Kur ishim 7-8 vjeçarë, Partia e pa të arsyeshme, që të ndaloheshin me ligj të gjitha veprimtaritë fetare, sepse nuk bënin gjë tjetër, veç e “trullosnin” mendjen e popullit të shkretë shqiptar, të cilit në ato 22 vjet çlirim, po i dilnin gradualisht gjithë ato mend të krijuara në mijra vjet. Populli shqiptar shpëtoi nga “Opiumi”!
Mess humë e shumë problemeve, lindi edhe ai i ceremonive të
varrimit, ku nuk mund të bëheshin më shërbesa fetare, ato, të cilat në anët
tona, quhen “e kënduara”. Ndaj të gjithë të pranishmit në një varrim,
ndjeheshin keq, se dukej(si e theshte populli) njeriun e dashur e hidhnin “si një lopë në një gropë“. Dhe kështu u
krijua nga mençuria e çinovnikëve dhe e lagjistave, tradita e mbajtjes të një
fjalimi para se të “porsalarguarin” e futnin në banesën e fundit. Nuk nisi , që
në vitet e para, se edhe nuk kishte shumë gjëra se ç’tju theshe “të moshuarve”
të viteve ’60 dhe ’70, por më vonë, u arritën disa suksese.
Më i shquari në qytetin tonë, ishte Noli Samara, një
personazh shumë simpatik, që për pak kohë duhet të ketë qënë edhe kryetar
lagjeje. Noli nuk përtonte të mbante fjalën e rastit në çdo ceremoni, ku i takonte
si i njohur, si fqinj, apo si mik. Kuptohet që në fjalime nuk kishte si të
mungonte qiellorja “i përjetshëm kujtimi!” e “huazuar” nga shqipërimi i bukur i
psalmeve prej Nolit (jo Samara). Përgjithësisht fjalët përcjellëse ishin një
biografi e shkurtër e të ndjerit ose të ndjerës. Nuk mungonin frazat “ka mbështetur luftën nacional-çlirimtare”
dhe “ ka punuar për ngritjen e tij
ideo-profesionale”, se ishin karakteristika të domosdoshme të periudhës dhe
të gjithë, kush më shumë e kush më pak i kishin bërë
Ndonjë problem i vogël lindte gjatë muajit mars, kur kishte
më shumë varrime dhe atëhere fjalimet ishte e vështirë ti ripunoje për mungesë
kohe, ndaj shprehja “ti ike në një kohë,
kur mund të jepje shumë për atdheun dhe socializmin” kishte bërë vaki “t’i këndohej”
edhe ndonjë plake mbi të 80-tat.
Tashmë tradita e kohëve “pa priftërinj” është shuar, por
ende ka ngelur një lloj “ateizmi shqiptar”i prishjes së mistikes” tek ngjarjet
që lidhen me largimin e njerëzve nga kjo botë. Në Shqipëri vazhdojnë ceremonitë
“e bujshme” ku marrin pjesë qindra e qindra vetë, ku familjarët e shkretë veç
dhimbjes duhet të mendohen edhe se sa të madh ta marrin lokalin, ku do bëhet
dreka e përmortshme. Në rastin e një viti si ky i jashtëzakonshmi i Covid, në
vend të autobuzave fisarmonikë dhe dhjetra e dhjetra veturave luksoze të një
korteu është Facebook-u. Asnjë komb (zaten asnjë nuk i ndaloi kishat e xhamitë)
nuk shpërthen si ne në FB, me lajmërime humbjesh, me fjalime përcjelljesh dhe
me thirrje “i përjetshëm kujtimi!” si kombi jonë i dashur, i gjendur dhe aq i ndjeshëm.
“Të vdekurit me të
vdekurit, të gjallët me të gjallët…dhe fejsbukistët me të gjithë!” më tha
para pak ditësh një miku im i shtyrë në moshë duke shtuar, “Kur të vdes se mos bëni ndonjë gomarllëk dhe më vini lajmërimin për
funeralin në FB”.
No comments:
Post a Comment