Strehët qanë,
Jo për lindjen time,
As për të atit tim pikëllim,
Po se ngrohtë ishte atë dimër.
S’bënte acar,
Nuk
binte borë,
S’frynte
thëllim.
I rrallë gaz,
Në një stinë tjetër,
Po më përcillnin tek i blerti jaz.
Do lija fshatin dhe strehën e vjetër,
Do shkoja larg në botën plot drita,
Edhe pse vetëm gjashtëmbëdhjetë.
Nuk ishte pranvera që lashë,
Tek fshati me jazin e blertë.
Shpirti më mbeti varur degës së kajsisë.
Në dhomat luks, që grilat i mbajnë errët
I brishti trupi im i xhveshur dridhet,
Përreth asgjë s’i ngjan shtëpisë.
Shpatullat jashtë,
S’mund të valëvit mjerimin tim,
Unë vajza e gjashtë.
Drejt rrugës tretet i imi vështrim,
Asnjë rrotë pranë meje s’ndalet.
Eshtë acar,
Bie borë,
Fryn
dhe thëllim.
No comments:
Post a Comment