email ose në mesazhe telefonike. Dhe jam i sigurt, që nuk e përdorni në të folurën e përditshme, se do ju shikonte shtrembër bashkëfolësja, ose dikush më i vrazhdë mund t’ju përgjigjej “Përshëndetje e satëme!” Mbase është e huazuar nga emisionet televizive, të cilat “gjenerojnë“ gomarllëke çdo sekondë dhe kanë fuqinë t’ja u ngjitin në tru njerëzve.

Dhe nuk kam asgjë me fjalën e bukur “përshëndetje”. Por ka një kuptim të caktuar në shqip, sa të përgjithshëm aq edhe për rastet e veçanta. Spjegohet në Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Njerëzit gjithnjë janë përshëndetur me njëri tjetrin, ose më të vjetrit shqiptarë “përshëndosheshin”, por askush nuk theshte apo shkruante në rastet e përditshme “përdshëndetje”. Dhe duhet ta dini, që mua shumë më përshëndesin në email apo mesazh me “Përshëndetje!” Ashtu si edhe juve.

Por “pakëz tmerri” i fillimit do kalonte po mos vinte shprehja, e cila mbyll korrespondencën dhe që është për fat të keq: “Mbetemi në kontakt!”

O Zot!

Elektriciteti i një voltazhi të lartë më përshkon trupin, sa e lexoj. Menjëherë në tru shprehja më shoqërizohet me kontaktet elektrike, të cilat për fat jo të mirë, kanë edhe pasoja fatale. Nuk kujtoj në 60 vitet e jetës sime se me kë “kam qënë në kontakt”. Jam takuar me shumë njerëz, kam biseduar, kemi qeshur me zë të lartë, kemi treguar meselera, kemi këmbyer libra dhe informacione, por unë gjithnjë e kam ditur që këto janë marëdhënie normale mes njerëzish, që kanë një emër në shqip. Kurse këto (ndoshta dhe shumë të tjera) qënkan kontakte. Bile ka njerëz, që më kanë shkruar, se më kanë kontaktuar edhe më parë. Unë e hedh poshtë me përbuzje pretendimin e tyre, se kontakte kam pasur me një numur shumë shumë të vogël njerëzish. Dhe të gjitha femra!

Por tani, pa pikë turpi, meshkuj e femra shkruajnë se jo vetëm që “jemi në kontakt”, por edhe do “mbetemi në kontakt!”

Jo të dashurit e mij! Nëse doni të këmbejmë të dhëna, njohuri, biseda, e çfarëdo tjetër, më thoni se çdo bëjmë, por mos përktheni keq shprehjen anglisht “keep in touch” dhe më shkruani atë të “flamosur”. Nuk ka këtë kuptim as në anglisht e për më tepër nuk është e gjuhës sonë të bukur.

Kaq për sonte!

Mbetemi në kontakt!

No comments:

Post a Comment