“Ene aksi ka t’boj, ene numuri i koms…ene momenti!” ishin fjalët e rëndësishme të profesorit tonë të fiskulturës Raq Bushi, kur i kërkonim të na spjegonte nëse ishte e rëndësishme për një futbollist të “klasit” të kishte sa më të madh numurin e këmbës. Prof. Raqi atë kohë mbronte disertacionin dhe ne nuk arrinim të kuptonim nëse e kishte fjalën për momentin si nocion kohor, apo për nocionin fizik të tij. Ndoshta nuk e dinte as Raqi vetë.
Dashje pa dashje më kujtohet kjo “mesele” e shkurtër e kohës
së rinisë, kur nga Shqipëria më shkruajnë në mesazh “Për momentin jam jashtë
Shqipërisë“, “…jam shumë i zënë për momentin”, “momentalisht nuk e strukturoj
dot si proces”, “…çdo gjë do zgjidhet sipas momentit përkatës”, e plot të
tjera, ku “Momenti” është i plotfuqishëm.
Konstruktorët, që llogarisin ndërtimet, e dinë se sa të rëndësishme
janë momentet e forcave për të kursyer në hekur dhe në shpenzime, por nuk ka
agjë më të “fuqishme” se “për momentin”
në shqipen e shekullit të XXI. Nuk ka nevojë të thuash më “tani”. “Tani” është
arkaike, demode, e pastrukturuar, prozaike, banale, katunareske,
antiavanguardiste. Më keq akoma shprehjet “tani për tani”, “në këtë çast”, “sot
paradite”, “këtë javë“ etj etj, që janë shqip dhe përcaktojnë qartë se për ç’segment
kohor bëhet fjalë.
“Për momentin” është magjik se jo vetëm tingëllon njëkohësisht
europiane dhe amerikane, por ka brenda edhe “djallëzinë anadollake” për t’i “lënë
gjërat mbytkë“. Se nuk mund ti kërkosh llogari dikujt që të ka premtuar se do të
bëjë diçka, as pas një muaji, pasi të ka thënë “…për momentin problemi jot do
kalojë në një plan të dytë të evaluimit paraprak”. Se ta ka bërë të qartë! Do duhen
të paktën dy deri tre muaj , që “momenti tremujorsh” të arrijë “pjekurinë e evaluimit
paraprak dhe situata të bëhet ekzigjente”.
Dhe është thellësisht magjik, se posa më shkrojti një mik, të
cilit i kam marrë hua 200 dollarë dhe nuk kam t’ja kthej, ndaj i shkrojta që “për
momentin, po angazhohem në një artikull gjuhësor, që do përçojë një diskutim
gjithëshqiptar në trevat brenda, jashtë dhe anash Atdheut”. Miku e mirkuptoi dhe
më tha, që do më kujtojë pas dy muajsh për borxhin. Nuk e di ku ndodhej “për
momentin”.
Tani po e mbyll!
“Për momentin” pirdhuni të gjithë ju dhe momentet tuaja aq të
vlefshme!
No comments:
Post a Comment