Friday, 15 August 2014

Në kokë nuk ka vend bosh

Dikur, një thënie përafërsisht e tillë i atribuohej Leninit dhe me të theksohej rëndësia për të përvetësuar marksizëm-leninizmin. Disi më saktë citati ishte “Nuk mund të ketë vend bosh për ideologjinë në trurin e njeriut. Vendin e një ideologjie do e zerë medoemos ideologjia tjetër.”
Dukej një ligj thuajse absolut, në përputhje me ligjet bazë të natyrës.  Me atë të ndryshimit të formës së energjisë, të moshumbjes dhe moskrijimit të materies e deri tek ligjet më të thjeshta të lëvizjes së ajrit nga vende me presion më të lartë tek ato me më të ulët. Mjeshtrit e propagandaës sovjetike dhe nxënësit e tyre në Shqipëri kishin gjetur me efikasitet jo vetëm të detyronin të rinjtë të studionin filozofinë marksiste, por edhe t’ju futnin frikën për të lexuar gjëra , që nuk përputheshin me të, sepse edhe vendin më të vogël bosh po të gjente ideologjia borgjeze do depërtonte si lëngjet dhe do mbushte skutën e zbrazët të kafkës së tyre jo të vogël.
Serbi Vitomir ka lindur në Sarajevo dhe është martuar si shumë boshnjakë me një grua myslymane po nga Sarajevo. Ka qënë lojtar i dëgjuar hendbolli në rininë e tij dhe ka shijuar vitet ’70 si çdo i ri i një vendi pjesërisht të lirë. Pa kokëçarje, pa u marrë me politikë dhe me shoqëri e vajza. Tani nuk I pëlqen të vizitojë qytetin e tij të lindjes e të burrëërimit, sepse çdo gjë i duket e ndryshuar dhe jo e drejtë. Mes të tjerave thotë “Gjithe të Kuqtë, ata që ishin anëtarë të flakët të LKJ-së janë kthyer tani ortodoksë të zjarrtë, myslymanë të betuar dhe katolikë të devotshëm. Po e shkatërrojnë me urrejtje atë vend” E ka fjalën për kroatëtë, serbët e boshnjakët e kohës së tij.
E njëjta dukuri ndodh edhe në vendin tim. Diku kam përmendur një komunist të vjetër të kthyer në psallt, një agjitator të Bashkimeve Profesionale të veshur prift dhe shumë komunistë të tjerë fanatikë, që tani bëjnë be e rrufe jo “Për ideal të Partisë!”, po “Për atë Zot!”
E gjitha kjo, në vend të më shpjerë më pranë teorisë leniniste të mungesësë së vakumit në ideologji, më bën të mendohem mirë e të them se shoku Vladimir Iliç e ka parë pak si bardhë e zi. Ose më mirë shokët komunistë të asaj kohe e kanë marrë si “kallëp” dhe e zëvendësuan menjëherë ideologjinë komuniste me atë fetare. Se njeriu mund të jetojë nën këtë diell edhe pa pasur kokën “dingë“ me ideologji dhe të jetojë mirë, mos ju bjerë më qafë të tjerëve dhe mos flasë marrëzira.

Dhe nuk ka asnjë arsye të quhet Kokëbosh!

No comments:

Post a Comment