Thursday, 18 February 2021

Biseda “të pakryera” me babanë ( Liceu Francez)


Ai:
Për këtë kre po e nis unë me pyetje. Pse nuk të është dukur se Liceu Francez ka ndikuar jo për mirë në historinë e Shqipërisë?

Unë: Sepse mendoj që shumë nga ju u ndikuat së tepërmi nga Robespieri dhe jakobinët.

Ai: Shkolla nuk është vetëm historia e Francës dhe aq më pak vetëm Revolucioni Frëng. Eshtë mënyra e plotësuar e kalimit të dijeve dhe të kulturës së një populli në fëmijët dhe gjithë brezin e ri. Jo vetëm për Korçën dhe Shqipërinë ishte fat i madh ngritja e Liceut në Korçë, por edhe në Stamboll, ku kishte nga gjithë llojet e shkollave, Liceu francez i San Benua, ku studiova për tre vjet, mbahej në dy tre shkollat më të mira.

Unë: Pse babai zgjodhi të të dërgonte në Liceun Francez dhe jo në Robert College?

Ai: Kultura franceze në Stamboll shihej si më e zhvilluar se ato angleze dhe amerikane. Francezët kishin më shumë ndikim në Ballkan dhe Europën Lindore se të tjerët, ndaj dhe më futi për të mësuar frëngjisht në moshën parashkollore. Pasi përfundova pesë klasat e shkollës fillore greke më rregjistroi në liceun francez të San Benua në lagjen Gallata. Ishte afër me apartamentin tonë dhe për dhjetë minuta arrija në shkollë.

Unë: Ishte shkollë fetare apo laike?

Ai: Ishte shkollë shumë e vjetër e ngritur nga jezuitët, por kishte shumë dhjetvjeçarë, që programet ishin në kontrollin e Ministrisë së Arsimit të Francës dhe diploma e tij ishte e vlefshme për çdo universitet francez dhe turk. Lënda e fesë nuk ishte e detyruar dhe nxënësit ishin të kombësive të ndryshme duke nisur me grekët, armenët, turqit, çifutët dhe plot të huaj të tjerë. Ishte një shkollë me një traditë të gjatë dhe edhe pas ndryshimeve, që ishin bërë në legjislacionin turk në kohën e Ataturkut, ishte nga të paktat që ruante të drejtën të mbyllej në javët e Krishtlindjes dhe Pashkës. Atje bëra tre vjet deri në mesin e prillit të vitit 1937.

Unë: Në një dëftesë semestrale të atij liceu, në kollonën e “sjelljes” të ishte shënuar nota minimale dhe përbri “incorrigible”. E kundërta është në dëftesat e Liceut të Korçës, ku notat në sjellje ishin maksimale.

Ai: Liceu i Stambollit kishte disiplinë shumë të fortë dhe “ndëshkoheshim” edhe kur qeshnim gjatë mësimit, por edhe unë, kur isha më i vogël isha më i padisiplinuar. Kishte edhe raste kur nuk shkonim bashkë me shokët në mësim dhe njëherë më zuri babaj në sheshin Taksim, në kohën kur duhet të isha në shkollë. Nuk mungova më. Në Liceun Kombëtar profesorët francezë dhe shqiptarë ishin më liberalë se ata të Turqisë. Sigurisht, që si shkollë më e madhe dhe më me traditë, Liceu San Benoit kishte laboratore më të mira dhe në shkencat e sakta ishte më i përparuar se Liceu i Korçës.

Unë: Xhuvi Binoja më tregonte se edhe pse nxënës i ri në klasën e tyre, që në vjeshtën e vitit 1937, kur fillove në Liceun Kombëtar, ti nuk kishe ndonjë drojtje apo ndienjë inferioriteti. Të dukej se vije nga një shkollë më e fortë?

Ai: Vija nga një shkollë më e madhe dhe më e kompletuar, por jo me ndonjë ndryshim të madh në programe dhe në mësimdhënie. Isha pak më i përparuar në matematikë se të tjerët, dhe jo vetëm se Xhuvi, që u bë më vonë një mësues shumë i mirë matematike, por edhe se Pepi Pilika, që pas Lufte do bëhej ndër matematicienët më të mirë shqiptarë. Ishte kjo në sajë të programit më të përparuar të Stambollit.

Liceu i Korçës kishte profesorë dhe nxënës shumë të mirë. Vetëm për 20 vjet kishte krijuar një traditë të shkëlqyer dhe thuajse të gjithë, të cilët kishin shkuar për studime në Francë, kishin përfunduar me sukses mësimet. Ka patur edhe nxënës që janë diplomuar me vështirësi në Lice, por duke qënë të pasur kanë vazhduar studimet në universitetet e Francës dhe kanë qëndruar atje për vite të tëra pa u diplomuar dot, por ata kanë qënë përjashtime.

Unë: Klasat ishin me shumë nxënës apo jo?

