Unë: Ti përdorje një cilësor të bukur “i zhubravitur” për një kategori të caktuar njerëzish. Mua më pëlqente, por nuk e di nëse ishte tëndi apo e kishe të huazuar?
Ai: Edhe mund ta kem dëgjuar nga dikush
tjetër, por nuk e kujtoj me saktësi. “Të zhubravitur” quaja ata njerëz të
karrierës, që ose i kishin përjashtuar nga Partia, ose kishin patur funksione
të larta dhe i kishin ulur shumë poshtë për një arsye ose tjetër. Ata që kishin
qënë në burg për politikë, edhe po të kishin qënë komunistë ose simpatizantë,
nuk hynin në “të zhubraviturit”.
Unë: Ti vetë hyje në “të zhubraviturit”?
Ai: Edhe pse nuk e thesha hapur, se ndoshta
nuk më vinte mirë, sigurisht që hyja. Duke qënë i përjashtuar nga Partia
Komuniste, gjatë rrugës së jetës normalisht do isha i përgatitur për shumë
kufizime, që nisnin me funksionet në punë dhe deri në pjesëmarrje në
delegacione jashtë shtetit apo ftesa për dreka e darka zyrtare. Edhe me
rrezikun e shkallëzimit të “zhubravitjes”.
Që prej çlirimit
të vendit pati shumë e shumë “të zhubravitur”, bile kishte të tillë edhe që në
vitet e luftës, për ndonjë gabim apo edhe për moszbatim të ndonjë urdhri të
gabuar. Me kalimin e viteve u shtuan shumë ata, që hynin në këtë kategori, jo
për veprimet e tyre, por ato të familjarëve dhe deri tek ato të kunetërve dhe
baxhanakëve. “Plumbi” të zinte edhe nëse ishe tërësisht “i kulluar” sipas
standarteve të Partisë. Bile “të kulluarit” “zhubraviteshin” më me lehtësi.
Unë: Mund të kaloje pa vështirësi nga kategoria
“i zhubravitur” në atë të “i dënuar politik”.
Ai: Shumë lehtë. Sidomos në vitet e “zbulimit
të grupeve armiqësore”, shumë funksionarë të lartë në fillim “zhubraviteshin”,
pastaj i arrestonin dhe i dënonin me pushkatim, ose me burgime të gjata. Duket,
që kjo u bë një lojë e preferuar e “kupolës”, që ose ndjente kënaqësi me
“torturimin psikologjik të viktimave”, ose prisnin reagimet e miqve të tyre për
të arrestuar të tjerë. Kiço Ngjelën psh nga ministër të tregëtisë e dërguan më
1975 shef të seksionit të tregëtisë në Vlorë dhe e arrestuan 6 muaj më vonë,
Petrit Dumen e ulën për disa muaj në detyrë duke i thënë “Partia ka besim tek ti” dhe më vonë e arrestuan dhe e pushkatuan e
kështu me rradhë.
Unë: Po si ishin marëdhëniet mes juve. “të
zhubraviturve”?
Ai: Si marëdhëniet midis gjithë të tjerëve.
Ndoshta më të kujdesshme, për të mos u parë si një grup njerëzish “të
pakënaqur”. Do të përmend rastin e Miço Kallamatës, i cili erdhi “i
zhubravitur” në vitin 1967 në Korçë dhe ndenji deri në fundin e viteve ’80.
Ishim njohur kalimthi në Tiranë dhe e dija që Miçoja pat qënë udhëheqës me
rëndësi në luftë , në krahinën e Cermenikës dhe Dibrës. Më pas i ishin qepur,
se duket që kishte patur rezerva për prishjen me jugosllavët, ku ishte atashe
ushtarak pas lufte në Beograd dhe e kishin ulur shumë në detyrë, pavarësisht
nga shkollimi apo kontributi në luftë. Në Korçë e dërguan akoma më me ulje dhe
po të mos kishte qënë komunist i vitit 1941, me siguri do e kishin përjashtuar
nga Partia.
Kishim marëdhënie
shumë të mira në Degën e Lidhjes të Shkrimtarëve, por nuk i hapeshim kurrë
njëri tjetrit. Ishim shumë të kujdesshëm edhe pse ti dhe Beni(Kallamata) hynit
në shtëpitë e njëri tjetrit dhe i dinit pikpamjet rreth politikës, artit dhe
kulturës, që kishim të dy palët. Njerëzit përgjithësisht mbylleshin në guaskat
e tyre, por “të zhubraviturit” akoma më shumë.
Unë: Ishin më të shumtit idealistë?
