(vijim)
Të tjerë korçarë të apasionuar pas filologjisë dhe që
kërkonin pastërtinë e shqipes ishin psh Spiridon Iloja, nga një familje e
vjetër korçare, që ishte edhe një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë në
Vlorë më 1912. Spiridoni ishte një burrë i pashëm mustaqelli dhe i veshur me
sqimë, si ishte moda në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, që kishte edhe
humor. Njëherë në fundin e viteve ’30 lexonte me zë të lartë e të plotë në
trotuar, një shpallje për një koncert që do jepej në Korçë“ Koncert me muzikë
vokale, instrumentale dhe korale…” dhe shtonte vetë “edhe bukëvale” dhe ju
shkonte një të përdredhur cepave të mustaqeve. Nuk i pëlqente që përdoreshin
prapashtesa të huazuara nga gjuhët e huaja. Spiridoni kishte sjellë më 1912 nga
Rumania të mbështjellë në trup flamurin shqiptar, që do ngrihej në Vlorë. E
kishin përgatitur komuniteti shqiptar i Bukureshtit dhe ai ishte një prej përfaqësuesve
të tyre në Kuvendin e Vlorës.
Unë: Po kur ndiqje me korrespondencë Universitetin e Tiranës për
gjuhë-letërsi, cilët ishin pedagogët më të mirë të shqipes?
Ai: Pedagogë ishin disa shumë të mirë, por kur studion me
korrespondencë nuk ke të bësh me ta, veç kur jep provimet. Disa ishin moshatarë
me mua, si Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, po kishte edhe më të mëdhenj se
unë si Selman Riza dhe Eqerem Cabej.
Gjuhëtarët më të mirë u larguan nga Korça, sepse kishte shumë
nevojë për ta në Universitet dhe në institucionet e tjera studiuese e megjithatë
kishte plot mësues dhe njerëz të letrave, që e njihnin mirë shqipen dhe nga të
cilët mund të mësoje. Disa prej tyre ishin edhe të apasionuar pas letërsisë, kështu
që të binte rasti shpesh të mësoje prej tyre. Po si të përmenda më lart, fjalët
dhe shprehjet më të vlera i gjeje mes njerëzve të thjeshtë, sidomos atyre të
ardhur nga zona të thella, që kishin ruajtur një shqipe me më pak turqizma apo
edhe fjalë të tjera të huaja. Ngjitur me ne rrinte një plakë, edhe ajo nga Opari, që quhej Tanë. Më deshte
shumë dhe më pëlqente ta ngacmoja se më theshte fjalë, të cilat nuk i përdornin
të rriturit e tjerë dhe që kanë humbur. Tundte kokën e më theshte “Pllano,
kacimbodhi… shpomurrës, i lig, zabërzan”dhe unë qeshja me të madhe me epitetet
që më rrjeshtonte e mira Tanë.
Edhe të tjerë të moshuar përdornin shumë fjalë të vjetra të
shqipes, të cilat më vonë u hoqën nga përdorimi. Oparakët nuk theshin “ndoshta”,
por “beta” dhe e mbaja mend një shprehje të tyre-“ beta që po, beta që ç’ne,
beta që sene vura re!” kishte edeh shumë të tjera që edhe njihen nga
studiuesit, por që gjuha, si një “qënie e gjallë“ një pjesë të qelizave i mban
dhe i zhvillon dhe një pjesë, për fat të keq, i vdesin.
Unë: Megjithëse dije mirë disa gjuhë të huaja, ti përdorje shumë
pak në bisedat e zakonshme dhe thuajse i mënjanoje gjithësisht në shkrimet tënde?
Nuk ishte pak kontradiktore?
Ai: Ta kam thënë disa herë, që kur flet shqip duhet të flasësh
shqip, kur flet anglisht po ashtu e me rradhë. Nëse i “çorbavit” gjuhët gjatë të
folurit, ose nuk i di mirë ato, ose nuk ke respekt as për gjuhët dhe as për
vete. Sigurisht që do përdorësh fjalë “ndërkombëtare” të cilat ose nuk kanë të
barabartën në shqip, ose ajo nuk është shumë e njohur dhe mund të dukesh si
snob para bashkëbiseduesve nëse e përdor. Gjuha e përditshme varet shumë edhe
nga bashkëbiseduesi, por e domosdoshme është të jetë sa më e pastër. Fjalët e
huaja të panevojshme, që hynë në shqip pas lufte, I futën kryesisht gjysëm të
arsimuarit, që kishin bërë shkolla në lindje, por kishin boshllëqe në njohuritë
e shqipes dhe të gjuhëve të huaja. Kështu fituan qytetarinë qindra fjalë të
panevojshme, të cilat nisën të pastroheshin nga gjuha e drejtshkrimuar pas
Kongresit të Drejtshkrimit. E megjithatë plot mbetën dhe përdoreshin jo vetëm
nga nëpunësit nëpër shkresa, por dhe nga gazetarët dhe shkrimtarët. Sidomos
shkrimet e botuara ndikojnë shumë keq në përhapjen e “shqipes të cunguar” mes të
rinjve dhe njerëzve të thjeshtë.
(vijon)
Shenim: Ne foto Spiridon Ilo
No comments:
Post a Comment