Saturday, 20 February 2021

“Përralla” me mbret!


Lajmi më syçelës i kësaj jave për mua ka qënë ai që “Princ Harry dhe Meghan(dukeshë a konteshë)janë liruar nga puna mbretërore”.

Më në fund e kuptova, që ëndrra ime për tu bërë pakëz “mbretëror” për të mos punuar, paska qënë plotësisht “në hava”, se mbretërit, princërit dhe kontërit, jo vetëm punokan, por dhe ju “bie bretku” në punë. Ndoshta prandaj dhe i kanë lehtësuar Harry-n dhe Kate, se presin një fëmijë të dytë dhe s’kanë se si të përkujdesen “mbretnisht” për ta.  

Më pas, ëndërrpërmbysur, u mundova të kujtoj se kush ma kishte shtënë në mendje këtë punën e të kthyerit në “mbretëror” për të mos punuar. U kujtova- Populli. Ka qënë vetë populli krenar, liridashës dhe i papërkulur shqiptar, që më ka krijuar përshtypjen e gabuar se mbretërit dhe soji e sorollopi i tyre nuk punojnë, por veç bëjnë qejf. Dhe për këtë nuk ja u hedhim dot as fajin pushtuesve të huaj, sikundër bën një studiues iu shquar i fesë, që thotë se “shqiptarët kanë qënë denbabaden antifetarë, por fetë e ndryshme ja u sollën pushtuesit dhe meqë jemi pushtuar nga tërë llojet e tyre, kemi edhe shumë fe!”.

Nuk ja u hedhim dot të huajve se fjalën “mbret” e kemi shpikur dhe nuk gjendet në asnjë nga gjuhët e gjalla, të vdekura dhe as në ato në agoni. “Mbret” është 100% shqip dhe është sipas fjalorit “Titulli i monarkut, që trashëgohet brez pas brezi”. (Fjalori nuk spjegon se ç’është monarku, po unë me afërsi e marr me mend dhe me mend përpiquni ta gjeni edhe ju miqtë e mij jombretërorë.)

Dhe se sa e rëndësishme është kjo, po ja u shtjelloj me një krahasim të thjeshtë. Ne fjalën “mbret” e kemi tonën, ndërkohë kur fjalën për organin seksual femëror e kemi të huazuar nga sllavët! Tani më thoni nga doli mbreti! Kush ishte në fillim?

Po le të kthehemi në fajin, që ja hodha popullit, që në njëfarë mënyre është gjëja më e sigurt për të mos bërë armiq dhe të mos biesh në pozitat e komunizmit intrasigjent.

Populli i ka nxjerrë shprehjet “rron si mbret!”, “afër detit , afër mbretit”, “ po të ishte puna e mirë punonte dhe kadiu”(Kadiu është ku e ku më poshtë se mbreti, prandaj automatikisht e aplikojmë edhe për monarkun), “ gosti mbretërore”, “ku shkon mbreti më këmbë“, “vetë mbret, vetë dovlet” e dhjetra e dhjetra të tjera. Nuk kam dëgjuar ndonjë të tipit “mbreti i urtë pi dy nëna”, apo “puna e ka bërë mbretin”, ose më keq akoma “punë punë dit’ e net’, që të bëhem pakëz mbret”.

Ndaj jo vetëm unë, po edhe të gjithë ata dhe ato, që kanë ëndërruar të bëhen “mbretërorë“ për të bërë qejf pa punuar, jemi të gënjyer që në fëmijëri nga vetë populli.

Po ja vjen një ditë dhe e vërteta del në shesh. E gjitha ka qënë “një përrallë me mbret”. Mbretërve  ju është dashur të punojnë gjithnjë rëndë dhe akoma më rëndë duhet të kenë punuar ata mbretër, që mbanin hareme ku gjendeshin pa shumë mund nga ato, që na i sollën ne pushtuesit sllavë.


No comments:

Post a Comment