Friday, 19 February 2021

Biseda “të pakryera” me babanë (Liceu Francez - 2)

 


(vijim)

Unë: Profesorët ishin më të shumtit francezë apo jo? Thuajse të gjitha lëndët bëheshin frëngjisht, kështu që ishte edhe më mirë për nxënësit, që të mësonin prej atyre, të cilët e flisnin gjuhën me përpikmëri.

Ai: Kur nisa unë shkollën, shumica e profesorëve ishin shqiptarë. Drejtori teknik, Ksavie De Kurvili ishte francez dhe tre pedagogë të tjerë, Berzho, Mejer dhe Uinkler. Por thuajse të gjithë pedagogët shqiptarë kishin mbaruar më parë Liceun Francez dhe shumica ishin diplomuar në universitetet e Francës, kështu që edhe frëngjishtja e tyre ishte e përkryer. Atë vit ishin mbi 20 pedagogë shqiptarë se edhe numuri i nxënësve ishte i madh. Kishte nga dy klasa paralele për çdo vit dhe për dy vitet e “fillores” (klasa e 8 dhe e 7) ishin nga tre.

Pedagogët francez jepnin mësim në klasat më të larta, por në të gjithë shkollën, pesha binte mbi pedagogët shqiptarë. Padyshim drejtimin dhe “frymën” e Liceut e jepte drejtori teknik i saj, që ishte një njeri shumë i mençur dhe me horizont.

Unë: Kur të kam pyetur për Enver Hoxhën, ti më ke thënë se të kishte dhënë vetëm edukatë morale dhe jepte kryesisht në klasat më të ulta. Nxënësit kishin të bënin më shumë me të në të quajturat “orët e bibliotekës”. Ishte vërtet profesor në Lice Enver Hoxha?

Ai: “Profesor i Liceut” ishte një titull zyrtar, që jo të gjithë pedagogët e kishin. Një pjesë prej tyre, zyrtarisht quheshin mësues. Por në Korçë të gjithë ata , që jepnin mësim në Lice i quanin profesorë. Nuk di si e kishte emërimin zyrtar Enveri, se meqë nuk kishte diplomë universiteti dhe jepte vetëm në klasat përgatitore dhe të ulta, ndoshta ishte vetëm mësues.

Nuk ishte mes profesorëve, të cilët i admironim, por ishte një burrë i pashëm, që sillej mirë me nxënësit dhe dukej që kishte marëdhënie të mira me ta. Vonë, kur kishim dalë në mal dhe mësuam, që ishte në krye të Lëvizjes sonë kundër Italianëve, simpatia për të na u rrit.

Unë: Po cilët ishin profesorët shqiptarë, për të cilët kishit më shumë admirim?

Ai: Nga ata të lëndëve filologjike Kostaq Cipon, Abaz Ermenjin, Foto Balën, Aleks Budën, Selman Rizën, kurse mes pedagogëve të shkencave Raqi Qirinxhiun dhe Ligor Serafimin.

Ky ishte mendimi i përgjithshëm i klasës sonë, por nxënësit e ndryshëm kanë opinione dhe simpati të ndryshme për mësues të caktuar se varet shumë edhe nga karakteri I vetë nxënësit, si dhe rezultatet që ka në një lëndë të caktuar. Eshtë e vështirë ti shpëtosh subjektivizmit. Vlerësimi i vërtetë për një mësues është ai, që mbetet në kohë, kur ke vite që je larguar nga shkolla dhe përballesh me jetën.

Unë: Në një dëftesë semestrale, të një viti më vonë, ti renditeshe i 20-ti  në Gjuhën shqipe mes 31 nxënësve, që ishte edhe renditja më e ulët, ndërsa ishe i dyti në matematikë, i pari në italisht dhe i katërti në “shkencat natyrale”. Ndërkohë ishe “ngritur” edhe në Historinë e Shqipërisë, ku zinje vendin e dytë. Nuk ka një mospërputhje, e cila ka patur të bëjë edhe me pedagogë të caktuar?

Ai: Jo, nuk ka të bëjë me asnjërin nga pedagogët. Ato kanë qënë notat e merituara, që më vendosnin në atë vend (në “klasifikim”) që meritoja. Edhe pse kisha përparuar në gjuhën shqipe, përsëria ajo nuk ishte në nivelin që dija greqisht, bile edhe e krahasuar me frëngjishten. Por isha vetëm 16 vjeç dhe kisha jo më shumë se një vit e gjysëm që jetoja në Korçë, ndaj edhe ai vend në gjuhën shqipe nuk ishte “i keq” për mua.

Në Liceun Francez kishte edhe pedagogë që ishin më “dorështrënguar” në nota, por këtë e kishin me të gjithë nxënësit dhe jo me të veçantë dhe aq më pak për ndonjë “inat” që mund të kishin. Me ndonjë përjashtim shumë të rrallë të gjithë merrnin atë që kishin arritur me studim dhe edhe me inteligjencën e tyre.

