(vijim)
Unë: Ti mendoje atë kohë për të shkuar me studime në Francë pas
Liceut?
Ai: Nuk kisha ndonjë ide të përcaktuar mirë se ku do shkoja për
të studiuar dhe përse. Që të shkoja në Francë e kisha ëndërr, si të gjithë
liceistët, se jetonim çdo ditë me historinë e saj, me kulturën franceze dhe me
lajmet nga jeta e personaliteteve franceze. Por vitet ’37 dhe ’38 për të cilat
po flasim, nuk ishin vite të mira për Europën dhe edhe pse nuk kishte nisur
lufta, përplasjet politike ndjeheshin ndërmjet vendeve ku në fuqi ishin
regjimet fashiste dhe demokracive europiane , ku futej Franca.
Ishte duke u zhvilluar Lufta e Spanjës dhe na dukej se nga përfundimi
i saj do varej fati i Europës. Të gjithë prisnim me ankth lajmet që vinin rreth
saj edhe pse shumë pak flitej për vullnetarët shqiptarë, të cilët kishin shkuar
të luftonin përkrah Republikës.
Kishte zëra edhe për mundësinë e hyrjes të Italisë Fashiste
në Shqipëri edhe pse në shtypin e kohës nuk shkruhej hapur për qëllimet e
Musolinit.
Të gjitha këto, bashkë me mundësitë e financimit , që kërkonin
studimet jashtë shtetit, nuk më shtynin të mendoja hollësisht se përse mund të
studioja. Babai kishte vdekur dhe vetëm me gjysmën e të ardhurave të dyqanit,
do ishte e vështirë të studioja pa pasur ndihmën e ndonjë burse shtetërore. Prandaj
edhe më vonë, kur duhej të vendosja nëse duhet të zgjidhja filozofinë apo
matematikën për bakaleoranë, nuk isha i sigurt. Po të mos kishte këmbëngulur
Aleks Buda do zgjidhja shkencat ekzakte dhe ndoshta do kisha marë një drejtim
tjetër në jetë.
Unë: Musolini nuk vonoi të sulmonte Shqipërinë dhe bashkë me të
i erdhi fundi edhe Liceut Francez të Korçës. Si u prit në shkollë nga nxënësit
dhe profesorët pushtimi italian?
Ai: I gjithë marsi ishte i ngarkuar me lajme nga më të
ndryshmet. Disa e bënin të sigurt që do bashkoheshim me Italinë dhe të tjerë
ishin të sigurt, që Zogu dhe Shqipëria nuk do dorëzoheshin. Liceistët ishin veçanërisht
kundër fashistëve Italianë edhe për shkak të lidhjes shpirtërore me Francën dhe
idealet e saj demokratike. Pjesa më e madhe e profesorëve shqiptarë na i ushqenin
ndjenjën e patriotizmit dhe disa, me Ermenjin në krye, filluan edhe një lloj stërvitje
luftarake të nxënësve të klasave të larta. Atë kohë ishim transferuar pjesërisht
në ndërtesën e Liceut të Ri, në kodra afër Shetros dhe kishte vende ku mund të
bëheshin të atilla stërvitje.
Ditët e para të prillit, pas ultimatumit të Musolinit ndaj
mbretit shqiptar, u ngritëm të gjithë në një demonstratë të madhe në sheshin
pranë pazarit, që më vonë do quhej “Sheshi i Demostratave” duke thirrur për tu
armatosur dhe për të mbrojtur vendin ndaj pushtimit fashist. Profesorët francezë
edhe pse ishin shpirtërisht me ne, qëndruan të mënjanuar për të mos patur problem
të mëdha me Italianët, të cilët dukej se do arrinin shpejt në vend.
7 prilli ishte me të vërtetë një ditë e rëndë, pasi u ndjemë
edhe të dobët edhe të tradhëtuar nga mbreti, që u largua me gjithë një pjesë të
oborrit të tij në Greqi. Të nesërmen ushtria italiane hyri dhe në Korçë, ku u
prit nga disa prej parisë dhe një “dorë“ me fashistë shqiptarë, që mezi prisnin
të bënin karrierë nën pushtimin e huaj.
Unë: Liceu u mbyll menjëherë?
Ai: Jo. Vazhdoi si Lice Francez deri në fund të prillit, por
nuk u lejua të mbyllej viti shkollor, si kishin kërkuar drejtoria e shkollës. Në
fillim të majit u ndamë të malluar me profesorët francezë, që na kishin dashur
dhe na kishin mësuar shumë rreth jetës, atdheut dhe drejtësisë shoqërore. Dy
muajt e fundit vazhduam me disa programe të cunguara nën drejtimin e Cipos, që
ishte emëruar drejtor i Liceut Kombëtar.
Gjatë viteve të pushtimit, lëndët ishin të gjitha në shqip,
përveç gjuhëve të huaja dhe letërsisë dhe gjuhës italiane. Vazhdoi disiplina
dhe mënyra e mësimdhënies e kohës të “francezëve”, por karakteri i Liceut tashmë
kishte ndryshuar. Ishte më “kombëtar”, por më i varfër në tekste dhe literaturë
ndihmëse. Përkthimet e veprave të filozofisë antike apo dhe asaj të mëvonshme
ishin shumë të pakta dhe duhet të bazoheshim në librat frëngjisht, që kishim
blerë vetë ose në ato italisht, që mbushën bibliotekën e Liceut.
Vërtet që programet nuk u kthyen menjëherë në programet e
shkollave italiane, duke i lënë një lloj pavarësie Ministrisë së Arsimit, por
nuk mund të pasqyrohej më në to fryma e “Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërimit”.
Unë: Një pjesë të mirë të klasës suaj ju përjashtuan për disa
ditë se nuk pranuat të përshëndesnit “ala romano”. Patët pasoja të tjera?
Ai: Nuk di nëse emrat tanë u përcollën në ndonjë zyrë të
institucioneve italiane, por në shkollë nuk u morën më me ne. Pjesa më e madhe
e mësuesve edhe pse ishin të detyruar të vinin “kopsën” (distinktivi i anëtarësimit
në partinë fashiste) ishin patriotë dhe e kuptonim që ishin me ne. Liceu ishte
kthyer në atë kohë në vatër të patriotizmit dhe të ideve antifashiste.
Kishim filluar të qarkullonim mes njëri tjetrit “literaturë
subversive” dhe të flisnim se ç’mund të bënim për Shqipërinë. Ishim 17-18 vjeçarë
dhe na dukej që ishim burra dhe atdheu priste nga ne. Nxënësit proitalianë ose
progjermanë ishin shumë të pakët dhe nuk na dilnin hapur kundër në debate. Me
sa di nuk kishte prej tyre që të na kallzonin. Ndërkohë ishte pushtuar Polonia
dhe kishte filluar lufta e Boshtit me Aleatët. Në Shqipëri filloi lufta
italo-greke, që ishte ajo që solli në vend atmosferën e vërtetë të luftës.
No comments:
Post a Comment