Tuesday, 23 February 2021

Biseda të "pakryera" me babanë (Sporti - 2)


Unë:
Ti vazhdove të ishe me “kokëfortësi” tifoz i gjermanëve edhe pse “Ajaksi” dhe holandezët “sunduan” futbollin europian dhe botëror të viteve ’70.

Ai: Nise prapë me ata hollandezët tënd?! Ata le që kishin “kopjuar” futbollin gjerman të ’72-shit, po nuk morrën dot asnjë titull. Në futboll duhet më shumë se talent, mënçuri dhe qëndrueshmëri për 90 minuta dhe këtë gjermanët e kishin prandaj dhe i pëlqeja. Ti ke qënë si “flaka e kashtës” dhe entuziasmoheshe shpejt nga Krojfi me shokë dhe mbete tifoz i një ekipi gjithnjë në vend të dytë.

Unë: E lemë “muhabetin” e fubollit se nuk e gjejmë dot dhe le të hidhemi në Olimpiadat e Mynihut dhe Montrealit, të cilat i ndoqe me fanatizëm në televizion.

Ai: Kur “të zenë në llaf” e ndrron muhabetin ti, po le të flasim për olimpiadat. Ato janë “festat e mëdha të sportit” ku duket se cilët vende i kushtojnë rëndësi kësaj pjese të jetës, aq e rëndësihme për shëndetin dhe për zbavitjen e njerzve të globit.

Olimpiadat e mëparshme i kishim ndjekur nëpërmjet shtypit dhe radios dhe i njihnim sportistët më të mirë si dhe rekordet e tyre, por ishte krejtësisht ndryshe t’i shihje drejtpërsëdrejti gjatë garave dhe ndeshjeve në televizion. Në lojrat olimpike të Mynihut, qëlloi edhe që isha me muajin e lejes krijuese dhe i ndoqa edhe veprimtaritë e paradites. Ishin manifestime të bukurisë së sportit dhe sidomos “bënin ferk” garat e atletikës dhe të notit si dhe konkurimet në gjimnastikë.

Jo vetëm televizioni jugosllav, por edhe televizioni i jonë transmetoi me orë të tëra veprimtaritë sportive gjatë gjithë ditëve. Mbetën të paharrueshme garat e Mark Spicit në not, ekzekekutimet e gjimnastes ruse Olga Korbut, fitorja e Valeri Borzov në 100 metra, atletet dhe notaret e Gjermanisë Lindore, ndeshja finale e basketbollit BS-SHBA për meshkuj, boksierët kubanë dhe amerikanë dhe plot ngjarje të tjera sportive, të cilat nuk i “njollosi” dot as krimi i rëndë ndaj sportistëve izraelitë, nga organizata terroriste “Shtatori i Zi”.

Unë: Po kur ti ishe me leje, kush e “mbulonte” këtë veprimtari të madhe sportive në Radio Korça?

Ai: Lajmet e Radio-Korçës ishin vetëm lokale, me përjashtim të ndonjë ngjarjeje të rëndësishme kombëtare ndaj asnjëherë nuk pasqyroheshin veprimtaritë sportive ndërkombëtare. Edhe shënimet që mbaja herë herë gjatë lojrave olimpike, i mbaja për vete, për të forcuar më mirë në kujtesë ato gara aq të veçanta dhe të papërsëritshme. Bota e sportit është shumë më e ndryshme se të gjithë botët e tjera.

Lojrat e Montrealit kishin edhe më tepër shkëlqim dhe oraret e garave ishin më të përshtatshme sepse ishim 6 orë para orës se vendit ku zhvilloheshin. Më pas, me bojkotimet e lojrave të Moskës dhe atyre të Los Anxhelos, olimpiadat u zbehën dhe ra interesimi i të gjithë sportdashësve. Politika dëmtoi rëndë ato ngjarje të rëndësishme sportive, të cilat i prisnim me shumë dëshirë.

Unë: Përsëri për ne mbeteshin veprimtaritë sportive në Korçë, që i bënin të shtunën pasdite dhe të dielën, ditët më të bukura të javës. Të djelave, ti sa ktheheshe nga lojrat me dorë, haje shpejt e shpejt lakrorin e zakonshëm të të djelave korçare dhe nxitoje për në stadium.