Ai: Dy vitet e para ne ishim 35 vetë në klasë. Më shumë se gjysma ishin korçarë, por kishte edhe shumë konviktorë dhe nxënës nga zonat e tjera të Shqipërisë, që jetonin me qera në familjet korçare. Shkonim të gjithë shumë mirë dhe nuk kujtoj raste të grindeshim megjithëse ishim adoleshentë. Unë shoqërohesha më shumë me përmetarët Stefanaq Pollo dhe Muharrem Frashëri si dhe me korçarët  Guri Stratobërdha dhe Zija Xholi. Kjo për kohën e shkollës se pas saj rrija me shokët e mëhallës në atë kohë që më mbetej e lirë. Shkoja ndihmoja edhe në dyqanin e familjes, si dhe duheshin disa orë studimi. Sidomos në gjuhën shqipe dhe historinë e Shqipërisë, në fillim më duhej shumë punë.

Unë: Nxënësit e Liceut vinin të gjithë nga familje të pasura?

Ai: Jo të gjithë. Në përgjithësi vinin nga familje arsimdashëse, që i kushtonin rëndësi të madhe shkollimit të mirë dhe shikonin tek fëmijët dëshirë për të mësuar. Liceu nuk ishte një shkollë e lehtë prandaj edhe po të kishe shumë para nuk do të thotë se do mundnje ta përfundoje me sukses. Sigurisht që duhet të kishe të ardhura se pagesa nuk ishte e papërfillshme. Nxënësit e mirë , të cilët vinin nga familje të varfra ndihmoheshin me bursa nga shteti shqiptar.

Në klasat ku kam qënë unë, ata më të pasurit nuk ishin në më të mirët në mësime, përkundrazi. E megjithatë kapaciteti i një fëmije apo një të riu nuk ka aspak të bëjë me gjendjen ekonomike të prindërve të tij. Ndër më të mirët e klasës tonë ishte Gafur CuçI nga Gjirokastra, që me sa di ishte me bursë shtetërore.

Unë: Po sa duhet të paguante familja për një nxënës të Liceut në vit?

Ai: Kur hyra unë në klasën e 5-të(klasat në sistemin frëng numuroheshin nga poshtë lart), pagesa për shkollën ishte 30 franga ari, por këtu nuk përfshiheshin librat. Dy vjet më vonë duhet të paguaja 60 franga. Pra ishte një kosto e përgjithshme prej dy napolonash flori. Familjet më nevojtare, njëkohësisht mendonin , që një adoleshent 13-14 vjet mund të punonte si çirak dhe edhe të fitonte diçka, si dhe të mësonte mirë një zanat për të mbajtur më vonë familjen. Dy napolona nuk ishte shumë e vogël për një familje me shumë fëmijë. Për familjet e pasura ishte një pagesë simbolike.

Unë: Në dëftesat tënde të Liceut, kam lexuar edhe porosi të vçanta për nxënësit si “Eshtë e ndaluar të shoqërohen me njerës të dyshimtë, të liq.” C’farë nënkuptonte drejtoria e shkollës me këtë?

Ai: Nuk besoj se ishte parim i përcaktuar nga drejtoria apo nga sistemi shkollor francez. Porositë ishin të mbështetura mbi Rregulloret e Ministrisë Shqiptare të Arsimit për shkollat  e mesme. Ndoshta administrate e Zogut në njerëz të dyshimtë, veç hajdutëve dhe kriminelëve, fuste edhe njerëz me ide politike, të cilat ishin në kundërshtim me regjimin. E megjithatë, para pushtimit Italian nuk di që të jetë marrë masë për ndonjë nxënës, se shoqërohej me “njerz të dyshimtë“. Ama, të gjithë nxënësit e Liceut mundoheshin të silleshin në mënyrë dinjitoze edhe jashtë shkollës. Ishte pjesë e etikës dhe edukimit, që përcillte trupa mësimore dhe programet shkollore.

Unë: Liceu duhet të kishte peshë, besoj,  në jetën e Korçës? Nxënësit dhe profesorët e tij njiheshin në qytet?

Ai: Mendo një qytet me 20 mijë vetë, me një shtrirje shumë të vogël, ku thuajse të gjithë e njihnin njëri tjetrin, të ketë shkollën më të mirë në Shqipëri, ku në të njëjtën kohë nuk kishte universitet. Sigurisht që të gjithë ata, të cilit kishin të bënin me Liceun Kombëtar ishin të vlerësuar. Korça kishte edhe të tjera shkolla të mira në ato kohë, si gjimnazin grek, shkollën teknike, atë qytetse të vajzave dhe arsimi ishte shumë i rëndësishëm. Për më tepër mësuesit në kohën e Zogut kishin rroga të mëdha dhe kjo i bënte edhe të qëndronin në shkallët  larta të shoqërisë.

Profesorët francezë priteshin kudo me respekt dhe admirim. Ndoshta nuk kishte asnjë prej tyre, që nuk donte të qëndronte për shumë vite në një qytet të vogël të Ballkanit, aq larg me Francën. De Kurvili, drejtori i kohës kur isha unë nxënës, edhe kur erdhi disa herë për të vizituar Shqipërinë pas lufte, fliste me shumë nostalgji për qytetin tonë dhe njerëzit e tij.

 (vijon)

 

No comments:

Post a Comment