Unë: Mua më duket, që edhe ti dhe shumë nga nxënësit e Liceut, e paraqisni atë shkollë me ngjyra plot dritë, kur edhe ajo duhet të ketë patur problemet e veta, se ishte ngritur nga njerëz dhe drejtohej po prej tyre. Nuk kishte se si mos kishte ngjarje “të errëta” dhe karaktere “të dyshimta” pedagogësh. E tillë ka qënë gjendja në çdo shkollë të famshme në botë, në të shkuarën edhe sot.

Ai: Unë po të “rrëfej” kujtimet dhe mbresat e mija, të cilat kanë mbetur të tilla edhe pas shumë e shumë vitesh. Nëse në to ndjehet një lloj ‘idealizimi” i tij, kjo ka të bëjë me ndryshimin e madh, që ai kishte me shkollat e tjera të kohës, si dhe me faktin, që ai nivel nuk u arrit kurrë pas luftës. Sa për “probleme mes mësuesve”, “intriga” apo për “analiza psikologjike”, këto mund t’i bënin vetë pedagogët, se unë di shumë pak ç’ndodhte mes tyre. Edhe ndonjë “karikaturizim” i njerëzve të caktuar, që bënte Enver Hoxha në librin e tij “Kujtime të Fëmijërisë” ishte më shumë në varësi të pikpamjeve politike të pedagogëve apo ish-nxënësve gjatë kohës së luftës dhe pas saj. Unë nuk mund të them se Nesti Nasseja dhe Llambi Ziçishti, të cilët i kisha në klasë, ishin nxënës shumë të mirë, se më vonë u bënë ministra dhe as që Selman Riza apo Abaz Ermenji ishin “të egër” sepse pas luftës u përndoqën.

“Idealizimi” i Liceut ka pak të bëjë edhe me faktin, që Enver Hoxha kishte qënë nxënës dhe mësues në atë shkollë. Ishte i nderuar jo vetëm në Korçë dhe në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. Në bangat e tij u formuan Sotir Kuneshka, Mahir Domi, Pepi Pilika, Sabiha Kasimati, Nesti Haviari, Behar Shtylla, Minella Karajani, Kiçkë Fundoja, Pandi Stratobërdha dhe shumë e shumë mendje të ndritura të shkencës shqiptare. Nëse ti këmbëngul, që prej Liceut dolën edhe shumë komunistë dhe kjo të duket si një “dukuri e errët” atëhere je ti, që ke  një shikim bardhezi, sepse në atë kohë, nga e majta anonin të gjithë mendjet më të ndritura të shoqrive europiane dhe të gjithë nxënësit e Liceut, ku përfshihem edhe unë, që u bënë komunistë, nuk ka pse të ndjehen të turpëruar.

Unë: E lemë jashtë diskutimin rreth politikës, se kështu ka qënë edhe praktika e vetë shkollës. Mësuesit dhe nxënësit nuk duhet të merreshin me politikë, sidomos brenda saj. Kur flisja për “idealizimin” e kisha fjalën për një “shkëlqim”, që i është dhënë gjatë kohës, të cilin më duket se nuk e meriton plotësisht. Ti vetë the, që i krahasuar me Liceun Francez të Stambollit ishte prapa jo vetëm nga paisjet, por edhe në disa pjesë të programit. Si mund të mësonin mirë mbi 600 nëxnës në atë ndërtesë aq të vogël?

 Ai: Kjo është një gjë tjetër dhe lidhet me gjendjen ekonomike të shtetit shqiptar, si dhe me ndihmën që jepte shteti francez. Nevoja për një ndërtesë të projektuar për shkollë ishte ngritur , që në vitet ’20, se ajo ku mësohej kishte qënë një banesë shumë e madhe e një familjeje të pasur, e cila ja kishte dhuruar qytetit. Disa vjet para se të vdiste, bamirësi Thoma Turtulli kishte vënë një shumë të madhe për ndërtimin e shkollës së re dhe punimet për të kishin filluar , kur unë nisa mësimet në Lice. Mos harrojmë, që Korça ishte një qytet i ri dhe akoma më i ri dhe “i pafuqishëm” ekonomikisht ishte shteti shqiptar.

Por shkolla në rradhë të parë janë mësuesit dhe programet. Të kam treguar për rëndësinë e shkollave ”peripatetike” në Athinën e vjetër. Kuptohet, që në lëndët e shkencave, kjo është më e vështirë sepse duhen laboratorë të pajisur mirë, por bazat teorike të mësimeve kanë shumë të bëjnë me nivelin e mësimdhënies. Suksesi në jetë i të gjithë nxënësve të Liceut pas luftës është dëshmia më e mirë për të treguar se ç’shkollë ishte.

(vijon)

No comments:

Post a Comment