Ai: Nuk ndodhte çdo javë se ekipi i futbollit luante edhe ndeshje jashtë Korçës dhe sa për lakrorin mund ta lija pa ngrënë se nuk kam dashur të ha kurrë me nxitim. Por vërtet ato ishin pjesët më të bukura të javës dhe u bënë më “komode” pas hapjes së Pallatit të Sportit, ku mund t’i ndiqje pa u lagur edhe në shi dhe në dëborë.

Ishim me fat, që të gjitha ekipet e lojrave me dorë, ishin të një niveli shumë të mirë dhe sidomos të rriturat dilnin shpesh kampione të Shqipërisë. Po kështu edhe ekipet e të rinjve dhe të të rejave.

Unë: Në një ndeshje volejbolli të të rinjve në stadium, kur nuk ishte ndërtuar ende Këndi i Lojrave me dorë, pranë Sanatoriumit, një korçar ishte shumë i entusiazmuar me lojën e ekipit të “Dinamos” dhe jo vetëm brohoriste, por binte shumë në sy për zellin e tij, ndërkohë që të gjithë ne ishim të mërzitur se të rinjtë tanë po humbisnin. Ti nuk ja “përtove” t’i thoje ca fjalë.

Ai: “Tifozi korçar” i “Dinamos” po e tepronte se po rrinte shumicën e kohës më këmbë dhe jo vetëm gëzohej, po vend e pa vend ju thurrte lavde lojtarëve kundërshtarë. Pasi përmendi shumë herë, që dinamovitët ishin “artista” i thashë për ta pushuar ”Dhe ti je regjisori!”. I zellshmi, ndoshta donte të tregonte besnikërinë ndaj organeve të rendit se menjëherë u hodh “Po këta janë ekipi i Ministrisë së Brendshme mo!” ndaj dhe unë i thashë: “Po pse këta tanët mos janë të monarko-fashistëve grekë!” dhe pasi ju kthyen edhe disa të tjerë, “tifozi” e përmbajti vrullin. Për fat të mirë ne e fituam më vonë atë ndeshje.

Unë: Ishin vitet, që posa kishim filluar të konkuronim për vend të parë në volejbollin e meshkujve, se “Dinamoja”e Asllan Rusit ishte dominuese dhe konkurimi për vendet e tjera ishte mes nesh, “Vllaznisë“së Ali Bushatit dhe “17 Nëntorit”. Sa ishte duke nisur epoka e lavdishme e volejbollit korçar për meshkuj, që zgjati dy dhjetvjeçarë.

Ai: Vërtet atë kohë volejbolli tonë u ngrit nga vendet e fundit të klasifikimit në vendet e para dhe njëkohësisht filloi rënia e ekipit të basketbollit, që kishte patur shumë tradita dhe kishte nxjerrë basketbollistë me emër në Shqipëri.

Prej fundit të viteve ’60, për dhjetë vjet me rradhë, ekipi i volejbollit “Skënderbeu” ishte pretendent për titull dhe kishte vetëm një lojtar, që grumbullohej me kombëtaren, Piro Demirin, që dhe ai nuk luante në gjashtshen e parë. Ishte loja e shpejtë e zgjuar dhe e organizuar mirë në gjithë pjesët e fushës, që bënte që edhe pse nuk kishim sulmues shumë të gjetë e të fuqishëm, të mundnim ekipet më të mira të vendit. Ishte një lojë e cila duhet të ishte model edhe për ekipin kombëtar, sepse ne nuk kishim “gjigandë“ si kishin ato kohë më të mirët e volejbollit në Europë.

Unë: Ti nuk i kurseje kritikat në komentet që shkruaje për Radion ndaj arbitrave të lojrave me dorë, sidomos ndaj atyre të basketbollit. Disa prej tyre kishin ardhur në zyrat e Radios të ankoheshin për “kritikat e padrejta”. Nuk ishe pak si i njëanshëm në kritikat ndaj tyre, se nuk shkruaje keq, kur na favorizonin ne?