Ai: Kishte shumë idealistë, por edhe nga të
gjithë llojet e tjera të karaktereve apo karrierave. Pjesa më e madhe e
idealistëve patën përfunduar keq. Po jo të pakët ishin edhe karrieristët apo
edhe oportunistët. Ishte shumë e vështirë mos “shkelje në kallo” komunistësh të
tjerë, që raportonin më lart, ku ishin të mirëpritur. Udhëheqja “drejtonte”
duke mbledhur sa më shumë informacion ndaj njërit dhe tjetrit. Kështu ndodhte edhe
në nivelet më të larta. Më 1946 “të zhubraviturit” ishin Mehmet Shehu, Liri
Belishova, Pilo Peristeri e të tjerë, por dy vjet më vonë u ngritën në “majë“
dhe “të zhubravitur“ përfunduan Bedri Spahiu, Sejfulla Malëshova, Kristo
Themelkoja, Zoi Themeli me kompani.
Materiale
komprometuese për njëri tjetrin kishin edhe për Nexhmije Hoxhën, Manush
Myftiun, Hysni Kapon, Fiqirete Sanxhaktarin, Myslim Pezën, Beqir Ballukun, Koço
Theodhosin, Omer Nishanin dhe tërë të tjerët. Në kohë të caktuara, në varësi të
“tarafeve” dhe sidomos të marëdhënieve me Enver Hoxhën, këto materiale dilnin
përsëri në dritë dhe përdoreshin për të vërtetuar “armiqësinë në vazhdimësi”.
Shumë komunistë
idealistë “u zhubravitën” pas Konferencës së Partisë për Tiranën të vitit 1957.
Ishte nga të paktat raste në historinë e komunizmit në Shqipëri, kur klika e
Hoxhës u vu në vështirësi të madhe dhe ishte mundësia e zëvendësimit të tyre.
Ajo, që përdori Hoxha për “të vënë poshtë“ kundërshtarët e Komitetit Qëndror
dhe Byrosë ishte pikërisht diskretitimi i tyre duke përdorur materiale të
mbledhura më parë. Komunistët që u ngritën për të dënuar “kultin e individit”
jo vetëm kishin të drejtë dhe kishin edhe mbështetjen e komunistëve të
thjeshtë, por kishin edhe përkrahjen e vijës politike të Bashkimit Sovjetik pas
Kongresit të XX-të dhe goditjes së Stalinit.
Unë: Shumica ishin nga sektori i artit dhe
kulturës apo jo?
Ai: Gjithnjë ata, të cilët nuk pranojnë
kufizimin e lirive vijnë nga këto fusha të jetës. “Të zhubravitur” përfunduan
shumë korçarë edhe prej komunistëve të vjetër edhe më të rinj. Gaqo Nastoja,
Vandush Vinçani, Viktor Stratobërdha, Endri Kekoja ishin disa prej tyre. Pasi
“përballoi” valën e sulmit në Konferencë, Enver Hoxha dërgoi “këlyshët” e tij
të përfundonin punët me “të rebeluarit” në organizatat e tyre bazë. Byroja
Politike“ e çimentuar” me tarafe dhe krushqi, doli nga ajo betejë “më e fortë
se kurrë!”
Unë: Po nuk pati arrestime apo jo?
Ai: Shumë pak dhe jo me akuzën e ngritjes
kundër Vijës së Partisë, por për arsye dytësore. Nuk mund të goditeshin “të
rebeluarit” si grup, sepse Udhëheqja do dilte hapur kundër Hrushovit dhe vijës
të tij liberale dhe mund të kishte pasoja të rënda. Por një pjesë e “të
zhubraviturve” të Konferencës së Tiranës u burgosën shumë vite më vonë dhe të
tjerëve ai “mëkat kundër Enverit”, ju qëndroi si Shpata e Damokleut mbi kokë
për tërë jetën.
Unë: Ku e kishte mësuar Enver Hoxha këtë
“shkencën e zhubravitjeve”?
Ai: Të ligat mësohen kollaj. Kishte shumë
shembuj të ngjashëm në Europën e mesit të parë të shekullit të XX-të.
