Saturday, 2 August 2014

Përse duhet luftuar edhe në një betejë, që dihet se është e humbur

Me këmbimet e fundit me autorin e projektit së Kullës së Korçës, profesorin australian Peter Wilson mori fund edhe “beteja” e disa kolegëve arkitektë dhe miqve të mij shkrimtarë dhe artistë rreth ndërtimit të ri në sheshin e Teatrit. Ishin jo më shumë se dy javë me shkrime dhe diskutime, kryesisht në FB, me dy pika kulmore, një letër tepër qytetare e Benit(gazetari Arben Kallamata) drejtuar firmës Bolles+Wilson dhe një letër e hapur drejtuar Niko Peleshit nga 7 arkitektë korçarë, që punojnë në Amerikën e Veriut. Të dyja letrat u botuan nga e përditshmja shqiptare MAPO.
Synimi i “betejës” ishte të “galvanizonte” opinionin publik në Korçë dhe jashtë saj për të bërë ç’është e mundur, që të ushtronte presion mbi autoritetet qëndrore dhe lokale, të ndalnin realizimin e objektit deri në ndryshimin e tij.
Vetë isha i ndërgjegjshëm, që beteja “donkishoteske” me mullinjtë me erë (Kulla vërtet po ti shtohësh vetëm një helikë me tre krahë duket si Mulli me erë) ishte e humbur edhe pse kisha një fije të vogël shprese, që dikush diku lart në Qeveri, për të mos pasur “avaze” kot mund të ndryshonte diçka. Gjithashtu kisha edhe një fije më të vogël shprese, se në këtë sezon plazhi, në Korçë mund të kishte një përpjekje solidarizimi me ndonjë lloj peticioni apo ndonjë manifestim të thjeshtë të “mosbindjes qytetare”.
Nga ai informacionët i pakët , që kam rreth objektit si dhe nga ntyra e debatit, më duket se ndërtimi nuk është një rast i pastër korrupsioni. Një objekt prej rreth 40 m2 në plan edhe pse mund të ngrihet deri 9-10 kate, nuk le ndonjë gjë të madhe për tu fituar nga fondi prej 2.5 milion dollarë. Me një fjalë, qëndresa e patundur e autoriteteve për ta realizuar nuk është e motivuar kryesisht nga qëllime fitimi. Gjithashtu nuk besoj se kokfortësia dritshkurtër e profesorit Wilson i detyron ata “që kanë në dorë“ të mos lejojnë asnjë ndryshim.
Ata , që u morën me nxjerrjen e fondeve dhe tenderin e objektit, kishin një lloj “frike” rreth reagimit të opinionit publik, se e mbajtën të fshehtë për muaj. Për fillimin e ndërtimeve, zgjodhën ditët e kampionatit Botëror dhe sezonin e plazheve, kur çdo gjë shtyhet për tu diskutuar në shtator. Në fillim, kjo të linte përshtypjen, se diçka e madhe fshihej, por me kalimin e ditëve u kuptua, që ishte vetëm dëshira për të ndalur protestën e korçarëve sepse të njëjtin hezitim kanë pasur edhe vetë për projektin.
Po përse nuk bënë as përpjekjen më të vogël për tu përgjigjur, për të bërë një pezullim disa ditor apo për të dhënë spjegime?

Duket, që Peleshi, i cili ka luftuar në Qeveri për nxjerrjen e fondeve të këtij objekti nuk do të japë shenja lëkundje faqe shefit të tij, ose e gjykon që injorimi është forma më e mirë për të platitur gjërat.
(vijon)

No comments:

Post a Comment