Ai: Sidomos në basketboll nuk kujtoj që ndonjë gjyqtar, të “mbante anën” e ekipeve të “Skënderbeut”. Kishte gjyqtarë shumë korrektë, si Jorgji Shundi dhe ndonjë tjetër, që arbitronin saktë, por kishte edhe si Virgjil Karaj dhe Sulejman Kazazi, të cilët përgjithësisht gjykonin dukshëm në ndihmë të ekipeve të Tiranës.

Të dy patën ardhur në kohë të ndryshme për t’u ankuar në Radio dhe takoheshin me mua për të më provuar se nuk kisha të drejtë në kritikat e mija. Me “Xhilin” (V.Karaj) pata një diskutim të gjatë, deri sa në fund, i inatosur u largua duke thënë “Unë jam jurist dhe nuk ta dal dot ty!” Mundohesha gjithnjë të mbaja shënime të plota gjatë ndeshjes dhe ato që do shkruaja të mos “i kisha në erë!”

Unë: E megjithatë nuk mund t’i shpëtoje dot as ti subjektivizmit sepse ishe mbështetës i flakët i ekipeve të “Skënderbeut” në të gjitha sportet.

Ai: Unë nuk i kurseja kritikat as për ekipet dhe lojtarët tanë dhe as për trainerët e tyre. Por dukuria e “ndihmës” ndaj ekipeve të Tiranës ishte shumë e pranishme edhe kur luanin në Korçë, ndërsa kur ndeshjet bëheshin në Tiranë ndodhte edhe më shumë. Ekipet e kryeqytetit kishin kushte më të mira se ato të rretheve dhe mund të “tërhiqnin” lojtarët më të mirë në Shqipëri ndaj nuk ishte e nevojshme të ndihmoheshin edhe me faulle dhe personale të paqëna. Por në shumë raste kjo ndodhte.

Unë: Kur i shikoja ndeshjet bashkë me ty, ti nuk brohorisje edhe kur aksionet ishin “zjarr” dhe ne sa kishim shënuar pikë, kosha ose gola, se mbaje shënime në bllokun tënd dhe vetëm tundje kokën me miratim, i ngritur më këmbë, kur unë të thesha ndonjë gjë. Më dukej e çuditshme se si e “shijoje” ndeshjen ashtu.

Ai: Më shumë se për ta shijuar ndeshjen unë isha atje për ta ndjekur si gazetar, në mënyrë që mos më shpëtonte asgjë e rëndësishme. Duhej të ndiqja me vëmendje rezultatin si dhe minutën kur zhvillohej një sulm i rëndësishëm apo një pritje spektakolare. Më vonë, kur kisha dalë në pension, i ndiqja më me qetësi dhe i shijoja më shumë, por përsëri pa thirrur dhe pa u ngritur më këmbë shpesh, sa të pengoja të shihnin spektatorët e tjerë.

Unë: E megjithatë, në futboll, kujtoj disa herë, që bashkoheshe me korin e tribunës, kur thërrisnin “yjaaaa” ndaj ndonjë arbitri të njëanshëm kundër “Skënderbeut”.

Ai: Me siguri do e kenë “tepruar shumë zullumin” dhe e kanë merituar. Por në futboll ishte më e lehtë të mbaja shënime se sa në ndeshjet e lojrave me dorë, ndaj kisha mundësi edhe për të “lëshuar ndonjë pasthirrmë”, kur e shikoja të arsyeshme.

Unë: Gjatë më se 40 vjetëve që ke ndjekur “Skënderbeun” në të gjitha llojet e sporteve, kush ka qënë sportisti që të ka lënë mbresat më të forta.

Ai: Kanë qënë shumë, por nëse duhet patjetër të veçoj dikë, do thoja Tamara Nikolla. Sportistja model!

Unë: Do të pyes për diçka, që nuk të kam pyetur kurrë. Edhe pse më mësove të ndiqja të gjitha llojet e sporteve, që kur isha ende në kopësht, më mësove të gjitha rregullat e tyre, asnjëherë nuk më nxite të bëhesha sportist.

Ai: Se e shihja, që megjithëse luaje gjithë ditën, nuk shkëlqeje në asnjë lloj sporti. Në çdo gjë që duhet ndjekur në jetë duhet të kesh synimin të jesh mes më të mirëve. Ti nuk mund të ishe i tillë në sport!

No comments:

Post a Comment