Unë: Për herë të parë, që ekam ndjerë rrezikun që mund të
kishim edhe ne si familje, ka qënë në prillin e vitit 1976. Më kishin thyer
notën në sjellje në shkollë dhe vendimin e patën dërguar me postë në punën
tënde. Atë pasdite, bashkë me mamanë nuk më qortuat, se e kishit bër herë
tjetër për problemet e mija të disiplinës në shkollë, po më thatë: “Ti nuk e
shikon se ç’bëhet? Le ne se “e kemi ngrënë kullotën”, por do marrësh më qafë
edhe tët motër po vazhdove kështu. Do e lesh pa mbaruar universitetin. Ti e di
që këta na kanë halë në sy!” U trondita shumë, por me “këta” kuptoja
funksionarët e partisë në rreth, Degën e Brendshme dhe ndonjë nga Këshilli I
Lagjes. Nuk e kuptoja se ishte për gjithë Diktaturën. Mos e ekazagjeronit për
të bërë që të ndryshoja?
Ai: Edhe nëse e zmadhuam pak, e bëmë të të detyronim të mendoje
se nuk ishte kohë për të rënë shumë në sy. Ti ishe 17 vjeç dhe në atë moshë
bëhen gjithfarë marrëzirash. 6 muaj më parë ishin bërë internimet e para në
masë, mes të cilëve edhe familja e Kolacëve, që mamaja i kishte kushërinj të
afërt dhe hynim e dilnim shpesh. Thuajse të gjithë të internuarit ishin për
arsye të lidhura me politikën dhe një pjesë e mirë e tyre ishin njerëz jo vetëm
të nderuar , por edhe të shkolluar dhe me punë të mira. Ajo valë goditjesh, që
nisi në Korçë dhe u vazhdua menjëherë në gjithë Shqipërinë ishte për të
terrorizuar njerëzit dhe ja arriti qëllimit. Nuk kishte se si mos ndikoheshim
edhe ne, për më tepër kur edhe ti e thua se isha “i zhubravitur”.
Një 17 vjeçar, që rebelohet, mund të theshte edhe ndonjë
fjalë më shumë për padrejtësitë, dhe më pas kishte të tjera masa, si përjashtim
nga rinia, nga shkolla apo edhe më keq. Ndaj duke ditur natyrën tënde menduam
se duhet të të flisnim hapur se nuk ishim jashtë rrezikut as ne.
Unë: Që prej asaj kohe edhe pse vazhdove të shkruanje ti nuk
botove më asnjë libër. Ishte pasojë edhe e terrorit pas pleniumit të IV apo nuk
kishe më frymëzim? Më 1976 ishe vetëm 54 vjeç dhe kjo është koha e pjekurisë të
një shkrimtari.
Ai: Them që vitet e “terrorit të egër” nga 1974 dhe
deri më 1981 ndikuan për keq në krijimtarinë e të gjithë shkrimtarëve
shqiptarë, përfshi këtu edhe më të mirët prej nesh. U burgosën dhe u internuan
shumë shkrimtarë dhe artistë, u transferuan në qytete të vogla shumë të tjerë
dhe pati jo pak të cilëve ju hoq e drejta e botimit apo e ekspozimit të punëve.
Shumica e shkrimtarëve ju drejtuan temave historike, ku ishte më e lehtë të
mbaje “balancën” e “luftës së klasave” apo të tjera direktivave, që vinin nga
“zbërthimi I fjalëve të Enver Hoxhës apo vendimeve të PPSH-së“. Edhe vëllimi im
i fundit me tregime “Kapedan Cilja dhe i nipi”, i botuar më 1975 ishte me
tregime nga e kaluara. Të njëjtën gjë kishin kohë, që e bënin Sterio Spasseja,
Miço Kallamata, Dhimitër Shuteriqi, si dhe Ismail Kadareja dhe plot shkrimtarë
më të rinj.
Ti më thua a kisha të njëjtin “nerv” dhe frymëzim për të
krijuar. Kur bëhesh më i pjekur, si në çdo lloj krijimtarije, “frymëzimi” është
më i pakët, por të ndihmon shumë përvoja dhe filozofia më e plotë rreth jetës.
Shkruan me më shumë cilësi dhe bën më pak gabime. Por ishin kohë kur duhet të
kontrolloje mirë e mirë gjithshka që shkruaje se edhe për një figureë apo edhe
një varg mund ta pësoje keq. Psh ishte një rast i shkrimtarit për fëmijë Odhise
Grillo, që në një poezi për fëmijë të botuar në ato vite, kishte shkruar me
pasion “…digjen zjarr teserat e komunistëve”,
që ishin vërtet me ngjyrë të kuqe. E pësoi keq, se ja interpretuan si dëshirë
për t’ju vënë zjarrin teserave të komunistëve! Duhej të ecje “mbi një tel shumë
të hollë të krijimtarisë“, nëse nuk doje të të hapeshin problem nga
“vigjilentëtë“ e shumtë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment