(vijim)
Unë: Po cili ishte niveli i interpretimit në skenë në vitet ’60
dhe fillimin e viteve ’70 dhe cilat ishin arritjet më të suksesshme?
Ai: Pati disa realizime shumë të mira në atë kohë në Teatrin
Popullor, atë të Shkodrës dhe të Korçës, që ishin tre trupat më të mira
teatrale të kohës. Teatri popullor kishte aktorë më të shumtë dhe më cilësorë,
por Shkodra dhe Korça në ato vite kishin regjisorë shumë të mirë si Esat
Oktrova dhe Serafin Fanko tek “Migjeni” dhe Piro Mani e Mihal Luarasi në
“A.Z.Cajupi”. Edhe arritjet më të mira patën qënë “Karnavalet e Korçës”, “Mbreti
Lir”me regji të Pandi Stillut, “Arturo Ui” me regji të Piro Manit të Teatrit
Popullor ; “Pamje nga ura” e Millerit me regjit të Piro Manit dhe “Njollat e
Murme”me regji të Mihallaq Luarasit të Korçës, “Engjëjt e Skëterrës” me regji
të Petraq Marjanit dhe Sotiraq Cilit, si dhe “Shtëpia e kukullës e Ibsenit dhe
“Zekthi” të Shkodrës me regji të Esat Oktrovës. Kuptohet që në një periudhe
10-12 vjeçare ka pasur edhe realizime të tjera të mira, por dramat e Paçramit
nuk kanë qënë mes tyre,edhe pse patën shumë elozhe në shtypin e kohës.
Ndër interpretuesit më të mirë shquheshin Naim Frashëri,
Kadri Roshi, Pjetër Gjoka, Margarita Xhepa, Marie Logoreci, Drita Pelingu, Loro
Kovaçi të Teatrit Popullor; Vangjush Furrxhiu, Edi Luarasi, Pandi Raidhi të Korçës
dhe Tinka Kurti, Serafin Fanko, Roza Xhuxho (Anagnosti) të Shkodrës. Këta ishin
ata që shkëlqenin në çdo rol, se aktorë shumë të mirë ishin edhe plot të tjerë.
Unë: Me këto që më tregon për teatrin e atyre viteve duket që
regjisorët më të mirë shqiptarë kanë qënë thuajse të gjithë nga Korça. Sokrat
Mioja, Pandi Stillu, Piro Mani, Mihallaq Luarasi.
Ai: Po të shtosh edhe Esat Oktrovën, që ishte nga Pogradeci,
por kishte bërë shkollën në Korçë, bëhen të gjithë.
Nuk është rastësi. Korça ka pasur një lëvizje teatrore
amatore, që në shekullin e XIX. Atje ku ka shkolla më të mira dhe më shumë
qytetërim, lulëzon edhe teatri. Gjithashtu emigracioni më i zhvilluar se në
vendet e tjera ka bërë që shumë të rinj korçarë të studionin për artet e skenës,
që para Luftës së Dytë. Mioja kishte studiuar në Francë dhe Pandi Stillu në
Rumani, ashtu sikundër Tefta Tashkoja, Kristaq Antoniu, Mihal Cikoja, Lola
Gjoka, Jorgjia Truja, Kostandin Trakoja e të tjerë. Këto e bënin, që në Korçë
të kishte kërkesë për shfaqje teatrore dhe muzikore gjatë viteve të
konsolidimit të shtetit shqiptar. Nuk mund të ndodhte e njëjta gjë në Vlorë,
Elbasan, Durrës apo Kavajë. Ja pse edhe në studentët që shkëlqyen në Institutin
e Arteve për aktrim ishin korçarët Vangjush Furrxhi, Sotiraq Cili, Roland
Trebicka, Minella Borova, Llazi Sërbo, Vera Grabocka, Jani Riza e të tjerë.
Tradita ka shumë të bëjë edhe në art.
Duke u kthyer në periudhën për të cilën po flasim, tek qëndrimi
i Fadil Paçramit ndaj teatrit kishte edhe një dozë “antikorçarizmi”, që ka qënë
i pranishëm në qarqet kulturore pas çlirimit. “U asfiksuan” artistikisht në atë
dekadë Sokrat Mioja dhe Pandi Stillu dhe po ashtu edhe pjesët teatrore të
traditës. Korça në kulturën e asaj kohe kishte ende ambicien të dilte mbi
Tiranën dhe Shkodrën.
Unë: Në kuadrin e kësaj konkurence ishte e famshmja “dekadë“ e
vitit 1968. Ti ishe ndër nismëtarët e saj?
Ai: Ishte një lloj festivali kulturor artistik me një pjesëmarrje
të gjërë dhe në gjini të ndryshme. Ishim dy-tre vetë që e patëm idenë për të dhënë
në të njëjtin dhjetëditor shfaqje të shumta, kryesisht premiera. Kështu u menduan
të shfaqeshin opereta “Brigadierja” e Konos me libret të Vangjush Zikos, premiera
e teatrit ”Nata e fundit e shërbimit” e Besim Levonjës dhe një premierë e
estradës, koncert sinfonik nga orkestra sinfonike e Pallatit të Kulturës e
drejtuar nga Rikardo Jorganxhiu, koncert nga orkestra frymore e qytetit e
drejtuar nga Kiço Venetiku, shfaqje artistike nga shkolla e muzikës me
dirigjent Vaskë Kolacin, koncert nga grupi “Lira” me dirigjent Kostaq Osmanlliun,
shfaqje me këngë dhe valle popullore të Pallatit të Kulturës nën drejtimin e
Pavllo Shollës, koncert i “Shtëpisë së Pionierit” nën drejtimin e Tasi Podës si
dhe shfaqjet e disa grupeve amatore të ndërmarjeve dhe kooperativave. Ishte
angazhim i shumë forcave dhe duke patur sukses në Korçë, shkuam edhe për 10
ditë në Tiranë me të gjitha trupat dhe dhamë të njëjtat shfaqje në sallat e
shumta të kryeqytetit. Pati shumë vlerësime , por më të shumta ishin kritikat e
orientuara nga Komiteti Qëndror dhe që e kishin burimin në Fadil Paçrami, që
drejtonte atje sektorin e kulturës dhe ishte funksionari më me pushtet në
fushën e arteve. “Dekada kulturore” e Korçës u kritikua për shpenzime të mëdha
edhe pse sallat ishin plot dhe të gjitha shfaqjet u ndoqën me interes nga
artdashësit e kryeqytetit.
Disa vite më vonë idenë tonë shumë të kritikuar “ e
përqafuan” apparatçikët e Komitetit Qëndror dhe këshut lindën të shumënjohurat
“Dekadat e Majit” në kryeqytet. Korça me forcat e saj krijuese ju kishte dhënë
një mësim të mirë, por që nuk ju kishte pëlqyer aspak.
Unë: Për të vazhduar me teatrin ti nuk mendon se
dhjetvjeçari para Pleniumit të IV ishte më i miri në historinë e teatrit
shqiptar?
Ai: Të mos përsëritim ato që thamë më lart, kishte shumë
aspekte që u përmirësuan në teatrin shqiptar, si koneptime të reja
regjisoriale, interpretime më cilësore aktorësh të rinj, skenografi interesante
dhe më lakonike, por përsa i përket dramave shqiptare, që dominuan skenën
shqiptare në atë kohë, nuk pati ndonjë rritje nga dhjetvjeçari i mëparshëm. Kjo
vinte kryesisht nga një prirje për të “goditur” traditën dhe sillte edhe
“goditjen” e Shekspirit e të të tjerëve, dhe nga mosnjohja e thellë e artit
skenik e atyre, të cilët u inkurajuan të shkruanin në atë kohë.
Unë: E ke fjalën për Loni Papën, Ibrahim Uruçin, Fadil Krajën ,
Teodor Laçon, Minush Jeron apo edhe për të tjerë?
Ai: Përveç Ibrahimit, katër të tjerët ishin letrarë të
talentuar dhe edhe pse mund të kenë pasur në fillim vepra të dobëta, kanë
kontribut të madh në dramaturgjinë shqiptare. E kam fjalën për emra të tjerë si
Miho Gjini, Sheri Mita, Muharrem Fejzo dhe të tjerë të rinj, që diplomoheshin
si aktorë dhe nxiteshin nga “klani” i Fadilit për të shkruar dhe vënë në skenë
dhe kështu të mbeteshin në hije dhe pa mundësi botimi apo vënie në skenë emra të
njohur si Vedat Kokona, Nonda Bulka, Skënder Luarasi, Zisa Cikuli e të tjerë.
Unë: Ti vetë edhe pse pate shkruar dy librete nuk u “tundove” të
shkruaje ndonjë dramë edhe pse e njihje mirë dramaturgjinë botërore.
Ai: Jo çdokush që shkruan mund të shkruajë edhe drama apo
komedi. Janë gjini të vështira edhe pse mund të mendohet lehtësisht se kush është
në gjendje të shkruajë dialogje në tregime apo romane mund të shkruajë edhe
drama. Nuk është kështu. Ide të tilla ju lindin zakonisht amatorëve të
letërsisë apo edhe teatrit. Kishte plot aktorë, të cilët mendonin se mund të
shkruanin pjesë teatrore. Jo vetëm Aleko Skali, që dinte të shkruante dhe ishte
përpjekur pa sukses të përfundonte disa drama, por edhe Pandi Raidhi, Spirku
Karanxha, Koço Qëndroja e ndonjë tjetër, na jepnin ato kohë t’ju shikonim pjesë
me një ose disa akte, që kishin shkruar.
Në vitin 1975, kur i gjithë repertori i teatrit duhet të
ishte shqiptar, na u kërkua në Lidhje të shkruanim drama dhe unë përfundova një,
e cila kaloi edhe miratimin e këshillit artistik për tu vënë në skenë dhe më
vonë për arsye që nuk mu thanë e ndalën para se të nisnin provat e tavolinës.
Ishte e para dhe e fundit përpjekje e imja për të shkruar një vepër serioze
dramaturgjike.
Unë: Ti asnjëherë nuk më ke përmendur Kasëm Trebeshinën. Më
është dukur shumë e çuditshme më vonë, kur kam mësuar rreth jetës së tij dhe
veprimtarisë letrare, sepse i njihje të gjithë shkrimtarët e brezit tënd.
Ai: Për Kasëmin kisha dëgjuar, por nuk e kisha takuar ndonjëherë
dhe nuk kisha blerë apo lexuar në bibliotekë ndonjë botim të tij. Ndaj nuk të
kam treguar për të apo për veprat e tij, sepse nuk e kam njohur. Edhe kur kam qënë
në Tiranë në vitet 1945 deri 1947, Kasëmi duhet të ketë qënë ose jashtë Tiranës
ose me detyra, të cilat nuk e lidhnin me ne të BRASH-it.
Unë: Nuk e ke parë as të luajë në Teatrin Popullor?
Ai: Jo. Kam parë një pjesë të mirë të realizimeve të Teatrit
Popullor, që prej formimit të tij, sidomos të gjitha të shfaqura në Korçë, por
nuk e kujtoj Trebeshinën. Profilin aktorial të shumë të tjerëve them se e kam
njohur mirë duke filluar me Mihal Popin e deri tek më të rinj, si Margarita
Xhepa, Anastas Kristofori, Pavlina Mani, Bexhet Nelku, Reshat Arbana e të
tjerë. Në Tiranë mblidheshin gjithnjë më të mirët, sepse nga vitet ’60 e më
tej, kur filluan të prodhoheshin disa filma në vit nga Kinostudioja, ishte më e
lehtë të angazhoheshe në role duke qënë në Tiranë.
Unë: Kjo ka qënë arsyeja, që pas vitit 1973, Teatri i Korçës
nisi të “tatëpjetën” e tij?
Ai: Ishte një nga arsyet. E megjithatë them se arsyeja kryesore
ishte që u prish atmosfera e bashkëpunimit artistik, që pat ekzistuar në
teatrin e Korçës në vitet ’50 dhe ’60. Në kohën kur regjisor ishte Sokrati
(Mioja) apo edhe më vonë, kur erdhën Piro Mani dhe Mihallaq Luarasi, trupa
ishte e përqëndruar në arritjen artistike si kompleks, gjë që është çelësi i
susksesit të një teatri. Pas largimit edhe të Luarasit, nuk kishte më regjisorë
të kualifikuar dhe me përvojë, si edhe me dëshirë për të “ngjizur” një kolektiv
frutdhënës. I vetmi sukses ishte shfaqja e “Engjëj të Skëterrës”, një dramë e
huaj, me regjisorë të rinjtë Mariani dhe Cili, e cila u prit shumë mirë nga
publiku shqiptar. Pas heqjes së saj nga repertori, pati premiera mediokre të vëna
në skenë nga aktorë-regjisorë, deri sa në rolin e regjisorit kryesor të teatrit
u “çimentua” aktori Dhimitër Orgocka. Më tej, me përjashtime të vogla, shfaqjet
e Korçës vuajtën nga deklamimi, nga skenat me efekte, nga një ritëm i shpejtë i
panevojshëm. Gradualisht, aktorët më të mirë si Llazi Sërbo, Nella Borova, Jani
Riza, Zhani Ziçishti, u larguan përfundimisht në Tiranë, ose kalonin pjesën më të
madhe të vitit duke luajtur në filma artistikë dhe televizivë pa u angazhuar në
teatër. Mjedisi teatror dhe konceptimi i shfaqjeve apo mënyrës së interpretimit
nuk ishte më në nivelin e tyre. Orgocka i plotësonte boshllëqet në formim me
shumë punë, ambicie, energji dhe angazhim, por ditët e lavdishme të teatrit të
Korçës patën perënduar. Edhe aktorët e
rinj korçarë, që fillonin studimet në Institutin e Arteve, vuanin në fillimet e
tyre nga interpretimi sipërfaqësor dhe me “të bërtitura”, që u bë një lloj
“stili” i teatrit korçar.
Unë: Mos kishte të bënte edhe me drejtuesit e teatrit, psh
shkrimtari Petraq Zoto qëndroi në krye për një kohë shumë të gjatë në vitet ’70
dhe ’80.
Ai: Nuk mund t’i ve përgjegjësi të madhe Petraqit, se drejtorë të
teatrit kishin më parë kishin qënë edhe njerëz, që nuk kishin të bënin me letërsinë
dhe artin si Koço Kondakçiu apo Nidha Shkodrani dhe punët kishin shkuar mirë,
jo për meritë të tyre. Petraqi ishte edhe në gjendje të zgjidhte vepra të mira
dhe të krijonte bashkëpunim me autorë të njohur të dramaturgjisë, por si e përmenda
më sipër, anët më negative ishin atmosfera e punës dhe mënyra e interpretimit.
Vetë aktorët ankoheshin shpesh për grupime brenda kolektivit dhe ndarje jo të
mirë të roleve. U lanë pa role kryesore aktorët më të mirë si Llazi Sërbo,
Sotiraq Cili apo Jani Riza.
Unë: A duhet të kishte trupa teatrore në çdo qytet të Shqipërisë?
Ai: Pse jo? Cdo qytet në çdo kohë ka nevojë për shfaqje të
bukura teatrore, qoftë drama apo komedi. Eshtë shumë më mirë, se të përjetosh
dramat apo tragji-komeditë që shfaqen për ditë në jetën shoqërore.
Unë: Si e shpjegon, që Korça nuk kishte në ato vite aktore gra
të nivelit të Tiranës dhe Shkodrës?
Ai: Jo çdo gjë që lidhet me artin mund të ketë një spjegim të
saktë. Shumë herë karrierat e artistëve, sidomos të vajzave dhe grave në atë
kohë ndërpriteshin pa nisur mirë. E megjithatë duhet pranuar se më të mirat e
kohës ishin me origjinë nga veriu, si Maria Logoreci, Tinka Kurti nga Shkodra,
dhe Edi Luarasi dhe Roza Xhuxho nga Mirdita. Në Korçë më e mira për vite të tëra
mbeti Dhorkë Orgocka, po ndoshta duke mos pasur rivalitet edhe ajo nuk arriti
ta ngrerë artin e saj në më të mirin e nivelit kombëtar.
Unë: Ishte tragjik fundi i Fadil Paçramit?
Ai: Shumë. Dikush më tregonte, që përveç “telendisjeve” që i
patën bërë në Komitetin Qëndror dhe në organizatën bazë, e kishin dërguar edhe
të bënte autokritikë në një fshat të zonës elektorale ku ishte deputet. Pasi e
“keqtrajtuan” gjatë mbledhjes duke e demaskuar si “liberal”, kishin vënë edhe
fëmijët e fshatit ta ndiqnin me gurë ndërsa priste të merrte autobuzin për tu
kthyer në Tiranë. I shkreti pat rënë para se të hynte në autobuz dhe më pas
ishte ngritur me vështirësi duke u mbrojtur nga gurët e kalamajve. Diktatura
nuk kishte mëshirë për njeri!
No comments:
Post a Comment